Në Konispol tek veterani i gazetarisë Ilmi Jupe

99

Nga Agron MEMA

Fundgushti i nxehtë ka mbledhur gazetarët veteranë të ish-gazetës “Fitorja”, organ i ish-komitetit të partisë së rrethit të Sarandës, tek një nga veteranët e gazetarisë shqiptare, Ilmi Jupe ,i cili ka kapërcyer të 80 vitet e jetës. Nën pishën e Konispolit, freskia dhe aroma e saj, duket sikur risjell kujtimet e gazetarëve që bënë gazetari në kushtet më të vështira politiko-ekonomike dhe infrastrukturore. Janë dy veteranë që bëhen “mblesë” të këtij takimi me kryeveteranin Ilmi, Koço Kosta e Thoma Nika. Trokitje gote dhe pa dashje një pikë loti rrëshqitur faqeve të gjithsecilit. Tryezë me kryefjalën e emocionit. Kujtojnë atë gazetë që, vërtetë u mori rininë, por edhe i rriti e u shtoi dashurinë për profesionin. Gazeta e Sarandës , me gjithë problematikën e popullsisë heterogjene, mundi të shtonte tirazhin e saj vit pas viti deri në 30 mijë kopje, duke u radhitur e para në republikë mes gazetave lokale. Mes këtyre kujtimeve nuk ka se si të mos kujtosh edhe kushtet e vështira në të cilat formatohej dhe shtypej gazeta “Fitorja”. Teknologjia që përdorej për stamposje dhe shtypje qe shumë e vjetruar dhe tej mase e konsumuar, një teknologji gjermane, një lynotop viteve 1800, që sot në kushtet e zhvillimit të internetit, kolegëve të mediave u duken si përralla kur i dëgjojnë. Çdo germë e faqosjes që shtypej kalonte si proces në zhytje të një solucioni prej plumbi deri sa formësohej si germë. Ndërsa fotografia që botohej në gazetë, përsëri kalonte nëpërmjet një teknologjie të vjetër. Fotoja në letër stamposej në një pllakë zinku e prej andej shkonte stamposja në faqet e gazetës, ndërsa teksti stamposej mbrapsht që të delte mbarë në faqen e gazetës. Shkrimet kalonin nga frymëzimi i gazetarit, tek teknologjia e prapambetur e deri tek paaftësia e tipografëve të pakualifikuar. Këta djem të rinj e bënë gazetën “Fitorja” të qe e para ndër gazetat lokale të kohës duke sjellë risi të reja në faqet e saj, aq sa qenë të rralla gazetat qendrore që nuk botonin shkrime të marra nga faqet e “Fitores”. Qe koha kur publikimi i një lajmi ekskluziv ka qenë përherë objektivi më ambicioz në garën midis gazetave, të paktën në atë kohë kur gazeta shkonte tek lexuesi me faqe lajmesh, rubrikash, informacionesh të shumëllojshme dhe jo zbavitjesh e parfumesh. Rubrikat tek “Fitorja” u bënë një obsesion, sepse jo vetëm që përballohej dhe mundej konkurrenca, por konfirmohej edhe cilësia e gazetës, rritej prania e saj tek lexuesi dhe autoriteti i gazetës dhe gazetarit. Fenomenet negative goditeshin nga pena e Guro Zenelit, Ilmi Jupes, Thoma Nikës e korrespodentëve të shumtë, nëpërmjet satirës së pa mëshirshme, por me një ilustrim të shkëlqyer të fantazisë gazetareske dhe redaksionale. Ishte një botë me mjedis krijues. Kështu erdhën rubrika si fejtoni, reportazhi problemor ku fokusohej në “Si e doni Sarandën” rubrikë problemore dhe tepër kritike, rubrika e sjelljes në faqet e gazetës të figurave të shquara jashtë Sarandës, figura në harresë, por projektorët e gazetarëve sarandjot lëshonin dritë mbi personalitetin e tyre. Ishte rubrika kulturë dhe art duke përdorur edhe kronikën dashamirëse në faqet e gazetës. Silleshin përvoja dhe shembuj nga specialistë të fushave të ndryshme. Kjo u bë dhe një shkollë për korrespodentët e rinj e të pa përvojë. Sot shumica e ish stafit të gazetës “Fitorja” radhiten si të përzgjedhur si figura autentike të perandorisë së gazetarisë shqiptare. Kujtojnë reportazhin “Nesër në kanalin 12 për Ksamilin” ku hidheshin ide të avancuara për kohën dhe si të tilla edhe të papranueshme për partinë dhe pushtetin e kohës. Por kujtohen edhe një histori që “topi i ngeli në derë redaksisë”. Është artikull i vitit 1975 për emrat dhe toponimet e rrethit. Gazetari Thoma Nika, i sapodalë nga universiteti ku studioi për gazetari boton një artikull mbi emrat me karakter politik e klasor. Qe koha kur kish filluar braktisja e emrave si Sovjetike, Natasha etj., dhe fshatrave minoritare, motiv i marrë nga një situatë e krijuar në gjendjen civile të Vergoit. Komiteti i partisë së Sarandës dha direktivën e zgjerimit të këtij artikulli problemor që prekte politikën e kohës, pasi ndryshimi i emrave të fshatrave qe bërë edhe me një dekret të Kuvendit Popullor. Shkrimi u riformatua përsëri dhe zuri vend në faqet e gazetës. Por ambasada greke në Tiranë dhe ministria e Jashtme greke bënë notë proteste deri në OKB duke e quajtur diskriminim të minoritetit dhe shuarje të identitetit të tyre ndryshimin e emrave të fshatrave. Pas kësaj proteste të Greqisë, partia e “hoqi topin nga vetja” dhe ia la redaksisë. Filloi shantazhi ndaj gazetarëve…Po kujtimet ndjekin njëra –tjetrën me sens humori e rrëfim gazetaresk. Dhe ja tek kujtojnë edhe një episod: Enveri dhe i vdekur i tmerronte e i dënonte gazetarët. Do bëhej kronika e varrimit të tij dhe fotografia erdhi e gatshme nga Tirana. Mirë, po qe stampuar së prapi. Ramiz Alia delte në krah të majtë të arkivolit dhe Adil Çarçani në të djathtin. Qe gabim i pafalshëm, se qenë ndërruar vendet dhe renditja e udhëheqësve…një rrezik që duhej marrë parasysh. Përsëri riskun e morën gazetarët me direktivën “Ata kanë të drejtë të gabojnë, ndërsa ju të korrigjoni”.