Mustafa Bakiasi: Betejat e Qafës së Gjarprit e Gurit të prerë

1812
Sigal

75 vjet më parë: Beteja në Qafën e Gjarprit dhe në Gurin e Prerë

 

Viti 2019 është 75-vjetori i Çlirimit, i fitores së popullit shqiptar mbi okupatorët nazifashistë e të bashkëpunëtorëve të tyre ballisto-zogistë. Shpresojmë që qeveritarët tanë do të programojnë masat e duhura për të festuar, përkujtuar e nderuar dëshmorët e rënë në këtë epope të lavdishme historike.

Skrapari rrethohet nga shumë qafa e lugina, në çdo njërën historikisht por edhe në LANÇ janë zhvilluar luftime kundër armiqve e tradhtarëve.

Bukur e ka shprehur poeti Moisi Zaloshnja në poemën “Ditë në Tomorr”:

… s’është krizë për gryka e qafa

Nga Devria në Kulmak

Në Qafë Gjarpër, në Qafë Bec,

Veç ngado s’hyn dot pa gjak,

Veç ngado vdekjen do gjeç.

Këtej hyhet në Tomorricë,

Që nuk pa xhandar milici,

Këtej hyhet në Skrapar,

Për fashistët vdekje zjarr.

Ndër shumë beteja që zhvilloi Ushtria Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë e bashkëpunëtorëve të tyre ballistëve e zogistëve, ishin edhe betejat e Qafës së Gjarprit e Gurit të Prerë. Ato u zhvilluan më 6-7 qershor 1944 gjatë mësymjes së përgjithshme armike (Operacioni i Qershorit). Kishin kaluar jo më shumë se dhjetë ditë nga përfundimi i mbledhjes historike të Kongresit të Përmetit, i cili me vendimet e tij i dha goditje përfundimtare shpresave të armiqve për fitore dhe fillimin e mësymjes së përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Kthehemi tek beteja e Qafës së Gjarprit dhe Gurit të Prerë. Për hapjen e këtyre dy qafave me rëndësi strategjike që lidhnin krahinën e Oparit me atë të Tomorricë-Skraparit, komanda gjermane e operacionit hodhi në luftim mbi 2000 ushtarë nazistë, 45 topa e mortaja dhe rreth 300 xhandarë e ballistë. Nga forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare në fillim të luftimeve mbrojtëse morën pjesë: Batalioni IV-V, Batalioni “Antonio Gramshi” të Brigadës I Sulmuese si edhe partizanë të batalionit të Dumresë e Shpatit, në total 550 partizanë. Me vonë u futën edhe tre batalione të Brigadës së V-të, në total 450 partizanë.

Raporti i forcave në këtë betejë ishte 4 me 5 në njerëz dhe 10 herë më shumë në armatime në favor të armikut. Vetëm faktori moral i forcave partizane ishte shumë herë më i lartë. Si edhe mbështetja e popullit të krahinës së Tomorricës me ushqime e strehim në gjirin e tyre familjar të partizanëve të plagosur. Në 6-7 qershor forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare sulmuan me shpejtësi e në befasi forcat gjermane. Lufta u bë e ashpër deri trup me trup dhe zgjati 6 orë. Së bashku me operacionin e luftimeve në tërheqje të forcave gjermane zgjati 10 orë. Armiku u detyrua të ndryshojë drejtimin dhe të mos shkelë në krahinën e Tomorricë-Skraparit.

Gjatë kësaj beteje të ashpër ranë dëshmorë 30 luftëtarë të forcave partizane. Ndërmjet tyre edhe komandanti i Batalionit të Brigadës së V-të komandanti Xhelal Beqiri, hero i popullit dhe ish-delegat i Kongresit të Përmetit 24 maj 1944, si edhe zv. komandanti i Batalionit të Dumresë.

Nga forcat gjermane u vranë mbi 150 ushtarë e oficerë nazistë.

Madhështia e kësaj beteje pasqyrohet edhe në dokumentet e armikut. Komandanti i Regjimentit ALPIN gjerman në informacionin që i dërgonte eprorëve të tij, ndër të tjera shkruante: “Që prej Hashovit, nuk është zhvilluar asnjë luftë analoge gjatë natës”.

Populli shqiptar është ballëlartë për kontributin që dha në luftën kundër bishës Nazifashiste përkrah aleatëve të mëdhenj BS, SHBA dhe Anglisë. Vetëm pinjollët kolaboracionistë të ballisto-zogistëve si tellallë të zinj shpifin kundër Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, epopeja më e lavdishme e popullit shqiptar kundër Nazifashizmit e bashkëpunëtorëve të tyre duke thënë se ajo ishte një luftë civile, etj. etj. apo duke thënë se udhëheqësit e luftës ishin kriminelë.

Në këtë kuadër është vendi të theksojmë se në drejtimin e kësaj beteje udhëhiqnin dy komandantët legjendarë, dy heronjtë e popullit Mehmet Shehu dhe Shefqet Peçi.

 

 

Mustafa Bakiasi

 Veteran LANÇ

 

 

Shënim: Materiali mbështetet në 2 historianët e Brigadës I Sulmuese dhe Brigadës V Sulmuese si edhe në kujtimet e një bisede treguar nga shoku Shefqet Peçi për këtë betejë.