Ky është Dritëroi im/ Kujtimet e Frrok Çupit: Dritëro Agolli është modeli i parë i stilistikës në gazetari dhe “rebeli” njerëzor. Ai e urrente gjuhën e drunjtë dhe vulgare, përshkrimin e lyrtë, servilizmin e frazës, jargavitjen e figurave dhe gjuhën e derrit…

1038
Sigal

Secili ka Dritëroin e Tij

Kujtime për Dritëro Agollin

Frrok Çupi

Unë, për shembull, kam Dritëroin tim…

Kam rrotull meje njerëz që kanë shpallur Dritëron “shkrimtar komunist”, kam të tjerë që e kanë shpallur “rebel” ndaj komunizmit, kanë edhe “Dritëroin e këngës e të rakisë”….. Sa shumë dimensione ka Dritëroi!, teknika e kohës që ka shpikur 4G, 5G, 15 a 25G, është “prapa”, edhe pse Dritëroi nuk i jetoi këto teknika në jetën e tij më dinamike, megjithatë ishte më përpara me gjerësitë e tij. Hahahahaa!.

Dritëroi me kostum e me kravatë, gazetari me një kompas ulur mbi plisat e tokës së pluguar në gju të kryeministrit komunist çerek – shekullor, apo në gju të diktatorit gjysmë- shekullor… asgjë nga këto nuk e afronin me atë që Dritëroi ishte vërtet, “rebeli” njerëzor.

Edhe unë e kam shoqëruar Enver Hoxhën si gazetar, me urdhër nga redaksia e gazetës dhe me mbikëqyrje nga lart. Po, se atëherë udhëheqësin e shoqëronte reportazhisti më i mirë i kohës.

Kur më ndodhi ajo që më ndodhi me shkrimin për Enver Hoxhën, e kishte dëgjuar Dritëroi – atëherë nuk ishte më në gazetë, por sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Më gjen te Klubi në Rrugën e Kavajës dhe më thotë se “Kështu si ti e kam pësuar unë”…

Çfarë pësova unë? Ishte viti ’81, diku pranverë; votohej për deputetët. Redaksia më dërgon për të shkruar reportazhin. Me dy gazetarë të tjerë, Lioneli nga Kinostudio, Aleksandri nga ATSH dhe unë – afrohemi para shtëpisë që tani quhet “Vila 31” në Bllok. Ai doli dhe u drejtua për te qendra e votimit, te një shtëpi njëkatëshe që quhej “e Him Kollit”, ku është ngritur sot godina e Credins Bank, në Bllok. Enveri e bëri rrugën më këmbë, rrethuar nga gruaja dhe fëmijët. Popull mbledhur në të dy anët e rrugës që brohoriste e shqyhej. Enveri nuk foli asnjë fjalë. Diku pikasi nusen e të birit me fëmijë në krahë, veshur me të bardha, që tundte duart drejt gjyshit. “Më njohe qerrata!”, – tha Enveri dhe vijoi drejt qendrës së votimit. Nuk tha asnjë fjalë tjetër, veç fjalës “qerrata” për nipin e vogël, që me sa duket është ky Ermali, nipi që u burgos për prodhim kokaine në Xibrakë… As kur hodhi fletën e votimit nuk tha gjë. As kur u kthye për në shtëpi – nuk foli, edhe pse populli tundte pemët me brohoritje…

Mbërrita në redaksinë e gazetës aty nga ora 11.00. Duhej të shkruaja një reportazh të gjatë për dy faqe të gazetës (E mbani mend sa ishte një faqe e gazetës ZP atëherë? Sa dy faqe gazete sot). Çfarë të shkruaja? Që Enveri i tha “hë mo qerrata” një fëmije me paliçeta!?… Tmerr… Në ora 18.00 pasdite reportazhi i duhej dërguar Nexhmijes, gruas së Enverit…

Asnjë rresht nuk munda të shkruaj. Nga ora 11.00 deri në ora 17.00 kur erdhi kryeredaktori, vetëm kisha shkarravitur dhe grisur letra…

– Jo!- tha kryeredaktori – mos e thuaj këtë,- dhe iu zbeh tërë fytyra. Iku menjëherë; nuk e di se ku, veçse nuk mundi të qëndronte më aty.

Unë i kisha thënë se “nuk shkruaj dot, jam i bllokuar”, kjo ishte fjala që e bëri të zbehej i tëri dhe të ikte; nuk donte ta merrte si të vërtetë… Pas pak erdhi përsëri, por lajmi se ‘nuk kisha shkruar dot’ kishte marrë redaksinë… Domethënë tmerri kishte pushtuar redaksinë.

– Frrok, nëse nuk dërgoj reportazhin tani në Komitetin Qendror, të dyve na pret burgu!- tha.

– Unë e kam përgjegjësinë, jo ju!- i thashë kryeredaktorit, një filozof e përkthyes që nuk kishte ndonjë lidhje me gazetarinë.

Po çfarë të shkruaja!? Që Enveri i tha një bebeje “O qerrata”, dhe ja…, vetëm kaq… Apo duhej sajuar? Nuk mundja…

Krizën e zgjidhi një gazetar i vjetër që tha kundër meje “pse dërgoni fëmijë atje”. Ai shkroi reportazhin pa qenë fare në ngjarje… Nejse.

Por Dritëroi e kishte marrë vesh çfarë më kishte ndodhur dhe kishte pritur të më gjente diku andej nga Klubi i Lidhjes.

Po Dritëroit çfarë i kishte ndodhur “si mua”?

Pedagogu im, Dritëroi, po më tregonte në një tavolinë të Klubit… si e kishte shkruar reportazhin “Unë, arixhiu i Levanit”.

E nisi redaksia për në Vlorë… Do të shkruante për vizitën e Hysni Kapos – njeriu më i fuqishëm në Parti pas Enverit. Kur mbërriti në Levan të Fierit, ku banonin shumë arixhinj, një zjarr në anë të rrugës dhe arixhinj që këndonin e pinin raki. “Mbaje pak!”, i tha shoferit.

– Kalova gjithë natën me raki e me këngë rreth zjarrit!- më thotë Dritëroi. -Të nesërmen u ktheva dhe shkrova reportazhin “Unë, arixhiu i Levanit”.

– Edhe mua, kështu si ty, më erdhi kryeredaktori në zyrë: “Reportazhin, Dritëro!” – tha…

Sa e mbarova, ia dhashë…

U kthye prapë në zyrë:

– Shkrimin për shokun Hysni në Vlorë – më tha – ç’është kjo?

– Nuk shkova atje – i thashë- më bëni çfarë të doni…

 

Unë këtë Dritëro kam; të tjerët kanë të tyrin.

Dritëroi im!…. E pashë nga afër që në vitin e dytë të Universitetit, në Fakultetin e Gazetarisë…. Ndoshta është modeli i parë që më ka bërë të guxoj të mos shkruaj e të mos flas si të gjithë. Një orë mësimi me Dritëroin mbi stilistikën në gazetari, më ka bërë “me hije” për disa vite të tjerë.

– Mos shkruani kështu! – tha duke hedhur sytë një për një te secili nga ne. … Mos shkruani kështu!- dhe uli kokën e heshti pak sikur po fliste me vete.

Në dorë mbante një gazeta “Bashkimi”, e përditshme e atëhershme dhe lexonte titullin e një reportazhi: “Faqekuqja Divjakë”.

Gazetari ka shkruar se “Divjaka tanimë është “si një vajzë me faqe të kuqe”. Faqja e kuqe e vajzës Divjakë është si një domate e pjekur mirë”, citonte Dritëroi gazetarin e gazetës “Bashkimi” që e kishte fjalën për plantacionet me domate të pjekura.

– Pa mendoni një vajzë me faqet si domate e pjekur!- ironizonte Dritëroi dhe bënte fytyrën si “e shpifur”.

– Mos shkruani kurrë kështu! – tha Dritëroi prapë.

Pak vite më vonë ai botoi romanin e famshëm “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. E lexoja dhe më dukej se dëgjoja zërin e profesorit tim: “Mos flisni kështu si Zylo… mos shkruani kështu si Bashkimi!”. Dritëroi e urrente gjuhën e drunjtë dhe vulgare, përshkrimin e lyrtë, mbllaçitjen nëpër fjalë, servilizmin e frazës, zyrtarizmin e ndotur të kohës, fjalimin që nuk i thotë gjë as fjalimxhiut, jargavitjen e figurave, gjuhën e derrit….

Sa e tmerrshme ishte për Dritëron të bëje kështu… Profesori im ishte modeli im i parë që më thoshte “Vdis po nuk pate rrugë tjetër, por mos shkruaj ashtu…, si shumë”. Si shumë ata që uleshin para letrave dhe për tridhjetë minuta kishin mbushur një faqe gazetë…

 

Ky është Dritëroi im; secili ka një Dritëro të tij…

Në fillim të Janarit 1991, pasi bëra gati thuajse gjithë lëndën për numrin e parë të gazetës “Rilindja Demokratike”, pasditen e datës 4, i dërgova fjalë Dritëroit: “Gazeta del nesër, profesor. Dua një përshëndetje të shkurtër nga ju!”. Dritëroi e ka pritur daljen e gazetës së parë anti-komuniste si lajmin më të madh. Në faqen e parë të RD – Nr. 1, datë 5 Janar 1991, ndodhet përshëndetja me foton e Dritëroit… Në qershorin e po atij viti ai doli në tribunën e Kongresit të 10-të të PPSH dhe u sulmua nga të gjithë si “armik”. Kam frikë se unë- një student i tij, kryeredaktor i gazetës “armike” RD, e kishte thërrur në mëkat dhe Dritëroi ishte gati për atë mëkat “anti- stalinist”.

Kur më tha në Klubin e Shkrimtarëve se “njësoj e kemi pësuar”, nuk kisha më drojë para tij të them çfarë mendoja.

 

Ky është Dritëroi im; secili ka Dritëroin e tij

E kam dashur si model i gazetarit, të tjerëve pse t’u duhej ky “Dritëro”?!

Ka qenë një pasdite dimri, nga fundi i karrierës së Dritëroit në gazetë… pastaj do të niste “Lidhjen e Shkrimtarëve”. Në redaksi më thanë se “nesër shkon Dritëroi në Elbasan… Do të jesh edhe ti!”. E lamë të takohemi në “Kafen e Matjanëve”, një kafe në katin e parë të një pallati italian që tani nuk ekziston, diku pranë vendit ku sot ndodhet “Hotel Plaza”. Regjimi komunist e rrafshoi atë pallat, si edhe disa të tjerë që kishte ndërtuar “fashizmi” italian në vendin tonë, për të ndërtuar pallatet uniform të socializmit (Pallate, si gjuha e Zylos që urrente Dritëroi). Por atë pallat regjimi e urrente dyfish: E para si italian, e dyta si “e Matjanëve”. Ky emër kishte mbetur që nga periudha e Mbretërisë kur Ahmet Zogu ruhej me roje- së shumti matjanë dhe ata mblidheshin në atë kafe, përballë “Partizanit të Panjohur”.

Atë rrugë deri në Elbasan e kemi bërë dyfishin e kohës që bëhej. Pas kafes së parë ndaluam te “Kafja e Xhafës” në Krrabë… Një kafe e një raki… Dritëroi pinte shumë duhan… Por gjithnjë kam menduar se Dritëroi atë ditë nuk kishte pikë dëshire që të shkruante për Kombinatin Metalurgjik… Shkuam, folëm e folëm, dhe u kthyem. Takuam disa njerëz, por pa bllok në duar… Folëm me disa njerëz, por jo si në intervistë…

Folëm më shumë me njëri-tjetrin, profesor e student… Tani ishim kolegë. “E shikon, kjo e tëra ka qenë fushë”, më drejtohej Dritëroi dhe e linte bisedën këtu. Që nga rruga e Qafë Kërrabës përbindëshi i metaltë dukej se kishte ngrënë kohën…

Ai vetëm thoshte: “aty ka qenë fushë…”. U kthyem vonë në Tiranë, por kurrë nuk pashë të botuar ndonjë shkrim të Dritëroit nga Kombinati i asaj dite… Unë po, e di që gati u helmova. Atë ditë doja të isha si Dritëroi, me të njëjtat vese si të tijat; dhe, tymosa një paketë cigare….Kot!Kurrë nuk e kisha venë në gojë dhe kurrë më nuk vura në gojë duhan…

Ky është Dritëroi im, secili ka një “Dritëro” ndryshe

Në dimrin e vitit 1992, të dy ftuam një “rebel” tjetër, kontraversal botëror kundër komunizmit. Poeti rus, Jevgeni Jevtushenko mbërriti në Tiranë në mbrëmje vonë. Aeroporti i Rinasit ishte pa drita, pa roje, pa xhama në dhomën ku do ta prisnim. Lëvizja e Studentëve dhe PD kishin shpallur sloganin: “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”. Dhimitër Xhuvani, shkrimtar, mik i letërsisë ruse – si edhe Dritëroi, më afrohet e thotë me humor, teksa dridheshim nga të ftohtët në pistë: “Ta bëjmë Shqipërinë siç e kishim?”; dhe qeshëm me humorin e shkrimtarit që kishte vuajtur në “tunelet” e ndëshkimit të regjimit… Jevtushenko, biri i një familjeje fshatare të internuar në Siberi nga regjimi komunist, poet me famë botërore, autor filmash e muzike, anti-konformist e anti-komunist, anëtar i Akademisë Amerikane të Shkencave dhe Letrave,- na gjeti në një situatë të rëndë, thuajse situatë “gulagu”. Dritëroi dhe unë e kishim ftuar – ai si Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe unë si Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës…

Po, a mund të përballohej Jevtushenko? Kudo jashtë skemave, jashtë “sjelljeve korrekte”, dashnor i alkoolit dhe duhanit… Në Krujë ku e dërguam për një drekë gjetëm një Krujë më të shkatërruar se “Rinasi”.

-Çfarë do të më jepni!? – tha Jevtushenko rrugës. “Ka verë atje!? Verë shqiptare, them”…

Verë kishte prodhuar vendi ynë që herët, por tani s’i dihet çfarë ka.

Kur mbërritëm nuk gjetëm asgjë. Kamerieri kryesor i Hotelit në Krujë, Bashkimi, na vjen pas kurrizit e na pëshpërit: “Kam një arkë me raki kajsie… E sollën nga Hungaria, po nuk di si është!?…

Jevtushenko u bë si fëmijë para rakisë së kajsisë. “Dëgjoni. – tha -A keni influencë në këtë vend… Kush ua jep këtë raki atyre që nuk pinë si ne, t’u nxirren sytë!”….

Vendi ynë i vogël, mijëra herë më i vogël se Siberia, nuk mund të prodhonte një si Jevtushenko…

Por unë kam Dritëron tim; secili ka Dritëron e vet…

Pasqyra

 Poezi

 Dritëro Agolli

 

Ç’të thuash, o mik i dashur,
Ne jemi fajtorë vetë,
që rrime në tryezë të mardhur
Me një kupe rakie e një qepë.

Që fjalët i zbrazëm të gjitha,
Siç zbrazen pjatat me gjellë të varfër,
Dhe heshtim si dy uritha
Të dalë mbi arën e lagët.

Ç’të thuash, o mik, i ngratë,
Ne jemi fajtorë të vetes
Për heshtjen e tryezës së thatë
Kësaj pasqyre të jetës.

Të lënë si dele të qethur me gërshërë
Gërshërë të vjetër krejt të pa mprehur!
Ç’tund kokën o mik zemërgjerë?
Kjo s’ështe aspak për të qeshur!…

 

Zjarri

 

Mësohuni të ndizni zjarr kudo që ndodhi,
Në rrugët e shkurtra a në shtigjet e gjata;
E di se nga kjo punë e vogël nuk lodhi,
Ç’kërkon një zjarr?- një shkrepëse e pak dru të thata.
Dhe mos e quani arkaik e vjetërsirë zjarrin,
Zbuluesi i zjarrit ishte kaq modern një ditë,
Sa nga zilia punën, emrin dhe varrin
Ia vodhën perënditë.
Mësohuni të ndizni zjarr në jetë,
Se mund t’ju duhet në asfalte, baltra, livadhe,
Dhe mos e quani zjarrin gjë aq të thjeshtë,
Se dje ka qenë shpikja më e madhe.