Lavdi Dëshmorëve të Atdheut/ Intervistë me kreun e Organizatës, Dr. Gjergj Velo: Heronjtë dhe dëshmorët e LANÇ janë nderi dhe Lavdia e përjetshme e kombit

1261
Sigal

-Intervistë më kryetarin e Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut, Dr. Gjergj Velo-

Heronjtë dhe dëshmorët e LANÇ, Nderi e Lavdia e përjetshme e kombit

“Si Organizatë e Dëshmorëve, kemi përpara një vit të ngarkuar me shumë punë, por që besojmë plotësisht se do t’i realizojmë, pasi të gjithë anëtarët e familjes sonë të madhe që quhet “Organizata për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut”, janë shpirtërisht të motivuar për të mbrojtur idealet e shenjta të të rënëve për Atdhe, si dhe vlerat e pazëvendësueshme të LANÇ”. Në intervistën e tij dhënë gazetës “Telegraf”, kryetari i Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut, Dr. Gjergj Velo qartëson për lexuesit objektivat kryesore që ka organizata për këtë vit, si dhe në vijim.

  1. kryetar; cilat do jenë synimet kryesore të organizatës së Dëshmorëve për këtë vit, që siç dihet, është edhe 75-vjetori i Çlirimit të Atdheut?

-Organizata Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut, është një organizatë e re. Si organizatë më vete, ajo ka filluar veprimtarinë e saj në vitin 1995 dhe kulmi i saj arrin në dhjetor të vitit 2018, moment kur nga Kuvendi i Shqipërisë sanksionohet dhe njihet me ligj si përfaqësuese e dëshmorëve të Atdheut, dhe mbrojtëse e veprës së dëshmorëve, si dhe të familjeve të tyre, së bashku me organet shtetërore. Si strukturë, ne shtrihemi e forcohemi në të gjitha bashkitë e Shqipërisë dhe në çdo njësi të banuar është kryesia e degës me këshilltarët dhe anëtarët e saj. Kemi një revistë, që është ndër më seriozet në tregun mediatik shqiptar. Çdo bashki i ka pajisur ato me zyra dhe tërë nevojat që lindin për veprimtarinë e tyre. Në përgjithësi kemi një bashkëpunim me organet shtetërore mjaft të mirë rezultati i të cilit është mirëmbajtja e varrezave, zhvillimi i aktiviteteve, në rastet e përvjetorëve, dhe vetë miratimi i ligjit mbi Statusin e Dëshmorit të Atdheut. Gjithsesi, jam i detyruar të flas përmbledhtas për sa më pyesni, pasi objektivat kryesore të organizatës tonë Kryesia ka kohë që i ka formuluar, dhe ua ka dërguar të gjitha degëve në Tiranë dhe në rrethe. Ndërkohë edhe degët kanë nisur të zbatojnë hap pas hapi detyrat e tyre, sipas veçorive që ka çdo rreth apo qark. Gjithsesi, dua të them se ndër drejtimet kryesore ku ne duhet të fokusohemi gjatë vitit 2019, janë: E para, forcimi i degëve e nëndegëve të organizatës sonë përmes shtimit të radhëve, rritjes së aktiviteteve të tyre për këtë vit madhor në nderim të dëshmorëve dhe heronjve të rënë. E dyta; fillimi sa më shpejt i punës për zbatimin e ligjit të ri “Për Statusin e Dëshmorit të Atdheut” dhe; e treta; pasqyrimi në media, si në ato vizive dhe në atë të shkruar i LANÇ, si vepër monumentale në historinë e popullit tonë, i cili në ato kohë të zjarrta lufte, u bashkua në Aleancën e madhe Anglo-Sovjeto-Amerikane. Ne si Kryesi e Përgjithshme jemi mbledhur dy herë rresht për të precizuar sa më saktë këto detyra; për të mos punuar asnjëherë pa një plan konkret, në mënyrë që kryetarët e degëve në Tiranë e rrethe të jenë të gjithë të akorduar dhe koordinuar sipas planit të objektivave që ne iu kemi dërguar që prej dy muajsh e ca. E vërteta është që qysh tani shihet një seriozitet për t’u vlerësuar nga të gjitha kryesitë e degëve të vogla dhe atyre të mëdha, nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm dhe nga e gjithë anëtarësia e organizatës sonë.

Cilën vlerësoni si detyrën më të rëndësishme të organizatës, mes gjithë këtyre angazhimeve që do të keni përgjatë gjithë vitit?

-Sigurisht, zbatimi i ligjit të ri “Për Statusin e Dëshmorit të Atdheut”. Ai është një dokument i rëndësishëm, i cili mendoj që pikë së pari, duhet lexuar me shumë vëmendje nga gjithë anëtarësia e organizatës sonë. Vlerësoj se, ashtu sikurse jemi shprehur edhe publikisht, edhe pse kemi reaguar për faktin pse ligji nuk është shprehur për shpërblimin financiar për familjet e dëshmorëve të LANÇ, ne prapë se prapë, na duhet ta shohim problemin sa më “me këmbë në tokë” dhe të fokusohemi tek “gjysma e gotës plot”. Sepse, në fakt ligji ka shpalosur hapësira të reja për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të mjaft kategorive specifike të të rënëve për atdhe gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ata të rënë para vitit 1939, si dhe ata që kanë vdekur për shkak të sëmundjeve të marra gjatë luftës, por që kanë ndërruar jetë më pas deri më 9 Maj 1947, nga 9 Maj 1945 që ka qenë në ligjin e mëparshëm. E gjithë kjo situatë pra, duhet sqaruar sa më mirë për degët e OKDA në të gjithë Shqipërinë. Po kështu për herë të parë me ligj theksohet se organet qendrore dhe ato vendore duhet të mbështesin dhe nxisin organizatën e dëshmorëve në të gjitha veprimtaritë dhe problemet që lidhen me to.

Dhe si është organizuar kjo punë, kur dihet që është e lidhur me shumë faktorë të tjerë; si me qarqet, me dokumentacionin, me Komisionin Shtetëror për Statusin e Dëshmorit etj., etj?

-Jo pa qëllim e theksova më lart që degët e OKDA kanë përpara një program pune që ja kemi dërguar. Veç kësaj, për të nisur një punë që do vazhdojë me vite e vite, pasi shpallja “Dëshmor i Atdheut” është një proces në vazhdim, ne si Kryesi kemi edhe një seminar me kryetarët e degëve nëpër rrethe, ose me përfaqësues të tyre, ku do të jetë edhe një ekspert i Komisionit Shtetëror “Për Statusin e Dëshmorit”, si dhe një i deleguar nga ne si Kryesi e Përgjithshme. Dhe këtë seminar e kemi planifikuar në 10-ditëshin e dytë të muajit prill 2019. Pra, kemi shumë punë përpara që presin të realizohen nga ne, por kemi edhe shumë nevojë për organet shtetërore që të na mbështesin për realizimin sa më me korrektësi të këtyre detyrave. Në këtë seminar që do zhvillojmë do synojmë të sqarojmë të interesuarit se cilët janë dokumentet që duhen për të shpallur “x” a “y” të rënë “Dëshmor të Atdheut”. Pastaj, kemi edhe dosje të kthyera nga Komisioni. Do sqarojmë se cilat prej tyre do rishqyrtohen sipas ligjit të ri, dhe cilat prej tyre do kërkojnë dokumente shtesë, apo që do ti drejtohen organeve gjyqësore. E gjithë kjo punë, pra, siç e shihni është një punë ekspertësh, me të cilët ne, edhe do të na duhet të bashkëpunojmë.

Po në kuadër të 75 Vjetorit të Çlirimit a do të ketë ndonjë veçori puna e Organizatës së Dëshmorëve?

-Po veçoria e parë është se tashmë si organizatë jemi të kompletuar me një ligj, ku thuhet shprehimisht se “shteti mbështet veprimtaritë e organizatës së dëshmorëve për të gjitha aktivitetet që zhvillohen për dëshmorët e Atdheut”. Pra, jemi pjesë e protokollit shtetëror në të gjitha veprimtaritë përkujtimore për dëshmorët e Atdheut. Normalisht, festimi i 5 Majit, apo i 28-29 Nëntorit, apo i datave kur kanë përvjetorët e rënies heronjtë dhe dëshmorët tanë, do bëhet ashtu siç është bërë deri tani. Madje, mund te themi se degët e OKDA kanë goxha përvojë të akumuluar nga festimet nëpër vitet e mëparshëm. Dhe për këtë dua t’i falënderoj të gjithë pa përjashtim, nga jugu në veri, kudo ku ato janë, cep më cep të Shqipërisë. Ndërkohë, e kam paksa të vështirë të veçoj emra të përveçëm që punojnë me shumë shpirt për propagandimin e mesazheve dhe të idealeve të pastra të dëshmorëve të rënë për Atdhe. Se të gjithë kryetarët e degëve në Tiranë e rrethe, të gjithë anëtarët e degëve të OKDA janë të impenjuar maksimalisht për ta realizuar me shpirt këtë angazhim. Por gjithsesi ka edhe mjaft probleme; të jemi të sinqertë. Kemi akoma për të bërë për shembull; për angazhimin e të deleguarve. Kemi akoma për të bërë lidhur me shtimin e radhëve të organizatës. Kemi akoma shumë problem lidhur me administrimin financiar, pasi sikurse e dini, ne si organizatë e Dëshmorëve të Atdheut, nuk mbështetemi financiarisht nga shteti. Asnjë kacidhe nuk jep shteti për Organizatën e Dëshmorëve. E megjithatë, ne do ta bëjmë punën tonë, se e bëjmë me shpirt për të mos vdekur kurrë idealet e atyre që u flijuan për këtë vend, për Shqipërinë tonë të shtrenjtë. Shembuj, ku njerëzit e organizatës sonë angazhohen maksimalisht, ka plot. Për shembull, është fat për ne që kemi në Kryesi figura të tilla si shkrimtari Nasho Jorgaqi, i cili është edhe “Nderi i Revistës “Pavdekësia” dhe këshillues”. Apo poeti Pandeli Koçi, i cili po merret me hartimin dhe botimin e një antologjie të posaçme me krijime të dëshmorëve e heronjve tanë. Kemi kryetarë degësh të OKDA, mjaft cilësorë, si Sokrat Ikonomi në Fier, Resmije Ruci në Vlorë, Ali Myrtaj, Shpëtim Dervishi, Ahmet Kenga, Xhuljeta Graceni, Jani Dhimitri, Dhurata Tyli, Shpend Bisheva, Hajri Bakiu, Mehmet Deliu, Niko Riza, etj, që vazhdojnë të mbajnë lart optimizmin në luftë me vështirësitë e përditshme, për anëtarësime të reja dhe për rritjen e numrit të abonimeve në revistën “Pavdekësia”, të aktiviteteve jo vetëm në bazë rrethi, apo njësie bashkiake, por edhe në atë mbi bazë fshati apo blloku. Kemi këtu në Tiranë anëtarë Kryesie model, gjithmonë të palodhur, siç është zj.

Shpresa Bejo, e cila bën një punë të jashtëzakonshme për sistemimin dhe evidentimin e kartelave të dëshmorëve; por shpesh bën në mënyrë shumë cilësore edhe rolin e moderatores së aktiviteteve përkujtimore për dëshmorët. Apo Violeta Kila, që është edhe administratore e njësisë Nr. 5, etj. Por ndërkohë, ka edhe degë të prapambetura, që duhet të avancojnë akoma dhe më shumë në përshtatje me kohën për forcimin sa më shumë të Organizatës së Dëshmorëve. Sidomos këtë vit jubilar të 75 Vjetorit të Çlirimit organizata jonë duhet të vazhdojë luftën sidomos ndaj tezave që mohojnë luftën e madhe nga lëvizja nacional-çlirimtare në Aleancë me bllokun Anglo-Sovjeto-Amerikan, teza e luftës civile dhe jo luftë kundër bashkëpunëtorëve ballisto-zogistë; ndaj veprimeve të njerëzve dashamirës të organizatës sonë, por me huqet e tyre e zbehin dhe e ulin veprimtarinë dhe vetë organizatën tonë. Puna jonë do vazhdojë me një ritëm të ri, me një energji të re, pasi janë ata dhjetëra e dhjetëra të rinj e të reja që anëtarësohen në radhët e organizatës sonë, ata që na e shtojnë forcën dhe optimizmin. Se mesazhet që përcjell vepra sublime e dëshmorëve dhe e heronjve tanë të LANÇ, janë të pavdekshme, janë energji e përjetshme që nuk shter kurrë. Se askush nuk e detyroi Mujo Ulqinakun të rrinte në Durrës përballe mijëra fashistëve në ditën e zezë të zbarkimit fashist më 7 prill 1939. Por qëndroi si shkëmb graniti aty, deri sa u vra.

Kurse mbreti Zog, që i premtoi popullit se “do të mbathte opingat e do dilte malit për të luftuar”, në fakt, i mbathi “opingat”, por jo për të luftuar. I mbathi për të shpëtuar kokën e tij, si një frikacak mjeran. Braktisi Atdheun; e tradhtoi atë. Apo Heroi i Popullit, Qemal Stafa; i riu përparimtar që në ditët e vështira të luftës me violinë i këndonte Shqipërisë me tingujt e bukur të lirisë. Qemali, ai i ri mendjendritur, edhe mund të rrinte mënjanë e të mos përzihej fare me luftën. Por nuk zgjodhi rrugën e rehatisë personale. Mbi të gjitha interesat e tija vetjake, ai vuri interesin e madh të Shqipërisë. Dhe u vra si hero më 5 Maj 1942.

Intervistoi: Xheladin Çelmeta