Lum fjala e Fishtës në zërin tënd, Nikollë Valentin Prendi!

1123
Sigal

Zgjimi i fuqishëm i Fishtës tek një fenomen 7-vjeçar

Nga Namik Selmani, shkrimtar 

Dita e Fishtës ishte gërshetuar me Ditën e Plisit në fundgushtin dajtian. Dhe fort e qëlluar ishte. Atij Plisi, shenjë e kombit tonë, jo pak i ka kënduar Fishta i madh, Fishta tragjik. Fishta që të bën krenar. Fishta që nuk duhet të harrohet. Fishta pa muze. Më shumë se monumente mermeri është kujtesa e secilit për të. Një kujtesë, e cila do misionarë që ta gdhendin, por do edhe të përditshme. Një festë e vërtetë që sillte vargje për Fishtën, sa e sa vargje! Sa shpirt poetik në to! Sa mirënjohje! Kishte poetë nga të gjithë trojet që kishin shkruar. Nga Tirana e Mali i Zi. Nga Kosova dhe Amerika. Se edhe ai ashtu ishte mbarëkombëtar edhe se kishte një prag Fishte që e përkundi. Punëpalodhuri Agron Gjedia ishte mbledhur në një kuvend me Besnik Pacin që së bashku veçse Festë së Plisit të bënin dhe një homazh poetik për Gjergj Fishtën. Dhe fort mirë e gjetën gjuhën. Se Gjergj Fishta është zjarr që na ngroh të gjithëve. Intelektualë të shquar të zonës së Domgjonit të Lezhës kanë kohë që po punojnë për të bërë një Muze për Fishtën. Më saktë një Kompleks Nderi për të. Poetë e poete nga Shqipëria Amerika Italia, Gjermania dilnin një nga një në tribunë për të recituar. Se duhet të jetë i zgjuar mesazhi i Fishtës. Mençuria dhe patriotizmi i tij. Forca e shpirtit dhe e vargut. Mesazhi i Bashkimit që na duhet të gjithëve. Poezi, poema të bukura Dy vajza në sfond të sallës mbanin një portret të madh pikturë të Fishtës. Mes tyre Angjelina që ishte mbesë e fisit të poetit. Dukej se Fishta atë ditë fundgushti po bënte RIZGJIMIN e madh. Diku në një qoshe të sallës së madhe priste kolana e veprave të zgjedhura të tij. Ishin të tëra me lidhja speciale. Dhe aty kur të gjithë po prisnim që të mbaronim të dëgjonim për fitimtarët.. ndodhi mrekullia. Po mrekullia e kishte emrin “Nikollë Valentin NDREU” Mendova se recitimi që do të bënte ai në mes të recitimeve të poetëve të tjerë do të ishte sa për përshëndetje. Aq më tepër që ai ishte i vogël me një pamje pak thatake dhe besoj se do bënte vetëm një lloj zakoni për ne.

 

Sikur e zbukuronte tribunën.

Por nuk ishte kështu. Vogëlushi 7-vjeçar Nikolla nisi të recitonte vargje nga poema “Lahuta e Malsisë” dhe qëndroi para mikrofonit si një profesionist i vërtetë, një lloj rapsodi pa lahutë, një djalë që herë pas here merrte duartrokitjet e publikut. Dhe nuk ishte i zakonshëm publiku. Ishin poetë të ardhur nga e gjithë shqiptaria. Jo pak, po gati 15 minuta qëndroi duke recituar para publikut. Besniku na tha se ai mund të rrinte edhe më shumë se një orë që të recitonte, por duhet të respektonte kohën.. Salla u befasua. Ai nuk kishte asnjë letër përpara. I sigurt. I matur po na njihte me eposin fishtiann si një aktor që kishte bërë disa shkolla brenda e jashtë vendit. Po kush na qenka ky djalosh i vogël plisbardhë në kokë që po na befasonte me këtë epos? Mbaroi Festa e Vargjeve. U gëzova se mora Çmimin e parë në këtë garë për poemën me titull “Ai, vëllam me flamurin”. Unë recitova dhe një fragment nga poema. Po poezia e tij më befasoi. Më lumturoi. Kur mbaruam iu afrova dhe ia shtrëngova dorën bash si burrë. Fishta I mençur e kishte bërë burrë këtë djalë me talent të rrallë. E urova dhe babain e tij Valentinin. Po më dukej se ishte fare pak për këtë djalë me kaq talent. Vetëm në klasën e parë dhe kishte lexuar deri tani 18 libra. Kishte lexuar eposin fishtian disa herë mjaft herë dhe kishte nisur ta mësonte përmendësh.

MINOLTA DIGITAL CAMERA

Jo pak po qindra vargje ,

Dhe pas emisionit që ka bërë në Kosovë ai ka qëndruar një orë duke recituar pa asnjë gabim dhe me një gjuhë të kulluar të Fishtës. Vetëm babin e tij për këtë rrugë kaq të bukur. Ai na tregon dy ëndrrat e tij të mëdha për Nikollën të bëhet poet dhe shkencëtar. Nikolla është një fishtolog i ri një vazhdues i denjë i kësaj tradite poetike të Odave të Veriut ku mjaft malësorë me e pa shokë mësonin eposin. Atij i mungonte lahuta, po edhe zëri tij ishte po kaq i fuqishëm dhe emocionues Në fillim të kësaj rruge të leximit që më vonë u bë pasion i recitimit, nëna u shqetësua pak për këtë lodhje të tij, por më vonë ato ndjenë gëzim që ai po bënte diçka të bukur për vete, për krahinën e tij. Për Fishtën. Sa mirë do të ishte që me të të përgatitej një kasetë me recitimin e tij njëorëshe e më shumë. Ai akoma çdo ditë lexon dhe mëson përmendësh. Duke i vënë elementë të rinj skenikë, me të mund të bëhet edhe një lloj monodramë që do të befasonte auditorin. Babai i tij, Valentini thotë se për çdo shfaqje, ai e merr dhe një kostum kombëtar të Veriut. Ende nuk e ka një të tillë në shtëpi, gjë që do ta lehtësonte edhe kohën, por ai si fillim e ka marrë dhe 1000 lekë të reja. Tani shitësja për respekt e jep këtij djali edhe më pak lekë në qiranë që paguan. Një vlerësim të veçantë atij iu dha edhe nga Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi” me një kushtim të veçantë “Zëri i Fishtës”. Befasia që na bëri ishte meritore edhe për një poezi për të që e titulluam “Një rapsod për tre breza” Ishte një ditë e bukur fundgushti në Dajt. Festa e Plisit ishte përqafuar me Festën e vargjeve të Fishtës. Dhe vogëlushi lezhjan kishte meritën e tij të madhe që ajo të mos harrohej kurrë, kurrë. Pamja e tij vargjet e tij, sakrifica e tij përkushtimi i tij ishin mesazhi më i bukur që morëm ne nga ajo ditë e paharruar. Mbase nuk ka lexuar ende në origjinal Seremben, Çajupin, Mjedën, Pa folur për Kadarenë. Mos harroni është vetëm 7 vjeç! Koha, mësuesi, vitet e moshës, sugjerimet e më të mëdhenjve, do i thonë që t’i lexojnë ato. Apo dhe klasikët e botës. Por ai është vetëm…7 vjeç e sot atij i duhet që të mësojë përmendësh si asnjë aktor tjetër “Lahutën e Malsisë”, më klasik se klasikët. Pa asnjë urdhër. Për të parë jehonën e këtyre ditëve po citoj vetëm thënien e një zonje për të. Quhet Violeta Lleshi: “Niko është një gjeni që zoti i riprodhon të tillë një në 100 vjet. I uroj të rritet i shëndetshëm pranë familjes dhe të bëhet një aktor për Hollivud.” Dua ta besoj Violetën se ajo ka intuitë në ne. E në mbyllje të këtij shkrimi të pambaruar, më duhet t’i drejtohem edhe vetë Nikollës. Kur të bëhet më i madh dhe të kuptojë më shumë se kaq, mbase do ma besojë këtë dialog me të. Pa dyshim që edhe do të ma kuptojë. Ky dialog ndahet si falënderim edhe me familjen e tij që duket se është fort e obliguar për ta ngjitur lart këtë talent shqiptar. “O, sa të vegjël u bëmë atë ditë para teje, lum Nikolla! Ti na zgjove Fishtën. E vure re gati të gjithë të gjithë poetët që kishin shkruar për Fishtën dolën me libra e flete ne duar. Edhe unë. Po ti na befasove. Dhe mirë e bëre. Nuk quhet zhburrërim, po befasi. Për të kuptuar se nuk do moshë e vite pasaporte për me bë gjëra të mira të rralla. Mos vallë ishte ai gjak fishtiani që të dha forcë ? Le ta dinë lexuesit dhe fishtologët se ti ke një ditë lindje me vetë Fishtën. Hej, ta lumsha fjalën, Nikollë Prendi! Lum familja që të ka! Lum Lezha që të ka! Lum kombi që të ka dhënë gjuhën e Fishtes në buzë!. E me ty na u bë më i afërt Fishta, bjeshka me zana, krojet, pushkët e luftës që duan paqe. Ti kishe zë të qartë, të matur e ne vetëm duhet të thoshim se atë ditë, atë mbrëmje Dajti, ishim bërë më të mençur me ty. Ia vlen të shkruash për ty, Edhe mësuesja. Të gëzojnë dashamirët. Mos e bëj rruge të heshtë, se tash nuk i takon vetëm familjes tënde. Mbase edhe Fishta po të rizgjohej, ty do ta jepte i pari bekimin e tij. Duam më shumë nesër nga ty. Dhe ti do të mësosh, dhe ti do ligjërosh, se për Fishtën kurrë nuk faron fjala. Unë dua të jetoj gjatë për fëmijët e mi, për familjen time, për misionin e shkronjëshqipes, po dua të jetoj sa më gjatë edhe për ty, për të të parë në skena të mëdha shqiptare dhe botërore ku të jehojë zëri yt. Të bëhet edhe më shumë në një formë të bukur rizgjimi i Gjergj Fishtës