Lagjet e “Rilindjes”, gërmadhat e krimit dhe jetët e humbura

600
Sigal

Analizë nga Engjëll Musai/ Ende pa u tharë boja e premtimit për ndërtimin e banesave në Korçë, Kryeministri premton ndërtimin e “Lagjeve të reja të Rilindjes”. Paaftësia e menaxhimit, tallja e ministreve të qeverisë me paralajmërimet dhe akuzat ndaj medias. Donacionet, oligarkët dhe solidariteti i qytetarit nga Kosova që në mungesë të parave ishte i gatshëm të dhuronte gjak për vëllezërit shqiptarë

 

01

Engjëll Musai

Drejtor i “Telegraf”

Tërmeti apokaliptik i 26 Nëntorit do të mbahet mënd gjatë në memorien e çdo shqiptari, pasi edhe më të moçmit e këtij vendi nuk kujtojnë dot që të ketë ndodhur një tronditje e tillë dhe dëme me përmasa të mëdha njerëzore dhe materiale. Sigurisht kohëzgjatja ishte e veçantë dhe akoma më të tmerrshme e bëri orari i natës në të cilin ra. Pasojat janë ato që tashmë janë bërë publike me 51 jetë të humbura qindra të plagosur dhe mijëra persona me banesa të dëmtuara.Ndaj në këto ditë të vështira për të gjithë Kombin vendosëm së bashku me botuesin që në qëndrimin e përditshëm editorial t’u jepnim shqiptarëve doza besimi, solidariteti dhe bashkimi për të lënë mënjanë panikun që ndodh në këto raste. Anashkaluam qëndrimet politike, pasi qëllim i një media është që t’u shërbejë qytetarëve dhe misioni final mbetet shërbesa ndaj njeri – tjetrit pa dallime bindjesh politike, fetare, krahinore, moshe, race etj. Ndoshta fjalët piedestal të Shën Nënë Tereza “Mos shaj errësirën, por në vend të saj ndiz një qiri”, janë më aktuale se kurrë. Dhe i thotë pikërisht Nënë Tereza, e cila do mbetet shembulli i jashtëzakonshëm i dashurisë pa kurrfarë kushti dhe i misionit të pareshtur të përkujdesjes ndaj kujtdo që vuan, pa dallim kombësie, race, feje apo përkatësie shoqërore. Dhe shembulli i saj, këto ditë të ftohta dimri na fton të gjithëve, të hapim horizonte të reja, gëzimi e shprese, mirëkuptimi e dashurie për ata që kanë aq shumë nevojë dhe sidomos për ato familje që kanë humbur jetët e njerëzve të tyre të zemrës, pasi banesat mund të ringrihen por jetët nuk kthehen më. Janë me qindra të plagosur, mijëra qytetarë në rrugë dhe nuk kanë ku fusin kokën.Këta njerëz meritojnë respekt dhe përkrahje të jashtëzakonshme. Solidariteti i qytetarëve të thjeshtë, nga të gjitha trojet shqiptare, ndihma ndërkombëtare e miqve të Popullit Shqiptar dhe jo qeverisjes meriton respekt dhe kujtesë që duhet të mbetet në memorie e kombit tonë. Dhe më mirë se kushdo tjetër këto virtyte të përballimit të kësaj krize i gjejmë të mishëruara tek testament i të madhërishmes, së bekuarës dhe së Shenjtës Nënë Terezë, që me veprën e saj na fton të ruajmë si sytë e ballit bashkëjetesën dhe harmoninë që kombi ynë ka kultivuar e përsosur ndër shekuj.Ndaj mesazhi i saj na kujton se nuk duhet të harrojmë që i përkasim njëri-tjetrit. “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”,” do të thoshte Shën Nënë Tereza. Bordi dhe stafi i gazetës “Telegraf”, gjen rastin të solidarizohet dhe të ngushëllojë të gjitha familjet e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore me shpresën e madhe tek zoti për ditë më të mira në familjet e të gjithë shqiptarëve brenda vendit dhe kudo në botë. Por ndërkohë që njerëzit nuk duan t’u shohin sytë dhe bojën politikës, dhe atyre politikano-pushtetarëve lokalë që e katandisën vendin në këtë situatë, pasi kishin për mision të jepnin leje ndërtimi, t’i kontrollonin dhe t’i kolaudonin vetëm kur të ishin të garantuara për blerësit.Sepse qytetarët besojnë tek shteti i tyre. Sepse qytetarët paguajnë taksat për një jetë më të mirë dhe jo të shohin veten, familjarët dhe qytetarët e vendit të vet nën rrënoja. Qytetari kur shikon që shteti të fut në burg për një faturë dritash që kushton 10 mijë lekë apo faturë uji 2 mijë lekëshe, nuk mund ta mendojnë që batakçinjtë e bashkive politike, me mbështetje qendrore të shkojnë deri në atë gjendje sa të hedhin firma për ndërtesa jashtë standardeve. Dhe, nëse qytetarët, mediat, specialistët, ekspertët po i qëndrojnë larg gjykimeve politike, kryeministri i vendit Edi Rama e ka kthyer fatkeqësinë kombëtare në një shesh që të ngjason me premtimet elektorale të ‘tepsisë’ vetëm dhe të ‘timonit’ pa njerëz në prehër. E kemi parë në takimet me disa hallexhinj dhe me shumë badiguardë me vete, ku nuk do as opozitën, as specialistët ,madje duke fyer edhe njerëzit që i solli me vete si pjellë të “Rilindjes”.

02

Rama shpall objektivin: Do të ndërtojmë lagjet e reja të “Rilindjes” në zonat ku shkatërroi tërmeti

Kryeministri Rama vazhdon të bëjë teatër dhe humor, ndërkohë që njerëzve u ka ngrirë buzëqeshja në buzë dhe loti nuk është e thënë që të ndahet nga sytë e nënave, baballarëve, fëmijëve dhe çdo shqiptari brenda vendit, në trojet shqiptare dhe kudo që jetojnë si emigrantë për një jetë më të mirë. Pikërisht për t’i shpëtuar këtyre katastrofave që mbajnë mbi shpatulla papërgjegjshmërinë e pushtetarëve të pangopur dhe oligarkëve klientelistë të ndërtimit. “Kryeministri Edi Rama shpalli objektivin këtë të martë për programin e rindërtimit pas tërmetit, duke deklaruar se synimi është ndërtimi i një lagjeje të re në Durrës,Tiranë madje edhe në Laç. Duke folur në mbledhjen e 6- të të jashtëzakonshme të qeverisë, Rama tha se nuk do të ketë banesa sociale si ato që jemi mësuar të shohim deri më tani. Po diskutojmë për disa skenarë. Skenari im i preferuar është ndërtimi i disa qytezave të reja. Objektivi im është të arrijmë në një program rindërtimi që të jetë krenari kombëtare”

Sipas premtimeve të kryeministrit Rama do të ketë lagje me çerdhe, kopshte, shkolla, lokale shërbimi, uji, drita, kanalizime, gjelbërime, qendra sociale etj, etj… Me sa duket vetëm “qumësht dallëndyshe” ka harruar të përmendi kryerilindësi që në këto 7 vite ka detyruar me paaftësinë e qeverisjes së tij që mijëra shqiptarë të marrin arratinë nga sytë këmbët nëpër botë, megjithëse u premtoi 300 mijë vende pune. Përmend çerdhe, kopshte e shkolla, por çdo vit mbyllen me dhjetëra të tilla, sepse bashkë me prindërit po ikin edhe fëmijët. Përmend kanalizime, por “Rilindja Urbane” që thithi miliarda lekë para fushatës elektorale ka bërë që qytetet të kthehen në beton që të përvëlojnë në verë dhe përmbyten në dimër sa bie një pikë shi. Përmend gjelbërimin, por në lulishtet, këndet e lojërave dhe terrenet sportive po ngrihen përditë grataçielat e oligarkëve. Le të hapen dosjet e lejeve të ndërtimit të periudhës kur vetë Z.Rama drejtoi për 11 vite bashkinë e Tiranës dhe do të shohim se çfarë katrahure i ka sjellë kryeqytetit. Edhe bashkitë kryesore të vendit që sot janë “objekt krimi prej fatkeqësisë”, janë drejtuar pikërisht nga kryebashkiakët e “Rilindjes” që janë njëkohësisht edhe drejtues të partisë në pushtetin lokal. Dhe të gjithë së bashku i kanë kthyer qytetet dhe vendin në një grumbull mbetjesh hekuri, betoni dhe depozita uji, ku Robert Çamçakëzi i vërtetë tashmë vjen vërdallë nëpër kantierin e shkatërruar nga paaftësia, arroganca dhe babëzia me tenderët 30-vjeçarë, të quajtura PPP.

03

Paralajmërimi për testimin e gatishmërisë nga Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe ironia e çiftit të “ Mjaftit dhe Misse-ve të Rilindjes”

Tërmetet nuk mund të parashikohen, por kur ekspertët, studiuesit dhe shkencëtarët paralajmëruan rrezikun që këto fenomene mund të përfshijnë edhe Shqipërinë, më minimalja dhe primarja është marrja e masave për evitimin në maksimum të tragjedive, jetëve njerëzore, sistemimin post tragjedi duke parandaluar në këtë mënyrë shokun traumatik dhe psikologjik të qytetarëve. Kjo do të thotë, që kur Presidenti i Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura u dërgon një kërkesë institucioneve të shtetit, qeverisë dhe atyre në vartësi, të gjithë duhet të preokupohen, të rishikojnë planet e masave në rast evakuimesh, të forcojnë sigurinë nëpërmjet kontrollit të objekteve të ndërtimit, atyre që janë në ndërtim e sipër, të vinçave dhe qendrave me lartësi, të porteve, aeroporteve, spitaleve, qendrave të fushimit, makinerive, hidrovoreve dhe gjithçkaje ka të bëjë me emergjencat civile. Të mos harrojmë se 1 vit më parë pikërisht në Dhjetor vendi kalojë një situatë të vështirë të përmbytjeve, që na gjetën të papërgatitur. Në Shqipëri janë dhjetëra hidrocentrale, diga, lumenj dhe mbi 700 rezervuarë uji që përbëjnë rrezik në rast katastrofash. Pikërisht këto duheshin kontrolluar dhe mbajtur nën mbikëqyrje. Por a u morën këto masa dhe cila ishte përgjigja e institucioneve të qeverisjes së “Rilindjes”? Përgjigja ishte humori “ i zi i Elisës” që këto ditë veshi me të zeza qindra nëna dhe motra, prej papërgjegjshmërisë së tejskajshme dhe marrëzisë së padëgjuar dhe të paparë në historitë e shteteve dhe kombeve në botë. Në vend që të analizonin me kujdes një paralajmërim, arkivat dhe sekretaritë e “Rilindjes” nxorën me vrap shkresën konfidenciale të Komandantit të Përgjithshëm dërguar Kreut të Parlamentit, qeverisë dhe ministrisë së Mbrojtjes dhe e përdorën në media si një lajthitje të Kreut të Shtetit.

Po mirë, more të papërgjegjshëm, mirë që po e çoni vendin në greminë, mirë që jeni të trullosur nga luksi dhe babëzia, që po e detyroni këtë popull të arratiset nga sytë këmbët nëpër botë, që jeni të dhënë kokë e këmbë pas maskarallëqeve, po rregullat më minimale të respektimit të piramidës shtetërore akoma nuk i keni mësuar?! Por të paktën sa për sy e faqe bëni sikur i vlerësoni që sot të thoshim, se e morën në konsideratë një shqetësim njerëzor. Ministrja koordinatore midis Parlamentit të Ruçit dhe Qeverisë së Ramës, tallej nëpër statuse me Komandantin e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë.

Mirë “Rilindësit” erdhën si misionarë të shkatërrimit dhe sekt që nuk e njeh SHTETIN, por ju zoti Gramoz Ruçi, një njohës i shkëlqyer i rregullave, normave dhe shtetit, falë edhe përvojës dhe vazhdimësisë të atij sistemi ku shteti vinte era shtet, si mundet ta pranoni që disa mostra të tallen me jetën e qytetarëve?!

Ja postimi i Elisa Spiropalit përgjegjëse koordinatore mes Kryeparlamentarit të PS-së Ruçi dhe Kryeqeveritarit të ‘Rilindjes’ Rama:

Dhe sikur të mos mjaftonte ironia e Mjaftistes Spiropali, një tjetër misso-mjaftiste, Ministrja Olta Xhaçka, i përgjigjet po me kaq papërgjegjshmëri Kreut të Shtetit. Atëherë lind pyetja: Kush mban përgjegjësi për jetët e humbura, të plagosurit dhe panikun e krijuar. Po për deklaratat e banorëve, se pas tërmetit të 21 shtatorit, ishte paralajmëruar rreziku për shembjen e pallatit dhe ekspertët e kishin konsideruar si të pabanueshëm, pasojat e së cilit ishin marrja e dhjetëra jetë njerëzish të pafajshëm. Ata u rifutën në këtë pallat se nuk kishin ku të shkonin, duke u përballur kështu me pasojat katastrofike. Prokuroria e Përgjithshme dhe ato të rretheve ku kanë ndodhur fatkeqësitë urgjentisht duhet të nisin hetimin për Elisa Spiropalin, Olta Xhaçkën dhe cilindo që fshihet pas tyre, si shpërdorues të misionit qytetar, të ligjeve dhe rregullave të shtetit. Nuk ka një rast të dytë më flagrant dhe më skandaloz, se sa tallja që dy ministret i bënë me indiferencën e tyre pasojave të katastrofës që përfshiu shqiptarët dhe Shqipërinë.

Ndoshta është momenti më i mirë që Kuvendi i Rilindjes dhe Komisioni i ngritur për shkarkimin e Presidentit, do bënin mirë që të shtojnë edhe një çështje të tretë dhe që ka të bëjë me faktin, se përse kur Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe garanti i Kushtetutës së Republikës i kërkoi; Kuvendit, Qeverisë dhe ministrive të linjës të merrnin masa për të pasur në gatishmëri të plotë emergjencat civile dhe si duhen shpëtuar jetët e qytetarëve në rast fatkeqësish. Do ishte me vend që të vinin në dijeni edhe Komisionin e Venecias, ku t’i thuhet se Presidenti i Republikës me veprimet e tij kërkoi të shpëtonte jetët e njerëzve. Ah, do të ishte në të mirën e transparencës që komisioni i Ulsiut, të depozitojë në dosje edhe përgjigjet e Elisës dhe të Oltës..

04

Roli i Medias

Solidariteti në kuptimin e plotë të fjalës duhej dhe ka mbizotëruar në këtë periudhë të vështirë për Kombin. Por media është ajo që bën dallimin mes premtimeve, gënjeshtrave dhe realitetit. Media është kundër prirjeve autoritare të pushtetit, rivalitetit politik në dëm të interesave qytetare dhe kombëtare, kundër korrupsionit dhe kritike ndaj strukturave jo funksionale të shtetit. Media është për transparencën dhe të vërtetën, kurse qeveritë autoritare dhe arrogante nuk e duan të vërtetën që ndriçon mendjet dhe rrugën e qytetarëve. Rilindja kërkon t’i ketë mediat si “kone sallonesh”, por roli i mediave është t’i shërbejë kombit dhe, sidomos udhëheqësve politikë, të cilët kanë humbur lidhjet reale me njëri tjetrin, me qytetarët dhe premtimet elektorale. Amerika vendi i begatë i fjalës dhe medias së lirë ka një postulat që duhet ta kenë parasysh qeveritarët shqiptarë: Media dhe shtypi i lirë janë modeli më i mirë për zgjidhjen e situatave dhe diskreditimin e diktatorëve.

05

E vërteta mbi donacionet dhe korporata e ndërtimit të oligarkëve të Rilindjes

Edi Ramës, sikur të mos i mjaftonte kantieri shqiptar i shkatërrimit po vjen vërdallë për ndihma dhe donacione monetare sa lart poshtë. Ai refuzoi ndihmën materiale, edhe pse njerëzit nuk kanë mundësi ekonomike të pinë një pikë ujë. Fare mirë këta njerëz mund të sistemohen në këtë dimër që po afron dhe që do jetë nga më të ftohtët në kontejnerë deri sa të krijohen mundësitë që ata t’i rikthehen jetës së tyre normale. Të gjithë qytetarët janë solidarizuar me bashkëkombësit e tyre, por kurrsesi jo me qeverinë e Rilindjes, që shqetësimin më të madh paska të grupojë donacionet monetare të dërguara anë e mbanë botës. Qeveria turke sipas ‘rilindësve’ ofroi ndërtimin e 500 banesave që mesatarisht mund të kushtojë rreth 10 milionë dollarë. Por a e dini se vetëm nga një bankë, Turqia fiton rreth 80 milion euro në vit në Shqipëri?! Llogarive të tjera të bizneseve të tyre në telekomunikacion, HEC-e, miniera, porte etj., etj., janë shumë herë më shumë dhe që do t’i bëjmë prezent në një moment të dytë. Nuk ka rëndësi vlera, rëndësi ka solidariteti njerëzor dhe shpirti human që ne shqiptarët duhet të kemi me njëri tjetrin. Një qytetar nga Kosova deklaroi në emisionin e zotit Elvis Naçi se: “Unë nuk kam mundësi të jap para, se nuk kam. Por do vijë në Tiranë dhe do dhuroj gjak për të ndihmuar vëllezërit e mi shqiptarë.”