Kur të jesh mërzitur shumë! Ditëlindja e gjeniut të letrave shqipe, Dritëro Agolli. Mbresa për Devollin dhe bisedat me miqtë e familjarët. Kujtimet për shokët, filozofia për politikën dhe krijimtaria

127

13 Tetor 1931-Ditëlindja e gjeniut të letrave shqipe…

Më kujtohen ngjarje…

Tregojnë se linda afër mëngjesit të martën më 13 tetor të vitit që vura pak më lart. Po të kisha qenë i biri i ndonjë tregtari të pasur të Korçës, lindja ime do të ishte shënuar në faqet e ndonjë gazete të qytetit.  Po në shtëpinë tonë, në fshatin Menkulas, ka qenë një fletore e trashë me kapakë lëkure ku shënoheshin emrat e atyre që lindnin. Atje ishte edhe emri im. Më vjen keq që kjo fletore humbi në kohën e Luftës së Dytë Botërore, pasi i kishte shpëtuar të Parës. Shkrimet atje ishin të përziera me shkronja arabe, greke dhe latine. Kjo fletore quhej “Me-xhuma” dhe mbahej në sëndukun e gjyshes. Kur hynë gjermanët në shtëpi,  1944 bashkëpunëtorët e tyre kusarë e grabitën tok me plaçkat e tjera edhe sëndukun e gjyshes, të përcjellë me mallkimet e saj të padobishme. Një javë pas lindjes sime gjyshi i hipi kalit dhe u nis për në teqenë e Kuçit të Devollit, nja dymbëdhjetë kilometra larg nga fshati ynë. Atje takoi baba Ahmetin, një burrë i shkurtër me mjekër të zezë e me … të bardhë rrethuar me brez të gjelbër  deri në majë, njeri i kënduar që dinte turqisht, italisht dhe frëngjisht, pasi siç thoshin kishte qenë në Francë me ministrant e Lionit dhe kishte rënë në kontakt me kulturën franceze, sidomos me atë të iluministëve. Gjyshi i tha se i kishte lindur një nip dhe emrin duhej t’ia kishte vënë vetë baba Ahmeti. Kalin gjyshi, kalin baba Ahmeti dhe të dy në shtëpinë tonë në Menkulas.

Sipas të thënave të nënës, u bë një darkë, që nuk do të harrohej kurrë. U shtrua sofra e madhe sa një lëmë me… 

~

Copëza kujtimesh e bisedash me babin…

Nga Elona Agolli  – 15 korrik 2015

 


Babushi im sot po rregullonte sirtarët, po shihte e kontrollonte çelësat etj.
-Hë o babush, sa i zoti je. Di të administrosh hapësirat, ekonominë, çdo gjë. Se kjo është zotësi – i thoja unë më tepër për ta ngacmuar e marrë ndonjë përgjigje.
– Po ja, ku i dihet ? Na bie ndonjë damblla. Të paktën të dinë këta( dhe bëri me shenjë nga mami) se ku i kam çelësat.
Po unë di edhe administrimin e hapësirës në fizikë – donte të vijonte bisedën.
– Po mos thuaj kështu o babush , se ne jetën do ta kemi të gjatë se na bekon mëma natyrë, se ti nuk e pranon perëndinë.
– Po moj po, – mu përgjigj babushi .
Një shkrimtar , publicist dhe burrë i mençur si Faik Konica , ka thënë:
“Ne jemi trima,
Dalim nga vrima,
Zëri i Zullulandit
Kur na thërret.”

Dhe qeshte ,hi hi , me ironi .

Para disa ditësh festuam 50-vjetorin e martesës , dt 4 korrik .
Dhe babushi im që i puthte dorën mamit, duke i vënë unazën që ja porosita te Pirro, Ai nuk fliste shumë , por dukej mjaft i kënaqur. Pozonte për foto dhe madje edhe u puthën në buzë të dy me mamin. Çift i lezetshëm dhe burrë shumë ndryshe nga e përgjithshmja , por edhe nga e veçanta mashkullore.

Dt 10 Maj 2013

Fola me babin në telefon dhe mes të tjerash e pyeta: Hë o babush, po përfshihesh nga të rejat e politikës?
-Po ja, i përfshirë , por pa dhënë mendime, se po të jap nuk është mirë në këtë kohë. Po të isha i ri, do të ishte ndryshe, pasi do të përfshihesha me dëshirë në polemika.
Po ja, vijonte babi, duke nxitur bashkëbisedimin. – Politikanët tanë nuk bëjnë kompromise . Janë si në fazën primitive. Majmuni që kaloi në njeri , ju deshën 3 milion vjet, që më pas të mësonte që 1plus 2 e barabartë me 3. Këta tanët janë ende në fazat e majmunit.
Psh , ujku kur sheh prenë , nuk mendohet gjatë por vepron, e çapëlen. Dmth ai nuk e njeh kompromisin. Me pak fjalë, shoqëria nuk ka progres kur nuk njeh tolerancën dhe kompromisin – mbylli babi arsyetimin e tij.

20 mars 2009

Sot, pas një nate të trazuar, me ëndrra të çuditshme , kur arrita në zyrë , Dritëroi dhe Sadija, të cilët kishin marrë rrogën në Bankë, ndalën te Rogneri për një kafe sëbashku . Babi m’u duk mjaft mirë, me humor e ngjyrë të bukur në fytyrë. Paçka se dita ishte e ftohtë dhe me shi, (andej nga Korça e Veriu po bëhet nami , bora 1 metër, dimri s’do të ikë dhe pranvera ka ardhur me dëborë e të ftohtë)Dritëroit i ishte mbushur mendja top që të dilte nga burgu shtëpi, e të sodiste shiun dhe rrugët e lagura. Ndoshta kishte dëshirë edhe të më shihte mua, pasi kisha nja dy ditë pa shkuar në shtëpi e pa e parë.

~

Disa radhë të shkruara nga Dritëroi vite më parë, janë edhe përshëndetja e sotme, edhe e shumë viteve më pas…:

 Të dashur bashkëfshatarë, të vegjël e të mëdhenj, burra e gra!

Dritëro Agolli

 Edhe unë do të kisha dëshirë të merrja pjesë në festën e Menkulasit , po janë disa prita që më ka vënë pleqëria të thurura me bishtrat e saj; megjithatë këto prita nuk ma kanë penguar udhëtimin e mendjes për të qenë mes jush.

Fillimisht dua të përgëzoj grupin nismëtar të organizimit të kësaj feste me emrin e bukur human: “Mirësi dhe mirënjohje”; gjithashtu iu uroj: Gëzuar festën pjesëmarrësve dhe gjithë menkularëve. Çdonjëri nga ne dëshiron që Menkulasi të përparojë , të ngrejë nivelin ekonomik dhe mirëqenien e jetesës, të arsimohen të gjithë fëmijët dhe adoleshentët, që së bashku rrisin kulturën. Një shkrimtar i huaj thotë, se lumturia vjen atëherë, kur të mos qajë asnjë fëmijë.
Ndërsa unë them, se plaku qan shpesh për vendlindjen, veçse qan natën me kokën nën jorgan, apo nën çarçaf.

Edhe një herë, Gëzuar Festën! Përqafime!”

~

Në vendlindjen ku baba Ahmeti i Kuçit bekoi atin tim

Në gjurmët e të parëve, në themelet e shtëpisë të gjyshërve e stërgjyshërve, në vendin ku drita e mëngjesit erdhi me ardhjen në jetë të babait tim, në vendlindjen ku baba Ahmeti i Kuçit bekoi atin tim, gjëmoi me zërin e tij të kumbueshëm: Dritëroooo, Aty ku nuk eshte e lehtë të mbash lotët dhe shpirti të ngre dallgë malli, dashurie, ndjesish të çuditshme ku edhe guri të duket sikur ka shpirt. Me xha Avniun, shokun e fëmijërisë së Dritëroit, kujtuam e u përlotëm, ngritëm dolli e kujtuam dy nënat me të njëjtin emër, Hatixhe (edhe nëna e xha Avniut quhej Hatixhe e kur i permendnin nënat mes tyre, pëlqenin të pyesnin njëri – tjetrin: Cila Hatixhe është më e bukur?) …Me Bledionin, Gëzimin, Andrean premtuam që një dëshirë të shprehur nga babai im, do ta përmbushim. Një shtëpi të vogël muze, modestisht, thjeshtësisht, qetazi e pa bujë, do ta dijmë ta kthejmë nga dëshira në realitet.

~

Kur Dritëroi i shkruante Xhevahirit

Në kohën kur poeti Xhevahir Spahiu kaloi një sëmundje jo të lehtë, Dritëroi, me optimizmin që e shquante në çdo situatē sado tē vështirë, i shkruante mikut të tij, Xhevos, plot humor:
D: – Si je, o Xhevo?
Xhevua qesh .
D: -Jam Dritëroi. Mos u mërzit. Do të të hapet në mendje një vidhë që do ta shpjesh poezinë në një shkallë më të lartë; do të bësh një poezi të çuditshme.
Përsëri Xhevua qesh.
D: -Edhe unë u sëmura dhe u shtrova në spital për 11 ditë. Unë e humba jo vetëm mendjen, po edhe këmbët, por m’u hap një vidhë në tru: vidha e të shkruarit aforizma, d.m.th., fjalë të urta.
Xhevua qesh dhe thotë:
-Ashtu.
D: – Nuk dua të të shqetësoj. Së shpejti do të vij të të vizitoj me helikopter, se këmbët mezi më punojnë.

~

 

Një kujtim nga shoqëria e vjetër me Dritëro Agollin

Nga Gaqo Veshi

…Në një fotografi që më dhuroi miku e shoku im i rallë, Dritëro Agolli 67 vjet më parë, kur mbaruam shkollën e mesme “Asim Zeneli “ në Gjirokatër, prapa saj më shkruante:

Ta kesh kujtim nga unë, o shoku Gaqo. Kur të shikosh këtë portret të vogël, një tablo e tërë do të të dalë përpara.

Shoku yt,

Dritëro Agolli

…Vitet kaluan, por ne nuk e harruam e nuk e fshimë shoqërinë e vjetër, për të filluar letërkëmbimin tonë letrar, “Bamkë Çomaga” ( Dritëro Agolli) i shkruan “Hyskë Borobojkës” (Gaqo Veshit) faqe të gjata letrash të mbushura me humor e satirë për ndodhi të ndryshme “që ta shpien nofullën shtrembër” e këto letërkëmbime do të zinin vend herë në gazeta e herë në revista të kohës, apo peshqeshe për Vitin e Ri, si “Emërtimi “Vjershë” në vitin 1971, ku midis të tjerash me thote”

I shumëkënduari Hyskë. Në këtë letër po të dërgoj pak nga ato qëmtimet e mia në lëmin e vjershërisë. Veç do të lutesha të mos i çoje për botim në një nga ato fletoret, ku boton rrëfimet e tua, se përpara teje unë do të errësohesha, o Hyskë i shumëndritur.

Pjepri

Vjershë e shkruar në fund të korriku

 

Erë e jonxhës vjen nga ara.

Erë e jonxhës aq e mirë.

Dhe në fushën lara-lara,

Çlodhet pjepri i arrirë.

 

Ne të dy sa kemi zbritur,

Nga kolltukët e veturës,

Pimë filtër të mërzitur,

Pimë NISH cigare-Durrës.

 

Ne të dy sa kemi ardhur,

Ku lëruan gjyshërit tanë,

Koha flokët na ka zbardhur

Dhe në qafat na vu dhjamë.

 

Koha shefa na ka bërë,

Shefa t’ashpër e të mirë,

Por servilë na ka lënë,

Ndaj një pjepri të arrirë.

 

Dhe i flakim republikat,

Çajmë kallëzat e thekrit,

Dhe nga xhepat nxjerrim thikat,

I përulemi xha Pjeprit.

 

Dhe tani gëzuar Vitin e Ri, i shumëdashuri Hyskë. Besoj se me të hyrë Viti i Ri, edhe unë do të hyj si ti në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe nga qershori do të marr leje krijuese dhe do të vij ta kaloj në Maliq, se dua të shkruaj ca vjersha për sheqerin, fazanët, fasulet dhe dëllinjat si bimë industriale.

Të fala

Bamkë Çomaga

~

Kur të jesh mërzitur shumë

Dritëro Agolli

 

Këtu s’do jem, do jem larguar:
Në tokë i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamerierët.

 

Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
S’do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do rrijë i heshtur
Një qiparis si murg i ngratë.

 

Ti do trishtohesh atëherë,
Se s’do më kesh në dhomë gjallë,
Dhe kur në xham të fryjë erë,
Do qash me erën dalëngadalë.

 

Po kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë,
Atje do jem i fshehur unë,
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë.

 

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje.

 

~

Ja çfarë shkruan vetë Dritëroi për aforizmat

Një autor i huaj që nuk më kujtohet emri, thotë se aforizma eshtë një ushqim shpirtëror me dy fjalë në koncentrat. Ky përkufizim diçka i lirë na ndihmon për të dalluar teoremën nga aforizma. Teorema është ushqim mendor, aforizma është ushqim shpirtëror. Si e tillë ajo kërkon hapësirë të gjerë të lirisë së mendimit. Në një shoqëri ku mendimi është i ngurtë brenda kornizave, aforizma me larminë e saj,  e ka të vështirë zhvillimin. Atëherë ajo zevendësohet me citatet parafabrikate të udhëheqësve.”

~