Mos luani me gjakun e Heronjve të Kombit/ Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të Atdheut letër publike për Ruçin dhe Ballën: Mos mbani me paratë e popullit institucione që janë kthyer në shërbim të kolaboracionistëve dhe tradhëtarëve! Dëshmorët e kombit do të mbeten të pavdekshëm! Ua thoni edhe deputetëve tuaj!

1039
Sigal

Po ju drejtohemi publikisht për një problem tepër shqetësues, jo vetëm për Organizatën Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, por për të gjithë shqiptarët e ndershëm e patriotë.

Nga shtypi kemi mësuar se në seancën e Kuvendit të datës 18 prill, do të diskutohet dhe (në qoftë se Ju keni dhënë leje) do të aprovohet një Rezolutë në mbështetje të punës së Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Të cilës punë? Të punës së këtij institucioni që shpif e gënjen çdo ditë kundër Luftës Nacional Çlirimtare, kundër Dëshmorëve të Atdheut dhe justifikon, madje heroizon kolaboracionistët e bashkëpunëtorët e pushtuesve nazi-fashistë.

Për ne është e pakuptueshme dhe krejtësisht në kundërshtim me çdo normë e moral shqiptarizmi e atdhedashurie të merresh e, për më tepër, të angazhohet Kuvendi i Shqipërisë me elementë të tillë që po të kishin qenë gjallë në kohën e Luftës Nacional Çlirimtare, me siguri do të kishin qenë bashkëpunëtorë të pushtuesit, njëlloj si ata që përpiqen t’i rehabilitojnë e t’i bëjnë heronj.

Ata mund të merren me shumë probleme, por me Luftën Nacional Çlirimtare, me Heronjtë e Dëshmorët, ata që dhanë jetën për Atdhe, me ata që e drejtuan atë Luftë, nuk kanë asnjë punë. Na çudit pa masë fakti, se si Ju si Kuvend merreni me ta, madje përgatitni edhe rezoluta në mbështetje të punës së tyre kundër Luftës më të madhe e më të lavdishme të popullit tonë, të asaj Lufte që na lidhi me Koalicionin Antifashist, e që na siguroi këta kufij që kemi sot…

Është puna juaj të merreni me studimet e tyre mbas çlirimit të vendit. Ne merremi me Dëshmorët, me ata që dhanë jetën për Shqipërinë, jo vetëm gjatë Luftës Nacional Çlirimtare, por në të gjitha kohërat, e në këtë kuadër nuk do të lejojmë askënd të luajë e të tallet me gjakun e tyre.

Ne nuk merremi me Agron Tufën, si kryetar apo shef i këtij institucioni. Pavarësisht nga fjalët që mund të kenë thënë shokët e tij me të cilët ka studiuar në një institut në Moskë (se ai i spiunonte tek rusët, madje edhe shkruante në shtypin rus me emrin e ndonjë rusi duke i akuzuar rendë apo se me se është marrë në Moskë mbasi ka mbaruar studimet, ku ka punuar, kujt i ka mësuar gjuhën shqipe, kush e ka paguar, ku janë e me se merren ata që ai u ka mësuar shqipen …) kjo nuk është puna e jonë. Me këto e të tjera le të merren organet e specializuara…

Nuk merremi me të, sepse e dimë se ç’përfaqëson. Ishte ky person që para pak viteve kërkonte me insistim që të zhduken të gjithë filmat e xhiruar në epokën e Diktaturës së Proletariatit. Një veprim i pa dëgjuar në asnjë vend ish-socialist. E mbas filmave, sipas tij e atyre që qëndrojnë mbas tij, do të vinte radha e gjithë krijimtarisë artistike ( letërsi, arte figurative, muzikë etj.) të shkruar e krijuar në ato vite. Veprim më antikombëtar, rrallë është dëgjuar në Shqipëri, pikërisht atë që kanë dashur e duan armiqtë e Shqipërisë, të zhdukin kulturën tonë, historinë tonë.

Është folur e flitet për miliona Dollarë apo Euro që Beogradi, Athina e ndonjë tjetër që kanë shpenzuar (madje ata e kanë deklaruar publikisht) duke paguar këtu njerëzit e tyre për veprimtari antishqiptare. Sot nuk është koha e diversantëve, grupeve armiqësore etj., por veprimtaria antishqiptare zhvillohet në shumë mënyra e forma, e jo rrallë duke tentuar të mohojnë kulturën tonë, historinë tonë, trashëgiminë tonë, siç bëjnë disa të ashtuquajtur shqiptarë për llogari të atyre të huajve që i paguajnë.

Na bën përshtypje zelli e dëshira e disa deputetëve (të partisë socialiste) që kanë punuar për përgatitjen e kësaj Rezolute ku ndërmjet tjerave thuhet:

“Kuvendi vlerëson veprimtarinë e Institutit të Studimeve për krimet e Komunizmit gjatë vitit 2018 në drejtim të:

-Konsolidimit të aktivitetit nëpërmjet projekteve informuese dhe botimit, promovimit dhe shpërndarjes së librave të rin,j ku përfshihen studime shkencore, albume, botime dokumentare, memuare, letërsi publicistike, botime historike si dhe fjalori enciklopedik i viktimave të terrorit komunist.

-Organizimit të një seri leksionesh dhe bisedash informuese dhe sensibilizuese mbi dramën e komunizmit etj., etj.

Ne nuk kemi asgjë kundër, që ky Institut të studiojë mbi baza shkencore dhe dokumentare gabimet, fajet e krimet që janë bërë në periudhën e Diktaturës së Proletariatit, por jemi kategorikisht kundër atyre shpifjeve, gënjeshtrave, shtrembërimeve etj., etj., për Luftën Nacional Çlirimtare. Dhe kjo në radhë të parë, sepse nuk i takon këtij institucioni të merret me atë periudhë, sepse e ka të përcaktuar me ligj objektin e punës së tij.

Nuk e dimë dhe na çudit fakti se, përse Kuvendi duhet të merret me këtë Institut kur në Shqipëri kemi me dhjetëra institute e institucione tepër të rëndësishme dhe nuk kemi parë e dëgjuar që të vijnë në Kuvend, për më tepër, të bëhen rezoluta të posaçme.

Ne e kuptojmë mirë se “mbasi i prishën mendjen” Kryeministrit për të rehabilituar Kryetarin e Organizatës së Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri, këta farë trimash menduan “t’u bëjnë edhe ju për vete” e të dilet me palo rezoluta kundër Luftës Nacional Çlirimtare, kundër atyre që dhanë jetën për Shqipërinë.

Nuk do themi ndonjë gjë të re, por u kujtojmë se kudo në Evropë kujtohen e do të kujtohen gjithmonë ata që dhanë jetën në luftë kundër nazifashizmit. Kudo nëpër sheshe e rrugë të qyteteve evropiane, në Londër, Romë, Stokholm, Pragë, Athinë, Podgoricë, Kopenhagë etj. sheh buste, përmendore, pllaka përkujtimore, emra rrugësh etj., të atyre që luftuan e dhanë jetë në luftë kundër nazifashizmit. Mjafton një shembull i thjeshtë nga fqinji ynë Italia. Në muret e jashtme të Bibliotekës së Bolonjës shkruhet: “Rajoni Emilia Romano me rreth 3 milionë banorë ka patur 14425 partizanë, (nga të cilët 2012 gra vajza), të vrarë 2059 vetë, të plagosur 954 vetë, patriotë të arrestuar 6543 vetë, të pushkatuar 2350 vetë, të vdekur në kampet e përqendrimit 829 vetë…” 

Përsëri nuk themi ndonjë gjë të re po të përsërisim se kudo nëpër Evropë, mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kolaboracionistët dhe bashkëpunëtorët e tyre u dënuan, madje shifrat që publikohen për numrin e të dënuarve sot duken të pabesueshme. Por sot askush nuk merret me rehabilitimin e tyre siç ka ndodhur në Shqipëri këto 28 vjet. Jemi dëshmitarë se si bashkëpunëtorë të pushtuesve, vrasës e kriminelë janë dekoruar, u janë vendosur buste e u janë thurur lavdi nga persona me pushtet dhe megjithëse kemi ngritur zërin ata kanë vazhduar. Edhe sot jemi dëshmitarë kur persona të veçantë, pasardhës apo bashkëmendimtarë të bashkëpunëtorëve të pushtuesit shkruajnë për Xhafer Devën, Patër Anton Harapin, Maliq Bushatin, Mustafa Krujën, Mid’hat Frashërin, Hamit Matjanin, Isa Toskën, Halil Alinë etj., etj., se ata kanë qenë patriotë të mëdhenj, shqiptarë të vërtetë etj., por në fund të fundit ajo është puna e tyre, ata janë individë.

Ne e dimë se Ju Z. Gramoz e z.Taulant nuk keni forcë t’i ndaloni. Ashtu si nuk kemi dhe ne, madje ne nuk merremi me ta, le të shkruajnë, është e drejtë e tyre, sepse kjo është demokracia. Por nuk jemi kurrsesi dakord që të shkruhet e të botohen ato palo libra e shkrime nga një Institucion Shtetëror që paguhet me paratë e popullit.

Prandaj, ne si Organizatë Kombëtare e Dëshmorëve të Atdheut ju drejtohemi Ju Z.Gramoz si Kryetar i Kuvendit dhe Ju Z.Taulant si Kryetar i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, sepse është fjala për një institucion shtetëror si ky institut, dhe ju e keni për detyrë të ndërhyni. Një ndër funksionet kryesore të Kuvendit është edhe kontrolli i Kuvendit mbi qeverinë për shpenzimet financiare, për të mbrojtur paratë e popullit. Ne shtrojmë për Ju një pyetje tepër të thjeshtë: A e dini se me çfarë merret ky institut, çfarë librash ka botuar dhe sa ka shpenzuar shteti për botimin e këtyre dhjetëra librave (në mijëra kopje) që kanë mbushur raftet, sepse nuk i zë njeri me dorë? A ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend të kontrolloni veprimtarinë antikombëtare të këtij instituti, që nëpërmjet shkrimeve i kundërvihet jo vetëm Luftës së popullit tonë, por edhe Koalicionit Antifashist? Me që Ju nuk keni kohë të merreni me “vogëlsira” të tilla, lutemi ngarkoni të tjerë të shohin se ç’kanë shkruar Tufa dhe tufa që shkon pas tij për Luftën e popullit tonë dhe do të bindeni për këto që ju themi ne.

Nuk do hymë të bëjmë llogari sa janë shpenzuar për këto libra paçavure, por ju kujtojmë se për Dëshmorët e Atdheut të të gjitha kohërave, gjithë këto vite të demokracisë është botuar vetëm një libër, në kuadrin e 100-vjetorit të shpallje së pavarësisë edhe ai me shumë mangësi e të meta. Bëni vetë krahasimet. E dini se, ne si Organizatë nuk na jepet asnjë financim nga shteti, dhe tani që duam të botojmë një libër me krijimtarinë letrare të Dëshmorëve të Atdheut detyrohemi të lypim sa andej këndej.

Ju kujtojmë se sot në Shqipëri ka shumë dorëshkrime edhe në institute serioze, siç është ai i Albanologjisë që nuk ka mjete financiare për t’i botuar. E dini se ka dorëshkrime veprash madhore që na nderojnë në rrafshin evropian e botëror e që nuk botohen vetëm për mungesë parash, e madje ndonjë historian me peshë është detyruar që ndonjë vepër ta botojë me para borxh. E qeveria jonë financon për botimin e këtyre paçavureve.

Nuk do të zgjatemi, por do ju kujtojmë vetëm një libër titulluar “Krimet e Komunistëve gjatë luftës 1941-1945”, botuar nga Instituti i Tufës. E dini se aty cilësohen si kriminelë të gjithë ata që drejtuan e udhëhoqën Luftën Nacional Çlirimtare, e ç’është më e pabesueshmja rreth 20 prej tyre janë Dëshmorë të Atdheut. Njëlloj siç i cilësonin pushtuesit ata që kishin marrë pushkën e kishin dalë malit për liri. Dhe e dini çfarë “argumentesh” sjell Tufa e shoku i tij për “krimet” e tyre, njëlloj si Xhandarmëria, Kuestura e të gjitha organet e pushtuesve. Ja disa shembuj:

Anton Xoxa – Quhet kriminel vetëm sepse në letrën e Brigadave I dhe V për luftën në Pogradec thuhet “Humbjet tona: U vra shoku Anton Xoxa nga Fieri. Komisar i Kompanisë I batalioni I.

Hajdar Dushi –cilësohet kriminel vetëm, sepse ka qenë zv/komandant i batalionit partizan të Shkodrës. Asnjë argument tjetër.

Hysen Çina- sepse ka qenë komandant batalioni në Brigadën V

Mustafa Matohiti- sepse ka bërë një raport për betejën në Këlcyrë

Mustafa Gjinishi- Se ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare

Mustafa Xhani (Baba Faja Martaneshi)- sepse ka bërë një raport për aktivitetin e batalionit të Martaneshit.

Myslim Shyri- Nuk jepet asnjë shpjegim, por vetëm cilësohet kriminel

Pano Xhamballa vetëm sepse ka qenë zv/komandant i Brigadës IV

Raqi Qirinxhi – vetëm sepse ka qenë intendent i Grupit partizan të Korçës

Skënder Çaçi –vetëm se ka qenë komisar çete

Anton Bullaci- vetëm se ka qenë zv/komandant i batalionit partizan të Shkodrës.

Kështu mund të vazhdojmë edhe për të tjerët. Mirë që nuk kanë quajtur kriminelë edhe ata 17-18-vjeçarë që dhanë jetën për Shqipërinë. Mirë që nuk kanë quajtur kriminel një 17-vjeçar, të pushkatuar në Kampin e Prishtinës, ku e kishin internuar me firmën e Qark Komandantit të Shkodrës, Llesh Marashi, që në Shkodër, shokët e Tufës po e bëjnë hero.

Ja si shkruante ai një natë para pushkatimit:

“Vritet nga gjermanët Nuri Bushati nga Shkodra, 17 vjeç. Lulëzofsh Atdheu im”.

Çdo vendi e kombi do t’i bënte nder një vdekje heroike si kjo e këtij 17-vjeçari që, para pushkatimit uron vetëm lulëzimin e atdheut të tij.

Kemi dëgjuar e lexuar që jo rrallë shokët e Tufës kanë shkruar kundër e madje edhe mallkuar Dëshmorët e Atdheut. Nuk do të zgjatemi me shumë shembuj, por do të përmendim një farë Teodor Kareco, i cili në një paçavure libër plot falsifikime e gënjeshtra shkruante për dëshmorët e atdheut “se ata janë faqe e zezë e kombit” dhe më poshtë shtonte se “në këtë kategori unë do përfshija edhe Qemal Stafën”. Deri këtu arrin ai e shokët e tij, që nuk mund t’i quash ndryshe veçse “pjellë e keqe” e kombit shqiptar.

Zotërinj Kryetarë. Ne jemi organizatë jo partiakë dhe sipas statutit tonë, ne mbrojmë interesat e Dëshmorëve të të gjitha Kohërave, dhe sa për dijeni, po punojmë që, në bazë të ligjit të aprovuar në fund të vitit 2018 për Statusin e Dëshmorit (Megjithëse me mungesa për mbrojtjen e Dëshmorëve dhe familjeve të tyre) për shpalljen Dëshmorë të mijëra të rënëve në luftërat shekullore të popullit tonë për liri e pavarësi e në këtë kuadër të rënëve gjatë Luftës Dytë Botërore, që fatkeqësisht deri tani nuk janë shpallur të tillë.

Ne kemi pasur dhe akoma nuk e kemi humbur besimin tek Partia Socialiste që sipas programit të saj, i del zot dhe mbron Luftën Nacional Çlirimtare, prandaj në emër të gjakut të atyre mijëra e mijëra të rënëve u bëjmë thirrje të mos bini pre e të mos bëheni ortakë me ata që kanë hyrë në atë parti për interesa të ngushta, e që janë gati, jo të aprovojnë një rezolutë, por të shesin edhe shpirtin për interesin e tyre.

 

Kryesia e Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut