Luan Imer Memisha/ Si e ideoi dhe realizoi Odise Paskali “Ushtarin e Panjohur” dhe heronjtë e Ismail Qemalit në monumentin e Vlorës

265

Si e ideoi dhe realizoi Odise Paskali “Ushtarin e Panjohur” në qytetin e Vlorës

Heronjtë dhe shokët e Ismail Qemal bej Vlorës që u gdhendën në monumente

Të gjitha punimet ishin kryer në fillim të marsit 1932, po u vendos përurimi të bëhej, më 28 nëntor 1932.

(Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së ngritjes së Flamurit Kombëtar)

Luan Imer Memisha

Ndodheshim përballë ushtarit të panjohur siç i themi ne vlonjatet, Luftëtarit Kombëtar, aty në mes lulishtes të qytetit të Vlorës, kur më bien ndërmend fjalët plot pasion  që m’i thoshte im gjysh Avdulla Memisha, në muajin Nëntor 1957, me rastin 45-vjetorit të shpalljes së pavarësisë kombëtare, ulur të dy në një stol karshi monumentit të atij luftëtarit qe i bënte roje ditë e natë te koka Ismail Bej Vlorës ose Ismail Beut siç e përsëriste gjithnjë im gjysh. Hapte qesen e duhanit dridhte një cigare të trashë me duhan të fortë, e thithte dy herë e më tregonte mua, që e dëgjoja me ëndje duke ia thithur fjalët së bashku me erën e eshkës që më pëlqente aq shumë. Me zërin e tij dramatik që i buronte nga shpirti më thoshte mua.

 

-Ishte vjeshtë e parë e 1931-shit. Ishte ditë për pazar në Vlorë. Kuajt i kishim lënë në Mëhallë të Re në hanin e Zyber Agait. Ato ditë kishim biseduar me një tregtar italian për ca pajisje të baxhos së qumështit së bashku me Veledin Haderin nga Lepenica dhe Sali Resulin e Cano Aliun nga Terbaçi. Shikojmë që gjatë pazarit në rrëmujë e sipër, kur na kishte mbërthyer meraku e shqetësimi i zakonshëm për nevojat tona, na kish ngulur sytë një meso burrë me veshje evropiane, thuaj që ishte i huaj!

-Po ky si na vështruaka sikur do na presë ndonjë palë rroba –tha Veledini.

-Fare mos është italiani i atij muhabetit të baxhos?! –tha Sali Resuli.

-Le të jetë kush të dojë, do na thotë vetë! – shtova unë. E kështu ndodhi, na foli përzemërsisht, me respekt se dukej që ishte shqiptar e i shkolluar.

-Të njihemi, jam përmetar, njoh dhe shumë nga ju vlonjatët se kam qenë mësues në shkollën Tregtare , te “Uji i ftohtë” ku kam dhe shumë miq. Si u shkoi pazari sot? E falënderuam dhe pritëm se ku do të dilte .

-Unë jam artist që punoj gurin dhe e bëj “njeri”! Qeshëm të gjithë.

-Tani kërkon që neve të na bësh gurë – i tha Veledini, gazi s’kishte te mbaruar i uruam punë të mbarë në Vlorë për misionin fisnik që kish marrë.

-Aty te ai Luftëtar jemi të gjithë ne, se e kemi njohur Ismail Beun dhe i kemi qëndruar në krah në luftëra, takime, pritje e përcjellje në Labëri sa herë ka ardhur për ato punë që lëshonin dritë e ndiznin zjarre zemrat. Ty djalë të lumtë dora, Vlora e Labëria ta ka borxh për jetë! -i thamë të gjithë ne.

-Faleminderit, por që të bëhet mirë kjo punë duhet edhe ndihma juaj -na tha ai.

-Për ne mos na kurse për atë punë, ne gati na ke! Mendonim që na donte për ndonjë punë aty tek lulishtja, apo lart tek “Uji i ftohtë” në Shashicë për pllaka guri, si na kishte thënë vetë.

-Jo, jo – tha , Ju dua t’ju vizatoj, se jeni tamam si ai!

-Mor po si ai nuk bëhemi dot sikur të përmbysim malin-i thashë unë duke kujtuar se na barazoi me Ismail Beun!

-Juve i ngjani atij ushtarit që do t’i rrijë mbi kokë!

-Ashtu po – i tha Sali Resuli -Na i bën si të duash, jemi gati se dhe pazarin tani e mbarojmë.

-U pres te klubi i Hamza Isait- na tha, atje piqemi.

Tek klubi i Hamza Isait na priste Arshi Halili, Ali Asllani e shumë të tjerë. U përshëndetëm, biseduam, siguruam mallin e çuam me hamejtë në han e fjetëm në Vlorë 3-4 ditë. Mori nga të katër neve nga një nishan: Flokët nga Veledin Hadëri, trupin nga Cano Aliu, ca tipare nga Sali Resuli e fytyrën nga unë, Avdulla Memisha Lepenica, më tha gjyshi, dhe na futi në një zyrë ku na vizatoi për tre deri katër orë. E uruam të katër ne, ashtu bëri dhe zoti Arshi Halili e Ali Asllani, që, gjithë qejf na u drejtua neve:

-Ju kini hyrë në histori, na tha ai.

-Ne kemi hyrë me kohë në histori se u dergjëm në luftëra – i thashë unë.

Kaluan rreth 6 muaj, ne e kishim harruar fare atë mesele. Kur, vitin tjetër në vjeshtën e tretë (nëntor 1932) na lajmëruan të shkonim në Sheshin e Flamurit në Vlorë, ku u gjendëm nga të gjitha krahinat si atëherë, më 1912-n kur ngritëm flamurin. Ismail Beu nga shkallët e shtëpisë së Xhemil Beut ku kish lindur ngriti lart flamurin kuq e zi, shenjën e nderit e të krenarisë sonë, të lavdisë së madhe e gjakut të derdhur lumë, flamurin me shqipen e zezë, udhëheqësin moral e shpirtëror në luftëra e beteja fitimtare. Atë ditë ishte dhe një bandë e madhe muzikore. Monumenti u ngrit me urdhër të Mbretit Zog, e me dorën e punën e atij djali që ishte nga Përmeti dhe me sa mbaj mend, siç më tha vetë, e quanin Odise, njeri me shpirt atdhedashës – vazhdoi gjyshi, që duke parë nga “Ushtari i Panjohur” më tha:

-Ky luftëtar kombëtar na përfaqëson të gjithë neve dhe atdhetarët e tjerë pa të metë. Me lot në sy m’u drejtua mua:

-Dëgjo Luan, unë jam nisur në rrugën pa kthim, se jam i shekullit të kaluar, po ti mos harro asnjëherë pa ardhur këtu të çosh një buqetë me lule, se këtu nën këtë pllakë mermeri prehet burri më i madh i kombit tonë që na dha dritë neve dhe atdheut. Te ky ushtar i që i bën roje te koka jemi ne me dyfek e flamur në dorë që luftuam në shekuj brez pas brezi me turkun, grekun, në luftën e Janinës, prapë me Greqinë, Italinë, Gjermaninë, se natë e ditë kishim në sy e mendje lirinë e Shqipërisë e në damarët tanë rridhte gjak i pastër shqiptar në një ritëm me hallet e kombit. Sill lule në çdo nëntor, se unë, edhe pse nuk do jem do të shikoj dhe do qetësohem.

U ngrit, puthi pllakën e mermerit, preku ushtarin e panjohur edhe mua më puthi e u larguan, në fillim duke ikur mbrapa 3-4 hapa, pastaj u kthyem e u larguan. Që atë ditë duke shikuar shokët e mi të lagjes doja t’u thosha me krenari e mburrje: “Po ju e dini që gjyshi im ka qenë shokë me Ismail Qemalin?! Sa herë qe shkoja nga lagjja “Pusi i Mezinit”, kjo portë me ullinj e Vlorës, shkoja drejt e tek Monumenti i Luftëtarit që më tregoi gjyshi tek Sheshi i Flamurit, u çoja lule dhe ndërmend më vinin tregimet e historitë e përpjekjeve të këtyre trimave me karakter të fortë e përkushtim atdhedashës, këtyre humanistëve të ndershëm me ndjenja kombëtare që i bashkoi dëshira për liri e pavarësi e u bënë shokë me malet. Ata kishin në shpirt zjarrin që simbolizonte dritën e lirinë e dëshiruar të fituar me gjak e me merita. Unë çoja gjithnjë lule e u formova si një atdhetar, sot i moshuar më vijnë ndërmend fjalët e bisedat e gjyshit për monumentin e “Ushtarit të Panjohur” ose luftëtarit kombëtar dhe kur lexoj në librin: “Gjurmë jete” Nga pena e skulptorit Odise Paskali në faqen 70-71, Tiranë 1986. Kjo thënie për këtë veprim e përforcon edhe në librin: “Ata që shpallën Pavarësinë” të Prof. Dr Bardhosh Gaçe, ku thotë: “Dëshira ime ishte që të realizoja një tip LABI, prandaj një ditë pas vendosjes së statujës në fshatin e Vlorës pashë një fshatar që i ngjante krejt flamurtarit, dhe më erdhi mirë” (Odise Paskali). Të gjitha punimet ishin kryer në fillim të marsit 1932, po u vendos përurimi të bëhej, në 28 nëntor 1932. Ne e deshëm atdheun atëherë ashtu siç ishte – më thoshte gjyshi, se po të mos ta donim atëherë s’kishim për ta dashur kurrë, e deshëm dhe u nderuam ndaj sot betohemi për Atdhe e Flamur. Te Luftëtari i Panjohur ne shikojmë paraardhësit tanë që rrinë si emblemë në gjoksin e Shqipërisë.