Kujtimet e Marash Hajatit për kolegët Kokomani, Agolli dhe Gjeçi

1021
Sigal

HISTORIA SHTYPIT/ Ishin pesë: Janaq Gjeçi, Dritero Agolli, Fadil Kokomani, Vangjel Lesho e Marash Hajati

Nga stolitë e gazetarit tek tragjedia e kolegëve

Albert Z. Zholi

Mediat shqiptare e veçanërisht shtypi i shkruar, në morinë e temave që trajton vazhdimisht për historinë, për kulturën e letërsinë, për arsimin, më pak nga të tëra në këtë larmi studimesh e hulumtimesh, i ka rezervuar vetvetes, historisë së mediave shqiptare. Të kuptohemi, këtu nuk bëhet fjalë për tema e libra të mirëfilltë, me data e skeda, por për tema interesante me kujtime, ngjarje nga krijimtaria e jeta e publicistëve të njohur që kanë bërë emër në mediat tona. Këto materiale do të përmblidhen në rubrikën “Historia e gjallë shtypit shqiptar dhe problemet e gazetarisë së sotme”. Redaksia e gazetës “Telegraf” mirëpret e falënderon paraprakisht gazetarë, studiues, analistë që do të kontribuojnë me idetë e shkrimet e tyre.

Zoti Marash, në vazhdën e shumë botimeve në fushën publicistike, artikujve, librave me kujtime e monografi, çfarë keni menduar të sillni në faqet e gazetës “Telegraf”, duke e përkufizuar atë në mënyrë figurative si: Historia e gjallë e shtypit shqiptar?

Më së pari, është kënaqësi për mua që në një bashkëbisedim kolegësh me stafin e gazetës suaj, koordinuam t’i afrojmë lexuesit diçka interesante, jo thjesht si histori apo si hulumtim, por edhe si veprimtari konkrete e imja, e gazetarëve, e drejtuesve kolegë, që janë marrë me shtypin dhe kanë ndikuar ndaj tij. Në këtë këndvështrim do të sjellim në këto shkrime episode, biseda, veprime anësore e direkt në shtypin e për shtypin. Jo vetëm kaq, por në raste të veçanta do bëjmë paralelizëm me kohën që jetojmë, p. sh. si ka funksionuar censura, që paraqitet aq e frikshme dhe e tmerrshme në atë kohë (vërtet nuk ka qenë e lehtë), por ama edhe censura e sotshme, e cila edhe pse disi më e “ëmbël” e më me buzëqeshje” të njëjtin rol kryen si në të kaluarën. Për të detajuar idenë e këtyre rubrikave, kam dëshirë të bashkëbisedoj me lexuesin edhe si ka qenë shtypi i asaj kohe, si janë përgatitur gazetarët në atë kohë. Sot ka një larmi zgjedhjesh për shkollat e profesionet brenda e jashtë shtetit, por në atë kohë, për shembull në 50-vjetorin e fillimit të krijimtarisë nga tërë Shqipëria, në vitin 1952, vetëm 5 vetë janë nisur drejt Moskës për gazetari. Si ka qenë ajo histori, fati e ngjarjet e atyre kolegëve, jeta dhe peripecitë kanë vlera që dihen edhe sot.

Për kureshtje të lexuesve ndoshta, mund t’i përmendim cilët janë ata kolegë. Çfarë histori e fati kanë pasur?

Përgjigje: Po e shkrep me të parë. Këtu e pesë dekada të shkuara, historia e rruga e intelektualëve tanë në marrëdhënie me vendet e tjera, ishte mbi kuvertat e vaporëve. E izoluar në atë kohë nga të gjitha lëvizjet e mundshme për t’u takuar me botën, mbërthyer si në një kështjellë, ku në një anë ishte titizmi jugosllav, në anët e tjera kapitalizmi botëror me Italinë e Greqinë, kishin vënë në darë Shqipërinë krenare. Të vetmet rrugë komunikimi ishin ato përmes deteve nga ku mund të dërgoheshin studentë, delegacione, diplomatë,etj, të gjithë vetëm përmes rrugëve detare nga Durrësi e më pak nga Vlora e Saranda. Për ditë e net të tëra valëzonin vaporë brigjeve të deteve Adriatik e Jon, Egje e Marmara e deri në brigjet e Detit të Zi nga Varna, Konstanca e deri në Odesën e largët, duke lënë shqiptarët në çdo port, që të lidhen më botën. Në një nga këta vaporë, si ishuj të vegjël lundrues, që mbanin akoma historinë e luftës së Dytë Botërore, udhëtonim atë vit drejt Moskës krahas studentëve të specialiteteve të tjera, edhe ne si gazetarë të ardhshëm. Si dekan kishim Janaq Gjeçin, dikur firmë e njohur në gazetën kryesore të Shqipërisë, “Zëri i popullit”. Janaqi intelektual në një moshë më të madhe se ne, kishte qenë edhe partizan. Ne të tjerëve na dukej pak si habi. Ai ishte gazetar, bile i dëgjuar. E çfarë do studionte më tepër! Pas tij vinte Dritëro Agolli, jo me këto leshrat e lëshuara si sot, por fytyrëmprehtë, qethur kare. Ai vetë thoshte se kishte qenë partizan e kishte ndihmuar njerëzit e Luftës atje në Menkulas, bile tani vonë ka shkruar mjaft për atë kohë. Unë e kam shumë mik e ia besoj atë kontribut. Por duke imagjinuar atë kohë, se si më përfytyrohej ai me rroba ushtarake. Sidoqoftë, datëlindja e vitet e Luftës janë tepër rinore për atë kohë, por duhet pranuar se në rreshtat partizane ka pasur edhe shumë të rinj nga mosha 14-16 vjeç. Me Dritëroin jam njohur në dyert e Ministrisë së Arsimit. Ajo ishte në atë kohë tek ndërtesa afër Teatrit të Fëmijëve, ku është sot Ministria e Industrisë. U njohëm me pritjet e pafund për të marrë dokumentet. Ai foli për Gjirokastrën e unë për Shkodrën. Prisnim, por s’e quanim qeder të madh. Mendonim se po të mos ishte ajo pritje s’do niseshim kurrë për B. S. Atë takim e kemi vazhduar në një ngjarje tepër interesante, por kjo do të shtjellohet më vonë. Në grupin tonë ishte edhe Fadil Kokomani. Një fillim jete e bukur studentore, por më pas tepër tragjike për të. Ai vinte nga Durrësi. Kokomanët ishin një familje e njohur atdhetare, e lidhur me Luftën e me fatet e Shqipërisë. Tërë vëllezërit qenë njerëz shoqërorë, të komunikueshëm e të respektueshëm. Këndonin e u binin instrumenteve muzikore. Fizarmonika në duart e tyre ishte si një orkestër e vërtetë. Fadili këndonte edhe bukur. I pëlqente shumë kënga popullore. I pëlqenin edhe këngët italiane. “Mama sono tanto feliçe” ishte për të një himn. E këndonte kudo me shoqërinë edhe sikur pesë vetë të mblidheshin. Në kursin e Universitetit të Shën Petërsburgut, për gazetari, të gjithëve ne na njihnin edhe për këngën, edhe për Fadilin. I katërti i grupit tonë ishte Vangjel Lesho me origjinë nga Lushnja. Një talent gazetaresk premtues për të ardhmen. Vangjeli, pasionant i letërsisë për fëmijë, shkruante poezi për të vegjlit, megjithëqë mes nesh ishte më i gjati, me një trup të hollë, sy e vetulla të zeza. Kur bisedonim me të na duhej të mbanim sytë nga qielli, sepse ishte një kokë mbi ne. Vangjelin e vendosa në numrin katër fill mbas Fadilit, sepse që në njohjen e tyre të parë gjatë udhëtimit me vapor drejt Odesës Sovjetike, ata u lidhën shumë me njeri-tjetrin, u bënë miq të pandarë në të gjitha etapat e jetës së tyre që nga auditorët e Universitetit, në konvikt, në mjediset shoqërore të jetës e të dashurisë. Por filli i jetës së tyre u shkëput trishtueshëm nga ëndrra për lumturinë, për profesionin, për të ardhmen e për jetën. Të dashuruar e të martuar me gra ruse, ata nuk pranuan të sakrifikonin dashurinë, familjet, fëmijët si peng i politikës së madhe të qëndresës kundër kampit socialist. Për ta ishte pa kuptim braktisja e lidhjes dhe e dashurisë njerëzore për haraçe politike. Ndaj të dy së bashku, Fadili dhe Vangjeli vazhduan kërkesën për t’u bashkuar me familjet, por i ndoqën vuajtjet, tentativa për arratisje, me shpresë se do gjenin rrugën e kthimit në Moskë pranë familjeve të tyre… por gjetën arrestimin, burgosjen, së bashku me Spaçin e dridhshëm, torturat e asaj kohe të paimagjinueshme e deri në pushkatim. Kjo temë do të vijë si e veçantë në gazetë.

Po e filloj me një parantezë. Po të ishim në një emision televiziv, pjesëtarin e pestë të këtij grupi, do më binte detyra ta prezantoja unë. Dhe ky do të ishit ju, aq më tepër që pjesën më të madhe të punës suaj profesionale ia keni kushtuar medias vizive. Me siguri ju keni shumë gjëra për të na thënë me tematikën e dossierëve, që do të trajtoni për gazetën tonë.

Është kënaqësi, kur njerëzit përmenden e kujtohen për punë të frytshme, që kanë stivuar në vite, aq më tepër nga gazetarët, që kudo i ndjek pas një “bagazh” shkrimesh e librash të gatuar nga jeta e gjallë mes njerëzish në vazhdën e shumë viteve. Vërtet, kur kam ndërmarrë këtë bisedë me ju për cikle të ndryshme nga vitet e shtypit shqiptar, gjëja e parë që më ka vajtur në mendje, ka qenë raporti im individual me organet e shtypit, si gazeta, revista, radio e televizioni, sepse fati më pati rezervuar të nis punë si redaktor i thjeshtë për problemet e kulturës në një gazetë të punëtorisë shqiptare, siç ishte gazeta “Puna” e të vazhdoj më pas si krijues e drejtues në organet më të rëndësishme të shtypit shqiptar dhe të organizatës së njohur “Bashkimi i gazetarëve të Shqipërisë”. Mirëpo këtë raport, kurrë nuk e kam parë si numër thjesht për statistikë, por si një obligim profesional, si profesionist me përgjegjësi para opinionit publik. Kjo është shumë e rëndësishme për cilindo që ka vendosur të bëhet gazetar, person publik për opinionin shoqëror. Ndaj për ta nuk duhet të ketë gazetë qendrore apo lokale, revistë javore apo mujore, televizion e me radhë. Për gazetarin, kryesore është çfarë paraqit ai para lexuesve e shikuesve.

Cilat janë problemet e si trajtohen nga ana mjeshtërore gazetareske dhe çfarë kontributi i sjell me krijimet e tij shoqërisë?

Kjo për publicistin është një postulat e të gjitha kohërave e sistemeve shoqërore si në një rend “monist”, që lamë pas dy dekada më pare, apo edhe sot në kohën e demokracisë, siç përcaktohet kjo frazë në formë zhargoni nga njerëzit, apo siç na e kanë thënë aq bukur kinezë,t kohës së lulëzimit të 100 shkollave e të 100 luleve. Jo, në shkrimet që do t’u paraqes lexuesve të “Telegraf” s’do jem ugar pa plug, as inventar administrativ titujsh e rubrikash. Jo, sofra ime e krijimtarisë do të jetë me ngjarje, plot me miq, me kolegë, me heronj të ditës e të historisë.

Në to do të flitet:

  • Si është drejtuar shtypi, që nga Liri Belishova e Ramiz Alia;
  • Si përgatiteshin artikujt redaksionalë kundër Jugosllavisë Titiste, kundër social-imperialistëve sovjetikë e Hrushovit e më vonë kundër Kinës social-imperialiste;
  • Mjaft fakte e ngjarje do të ketë nga “Dera e prapme e shtypit”, dhe cila është fjala e parë për mediat, e Foto Çamit apo Sofo Lazrit;
  • Si erdhi në Radiotelevizion klasa punëtore;
  • Çfarë përfaqësonte sektori i shtypit në K.Q. të Partisë;
  • Si është shkruar kënga “Gryka e Kaçanikut” nga kompozitori Pjetër Gaci;
  • Si udhëhiqej Shqipëria përmes medieve;
  • Si i tha jo, Fadil Paçrami Enver Hoxhës.

Këto e shumë të tjera do të vijnë në ciklet “Historia e gjallë e shtypit shqiptar në vite”

VO: Kjo intervistë është realizuar në vitin 2009