Ligji i ri për trajtimin suplementar, Specialisti Fadil Kepi: Si mund të merren njëkohësisht dy pensione nga emigrantët shqiptarë dhe cila kategori përfiton nga ky ligj

234

Kushtet që duhen plotësuar për të marrë pension social dhe llogaritja e trajtimit suplementar për ushtarakët, minatorët, veterinerët, mësuesit etj. Emigrantët ja si mund të marrin dy pensione

Përfitimi njëkohësisht i dy pensioneve për emigrantët shqiptarë

Pyetje

Zonja Pëllumbesha Dauti nga Greqia në letrën e saj trajton këtë problem: Jam e datëlindjes 30.1.1961 dhe kam 19 vjet e 8 muaj punë të siguruara, duke përfshirë edhe sigurimet vullnetare që kam bërë në sigurimet shoqërore Korçë. Pyes, kur do të dal në pension, sa vite pune duhen dhe a mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar periudhat e siguruara?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension në moshën 61 vjeçe e 4 muaj më 30 maj 2022 dhe për pension duhen 15 deri 37 vjet e 8 muaj punë të siguruara në vendin tonë. Me rreth 20 vjet punë të siguruara që keni, ju do të merrni pension të pjesshëm rreth 54% të pensionit të plotë. Para moshës së pensionit, meqenëse keni nënshtetësi shqiptare, keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare për të shtuar periudhat e siguruara që të merrni pension më të lartë. Shuma që duhet paguar për një vit është 67.392 lekë dhe pensioni shtohet rreth 2,6%. Sqarime më të hollësishme për procedurat që duhet të ndiqni për të bërë sigurime vullnetare do të merrni në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore Korçë. Për periudhat që keni punuar e siguruara në Greqi mund të përfitoni pension po të keni 4.500 “ensima”, pra janë krijuar mundësitë që të merrni njëkohësisht dy pensione.

 

Kushtet që duhen plotësuar për të marrë pension social

Pyetje

Një lexues i gazetës “Telegraf” nga Bilishti shkruan: nëna ime këtë muaj plotëson moshën 70 vjeçe dhe meqenëse ka më pak se 15 vjet punë të siguruara nuk ka marrë pension pleqërie. Pyes, cilat janë kushtet për të përfituar pension social, dokumentet që duhen plotësuar dhe procedurat që duhet të ndjekë?

Përgjigje

Bazuar në nenin 5/1 të ligjit të sigurimeve shoqërore nr.104/2014, datë 31.7.2014, botuar në fletoren zyrtare 137: “Pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka plotësuar moshën 70 vjeç, (pavarësisht nga gjinia) që është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura, ose të ardhurat, që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat e pensionit social”. Masa e pensionit social është e barabartë me të ardhurat minimale, që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vjet të siguruara me pagë minimale. Duke filluar nga data 1 prill të këtij viti masa e pensionit kur s’ka të ardhura të tjera është 7.465 lekë në muaj. Shuma e pensionit social për personat që kanë të ardhura nga burime të tjera, si pension familjar, nga toka që kanë sipas ligjit, etj., do të jetë sa diferenca e pensionit social 7.465 lekë me të ardhurat e tjera. Kur të ardhurat mujore nga burimet e mësipërme janë më të lartë se 7.465 lekë në muaj, nuk përfiton pension social.

 

– Dokumentet që duhet të paraqesë nëna juaj në agjencinë e sigurimeve shoqërore për të përfituar pension social janë: fotokopje e kartës së identitetit, deklaratë për gjendjen e saj social-ekonomike, vërtetim nga sigurimet shoqërore që nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni, certifikatë e gjendjes familjare, vërtetim nga zyra e gjendjes civile që 5 vitet e fundit është me banim në Shqipëri, certifikatë pronësie nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të paluajtshme, aktin e marrjes në pronësi ose në përdorim të tokës, vërtetim nga zyra e tatimeve që s’ka të ardhura nga aktivitete të tjera, vërtetim nga bashkia që nuk merr ndihmë ekonomike. Agjencia e sigurimeve shoqërore dokumentet e mësipërme ia dërgon DRSSH Korçë e cila ka në kompetencë të caktojë masën e pensionit social.

Përfituesja e pensionit social duhet të paraqesë një herë në vit deklaratën për gjendjen e saj social- ekonomike, dhe sipas të ardhurave te reja masa e pensionit social ulet ose shtohet deri në kufirin e mësipërm maksimal.

Pensioni për mësuesit   

Pyetje

Mësuesja Trëndelina Bajrami nga Përmeti me banim në Tiranë shkruan: jam e datëlindjes 2 nëntor 1958 dhe mbasi mbarova Universitetin e Tiranës ditën, aktualisht kam 39 vjet punë të siguruara, pa përfshirë periudhën e studimeve të larta. Vazhdoj të jem në marrëdhënie pune në shkollë publike. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit, sa vite pune duhen për pension të plotë dhe a njihen vitet e studimeve të larta punë për pension?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension 60 vjeçe e 10 muaj më 2 shtator të këtij viti, dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara. Deri në moshën e pensionit juve ju bëhen rreth 42 vjet punë dhe kjo është në favorin tuaj mbasi pensioni nuk ka kufi maksimal, por varet nga shuma e viteve të punës të siguruara në vendin tonë nga mosha 16 vjeçe dhe paga mesatare bruto mujore, mbasi sigurimet shoqërore pagat e çdo viti do t’i shumëzojnë me koeficientet e caktuara nga Qeveria. Para daljes në pension duhet të dorëzoni zyrtarisht dokumentacionin shkollor. Mbas lejes së zakonshme që ju takon këtë vit, përfitoni deri një rrogë mujore shpërblim. Bazuar në ligjin e sigurimeve shoqërore nr.104/2014, periudha e studimeve të larta ditën njihet vjetërsi pune e vërtetuar me kopjen e diplomës së noterizuar për të gjitha femrat që dalin në pension deri më 31 dhjetor të vitit 2032. Dokumentet që duhet të plotësoni dhe dorëzoni në agjencinë e sigurimeve shoqërore ku banoni në Tiranë janë: libreza e punës, fotokopja e kartës së identitetit, vërtetimi i pagës bruto për çdo muaj nga 1 janari i vitit 1994 deri ditën që do të ndërprisni punën, certifikatën e gjendjes familjare e fotokopjen e diplomës e noterizuar. Drejtoria Rajonale e sigurimeve shoqërore mbasi i studion dokumentet e paraqitura ju pajis me librezë pensioni shoqëruar me pasqyrën e llogaritjes së pensionit sipas nenit 62 të ligjit të sigurimeve shoqërore.

Dokumentet që duhet dorëzuar për të marrë pension pleqërie

Pyetje

Në letrën që na ka dërguar z. Rakip Gjana lexojmë: Jam i datëlindjes 14 nëntor 1954 dhe gjithsej kam rreth 38 vjet punë të siguruara në vendin tonë, në sektor shtetëror, periudhën që kam qenë ushtar, asistencë dhe sektorin privat. Pyes, kur dal në pension dhe sa vite pune të siguruara duhen?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension 65 vjeç më 14 nëntor të këtij viti, dhe për pension të plotë duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara gjithsej në vendin tonë, nga mosha 16 vjeç. Dokumentet që duhen dërguar në agjencinë e sigurimeve shoqërore janë: libreza e punës, vërtetimi i degës ushtarake që vërteton periudhën që keni qenë ushtar, vërtetimi i pagës bruto nga 1 janari i vitit 1994, deri ditën e fundit që keni ndërprerë punën, fotokopjen e kartës së identitetit. Certifikatën e gjendjes familjare sigurimet shoqërore e marrin direkt në zyrën e gjendjes civile. Shuma e pensionit varet nga vitet e punës të siguruara dhe paga mesatare bruto për gjithë periudhat e siguruara. Pagat bruto para vitit 1994 nuk do t’i dërgoni ju, sepse sigurimet shoqërore, i marrin nga vendimi i Qeverisë nr.561, datë 12.8.2005. Gjithashtu, keni të drejtë të aplikoni për të përfituar edhe kompensim të energjisë elektrike si kryefamiljar. Mbasi të merrni librezën e pensionit shoqëruar me pasqyrën llogaritëse, nëse nuk bindeni me masën e pensionit, vitet e punës të siguruara, datën e fillimit të pagesës së pensionit, etj., sipas nenit 86 të ligjit të sigurimeve shoqërore keni të drejtë ti bëni ankesë me shkrim, në agjencinë e sigurimeve shoqërore: komisionit të ankimit në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore, për pretendimet që keni. Nëse nuk bindeni me përgjigjen zyrtare nëse, bëni një ankesë tjetër me postë rekomande komisionit qendror të ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe së fundi drejtohuni Gjykatës Administrative. Sqarime të tjera, më të hollësishme mund të merrni në agjencinë e sigurimeve shoqërore të vendbanimit tuaj.

Për më tepër lexoni “Telegraf”