“Mjeshtri i Madh”, Kujtim Gjonaj

731
Sigal

Sot ikona e kinematografisë feston 73-vjetorin e lindjes. Kursi i gjuhë letërsisë së viteve ’64-68, kolegët dhe historia e rrallë në Hotel Dajti në vitin 1968 me vajzat e kursit

Nga kursi i tyre kanë Nasi Lera, Floresha Dado, Rahmi Memushaj, Halil Kamberi Petro Lati, Fisnik Sina, Halil Lalaj, Anton Dede,  Pandeli Koçi Faik Ballanca, Ndoc Papleka, Zija Çela, Shefqet Tigani

Kujtim Gjonaj sot, 73-vjeç, urime “Mjeshtër i Madh”

Si u thirrën  në 1968, në dekanat pas një mbrëmje tek hotel “Dajti” me vajzat e kursit

Albert Z. ZHOLI

Sot, “Mjeshtri i Madh” Kujtim Gjonaj ka 73-vjetorin e lindjes. Një jetë me filmin si regjisor por edhe si skenarist. Gjonaj në kohështrirjen si profesionist ka realizuar mbi 150 filma dokumentarë duke thyer kështu rekorde që koha po i çon në vendin që i takon. Punëtor, i papërtuar, vizionar, intuitive, specialist i detajeve artistike,  Gjonaj mbetet një mjeshtër i spikatur i regjisurës së filmit dokumentar shqiptar. Njëherazi modestia e tij dhe miqësia me gjithë mjeshtret e aktrimit, ka bërë që ai të jetë një dokumentarist shumëdimensional që për çdo vit sjell risi në këtë gjini të filmit të ekranit të madh. Por ai është mik i sinqertë i gazetës “Telegraf” ku stafi i uron gëzuar ditëlindjen.

Kursi i degës gjuhë letërsi 1964-1968

Kursi i degës gjuhë letërsi 1964-1968 ka qenë një grup me shumë djem dhe vajza të talentuara. Interesant është fakti se nga pesëdhjetë studentë që mbaruan fakultetin në vitin 1968, rreth njëzet prej tyre kishin dhunti dhe patën mundësinë të punësohen në institucionet e artit dhe të kulturës. Nga kursi i tyre ka dalë shkrimtari dhe përkthyesi Nasi Lera, akademikja Floresha Dado, doktor profesorët e shkencave gjuhësore Xheladin Gasturani dhe Rahmi Memushaj, në fushën e filmit  “Mjeshtri i Madh” Kujtim Gjonaj dhe regjisorët Halil Kamberi e Petro Lati, gazetarët Fisnik Sina, Halil Lalaj e Anton Dede, shkrimtarët Pandeli Koçi (Sazan Goliku), Faik Ballanca, Ndoc Papleka, Zija Çela, Shefqet Tigani e Skënder Temali. Këta dhe të tjerë po kaq të talentuar studionin me zell dhe përpiqeshin për t’u afirmuar në fushën e letrave në gazetat “Studenti”, “Zëri I rinisë” dhe shtypin tjetër të kohës. Kujtimi ishte djalë tirane dhe sigurisht si djalë tiranas dallonte ca nga të tjerët në sjellje dhe në veshje, por spikasnin dhe djemtë korçarë që ishin sqimatarë si dhe durrsakët. Ai ruante marrëdhënie të mira me gjithë shokët, por të afërt kishte djemtë tiranas  dhe sidomos me djemtë dhe vajzat te kursi poshtë tij . Ndikonte dhe fakti që në atë kurs ishte Lulzimi dhe Ludmilla, shokë të tij të fëmijërisë. Me të dy ata ishte pothuajse si vëlla e motër. Tiranasit kishin pak marrëdhënie me studentët konviktorë, të cilët jeta kolektive i lidhte më shumë me njëri-tjetrin. Ata jetonin dhe e shijonin Tiranën si të uritur. Pothuajse çdo të shtunë shkonin në shfaqjet e sezonit, teatër apo opera dhe të nesërmen e trumbetonin këtë pjesëmarrje me mburrje…Pra ekzistonte tendenca e provincialit për të dalë me çdo kusht në krye të rreshtit, por ishin djem të mirë, të komunikueshëm dhe nuk kishin dasi të veçanta. Ndihej një diferencim në mënyrën e të arsyetuarit midis studentëve të Tiranës me të ardhurit nga rrethet, që shfaqeshin më konservatorë, më të ndrojtur dhe dhe pse jo ndonjëherë mosbesues. Ndryshimi më i madh vihej re tek ata studentë që mbas mbarimit të shkollës së mesme kishin punuar disa vjet si mësues. Ata ishin më të përmbajtur, më seriozë dhe shpesh herë më kritikues. Ndihej vërtet diferenca e moshës. Në verën e vitit 1967, kursi I tyre shkoi në aksionin e rinisë në hapjen e rrugës që do të lidhte Shkodrën me Vermoshin. Ishte një zonë e panjohur për të dhe ai e priti me gëzim lajmin se do të shkonin në pjesën më veriore të Shqipërisë. Dy muaj aksion në veriun e largët me studentë të shkencave të natyrës, shkencave politike juridike dhe të histori-filologjisë qenë një mrekulli. Atë verë në Tamarë dhe në fshatin Selcë qenë mbledhur elita studentore e Tiranës. Për Kujtimin dhe shokët e tij, ky aksion qe një burim I vërtetë frymëzimi. Krahas disa reportazheve për shtypin e kohës , i ngacmuar nga ngjarjet që përjetoi ato dy muaj, shkroi një cikël me tregime romantiko-sentimentale që u vlerësua me çmim të parë në konkursin e shpallur nga gazeta “Studenti”. Cikli përmblidhte tre tregime të shkurtra  të titulluara “Në emër të jetës” ku përshkruheshin ngjarje emocionale të jetës në aksion, flirte dashurie studentësh, por të shkruara dhe të treguara bukur artistikisht.

Letra e KQ të PPSH e vitit 1967

I kujtohet se situata në fillim të vjeshtës së vitit 1967 erdhi fort e ndezur nga një letër e KQ që bënte fjalë për zakonet prapanikë dhe gjoja për çmitizimin e njerëzve të pushtetshëm. Dhe ai kishte marrë një shërbim nga gazeta “Zëri i rinisë” për të bërë një cikël me artikuj për këtë problem. Viti shkollor kishte ditë që kishte filluar, por si zakonisht gjendeshin arsye për të justifikuar mungesat. Gjatë qëndrimit një javor në Berat dhe rrethinat e tij ku ai mblodhi materialet e nevojshme për shkrimet, kthehet në Tiranë. Sapo zbret nga autobusi i linjës befasohet kur sheh shokun e tij Vangjel Diamanti që po e priste në stacion. Teksa takoheshin përzemërsisht shoku i  tij i afërt i tregon se cikli me tregime ka bërë bujë dhe një nga shokët veteran të kursit AL i ka vënë fletërrufe. Duke shkruar ndër të tjera se letrari i ri Kujtim Gjonaj, djalë i përkëdhelur tirane, reflekton në këto tregime botëkuptimin e tij mikroborgjez dhe sjelljen e tij ekstravagante.

-Mirë ky, po kanë dalë dhe dy budallenj të tjerë në përkrahje të tij,- i thotë shoku.

-Po pse ç’u kam bërë unë? Dhe fjala i ngeci në grykë.

Ky lajm e tronditi, se vërtet situata ishte e rënduar ato kohë. U nda me shokun, i mërzitur, pa arritur në ndonjë përfundim konkret. Bela e madhe! Fletërrufetë kundër shfaqjeve të huaja ato ditë qenë në modë. Të nesërmen në mëngjes, bashkë me Ludin, merr rrugën për në fakultet. Tek porta me kangjella e priste dhe Luli, i mërzitur. Megjithëse nuk shquhej për frikacak, shqetësimi ndjehej qartë në portretin e tij. Me dy miqtë e ngushtë u drejtua për tek këndi i fletërrufeve.

Edhe pse tregimet pasqyronin bukur artistikisht jetën në aksion, “revolucionari” kritizer dhe kritizerët e tjerë e kishin vënë theksin tek një mikrosimpati apo flirt siç e quanin ata, me një vajzë në aksion. U shqetësua pak, megjithëse si natyrë ishte kryeneç. I dukej pandershmëri se si trajtohej problemi i mikrosimpatisë. Era e keqdashjes ndihej qartë në të tre fletë-rrufetë. Lexonte dhe nofullat gati sa nuk i pëlcisnin nga shtrëngimi i dhëmbëve. Dëgjon ca pëshpërima femërore nga pas. “Është ai”. Kthen kokën me përtesë dhe vë re ca vajza nga kurset e ulëta. Ishin vajza simpatike, por nga inati nuk i bën përshtypje.  Ato i buzëqeshën dhe i hapën rrugë, kur ai bëri të largohej. Jehona e fletërrufeve vazhdoi dhe ca ditë të tjera me fletërrufe pro dhe kundër. Për momentin u bë personazhi më i njohur. Nga fundi i javës e thërret dekani i fakultetit, Stefanaq Pollo. E ndien veten ngushtë para dekanit, megjithëse atë e tregonin burrë të mirë dhe të arsyeshëm, por… ku i dihej?

-Pa më trego se ç’ke botuar, -flet ai paksa me ton të rreptë.

-Disa tregime, profesor. Me tema aksioni.

Dhe ai nis ti tregojë subjektin e tregimeve.

-Mirë, mirë…mjafton! -foli dekani, që me sa duket, I njihte tregimet.

-Po me vajzën?

-Shoqe, profesor. ..Asgjë më shumë.

Dekani e vështroi me vëmendje. Si për të kuptuar e vërtetuar saktësinë e fjalëve që tha studenti. Pas një pauze të shkurtër shtoi

-Po. Po! Kështu më kanë thënë.

Ai mori zemër dhe inati i grumbulluar në gjoks për “mamurrsin”, kështu e thërriste ai studentin që kishte vënë fletërrufetë, shpërtheu.

-Xhelozi studentësh provincialë,  profesor!

Dekani ngriti kokën dhe e vështroi me vëmendje.

-Provincial?! Këtë fjalë s’dua ta dëgjoj më.

Dhe pas një pauze të shkurtër shtoi përsëri

-Dil tani!

Pas dy tre orësh fletërrufetë u hoqën të gjitha, sikur i përpiu dheu. Që nga ai moment, bindja se dekani ishte një burrë i drejtë dhe shumë i respektuar iu shumëfishua njëqind për qind. Ishte vërtet një situatë komiko-dramatike e kohës. Ai vit ishte ndër vitet më të politizuar të kohës, ku njerëz inatçinj dhe herë herë keqdashës, dhe me formim të cunguar intelektual, të inkurajuar edhe nga politika e kohës po të kishin mundësi dhe diçka në dorë të bënin gjëmën.

Po afronte Viti i Ri 1968…

Tirana kishte marrë një pamje festive. Në vitrinat e lokaleve dhe qendrave tregtare xhamat qenë mbushur me pambuk, imitim i mjerë i dëborës. Në qendër të qytetit te lulishtja e Skënderbeut qe bredhi i madh i mbushur me drita ngjyra ngjyra. Po shëtiste në bulevardin e madh bashkë me dy shokë. Kur afrohen para hotel Dajtit, të zbukuruar për festë një nga shokët thotë

-Nuk kam hyrë asnjëherë këtu.

-As unë,-tha Kujtimi.

-Edhe unë, jo.- u  përgjigj me zë të mekur, tjetri.

Nga taverna vinin ritmet e një muzike të këndshme. Dhe instinktivisht u lindi dëshira për të pirë, qoftë dhe një kafe në hotelin enigmatik.

-Viti i Ri është, po sikur të bëhemi një grup dhe ta festojmë këtu,-propozoi ai papritmas.

Dhe ashtu bënë. Ftuan ca vajza nga viti i tretë dhe të nesërmen shkuan për të pirë një kafe në tavernën e hotel “Dajtit”. Fjala ishte për një kafe, se morën pije. Dhe pija i trimëroi. Kaluan këndshëm atë mbrëmje. Taverna ishte me të vërtet një ambient joshës dhe frekuentohej shumë pak, për të mos thënë fare nga vendasit. Dy tre punonjës të veshur si kamerierë,  hynin e dilnin hijerëndë herë pas here në tavernë. Por i riu si veriu, thonë. Dhe atyre nuk u shkoi mendja për keq. U kënaqën shumë atë mbrëmje. Por të nesërmen dhe dy tre ditë të tjera u thirrën njëri pas tjetrit në dekanat. Sekretari i partisë u foli rëndë. Akoma më shumë ai i rinisë së fakultetit. Në zyrën e partisë dalluan dhe një nga kamerierët që kishin vënë re një natë më parë në tavernë. Këshilla pa fund. Por dhe ultimatum. Edhe ndonjë kërcënim. Kurrsesi nuk duhej shkuar në ato lloj ambientesh. Ato mund të binin viktima të agjenturave të huaja. I shpëtoi rastësia dhe fakti se ishin shumë studentë dhe mjaft prej tyre të talentuar dhe  me perspektivë. Kjo ishte koha dhe duhet t’i përshtateshe sistemit. Duke qenë se një pjesë e madhe e studentëve nisën të afirmoheshin si të rinj me dhunti në gazetat e kohës, pedagogët silleshin me ta si shokë. Ka pasur miqësi me Xhevat Lloshin që e ruan dhe sot. Vite më pas, sa herë takohej me profesor Petro Lalaj bënin humor dhe qeshnin me shpirt , kur kujtonin vitet e shkollës. Profesor Petro e kishte shumë për zemër dhe njëherë kur po pinin kafe në Lidhjen e Shkrimtarëve i thotë: “Ti me atë mbesën time, seç jeni koklavitur ca. “ Kujtimi e shikon i habitur. “Për kë e ke fjalën profesor?” “E mo, mos bëj sikur nuk kupton. Unë kam thënë fjalë të mira, dhe vëllai ma dëgjon llafin.’ “Profesor, me kë me ke ngatërruar? Unë nuk e njoh mbesën tënde. Jam i martuar me dy fëmijë”.  Tani ishte radha e profesor Petros të habitej. “Pse nuk je ti që ke miqësi me mbesën time?!” “Natyrisht jo, profesor…” “Bo bo, ç’kam bërë! Fola dhe fjalë shumë të mira, pale! Kushedi si do jetë ai tjetri…!” E kaluan me të qeshur këtë episod, dhe sa herë takoheshin e kujtonin me të qeshur përsëri.

 Vlerësim për Dritëro Agollin

Vlerësim të veçantë tregon për Dritëro Agollin të cilin e ka respektuar maksimalisht, jo vetëm si pedagog në degën e gazetarisë por dhe si një mik dhe bashkëpunëtor pas viteve 90 në revistën “Bota shqiptare” që Kujtimi e drejtonte si kryeredaktor. Kishin marrëdhënie miqësore me profesorët se ato i vlerësonin për dijet e tyre dhe këta të fundit për interesimin që kishin për të përthithur diçka nga kultura dhe dijet e tyre. Nga të gjithë veçon profesor Lloshin me të cilin ka një miqësi të bukur. Në atë kohë profesori jepte rusisht dhe I thotë

-Kam ndërmend të të vë një notë shumë të mirë, por dua një frazë rusisht.

-Vetëm një fjali?

-Po. -i thotë profesor Lloshi.- Dua të të vlerësoj me nëntë.

-Pse nuk e vë pa ta thënë fjalinë, – e pyet Kujtimi me një nënqeshje të lehtë.

-Jo, jo. Më thuaj një fjalë rusisht . Bukur.

-Njemcki fashisti sulmovali napabesovanie savjetskovo sajuza!

-Harasho! -thotë profesori për një çast dhe pas pak pyet.

-Shto? Shto?…

-Fjalia,  profesor.

Në fakt të gjitha fjalët qenë shqip me mbaresa të gjuhës ruse.

-Ku është frazë rusisht,  kjo?

-Ju më thatë , “ harasho”.

Profesor Xhevati qeshi. Ai kuptoi nuancat e humorit të studentit dhe mori librezën për të shënuar notën. Edhe sot pas shumë e shumë vitesh, e kujtojnë atë episod dhe qeshin së bashku. Profesor Lloshi sot është një nga përkthyesit më produktivë të shtëpisë botuese “Bota shqiptare” që e drejton Genti, i biri i Kujtimit.

Të veçantat e Shkollës së Lartë

Në vitet gjashtëdhjetë, kur Gjonaj kryente studimet e larta në fakultet jepeshin edhe disa lëndë te veçanta. Një vend të rëndësishëm zinte historia e lëvizjes punëtore ndërkombëtare, ku vendin kryesor e zinte historia e lëvizjes punëtore në Bashkimin Sovjetik dhe ajo e lëvizjes në vendet e perëndimit sidomos në Francë dhe Gjermani. Vëmendje e posaçme i kushtohej edhe  Historisë së Partisë së Punës  që ishte një nga lëndët që bënte pjesë në programin e madh të shkollave. Në atë kohë ishte normale që të mësoje dhe historinë e partisë që drejtonte vendin. Sot tingëllon si çudi, por ishte më se e zakonshme. Ishte një lëndë e rëndësishme ku mësoje rrugën dhe historinë e partisë që drejtonte vendin tënd. Dhe një nga periudhat më të veçanta dhe të vështira për shkollën ishte dhe zbori ushtarak. Në pamje të parë ushtria dhe përgatitja ushtarake e studentëve ose si e quanin në atë kohë zbori ushtarak 6 mujor që kryhej mbas mbarimit te shkollës, cilësohej si një moment i rëndësishëm patriotik. Kur niseshin djemtë, sidomos ata të zonave rurale, ndjeheshin krenare dhe të lumtur. Kështu propagandohej në shtypin dhe radion e kohës. Nënat vërtet qanin, por ato qanin nga lumturia se po u shkonin djemtë ushtarë për  të mbrojtur atdheun. Baballarët si burra zakoni jepnin këshilla dhe porosi patetike. Krahas asaj çka dukej në sipërfaqe ushtria kishte edhe dhimbjen e vet. Familjeve u iknin krahë pune që duheshin për të mbijetuar. Djemtë shkonin shumë larg shtëpisë dhe në kushte shumë të vështira në emër të forcimit dhe kalitjes

Po kështu edhe zbori ushtarak gjashtë mujor.

Të shkoje pas mbarimit të shkollës në zbor në vend që të filloje punën aty ku të kishin caktuar, nuk qe gjë  e këndshme. Atij i qëlloi ta kryente shërbimin 6 mujor në korpusin e Shkodrës, në periudhën më të vështirë. Sapo Çekosllovakia qe pushtuar nga Bashkimi Sovjetik dhe Shqipëria po atë vit, pra në vitin 1968 doli nga Traktati i Varshavës dhe e denoncoi atë publikisht. I gjithë vendi qe mobilizuar dhe ishte në gatishmëri  maksimale. Të gjitha repartet ushtarake të veriut u rreshtuan rreth kufirit në gatishmëri numër 1, për të mbrojtur vendin nga ndonjë agresion i mundshëm. Objektet e rëndësishme të korpusit të Shkodrës u lanë në ruajtje në dorë të zboristëve stundentë. Të dy togat e studenteve ushtare u caktuan në  vend rojet më strategjike të korpusit. Dita shtyhej normalisht, por nata qe një llahtarë e vërtetë. Krismat e automatikëve kërcisnin nga të katër anët të shoqëruara me thirrjet: -Ndal!…Kush kalon?…dhe me pas të shtëna në pambarim me breshëri. Nga frika tërë natën kërciste automatiku. Bam! Bam! Bam!

-Ndal!…  Po kush të ndalonte?

Kalonin macet, qentë e gomarët dhe ata qëllonin nga frika. E  morën vesh të  mëdhenjtë e komandës dhe thanë:

-Pa na  i shporrni këta bythpambukërit!

Dhjetë ditë që ndenjën ata si roje kërciste automatiku për qejf. Dukej sikur Bashkimi Sovjetik po sulmonte Shqipërinë. Trembeshin se ishin djem të rinj 20- vjeçarë. Të gjithë studentë. Ishte viti i rëndë 1968.