Muharrem Abazaj: Prof. Çabej dhe mjerimi i Albanologjisë

862
Sigal

“Duke mos zbuluar prejardhjen e gjuhës shqipe, shumë vlera të trashëgimisë sonë kulturore po i mohohen kombit tonë dhe po njihen si vlera të kombeve të tjerë”

Mjerimi i Albanologjisë

Muharrem Abazaj, gjuhëtar

Rreth tre shekuj më parë shumë studiuesve të njohur u kishte rënë në sy, se ne shqiptarët manifestonim disa karakteristika që nuk i kishte asnjë komb tjetër. Që nga paraqitja fizike,

  • tek disa tipare burrërore si; trimëria, besnikëria, mikpritja etj.
  • tek disa zakone që dukeshin se sillnin jehonën e lashtësisë si; ritet e dasmës, të vajeve,
  • tek disa veshje të veçanta si: qeleshja e bardhë, fustanella, xhamadani,
  • tek disa këngë, valle, vegla muzikore shumë karakteristike etj.

Por u tërhiqte shumë vëmendjen sidomos gjuha shqipe, e cila ishte krejt e ndryshme nga gjuhët e tjera. Të gjitha këto veçori flisnin për një komb të lashtë, por si çelës për të zbuluar këtë lashtësi, ata mendonin se ishte zbulimi i lashtësisë së gjuhës shqipe, si tipari themelor që i dallonte shqiptarët nga kombet e tjerë. Të nxitur nga këto të dhëna shumë interesante, mjaft nga këta studiues ndërmorën studime serioze për zbulimin e gjenezës së shqiptarëve dhe në veçanti për zbulimin e prejardhjes së gjuhës shqipe. Të gjitha studimet e tyre për problemin shqiptar krijuan konturet e një shkence më vete, e cila u quajt, Shkenca e Albanologjisë, pasi të huajt na kanë njohur dhe vazhdojnë të na quajnë ne shqiptarëve me emrin, albanë.

Fillimet e Albanologjisë

Të parit që i tërhoqi vëmendjen gjuha shqipe ishte G. Lajbnici, i cili gati tre shekuj më parë, e quajti shqipen si gjuhën e ilirëve të lashtë. Qenë të shumtë studiuesit e tjerë që mbështetën tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja si, G. Majer, M. Duron, Pedersen, K. Jensen, N. Jokli, M. Lambertz etj. Por mjaft studiues të tjerë si: J. Hahn., E. Shnajder, studiues të shquar shqiptarë si : Z. Skiroi, J. De Rada, Xh. Krispi, vëllezërit Naim dhe Sami Frashëri, V. Pasha etj., ishin të mendimit se shqipja rridhte nga ilirishtja, por vet ilirishtja ishte e prejardhur nga pellazgjishtja, duke parë një vazhdimësi gjuhësore pellazgo – iliro – shqipe. Deri në gjysmën e parë të shekullit të kaluar teza e prejardhjes së shqipes nga pellazgjishtja gëzonte mbështetjen më të madhe, e shprehur kjo edhe në tekstet shkollore. Rreth viteve 60 të shekullit të kaluar u hodhën hapat e para për ngritjen e arsimit të lartë në vendin tonë, me prioritet atë pedagogjik. Krahas përpjekjeve për të konsoliduar arsimin në përgjithësi dhe, atë të lartë në veçanti, u tregua mjaft interes edhe për albanologjinë. U shtruan shinat për një studim shkencor të prejardhjes së gjuhës shqipe. Gjuhëtarët më në zë të kohës me E. Çabejin në krye, hartuan një platformë studimi për prejardhjen e gjuhës shqipe. Këto përpjekje u kurorëzuan me mbajtjen e Kuvendit të Studimeve Ilire, në vitin 1972. Mbi bazën e referateve të paraqitura nga mjaft studiues shqiptarë dhe të huaj, u pranua pikëpamja se gjuha shqipe rridhte nga ilirishtja. Për kohën ky përfundim pati shumë vlerë, pasi ishin hedhur shumë ide që mohonin autoktoninë e shqiptarëve në këto troje. Teza e prejardhjes nga pellazgjishtja, e parashtruar në Kuvend nga gjuhëtari i njohur S. Kondo, nuk u pranua. Përpara Albanologjisë tani shtrohej detyra e vërtetimit të plotë të tezës së prejardhjes së shqipes nga ilirishtja. Shtrohej nevoja e hartimit të historisë së gjuhës shqipe. Këtë detyrë e mori përsipër gjuhëtari ynë i njohur E. Çabej. Pengesa kryesore për Çabejin ishte mungesën e dokumenteve të shkruara në periudha të hershme të shqipes dhe ilirishtes. Ai u përpoq ta kompensojë këtë mangësi me anën e etimologjisë. Punoi intensivisht për të bërë etimologjinë e mijëra fjalëve të shqipes. Botoi veprën shumëvëllimëshe “Etimologji në fushë të shqipes”. Metoda kryesore e tij ishte ajo e krahasimit, posaçërisht ajo e krahasimit ndërgjuhësor. Ai i përmbahej parimit se prioritet kishte gjuha ku fjala ishte shfaqur më herët. Ky parim i drejtë shkencor nuk mund të ishte i përshtatshëm për rastin e gjuhës shqipe. Për shkak të dokumentimit të vonë Çabeji e shihte shqipen si një gjuhë relativisht të re, krahasuar me gjuhët e lashta si: greqishtja e vjetër, latinishtja, sllavishtja e vjetër deri dhe turqishtja. Kjo e detyronte atë që shumë fjalë të shqipes, të cilat kishin gjegjëset e tyre në njërën nga këto gjuhë, t’i merrte ato si huazime nga këto gjuhë. Megjithëse arriti që mjaft fjalë të shqipes t’i klasifikojë si fjalë që i përkisnin fondit të trashëguar të shqipes, raporti midis tyre dhe huazimeve të shqipes nga gjuhë të tjera, e kompromentonte lashtësinë e shqipes. Për tezën e prejardhjes nga pellazgjishja, të cilën ai e pati kundërshtuar me forcë që në Kuvendin e 1972-shit, nuk u angazhua asnjëherë. Nuk jemi të qartë për këtë qëndrim të prerë të tij për çështjen pellazgjike, por ai vetë është shprehur, se çështja pellazgjike ishte diçka parashkencore. Largimi nga jeta i Çabejt krijoi një boshllëk në fushën e albanologjisë. Nga Akademia e Shkencave nuk u ndërmor ndonjë nismë për ta shpënë më tej zgjidhjen përfundimtare të prejardhjes së gjuhës shqipe, njëherazi, të gjenezës së kombit tonë. Tek gjuhëtarët shqiptarë u krijua një koncept se ata nuk mund të bënin më shumë se Çabej i madh dhe këtë çështje e lanë mënjanë, si “diçka të tejkaluar”. Ç’solli ky qëndrim? Problemi i prejardhjes së gjuhës shqipe mbeti pezull, historia e gjuhës shqipe mbeti vetëm me hyrjen e saj.

Problemi i prejardhjes së gjuhës shqipe dhe ngërçi i studimeve albanologjike

I vetmi gjuhëtar që guxoi të vazhdojë punën e Çabejt, qe gjuhëtari ynë i njohur K.Topalli. Ai ndërmori një studim të zgjeruar në fushën e etimologjisë për të provuar lashtësinë e gjuhës shqipe. Botoi një vepër voluminoze “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe”, përmes së cilës e pasuroi më tej fondin e fjalëve të trashëguara të shqipes, por duke i qëndruar besnik Çabejt si në metodë ashtu edhe në konceptimin për shqipen, si një gjuhë relativisht e re. Topalli pranoi se një numër mjaft i madh i fjalëve të shqipes ishin huazime nga gjuhë të tjera. Fjalori Etimologjik i Topallit jo vetëm nuk e zgjidhi, por e thelloi më tepër problemin e lashtësisë së gjuhës shqipe. Mjafton të përmendim faktin e pranimit nga ana e tij të një numri mjaft të madh fjalësh të shqipes si të huazuara nga sllavishtja. Dihet se sllavishtja nuk është gjuhë shumë e lashtë dhe huazimi masiv i shqipes tek kjo gjuhë, mohon lashtësinë e gjuhës shqipe. Aktualisht studimet albanologjike janë në një ngërç të plotë.

Ky pasivitet në fushën e albanologjisë ka bërë që problem i prejardhjes së gjuhës shqipe dhe, njëherazi, ai i gjenezës së kombit tonë, të mbetet i pa zgjidhur përfundimisht. Kjo i ka sjellë një dëm të madh kombit tonë. Duke qenë se kombi ynë, aktualisht me një sipërfaqe territoriale dhe një popullsi të vogël, ka një njohje minimale në hapësirën e madhe botërore. Zbulimi i lashtësisë së kombit tonë përmes vërtetimit, se gjuha shqipe është një gjuhë më e lashtë se greqishtja e vjetër apo latinishtja, si një gjuhë që ka ardhur në trajtën e sotme përmes një evoluimi të pandërprerë të pellazgjishtes super të lashtë, do të tërhiqte vëmendjen e të gjithë njerëzve të kulturuar të globit. Dhe kjo do të kishte anët e saj shumë pozitive. Ka ndodhur e kundërta. Shumë nga vlerat reale të trashëgimisë sonë kulturore si: Shqiponja, qeleshja e bardhë, lahuta, fustanella, disa rite etj., po i mohohen kombit tonë dhe po njihen si vlera të kombeve të tjerë. Por përpjekjet për zbulimin e lashtësisë së gjuhës shqipe nuk kanë reshtur asnjëherë. Veçse këto përpjekje kanë qenë nga individë, jo nga institucionet tona shkencore. Përpjekjet e S. Kondës u pasuan nga Dh. Pilika, A. Kola, R. d’Anjeli, Z. Manjani etj. Duhet veçuar këtu kontributi shumë i madh i P. Zhejit, i cili arriti të zbulojë rolin e shqipes në ngjizjen e të gjitha gjuhëve të tjera si dhe kontributin me shumë vlera të studiuesit me origjinë shqiptare M. Aref, i cili parashtroi dhe mbrojti në Universitetin prestigjioz të Sorbonës tezën “ Vazhdimësia etno – gjuhësore pellazgo – iliro – shqipe”. Këto dy – tri dekadat e fundit, si refleksion edhe një rizgjimi të ndërgjegjes sonë kombëtare, shumë studiues kanë rimarrë studimin e prejardhjes së gjuhës shqipe. Favorizuar edhe nga mundësitë e mëdha të marrjes së një informacioni të gjerë përmes internetit, ata kanë arritur të zbulojnë fakte me shumë interes për lashtësinë e gjuhës shqipe, fakte që e paraqesin shqipen si një vazhdimësi gjuhësore pellazgo – iliro – shqipe. Kërkesat e tyre për bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanologjike, nuk kanë gjetur përgjigje pozitive. Në këto kushte mjaft prej tyre i kanë publikuar studimet e tyre me botime librash.

Akademia e Studimeve Albanologjike, pa punonjës shkencorë me profil albanologjik

Pse ndodh kështu? Nuk mund të besojmë se drejtuesit e Akademisë së Studimeve Albanologjike nuk janë të interesuar për këtë problem nevralgjik të albanologjisë. Ne mendojmë se nuk është arsye ajo që është deklaruar prej ndonjërit nga drejtuesit e këtij institucioni, se ky problem ka gjetur zgjidhje me përfundimet që arriti E. Çabej, pasi vetë Çabej ka deklaruar se ky problem nuk është zgjidhur. “Duke përmbledhur ç’u tha për burimin e shqipes. me çështjet që dalin përbrenda tij, dhe rrugët që janë ndjekur e metodat që janë zbatuar për të arritur në një zgjidhje, me një vështrim objektiv do të thuhet se janë sqaruar disa anë, disa pika janë zbërthyer, po ky problem në thelb mbetet gjer më sot i pazgjidhur (“Hyrje në Historinë e Gjuhës Shqipe”. f.73).) Nuk mund të thuhet as se kjo punë pengohet nga probleme financiare, e cila realisht mund të përbëjë vështirësi, por nuk është e pakapërcyeshme. Jo më shumë se disa muaj më parë, kjo Akademi organizoi një konferencë shkencore kushtuar disa punëtorëve të shquar të albanologjisë. Jo se është gabim organizimi i aktiviteteve të tilla, edhe ata janë me vlera, por kjo tregon se ka mundësi për të organizuar edhe një konferencë edhe me këta studiuesit aktualë, me këta punëtorë të palodhur të albanologjisë, sepse do të kishte shumë vlera edhe sikur një përqindje fare e vogël e gjetjeve të tyre të ishte e bazuar shkencërisht. Arsyeja reale e këtij ngërçi qëndron në faktin se kjo akademi nuk është e përgatitur për rihapjen institucionale të këtij problemi. A ka kjo akademi punonjës shkencorë me profil albanologjik për ta udhëhequr këtë studim? Punonjës shkencorë të aftë patjetër që ka, por ata janë të specializuar për gjuhën shqipe aktuale, standarde, për morfologjinë e saj,, sintaksën, fonetikën, leksikun etj., por punonjës të specializuar për albanologjinë, nuk ka. Dhe jo se i ka munguar dëshira për të përzgjedhur të tillë, por se nuk ka mundur të gjejë, sepse ne nuk kemi të tillë. Si nuk kemi? Se sistemi ynë arsimor nuk përgatit të tillë. Sistemi aktual i arsimit tonë të lartë përmes fakulteteve të filologjisë përgatit mësues gjuhe dhe letërsie për shkollat e mesme. Nuk ka katedër të veçantë për albanologjinë, por studentët e këtij fakultetit filologjik marrin disa njohuri të përgjithshme për albanologjinë përmes lëndëve : Hyrje Gjuhësi, Gramatikë Historike, Fonetikë Historike. Për të dhënë këto lëndë dekanatet nuk kanë mundësi të bëjnë përzgjedhje, por, pasi caktojnë pedagogët që do të trajtojnë këto lëndë, bëjnë kujdes vetëm që të ruajnë vazhdimësinë e dhënies së këtyre lëndëve nga pedagogët të veçantë,.me qëllim rritjen e përvojës së tyre. Në leksionet që jepen nga këta pedagogë, me ndonjë freskim anësor, ruhet po ajo lëndë e teksteve të hartuar disa dekada më parë. Pak vite pas mbarimit të fakultetit, studentëve të filologjikut që japin gjuhën shqipe në shkollat e mesme, por edhe ata që arrijnë të bëhen pedagogë në fakultete, vështirë se u ka mbetur në memorie njohuri nga këto lëndë. Kjo ndodh pasi njohuritë e këtyre lëndëve nuk kanë një bosht të qartë për historinë e gjuhës shqipe, por janë një ngërthim njohurish me pak të dhëna nga historia e shqipes dhe shumë materiale nga gjuhët e tjera. Kuptohet se me këtë nivel specialistësh as që mund të mendohet për mundësinë e ndonjë specializimi pasuniversitar për albanologji. Edhe specializimi i disa gjuhëtarëve jashtë shtetit nuk do të sjellë dobi në këtë fushë. Për këtë kemi edhe përvojë, pasi janë dërguar vite më parë disa të tillë dhe nuk dhanë ndonjë rezultat të pritshëm. Kjo që po themi nuk ka pse të duket si jo reale. Vërtet se në disa vende evropiane ka edhe institute albanologjike, por nuk kemi parë rezultate konkrete të tyre. Nuk kemi parë që të kenë sjellë diçka të re për prejardhjen e gjuhës shqipe dhe gjenezën e shqiptarëve. Në ato institute ka studiues me një kulturë shumë të gjerë gjuhësore, por vështirë se ndonjëri prej tyre mund të njohë me themel gjuhën shqipe, të njohë shtratin dialektor të shqipes. Këtyre institucione të huaja u mungon ai material i domosdoshëm që na mungon edhe neve,.u mungon materia gjuhësore, dokumente të shkruara të gjuhës shqipe për periudha më të hershme se ato që njihen, të shkrimeve në gjuhën ilirishte apo pellazgjishte. Pa pasur materiale të shkruara gjuhësore, nuk mund të ketë asnjë avancim të studimeve albanologjike, nuk do të mund të arrihet asnjëherë të zbulohet qartë rrjedha nga ka ardhur gjuha shqipe. Fatmirësisht material të tilla gjuhësore ekzistojnë. Ato nuk janë të shkruara në letër, në libra, por janë të gdhendura në gurë duke u rezistuar në shekuj erozioneve të çdo natyre. Mbishkrime të tilla janë gjetur në vende të ndryshme, duke përfshirë Azinë e Vogël, Pellgun e Mesdheut, Gadishullin Ballkanik, Italinë e gjetkë, mbishkrime .të cilët datohen deri në disa shekuj p.e.s.

Si shumë studiues të tjerë edhe unë kam bërë përpjekje shumëvjeçare për deshifrimin e tyre. Kam mundur të deshifroj disa nga këto mbishkrime, datimi i të cilëve shkon deri në shek.VIII – VII p.e.s. Ato bëhen plotësisht të kuptueshme me anën e gjuhës shqipe. por me një shqipe shumë arkaike, me të gjitha fjalët njërrokëshe, me trajta të ngurta, pasi këto fjalë njërrokëshe nuk janë vënë në bashkëveprim me elementet gjuhësore si: parashtesa, prapashtesa, mbaresa, nyje. Duke qenë se disa nga këta mbishkrime kanë tekste relativisht të gjatë, kemi arritur jo vetëm të identifikojmë disa qindra fjalë njërrokëshe që në shqipen e sotme janë tema fjalëformuese, por kemi zbuluar edhe strukturën gramatikore që ka pasur shqipja në ato periudha. Këto materiale Akademia e Studimeve Albanologjike tashmë i ka në dispozicion.( M. A.” Gjuha e lashtë shqipe (pellazgjishtja )” f.32 – 98 ). Akademisë sonë i duhet vetëm vullneti të verifikojë, të saktësojë vërtetësinë shkencore të këtyre deshifrimeve. Dhe kjo nuk është diçka e paarritshme. Nuk ka nevojë për “ ekspertë” të huaj, se ashtu si vërejtëm më lart, asnjë i huaj nuk mund të bëjë më shumë se një gjuhëtar shqiptar, sepse vetëm ne shqiptarët ia njohim shpirtin gjuhës sonë. Një grup me gjuhëtarë të përgatitur shqiptarë, të cilët të njohin mirë dialektet e shqipes, mund ta përcaktojnë saktësisht vërtetësinë e këtyre deshifrimeve.