Nafta është banka e fshehtë me çelësa në duart e qeeritarëve

1099
Sigal

Flet nga SHBA, Ing. Ahmet Çollaku/ Deputetët nuk flasin për koncesionet, pasi me lekët e tyre blejnë votat e të varfërve. Fusha e naftës në Marinëz më e madhja në Evropë, rezervat 400 milionë ton, qytetarët shpirtzbrazur, politikanët barkngopur, shteti dhe kompanitë që gjoja dalin me humbje…

Kur pasuria që na sjell fati fillon të të marrë mendjen, është e pamundur të mos thyejmë kokën.
-Seneka-

Kjo krizë Shqiptare ka në epiqendër naftën sado që disa lider partish flasin dhe ulërijnë për vota të vjedhura. Nafta është bankë e fshehtë me çelësa në duart e liderëve shqiptarë që asnjëherë nuk flasin për koncesione dhe grabitje nafte. Të gjithë e dinë mirë se votat e Shqiptarëve janë nëpër marrëveshjet koncesionare firmosur nga qeveritarët, nga persona të dukshëm dhe të pa dukshëm. Humbjet tona në naftë janë miliarda dollarë. Vetëm me një ton naftë blihen qindra vota, po me disa mijëra tonë naftë? Këta kryelugetër gjithnjë lëvizin gurët e shahut për të qëndruar në krye, të vjedhin sa me shumë naftë. Të bëjnë të njëjtin teatër të dhunës dhe hipokrizisë. Që përsëritet e përsëritet pa fund. Prej 30 vjetësh. Me të njëjtët barkpangopur, me të njëjtët shpirtzbrazur.

Të huajit e dinë mirë se Shqipëria ka naftë. Sipas statistikave botërore, Shqipëria ka 0.1% të rezervave botërore të naftës, radhitur në vendin e 56, duke lënë pas 42 vende. Pra, Shqipëria është shumë perspektivë dhe inkurajuese për kërkimin dhe zbulimin e naftës… Shqipëria vlerësohet të ketë rezerva relativisht të larta të naftës, që arrijnë deri në 400 milionë ton naftë, a me shumë. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, 40 milionë tonë/naftë janë të pashfrytëzuara, ndërsa 50 milionë tonë/naftë janë tashmë të shfrytëzuara. Këtë perspektivë energjetike më mirë e dinë specialistet tanë të naftës.
Qeveritë shqiptarë, me kohë u kanë hapur portat kompanive të huaja të grabisin naftën shqiptare. Janë shumë kompani. Këto marrëveshje janë bërë dhe bëhen për të vjedhur naftën, për të konvertuar votat e shqiptarëve. Së pari është Kompania Bankers Petroleum ulur këmbë kryq në vendburimin e Marinzës, nga ku dizenjohet Shqipëria. Sa borxhe i ka kjo kompani Shqipërisë? Ikën pronarët e parë pa bërë as një dorëzim dhe erdhën kinezët e hieroglifëve. Bankers Petroleum shfrytëzon vendburimin e Marinzës që nga viti 2004, fushën kryesore të naftës në Shqipëri dhe më e madhja në Evropë me një sipërfaqe prej rreth 17.8 mijë hektarësh ku rezervat e saj të provuara janë rreth 5.4 miliardë fuçi naftë. Le të dale një elitar të na thotë sa paguhet Shqipëria.
Duhet thënë se Shqipëria deri tani nuk ka fituar gjë nga shfrytëzimi i kësaj pasurie mjaftë të madhe natyrore që ka nëntoka shqiptare. Nga lartë na thonë se kompanitë e naftës nuk kanë rezultuar me fitim.

Kalvari i kontratave të naftës me të huajit është i gjatë dhe i komplikuar, një metamorfozë e tmerrshme ku ka paqartësi dhe abuzime monstruoze. Në shtator 1995, qeveria Shqiptare nënshkroi një kontratë për kërkim-shfrytëzim me kompaninë angleze “Medoil “. Kjo kompani nuk kreu asnjë lloj punimi, por këtë licencë në vitin 2007 e bleu kompania tjetër angleze “Cairn Energy“ me “Capricorn Albania Ltd”, duke planifikuar të bënin rreth 400 km. profile sizmike dhe më pas të shponin edhe një pus. Po asgjë nuk u bë.

Kompania Phoenix falsifikoi dokumente me vlerë 1.300.000 dollarë. Vargu i skandaleve të tilla është i gjatë, por qeveritë shqiptare, nuk merren me këto, rëndësi ka që paratë e naftës të shkojnë në fondin e partive, në fushatat elektorale dhe paraelektorale. Zyrat e shtetit shqiptar shpesh herë kthehen në një han pa porta nga ku mund të vjedhësh miliona dollarë përmes faturave të falsifikuara.

Grabitja e pasurive kombëtare është realizuar nëpërmjet një procesi të sofistikuar, të maskuar pas ligjit të koncesioneve. Qeveria e parë e viteve ’90, grabiti nëpërmjet privatizimit dhe futi në përdorim urgjent koncesionet. Ndërkohë, ne shqiptarët merremi me mustaqet e Ҫelos. Le te bëhet një Vetting për naftën, të gjenden se cilët kanë firmosur ato dhjetëra marrëveshje koncesioniste, atëherë do të kuptohet mirë nga na vjen ky skllavërim dhe përse shkrepin herë pas here këto protesta partish. “Shumë kam bërë, po ende shumë kam për të bërë…” thotë i “Pakorruptuari” ynë, Rama. Po kujt ia thotë Ai këtë, mua? Vjedhja vazhdon. Rëndshëm. Sistemi i rrjepjes është i fortë, në këmbë…

Koncesionet e naftës, këto biznese të zeza shqiptare, trajtohen me detaje në librin “Nafta dhe Politika” të Prof. Dr. Maksim Shulit, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe President i Albpetrolit. Ky autor ka bërë edhe disa intervista të gjata që ngjajnë si ekuacione algjebrike, me disa të pa njohura. Prof. Maksi me kohë ia ka përcjellë këtë libër edhe K/Ministrit, por ai preferon të luajë “shah” me një “timon” pranë një “tepsie”, por jo të lexojë një libër për naftën shqiptare, apo sugjerimet e kolegëve të mi në “Armatë…” a përtej.

Korrupsioni i partive në fushata zgjedhjesh bëhet me paratë e naftës. Kështu kanë bërë dhe bëjnë të gjitha partitë… Kudo akumulohet nafta që u jep energji vendasve dhe të huajve. Zaten Shqipëria edhe vite më pare ka qenë një kungull a fuçi nafte në sqetullat e të huajve. Ato para gjenerojnë fuqi dhe dhunë, ideologji, krime, kurvëri, analistë, panelesh me lloj-lloj persona hibridë. Të gjithë këta krekosen e vaisen me naftë, por asnjë nuk zbret në terren të shikojë si ajo vjen nga nëntoka, pa le pastaj të bëjnë për të një cikël emisionesh. Liderit tanë bëjnë luftë nëpër faqet e Istagramit dhe facebookut, po këto janë farsa për të fshehur naftën e vjedhur. Teatri i dhunës dhe i hipokrizisë. Pa dyshim kushdo që të vijë tani në pushteti, militantët e krahut tjetër do t’i turren me të njëjtat fjalë, Ik! Ata ikin dhe vinë, e ç’fitova unë? Asgjë. Mua asnjëri nuk m’i kthen këto 30 vite të jetës sime në këtë tranzicion të helmuar shqiptar me mostra të tilla në krye të partive. Mashtrues dhe vjedhës. Na plaken para kohe. Në vitet ’90 ishim 50-vjeçarë, shpresonim, por nuk fituam asgjë. Akoma pa Statusin e Naftëtarit, jetojmë me 200 dollarë në muaj.

Në territorin e Republikës së Shqipërisë vepron edhe kompania Shell me të drejtë kërkim nafte në zonën e Shpiragut, Berat. Shelli ka vite që punon në këtë zonë, por deri më sot nuk kemi dëgjuar të flasë për konturimin e një vendburimi nafte. Ka rregulla teknike për të përcaktuar një vendburim nafte. Kjo kompani është bërë qesharake me vizitat e K/ministrit tonë kur shkon atje të tretë ushqimin. Dhe, pa qenë specialist, fletë për zbulim dhe perspektivë të madhe nafte para pesë a gjashtë njerëzve të veshur me kominoshe… Këtë ritual në disa raste e bën edhe ministri i linjës. A nuk janë qesharake këto njoftime shtypi?! Për këto duhet të flasin specialistët e naftës.. Shellit, nepsi i ka kërcitur të shkojë të zbulojë naftë deri në Zagori ku edhe zogjtë janë të pasaportizuar. Atje është Perandoria e Çajupit, e Ujit, e Luleve e Zogjve. Atje nuk na duhen puse edhe sikur ata të nxjerrin flori. Po piktori ynë, sado që ndihet brilant në disa raste e dredh.

Vërtetë Shelli është kompani e madhe në botën e naftës, por jo ky derivati këtu në Albanistan. Shelli ka 20 vite që vjen rrotull, po ende nuk ka konfirmuar zbulimin e një vendburimi nafte të mirëfilltë. Ky Shelli shqiptar është mister, se, nëse punon kështu edhe nëpër botë, me investime dhe rezultate të tilla, do ta kishte marrë lumi me kohë. Pasaportën e vendburimit të Shpiragut e kanë specialistët shqiptarë, autorët e mirëfilltë. Shelli ka në tavolinë projekte të vjedhura, rilevime dhe interpretime të specialistëve shqiptarë, të atyre që paguhen 200 dollarë në muaj. Pse t’i kërkojmë larg mashtruesit dhe vjedhësit, ata janë aty në Bankers Petroleum dhe në çadrën e Shellit.

Tranzicioni demokratik më i keq se djalli! Të gjithë liderit vjedhin naftën dhe bëhen të pasur dhe blejnë vota, blejnë jo një e dy por lagje dhe qytete. Kështu pra, me naftë blihen shtete, parti, ideologji, vota, se nafta është lubrifikimi më i mirë i të Pandëshkuarit me të “Pakorruptuarit”. Po kush do jetë ai që do shkojë t’u shkulë dhëmbët “kryeburrave”, njërit në vilën e tij në Lalz e tjetrit në Surrel? Nëse nuk bëhemi të gjallë, e kemi hak robërimin.

Në Gjirokastër i “Pakorruptuari”, u lutet studentëve të bëjnë kërkime shkencore se paratë i kanë në xhep. Paska lajthitur! Ai deri më sot nuk është kujtuar të pyesë specialistët e naftës, a kanë studime dhe projekte për zbulim e naftës. Industria e naftës shkoi në zero, detashmenti i naftës u bë copë, shumë specialistë bredhin nëpër botë. Rama thirri në një takim mjekët, por për naftëtarët që zbuluan me dhjetëra vend burime nafte dhe gazi nuk u kujtua. Mjeku dhe ambulanca nuk lëvizin pa naftë. Pandëshkimi na kthen përsëri te krimi. Po, sidoqoftë, nafta është e para, e para llogore dhe e para bankë.