Muharrem Xhafa dhe Iliriana Koleka/ Vetëm nga tërmeti I 1979 humbën jetën 35 përsona, u plagosën 382 dhe mbetën pa strehë 100 mij banor. Shteti për 5 muaj iu ndërtoi shtëpi të reja dhe ua dha falas

690
Sigal

Shteti për 5 muaj iu ndërtoi shtëpi të reja dhe ua dha falas

Nga Muharrem Xhafa

Shumë pyesin, përse Enver Hoxha i refuzoi ndihmat e jashtme, ofruar për rastet e tërmeteve?

“Miq”, unë u përkas atyre shqiptarëve që ndjejnë dhimbje për tragjedinë që i shkaktoi popullit tonë Tërmeti i 26 Nëntorit 2019, as nuk i njoh të interesuarit (qofshin të tillë), të cilët duan të dinë përse Enver Hoxha nuk i pranoi ndihmat nga bota për kapërcimin e pasojave të Tërmetit të 15 Prillit 1979! Në fakt, nuk kisha ndërmend as të shkruaja tani, po, me që u bënë disa, vendosa të them shkurt:
1.
Tërmetet janë goditje nëntokësore e lëkundje të sipërfaqes së tokës, që shkaktohen nga thyerje e zhvendosje të menjëhershme të shkëmbinjve në brendi të saj dhe që përhapen shpejt në lagësi të mëdha.
Çdo tërmet ka një vatër, që është vendi ku ndodh thyerja në nëntokë dhe lind tërmeti. Po ka edhe një epiqendër, e cila është “projektimi” i vatrës në sipërfaqen e tokës. Rikujtoj se tërmetet mund të kenë prejardhje të ndryshme si : tektonike, vullkanike, karstike. Po mund të kenë edhe prejardhje artificiale, për shembull, nga shpërthime të fuqishme nëntokësore, etj. Po, vijnë edhe nga këto!
Një specialist i çështjeve sizmike do t’i shpjegonte me kompetencë disa prej hollësive të tërmeteve, si : prejardhjen e tyre; përse rreth 90 për qind e tërmeteve në botë janë me prejardhje tektonike; thellësinë e vatrave të tërmeteve; shtrirjen e tërmeteve; brezat e tërmeteve, kohëzgjatjen, paragoditjet e pasgoditjet, etj.
2.
Po le të kthehem tek interesimi i të interesuarve. Kur ndodhi Tërmeti i 15 Prillit 1979, u tha se pasojat e tij do t’i përballonte shteti shqiptar. Po kështu u tha dhe u bë, po ky vendim nuk është marrë “në këmbë”, pa menduar, po është marrë pas një konsultimi të mençur e shtruar, bazuar në llogari ekonomike, financiare e organizative të detajuara saktë, nëse kishte ose jo shteti shqiptar fuqi njerëzore, ekonomike, financiare e organizative, për t’i bërë ballë me forcat e tij situatës së krijuar e shpenzimeve jo pak të kushtueshme për likuidimin e pasojave të një tërmeti aq të rëndë, ndoshta i paparë që nga fillimet e paslashtësisë!
Vendimi i Partisë dhe Qeverisë shqiptare për të përballuar vetë shpenzimet e pasojave të Tërmetit të 15 Prillit 1979, ndonëse ishte i menduar e i llogaritur mirê, prapëseprapë, E. H, i falënderoi vendet që ofruan solidaritet me Shqipërinë e ndihmë konkrete për të kapërcyer pasojat e Tërmetit të 15 prillit 1979, dhe s’është si thotë dikush me ligësi që Enveri i përgojoi ndihmat e solidaritetin ndërkombëtar për kapërcimin e fatkeqësisë natyrore që ndodhi.
3.
Tërmeti i 15 Prillit 1979, që e kishte epiqendrën e tij në Detin Adriatik, diku në afërsi të qytetit Petrovac të Malit të Zi, ishte me magnitudë 7.2 e me intensitet në qendër 9.5 ballë, ndërsa intensiteti i tij më i lartë, 8 ballë, në vendin tonë u vërejt në rrethin e Shkodrës (Zona e Nënshkodrës) dhe në rrethin e Lezhës. Nga Tërmeti i 15 Prillit 1979 gjetën vdekjen 35 vetë, u plagosën 382 vetë, mbetën pa strehë rreth 100 mijë banorë dhe u dëmtuan 17.122 shtëpi banimi e objekte ekonomike dhe social-kulturore.
Dëmtimet më të mëdha i patën rrethi i Shkodrës dhe i Lezhës. Në këta dy rrethe u dëmtuan 14.686 objekte, prej të cilave 2413 u shkatërruan krejtësisht. Po dëmtime pati në gjithë Shqipërinë e Veriut e deri në Krujë, mbasi Tërmeti i 15 Prillit 1979 goditi edhe rrethin e Pukës, të Tropojës, të Dibrës, të Mirditës, të Matit e të Krujës. Kush do t’u bënte ballë këtyre pasojave, të cilat tregojnë se ai ishte një tërmet i rëndë? Të dëmtuarit?!
Sot mund të duket habi, po pasojat e Tërmetit të 15 Prillit 1979 janë likuiduar plotësisht deri më 1 tetor 1979, pra për 5 muaj e gjysmë dhe me shpenzimet e shtetit. Për të eliminuar ato punuan 25 mijë punëtorë, specialistë e kuadro vullnetarë nga i gjithë vendi. S’është e tepërt të kujtojmë se u ndërtuan 2441 shtëpi e apartamente të reja banimi, 165 objekte ekonomiko-shoqërore e social-kulturore dhe u meremetuan 14.552 të tjera. Shumë fshatra e lagje të reja banimi u ndërtuan nga e para si në qytetin e Shkodrës e të Lezhës.
S’e shoh të tepërt të kujtoj se tërmetet kanë paragoditje, të dobia e të forta, le t’i quajmë ato paralajmëruese, që i thonë shtetit e popullit : Ej! Merrni masa, se po vjen tërmet! Paragoditja më e fortë e Tërmetit të 15 Prillit 1979 ka ndodhur më 9 prill, me magnitutë 5.2 dhe intensitet 7 ballë dhe me epiqendër afër Ulqinit. Pra, edhe kjo ka qenë një tërmet, po, për fatmirë, pa pasoja shkatërruese. Po ka pasur edhe disa pasgoditje. Se tërmetet kanë edhe pasgoditje. Prej tyre dy më të fortat ndodhën më 15 prill 1979 (pra, pasi kishte ndodhur tërmeti i madh) me magnitutë 6.0 dhe tjetra me 24 maj 1979 me magnitudë 6.2! Që të dyja tërmete të fortë! Tërmeti i 26 Nëntorit 2019 gati kaq ishte!
Të dhënat që solla janë marrë nga dokumentet zyrtare të kohës dhe mund t’i gjejë e t’i shfletojë gjithkush. Në veçanti janë me interes të shihen të dhënat e materialeve zyrtare të simpoziumit organizuar më 4-5 prill 1980 në Shkodër, në të cilin janë trajtuar aspektet sizmologjike, sizmogjeologjike, inxhinierike e sociale të Tërmetit të 15 Prillit 1979, që asokohe u botuan në një vëllim të veçantë.
4.
Çështja e tërmeteve, përveçse shkencë, është edhe përvojë, diçka që nuk duhet harruar, sepse shërben për të vlerësuar e për t’i dalë përpara së keqes së tërmeteve!
Në vendin tonë kanë rënë tërmete dhe më parë (fjala është për tërmete të fuqishëm të rënë pas çlirimit të vendit), si, për shembull, Tërmeti i 30 Nëntorit 1967, i cili goditi rëndë rrethet e Dibrës e Librazhdit, me magnitudë 6.6 dhe intensitet në epiqendër 9 ballë në një fshat të Dibrës, po atëherë të dhënat e tij nuk u injoruan nga shteti. Siç mund të vërehet dhe tërmeti i 30 Nëntorit 1967 ishte i rëndë : pati 12 të vdekur dhe 174 të plagosur, u dëmtuan 6335 ndërtesa banimi dhe objekte social-kulturore, prej të cilave 534 u shkatërruan plotësisht. Por pasojat e tij, u likuiduan brenda 25 ditëve me shpenzimet e shtetit. Për likuidimin e atyre pasojave punuan mijëra punëtorë, specialistë e kuadro vullnetarë nga i gjithë vendi. Në këtë kohë nisi edhe aksioni i ndërtimit të shtëpive me ndihmesë a kontribut vullnetar.
Tërmeti i 30 Nëntorit 1967 u shoqërua me shumë pasgoditje, ndër të cilat më e forta ndodhi më 2 dhjetor 1967 me magnitudë 5.3 dhe intensitet në epiqendër 7 ballë. Pra, ishte tërmet i rëndë. Sipas sizmologëve tërmetet 5 ballë e lart klasifikohen si të rëndë!
Po të krahasohen të dhënat e pasojat shkatërruese të këtyre dy tërmeteve, vihet re se Tërmeti i 15 prillit 1979 ishte më i rëndë e me më shumë pasoja. Po sidoqoftë Tërmeti i 30 Nëntorit 1967 shërbeu si përvojë për të organizuar më mirë punën për eliminimin e pasojave të Tërmetit të 15 Prillit 1979. Shteti e njerëzit duhet të nxjerrin mësime edhe nga fatkeqësitë natyrore!
5.
Unë nuk them se vendet që i ofruan Shqipërisë solidaritet e ndihma për kapërcimin e pasojave të Tërmetit të 15 Prillit 1979 nuk kishin përvojë për kapërcimin e pasojave të tërmeteve. As që u gëzuan! Po nëpër mend e shkuan se socializmi e shteti në Shqipëri do të dorëzoheshin dhe Kushtetuta e vendit, që sanksiononte mosmarrjen e kredive, borxheve e ndihmave nga jashtë, do të shkelej! Pra, vendimi i Partisë dhe shtetit shqiptar, për të mos pranuar marrjen e ndihmave e sjelljen e ekipeve, shoqëruar me specialistë e qen të stërvitur nga jashtë, nuk ishte çështje kapriçoje, po çështje parimore. Botës i duhej treguar se Shqipëria Socialiste kishte fuqi ekonomike, forcë morale, solidariteti e organizative për t’i bërë ballë me forcat e saj një tërmeti të rëndë e shkatërrimtar. Në fjalën para popullit të Shkodrës e të gjithë Shqipërisë, që u organizua në Bahçallek me rastin e përfundimit të pasojave të Tërmetit të 15 prillit 1979, Enver Hoxha deklaroi se tërmeti tund malet, por jo shqiptarin! Një solidaritet i madh njerëzor përfshiu gjithë vendin për të përballuar një tërmet vrastar. Vendi ynë, nuk përfshihet në zonat e veçanta të tërmeteve, por kjo nuk e përjashton atë nga lëkundje të forta tërmetesh, të njohura shkencërisht si fenomene natyrore e të pamundura të parandalohen pasojat e tyre shkatërruese. Po nuk mund t’ia lëmë fajin tërmetit. Historia e lashtë e vendit tonë flet dhe për tërmete me fuqi të madhe shkatërruese. Po
kërkohet që shteti të jetë i përgatitur për të shmangur sa të jetë e mundur më shumë pasojat e tërmeteve të tillë. Populli ynë ka dëshmuar me vepra që përkrahjen në fatkeqësi e ka pasur dhe e ka veti të tij. Për një çast, tha Enver Hoxha, u lëkund toka, u lëkundën fort kodrat e malet tona, shtëpi e fshatra të tëra u rrafshuan, po shqiptari nuk u lëkund. Regjimit të Titos ai i tha se shteti shqiptar ka marrë përsipër t’i përballojë vetë me shpenzimet e tij pasojat e tërmetit, po ju duhet të merrni masa për veten tuaj e të përballoni pasojat shkatërrimtare të Tërmetit të 15 Prillit 1979, sepse në Mal të Zi ato janë jo më pak vrastare! Nuk është çudi që as sot të mos jenë likuiduar atje pasojat e Tërmetit të 15 Prillit 1979! Familjet që u futën në shtëpitë e reja moderne, tha Enveri, janë sot në festë dhe shteti nuk do të marrë asnjë shpërblim, asnjë taksë, asnjë qira. Ky është socializmi!
Po e kaloj me pak fjalë se çfarë solidariteti shpërtheu në gjithë vendin e në mbarë popullin shqiptar; çfarë organizimi socialist kishte e sa me shpirt punohej për likuidimin para kohe të pasojave të tërmetit; çfarë fryme gare e emulacioni zotëronte, që nga punëtori e specialisti më i thjeshtë e deri te kryetari i shtabit për likuidimin e pasojave e kryetari i qeverisë, etj., etj. Deri dhe pionierët e shkollave jetonin me problemet e zhdukjes së pasojave te tërmetit. Dimër, borë e acar ishte, po asgjë nuk e pengoi Enver Hoxhën të shkonte në Dibër e Librazhd, pa lëre në Shkodër, për të parë me sy si ishin kryer porositë e detyrat dhe për të takuar popullim e “vrarë”!
Unë e kuptoj mirë se shumë duan të flas për detaje e me detaje për qëndrimin e Enver Hoxhës lidhur me refuzimin e ndihmave humanitare nga jashtë e sidomos me organizimin e punës, po nuk do të zgjatem, jo se nuk di, po sepse ka të tjerë si Muho Asllani, ish kryetar i Shtabit të kapërcimit të pasojave tê Tërmetit të 15 Prillit 1979 në Shkodër, që i di mirë problemet e këtij aksioni gjigant kombëtar.

6
Sot është koha për solidaritet ekonomik, psikologjik, moral e organizativ me njerëzit në nevojë, jo për të shtuar dhembjet! Pa dallim, shqiptarët duhet të përfshihen në lëvizjen për të dëshmuar përkrahjen në fatkeqësi. Po shteti duhet të bëjë më shumë! Tërmeti është forcë e verbër e natyrës dhe atij nuk mund t’i lihet faji! Për hir të së vërtetës, diçka është parë të lëvizë!

Si reagoi shteti komunist në dy tërmetet e viteve 1967 dhe 1979

Më shpejt erdhi tek ne partia se sa vajti nëna te fëmija

Iliriana Koleka

Sot, dy javë mbas tërmetit 6.4 ballë të shkallës Richter të 26 Nëntorit 2019 dhe vërshimit të ndihmave të gjithanshme mbarëshqiptare dhe ndërkombëtare qeverisë shqiptare, kthejmë kokën mbrapa dhe kujtojmë tërmetin e 1979 dhe atë të 1967. Ai i 1979 ishte më i fuqishëm se ky që sapo goditi Shqipërinë, se sipas specialistëve të kohës ishte një tërmet mbi tetë ballë të shkallës Richter dhe me pasoja shumë më shkatërrimtare se këto të sotmet. Kujtojmë gjithashtu dhe faktin kokëfortë, që u përballua nga shqiptarët e udhëhequr nga Enver Hoxha, pa asnjë ndihmë nga jashtë vendit. Në atë kohë ishim prishur dhe me kinezët, ndaj s’mund të flitet për asnjë ndihmë ndërkombëtare socialiste (kineze). Në 1979 unë kam qenë një studente njëzet vjeçare, ndaj mund të dëshmoj për punën vetëmohuese, tërësisht vullnetare, që u bë në zonat e prekura nga tërmeti për zhdukjen brenda pesë-gjashtë muajve të të gjithë pasojave të tij shkatërruese, për ndërtimin e shtëpive, shkollave, qendrave shëndetësore të reja për banorët e prekur nga tërmeti, pra për rindërtimin e lagjeve të tëra të qyteteve e fshatrave të rrethit të Shkodrës (Zona e Nënshkodrës) dhe në rrethin e Lezhës etj. Gjatë tërmetit të 15 Prillit 1979 gjetën vdekjen 35 vetë, u plagosën 382 vetë, mbetën pa strehë rreth 100 mijë banorë dhe u dëmtuan 17.122 shtëpi banimi e objekte ekonomike dhe social-kulturore.
Dëmtimet më të mëdha i patën rrethi i Shkodrës dhe i Lezhës. Në këta dy rrethe u dëmtuan 14.686 objekte, prej të cilave 2413 u shkatërruan krejtësisht. Po dëmtime pati në gjithë Shqipërinë e Veriut e deri në Krujë, mbasi tërmeti i 15 Prillit 1979 goditi edhe rrethin e Pukës, të Tropojës, të Dibrës, të Mirditës, të Matit e të Krujës.
Për të zhdukur pasojat e tij punuan 25 mijë punëtorë, specialistë e kuadro vullnetarë nga i gjithë vendi. Kujtojmë se u ndërtuan 2441 shtëpi e apartamente të reja banimi, 165 objekte ekonomiko-shoqërore e social-kulturore dhe u meremetuan 14.552 të tjera.

Po kujtimet më të sakta se unë i ka shoku i nderuar Muharrem Xhafa, në post drejtues të partisë, që në atë kohë, shkrimin e të cilit, me shumë interes historik, po e sjell të plotë duke e falënderuar nga zëmra për penën e tij të mrekullueshme..

Dëmet e atyre dy tërmeteve
Tërmeti i 30 Nëntorit 1967, ose 62 vjet më parë, ishte gati i të njëjtës stinë e muaj me tërmetin tonë të fundit të 26 Nëntorit 2019.
Tërmeti i 30 Nëntorit 1967, njësoj si ky i fundit, u shoqërua me shumë pasgoditje, ndër të cilat më e forta ndodhi më 2 dhjetor 1967 me magnitudë 5.3 dhe intensitet në epiqendër 7 ballë. Tërmeti i 30 Nëntorit 1967, goditi rëndë rrethet e Dibrës e Librazhdit, me magnitudë 6.6 dhe intensitet në epiqendër 9 ballë në një fshat të Dibrës. Dhe tërmeti i 30 Nëntorit 1967 ishte i rëndë : pati 12 të vdekur dhe 174 të plagosur, u dëmtuan 6335 ndërtesa banimi dhe objekte social-kulturore, prej të cilave 534 u shkatërruan plotësisht.