Mirënjohje për dëshmorët dhe invalidët e LANÇ

806
Sigal

Ishin 28 mijë dëshmorë që dhanë jetën, të shtruar e të kuruar në spitalet partizane ishin 12.500, prej të cilëve 1200 mbetën invalidë të përjetshëm

Invalidët që i dhanë atdheut gjak dhe pjesë nga trupi i tyre!

Në kuadrin e 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut

Nga Sevo Tarifa

Kur themi me fakte se neofashistët mohojnë gjakun e dëshmorëve dhe arrijnë t’i quajnë këta kriminelë, kuptohet se e kanë fjalën edhe për partizanët invalidët e Luftës, të cilët konsiderohen: “Dëshmorë të gjallë”. Flasin plagët e tyre. Dhe nuk janë pak invalidë. Të shtruar e të kuruar në spitalet partizane janë mbi 12,500 të plagosur, prej të cilëve 1.200 mbetën invalidë të përjetshëm, ndërsa partizanët e tjerë të plagosur me gjithë përpjekjet maksimale nuk u bë e mundur të shkëputeshin nga kthetrat e vdekjes. Ata sot qëndrojnë në altarin e nderuar të kombit dhe mbetën gurë të rëndë në themelet e lirisë së Shqipërisë.

Shkoi në luftë me dy këmbë dhe u kthye fare pa këmbë! Pandi Kocaqi, nga Dishnica e Korçës. Partizan në Brigadën IV. Kohë lufte. Me katër shokë udhëton deri në fshatin Faqekuq. Më tej rruga ishte e zënë nga forca armike. Tri ditë pa bukë. Strehohet në stanin e Ostrovicës. Në përpjekje me gjermano-ballistë Pandi pagoset. I bie të fikët, rrëzohet përtokë. E marrin shokët. Gjaku i kullonte, forca i pakësohej, dhimbjet i shtoheshin. Mezi lëvizte këmbë e duar. Në atë ndeshje me armiq u vranë katër shokët e tij. Pandi, edhe pse ishte vetë i plagosur i mbuloi ata dëshmorë me dëborë, që trupat e tyre të mos binin në dorë të armikut. Vetë u zvarrit drejt fshatit Shtyllë për të shkuar tek partizanët, por ra pa ndjenja. Rreth e rrotull gjermanë, në rrezik të kapej. U rrokullis nëpër dëborë, gurë e dëllinja. Hoqi armën nga qafa dhe u bë gati për luftim. Nazistët nuk e zbuluan dot. Palcë dimri. Dëborë. Era të priste , ftohtë. Nuk ecte dot. Jeta në rrezik. Rrugës e pa rastësisht një djalë i ri nga Lavdari, Shefqet Lika. E çon në Gjergjevicë. E strehoi në kasollen e vet. E merr në krah, drejt e në Oparin e porsaçliruar. Shpejt në spitalin partizan të Grabockës dhe pastaj në spitalin e Grabovës “A”. E vizitoi Dr. Petro Cani. Shpejt në “shtrat”!, dhe në një shtrat me kashtë. Të dy këmbët e Pandit po i hante gangrena! Kirurgu mori pincën dhe heq gangrenën nga këmbët. Copa mishi binin përdhè sikur të ishin copa eshke. I këput gishtin e këmbës e i hedh në legen. Këmbët mbeten gati me kërcinj kocke. Pa tule. Pa muskuj. Duheshin prerë patjetër. Komisari merr në dorë një sharrë druri dhe me një copë shtufi e fërkon për t’i hequr ndryshkun. Tani do ta ketë fjalën kjo sharrë! E futi sharrën në një kazan me ujë të valuar. 10 mars 1944. Dr. Cani diçka i jep Pandit, do të ishte ndonjë ilaç në vend të narkozës. Pas pak e çon në “sallën e operacionit”. Sallë i thënçin! Në vend të alkoolit, përdoret rakia. Të sëmurin e lidhin me litar dhe e mbajnë dy veta, që “shtrati” të mos lëvizë. Një inxheksion në krah dhe fillon operimi… Dhe Pandi ra “në gjumë”, kurse doktori vazhdonte punën duke i prerë njërën këmbë. Në fillim i priten mishrat e njërës këmbë gjer në kockë. Qetësi. Dëgjohet vetëm zhurma e sharrës. Këmba tjetër do t’i pritej pas dhjetë ditësh dhe të dyja “u varrosën” pranë spitalit në Grabovë… Pas këtij operacioni u dërgua për mjekime në Itali. Për këtë ai thoshte gjithnjë: “Për Atdheun lashë këmbët, jam gati të jap dhe kokën”! Pandi me proteza. Pa klëmbë por në këmbë, në punë, besnik deri në fund.

Mbeti me një krah, por i patundur! Ago Çeli në batalionin e parë “Asim Zeneli”. Në mes ngjeshur një gjerdan me fishekë dhe dy bomba. Syri nuk i trembej. Fisnik. Trim. Padrejtësitë nuk i duronte, se vetë ishte i drejtë. Lufta na ndau në formacione të ndryshme. E takova pas çlirimit. E pashë me një krah! “Vetëtimë” e kishte pseudonimin dhe vetëtimë ishte. Dëgjoja episodin e plagosjes së tij. Operacioni fashist gjerman i dimrit 1943-44 ishte në kulmin e tij. Batalioni “Asim Zeneli” ku komisar ishte Ago Çeli dhe komandant Riza Veipi, organizoi një pritë kundër një kolone gjermane të shoqëruar me autoblinda në Kosinë të Përmetit. Në këto çaste u godit nga një predhë autoblinde gjermane, plagoset rendë në krahun e djathtë! Plaga e Agos rëndohej gjithnjë e më shumë dhe po i kërcënonte jetën. Niset për në një spital partizan grek. Nga plaga shpesh i shkaktohej hemoragji dhe binte në kllapi. E shoqëronte Dr. I. Dervishi. U hoq çdo shpresë shpëtimi. U vendos t’i pritet krahu i djathtë. Dhimbja ishte e madhe, por ideali i tij ishte më i madh. Nuk u nda nga shokët. Zgjidhet delegat i Qarkut të Gjirokastrës për në Kongresin Antifashist të Përmetit, ku bëhet edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm ANÇ të Shqipërisë. Edhe pse pushkën s’e përdorte dot, u armatos me bomba dore. U plagos dhe dy herë të tjera.“Plagët për burra janë”, thoshte. Krahun e la në Skrapar, trupin në Dukaj Tepelenë!

Elmaz Teme. E njihja me dy krahë. Se si më erdhi kur e pashë me një! Dhe më tregoi ngjarjen: Brigadën e V Sulmuese ku ai bënte pjese luftonte në “Qafën e Gjarprit”. Elmazi, komisar kompanie. Një predhë e artilerisë gjermane e plagosi rëndë në krah. Ra përtokë. Mbeti në pyll. E kërkonin shokët dhe fshatarët e nuk e gjenin. Vetë Elmazit i duhej të zvarritej disa ditë e net i plagosur, i uritur dhe i etur, me krahun e copëtuar. I është dashur të hajë edhe gjethe e bar që të mbijetonte.

Por një ditë fshatari Iliaz Musabelliu nga Ujaniku i Skraparit e pa rastësisht dhe i doli për zot. E hipi mbi kalë. E çoi në shtëpinë e vet. Dhe ja, Elmazi dha shenja jete! Komanda partizane e tërhoqi dhe e çoi në shtëpinë e Niazi e Bukuri Çepanit, ku ishte spitali partizan. Edhe këta njerëz të mrekullueshëm! Elmazi në duar të mjekëve. Krahu kishte filluar të zinte krimba dhe rrezikohej të gangrenizohej. Duhej operuar. Ia prenë me sharrë druri, pa narkozë. Pa bisturi. I mblodhi copërat e krahut të operuar infermierja Bukuri Çepani dhe i mbështolli në shaminë e bukur të kokës të nusërisë së saj! Bashkë me Këze Zeqon dhe personelin e spitalit, me pëlqimin dhe praninë e vetë Elmazit, i “varrosën” në një gropë pranë një lisi të madh që është edhe sot. Ky lis mori emrin “Lisi i Elmazit”! Dhe vetë Elmazi ishte si një lis, që u këput, por nuk ra! Do të binte vite më vonë në vendlindje…

Kokën plumbi ia shpoi, por Brahimi mbijetoi !

Brahim Miho nga Fushëbardha, luftëtar i Brigadës VI Sulmuese. Trim mbi trima. Armiku i shihte vetëm gjoksin. Duke luftuar në Rrëzmën e Delvinës, plumbi i armikut e shpoi në kokë. Gjaku s’mbahej, hyri nga njëri tëmth dhe doli te tjetri! Shokët me shpejtësi hoqën rripat e mesit dhe i kruanin me bajonetë. Me thërrmijat që mblodhën i lidhën plagën. Gjendja kritike. Jeta e tij në rrezik. Ra në koma. U çua në spitalin partizan. As dëgjonte. As fliste. Rreth tij shokë e familjarë. Të mërzitur në kulm. Sheroja i rrinte te koka. I shoqi i saj 32 vjeçar dy muaj pa ndjenja. Organizmi bënte punën e vet. Dhe ja, filloi të lëvizë pak. Edhe pak. Edhe pak… Hapi sytë. E kuptoi ku dhe pse ishte aty. Mendja i shkoi te shokët. U ngrit si dragua dhe mori dyfekun. Hakmarrje! Në krye të kompanisë që drejtonte u nis për Gjirokastër. Rrethon një grup ballistësh në aheng. Ata me pula, raki e këngë. Dhe nisi “kënga” e Brahimit: Zjarr kundër tyre! Armiqtë u befasuan. E pësuan. U shpartalluan. Disa u vranë. Brahimi mori përgëzime nga Komandanti i Përgjithshëm Enver Hoxha. Vazhdoi luftën me besnikëri, për fitore të tjera. Dha prova burrërie, trimërie, atdhetarie. Me plagën e rëndë që mori në kokë, jetoi edhe 31 vjet! Iu dha titulli “Patriot i shquar”. Burrë i jashtëzakonshëm. Nga shtëpi dyfeku dhe byreku. Familje me yll. Me trashëgimtarë shqiponja mali. Përmbi mal e përmbi re, Pushkë e Brahos batare”.

U plagos rëndë, mbeti me një këmbë!

Hajro Haxhia nga Progonati, partizan i vjetër. Me dorën grusht. Me pushkë në sy. Punonte në kryeqytet. Adoleshent. Sa dëshira të zjarrta kishte, por njëra ishte kryesorja: Tiranën e tiranisë ta shihte Tiranë të Lirisë! Dhe luftonte i vendosur në kryeqytet, ilegal. Shkoi në mal. Atë ditë në llogore, në Qafë-Kërrabë. Luftohet kundër një autokolone gjermane. Një predhë e nazistëve e goditi në shpatull. Ra trimi, por u ngrit, ka krahun tjetër për luftë. 16 shtator 1944. Enver Hoxha kishte dhënë urdhrin që kryeqyteti të çlirohet me çdo kusht. Shqiponjat partizane kalonin nga sulmi në sulm. Por një predhë bombe e nazistëve e godit Hajro trimin. Plagë e rëndë në njërën këmbë. Mbeti me të djathtën. E majta i varej si një copë mish. E nisin me një grup shokësh drejt spitalit partizan në Zerqan. E presin tre mjekë. Gati për operacion. Partizani i plagosur i ndjek me sy. I sheh me një sharrë të hekurt në duar. E kupton përse duhet. Puna s’pret. Fillon prerja e këmbës Hajroja mbyll sytë. Mbledh forcat, Shtrëngon dhembët. Narkozë s’ka. Bisturi s’ka. Ia merr këngës doktor Ibrahimi, ia kthen Hajroja, iso mban kirurgu me famë Petro Cani. Mjeku italian shikon, çuditet dhe thotë: “Mama mia”, s’kam parë njeri që t’i pritet këmba e në vend që të ulërijë, këndon!”. Këmba pritet, bie në tokë… Një buzëqeshje e lehtë. “Trimat s’qajnë”! Tirana çlirohet. Pas 13 ditësh, më 29 Nëntor, çlirohet Shqipëria. Ç’të jepte më tepër Hajroja? Sa rroi, veteran aktiv.

 

Një krah e la në luftë. Asnjë herë s’u përkul!

Esat Molla, me një krah. Predha e armikut ia theu kockën. Kishte marrë pjesë në dhjetëra aksione. I përballoi të gjitha. Ishte java e parë e qershorit 1944. Në rrugën Maliq-Lozhan, kolona gjermane ra në përpjekje me partizanët. Esati zë pozicion, sulmon me bomba dore dhe automatik. Shpëton partizanët nga rrethimi armik. Një gjerman e plagos në krahun e majtë! E tërhoqën shokët dhe shkuan në Moçan. E strehuan në një baxho bulmetrash. Krahu po i nxihej. Jepte shenja kalbëzimi! Qëndroi në Starovë, te motra. E nisën me një varkë peshkimi, por në liqenin e Pogradecit. E diktuan dhe e kapën xhandarët duke lundruar. Xhandarët e shitur e çuan në Korçë. E burgosën në spitalin e këtij qyteti. Ballistët donin ta vrisnin! I bëjnë presion të nënshkruaj një deklaratë që të kalonte me ballin. Por më kot. Me kujdesin e Dr. Sotiraq Polenës u vendos në një dhomë të vogël. Këtu dhe Dr. Glozheni. Iu pre krahu! Me anestezi lokale. Me sharrë. Esati ishte zgjedhur delegat për në Kongresin e Parë të Rinisë që do të zhvillohej në Helmës. S’kishte si të shkonte. Qarkori i Partisë organizoi nxjerrjen e tij nga burgu. Edhe pse me një krah, mendjen e kishte te lufta dhe shokët. Me plagë të pambyllur u ngarkua të punonte me rininë. Me çlirimin e Korçës u caktua sekretar i parë i rinisë. Për 30 vjet punoi në dikastere qendrore në Tiranë. 15 pjetët e fundit kryetar i Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të Luftës.

Nofulla iu bë copa-copa, përballoi nëntë operime

 

Dallëndyshe Bektashi, nga Tepelena, 17 vjeçare. Me këtë emër të bukur, të kujton dallëndyshen kur shtegton! Shtegtoi edhe kjo e shkoi në mal te partizanët. Pushtimi fashist italian i Shqipërisë e gjeti 12 vjeç. Shihte vëllain e madh, Nevruzin që shtrëngonte dhëmbët gjithë urrejtje, shtonte dhe motra e tij urrejtjen ndaj fashistëve. Filloi të aktivizohet në grupin edukativ të rinisë. Nëntori i vitit 1943 e gjeti në mes të motrave e vëllezërve të tjerë luftëtarë. E rrethuar me kujdesin e tyre, merrte guxim për të luftuar. Dhe ajo ditë erdhi: u ndesh me nazistë në Kakome. Sarandë, Delvinë, Piqeras, Senicë, Vlorë, Sazan etj. Kishte nderin të kryente edhe shërbime në roje të Kongresit historik të Përmetit. Duke luftuar në Sasaj të Sarandës u plagos rëndë. Nofulla iu bë copa-copa. Vogëlushja u mbyt në gjak. Menjëherë shokët i dhanë ndihmën e parë. E çuan në spitalin partizan të Gusmarit. Më vonë u dërgua në Itali. Këtu përballoi 9 operacione. I erdhi në vend fytyra që kishte. Mbërriti në Atdhe. Gëzim i dyfishtë: Është në tokën Mëmë, është në Shqipëri të çliruar. Gëzonin Lutoja, Xhevoja, Nevruzi, gjithë fisi e shoqëria. Iu shtua gëzimi edhe më tepër se nisi nga puna. U zgjodh përgjegjëse e gruas të Tepelenës dhe në detyrën e përgjegjëses të zyrës së kuadrit pranë Komitetit Ekzekutiv të rrethit. Punoi e përkushtuar deri sa doli në pension. Aktivizohej në veprimtari shoqërore. Punoi derisa mbylli sytë.

Ka dhe invalidë të tjerë që duke luftuar si antifashistë morën plagë të rënda. Në Labinot Arif Bizhga u plagos në këmbë, në dorën e djathtë e në trup dhe iu bë gati varri, por jetëgjati nuk u bë jetëshkurtër. Jetoi dhe punoi me nder deri në frymëmarrjen e fundit. Spiro Bllaci u plagos në krah dhe në gjoks, plagët i kishin zënë krimba dhe u pastrua e u mjekua. Partizanit Gani Radëshi, iu pre këmba dhe pas disa muajsh ra dëshmor në fushën e luftimit në Operacionin e Dimrit gjermano-ballist. Sami Xhelili me dy këmbë të plagosura dhe me fraktura të rënda e kocka dalë jashtë vendit. Partizani Selami u plagos në këmbë, e cila i qe gangrenizuar dhe e vetmja rrugë për shpëtimin e tij ishte prerja e saj. Jo të paktë janë partizanë të plagosur në kokë, në nofulla e në sy. Myfterem Novosela u plagos në kafkën e kokës dhe i dukej pulsimi i masës së trurit. Islam Poçit edhe sot i duken plagët në nofull e në njërin sy. Jorgo Kondit iu pre një krah. Gaqo Totokoçi humbi syrin në demonstratën e 9 shtatorit 1943. Sinan Xhemili u operua në sy. Plagë të rënda në nofull kishte marrë partizani Thoma Budri e të tjerë. Dr Emil Qirko në librin e veçantë të tij për invalidë shkruan: “Më rëndë ishte plaga e Fejzo Binos, të cilit predha i kishte copëtuar nofullën. Ushqimi ishte gati e pamundur. E shikoja ashtu dhe zemra më pikonte. Gjuha e thatë dhe e varur nuk e përcillte dot ushqimin. Pak sheqer që kishim me vete duhet ta tretnim për t’ia dhënë. Dola për të kërkuar ujë apo dëborë (në pjesën që nuk rrihej nga dielli) Pranë një kaçuleje ndeshëm me një grua të moshuar dhe me një nënë të re me një fëmijë në gji. Nga sa mësova edhe ato ishin fshehur nga reprezaljet gjermane. U tregova hallin për partizanin Fejzo. Nëna e re me lot në sy m’u drejtua: “Edhe ne kemi mbetur pa ujë, por për partizanin e plagosur që dha gjak për të na mbrojtur, po të jap unë qumështin e gjirit”. Menjëherë na ktheu kurrizin, shtrydhi gjirin në një çafkë dhe më tha: “Ja, merre, koje dhe vëllain tonë. Fëmijës tim kur të rritet do t’i them se ka edhe vëlla më të madh, që kanë pirë në të njëjtën sisë”. Kur invalidi Fejzo erdhi në gjendje dhe e mësoi këtë episod, tek të dy u ndezën emocione të natyrshme njerëzore, që arritën kulmin me fjalët e Dr. Emilit: “Duke përzier sheqerin me atë pak qumësht i tregova Fejzos për këtë ngjarje të pazakontë dhe sikur t’i kisha bërë një injeksion çudibërës, gjendja e tij u përmirësua dukshëm”.

Ka dhe qindra të tjerë me plagë të rënda. Atje ku ka pikuar gjaku i tyre, kanë mbirë lule. Se lule si dëshmorët ishin dhe mbetën edhe invalidët e Luftës. Kur këta filiza të rinj dolën malit, bëhej pyetja: sa lule ranë! Përgjigjja: 28 mijë! Invalidët dhanë gjak, pavarësisht se në këta 30 vite “demokratikë”, qeveritë “e djathta” e “të majta” tek ne nuk kanë treguar kujdesin e duhur për dëshmoret, invalidët, veteranët. Donim “t’ua kujtonim”, o zotërinj neofashistë…