Në Shqipëri kërcënohen Liria e Shtypit dhe Medias

792
Sigal

Shqipëria ndër vendet kryesore për kërcënimin e gazetarëve në Evropë

Kapja e televizioneve nga qeveria, kërcënimet ndaj medias sociale, dhe përdorimi i policisë nën pretekstin e sigurisë shtetërore janë kërcënimet kryesore ndaj lirisë së medias. Ky është përfundimi i raportit të organizatës evropiane për lirinë e medias dhe të shprehjes “Mapping Media Freedom”. Raporti u bazua në vëzhgimin e kryer me mbi 3 mijë raportime të bëra në 43 vende të Evropës që prej vitit 2014. Rezultatet e raportit do të shërbejnë për të studiuesit e lirisë së medias, për ligjvënësit, dhe për “ata që dëshirojnë të ndihmojnë në krijimin e medias së pavarur dhe pluraliste”. Organizata “Mapping Freedom Media” i ka kushtuar vëmendje te veçantë  incidenteve të ndodhura në vendin tonë gjatë protestave kundër gazetarëve. Në raport thuhet se gazetarët ishin “të parët që u vunë në shënjestër, u rrethuan dhe u lënduan”, nga policia gjatë protestave. Pavarësisht se prania e tyre në ngjarje të tilla është “pjesë thelbësore e detyrave të tyre profesionale” dhe ata nuk duhet të ekspozohen ndaj “kërcënimeve të shumëllojshme” kur marrin pjesë. Gjithashtu,“moskuptimi” i rolit të medias nga ana e policisë vlerësohet si faktor ndikues në ushtrimin e dhunës ndaj gazetarëve. Gazetarët në Shqipëri janë shënjestruar dhe sulmuar rregullisht gjatë mbulimit të protestave. Në protestën e fundit të opozitës më 16 prill, një gazetar humbi ndjenjat; një fotoreporter u godit me shkop në kokë; dhe disa të tjerë pësuan probleme me frymëmarrjen dhe ndaluan transmetimin nga gazi lotsjellës i lëshuar nga policia. Gjatë muajve të fundit, shumë të tjerë janë shtyrë, sulmuar verbalisht, ndaluar të filmonin, ose kërcënuar me arrest me burg nga punonjësit e shtetit. Një tjetër kërcënim i identifikuar në raport është kapja nga shteti e televizionit publik, si dhe ndërhyrja politike në mediat e tjera kombëtare private. Zakonisht, politikanë ju kërkojnë redaktorëve ose gazetarëve të nxjerrin lajme të caktuara ose të marrin apo pushojnë nga puna gazetarët në bazë të bindjes së tyre politike. Gjithashtu, u vu re se politikanët kërkuan të kontrollonin mediat duke mos lejuar gazetarë të caktuar të merrnin pjesë në konferenca shtypi.

Në Shqipëri, Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nuk mbajnë konferenca për shtyp. Ato nuk i lejojnë mediat e pavarur t’i bëjnë pyetje në publik dhe shpërfillin kërkesat për informacion ose komente. Përveç kësaj, Rama ka stacionin e tij televiziv ERTV ku transmeton aktivitete e qeverisë, të kuruara me kujdes nga ekipi i tij i komunikimit. Një studim i kompanisë shqiptare IDRA i mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara, botuar këtë javë, zbuloi se politikanët dhe qeveria përbëjnë rrezikun më të madh mbi lirinë e shprehjes në vend. Të anketuarit folën për ndërhyrje politike në punën dhe tek redaktorët e tyre, për censurimin apo edhe heqjen e lajmeve që dëmtojnë politikisht qeverinë. Për më tepër, sipas raportit, edhe demonizimi politik është një problem i madh. “Gatishmëria për të sulmuar gazetarët ose mediat ku ata punojnë, në vend që të debatojnë faktet, në mënyrë që të pengojë të drejtën e qytetarëve për informim është kërcënimi i vërtet i lirisë së medias në BE, në vendet kandidate dhe në vendet e mundshme kandidate.” Figurat kryesore politike në të gjithë kontinentin sulmojnë gazetarët dhe mediat kritike ndaj tyre, duke i konsideruar raportimet e tyre si “lajme të rreme” ose duke i akuzuar ata për pasjen e motive të tjera, të tilla si lidhjet politike apo kombëtare. Në Shqipëri, kjo është një taktikë që përdoret rregullisht. Shumë gazetarët janë sulmuar nga portalet e lidhura me qeverinë. Kryeministri rregullisht i quan raportimet kritike ndaj tij “lajme të rreme”. Gazetarë kërcënohen verbale ose fizikisht si rezultat i komenteve të tilla dhe madje mua nuk mu rinovua leja e qëndrimit, ndërkohë që isha gjashtë muaj shtatzënë.

Një tjetër gjetje është mbizotërimi i ngacmimeve në rrjetet sociale dhe në rrjet me shënjestër gratë. Janë vërejtur ngacmimeve seksuale në Twitter, kërcënime me vdekje dhe mënyra të tjera, dhe raporti tregon se raste të tilla janë në rritje. Për këto ndodhi, fajësohen kryesisht fjalimet e politikanëve, të cilat shpesh herë çojnë në ngacmime kundër atyre që janë piketuar. Mënyra më e zakonshme për të arritur këtë kryhet përmes ngacmuesit online (Trolls). Qeveria shqiptare dyshohet të ketë punësuar njerëz, qëllimi i vetëm i të cilëve është patrullimi i rrjeteve sociale, duke postuar komente mbështetëse ndaj qeverisë dhe fshirë kritikat. Exit.al gjeti pafund profile të rreme që përdornin emra dhe imazhe të rreme, të cilët komentonin pro-qeverisë në artikujt kritikë ndaj Ramës, Veliajt, apo politikanëve të ndryshëm. Liria e medias është pushteti i katërt i demokracisë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guttieres deklaroi se: “Asnjë demokraci nuk është e vërtet pa akses në informacion transparent dhe të besueshëm. Është themeli për ndërtimin e institucioneve të ndershme dhe të paanshme, duke i vendosur përpara përgjegjësisë liderët dhe duke i kërkuar përgjegjshmëri nga pushteti.”  Alice Elizabeth Taylor