Kujtimet e Dr. Spiro Çipit për Frederik Shirokën dhe Petraq Lekën

1064
Sigal

Dr.Spiro Çipi ka qenë mjeku ligjor i parë dhe mjeku psikiatër i parë i vendit tonë

 Kujtime të Dr. Spiro Çipit për Dr. Petraq Lekën dhe  Dr. Frederik Shirokën.

 

Prof.dr.Bardhyl Çipi

(Fakulteti i mjekësisë, universiteti i Tiranës)

 

Dr.Spiro Çipi ka qenë mjeku ligjor i parë dhe mjeku psikiatër i parë i vendit tonë, i emëruar me këto detyra në spitalin civil të Tiranës në vitin 1940, pas diplomimit në Paris në fakultetet e mjekësisë dhe të drejtësisë të universitetit të Sorbonës, ku kreu më pas në vazhdim atje edhe specializimin e plotë të mjekësisë ligjore dhe të psikiatrisë ligjore (1929- 1940). Ai ka punuar si mjek ligjor, mjek neuropsikatër, dhe mjek i përgjithshëm, pothuajse gjatë gjithë periudhës së gjatë të regjimit të mëparshëm në vendin tonë, deri në vitin 1987, kur ai ndërroi jetë.

Ai, pothuajse të gjithë aktivitetin e gjatë mjekoligjor e zhvilloi në laboratorin qendror të kriminalistikës të ministrisë së brendshme. Në të vërtetë ai atje, konsiderohej “mjek borgjez”, prandaj përpiqej të “mos shkiste, të frenonte temperamentin e tij”. Por ai e ruajti dinjitetin profesional, sepse respekti për veten nuk e lejonte të bënte punë dosido. Aq më tepër nga pasioni i veçantë që ai kishte për shkencën e mjekësisë ligjore. Në vitin 1958, kur kjo disiplinë u njoh më në fund zyrtarisht në vendin tonë, gëzimi i tij i madh për këtë ngjarje u shpreh gjatë një mbledhjeje me këto fjalë:

Më në fund u realizua ëndrra e gjithë atyre që prej kohësh i kishte bërë për vete kjo disiplinë e çuditshme, kaq tërheqëse dhe njëkohësisht kaq e vështirë, mjekësore dhe juridike, e vënë në shërbim të interesit kolektiv dhe në ndihmë të drejtësisë shoqërore. Do të më falni kolegë, që në këtë moment të rëndësishëm, nga tribuna e kësaj mbledhje të shpreh me emocion gëzimin e madh që ndjej për këtë ngjarje të dëshiruar që e kam pritur me durim dhe me bindje, që kur 20 e ca vjet më parë, në Paris, duke mbrojtur tezën time të doktoraturës, mbi një çështje të infanticidit, nëpërmjet Betimit të Hipokratit, iu zotova vetes time për t’i shërbyer me nder artit mjekësor në vendin tim, kryesisht si një specialist në fushën e mjekësisë ligjore”.

Kështu pasioni dhe aftësitë profesionale e çonin atë deri në zgjidhjen e çështjeve më të vështira, duke i shërbyer kështu, zbulimit dhe zhdukjes së krimit dhe në atë pak hapësirë veprimi që i kishin lënë. Nga ana tjetër, ai ishte një njeri që shkruante në mënyrë të përsosur në profesionin e tij dhe i ruante këto materiale me fanatizmin karakteristik të një shkencëtari skrupuloz, për t’i vënë pa u kursyer në dispozicion të kolegëve mjekë dhe juristë sa herë që paraqitej rasti. Por sado paradoksale që të duket, i mungonte dëshira për të botuar. Ai mendonte se po të bënte një gjë të tillë do të ishte i detyruar t’i bënte elozhe sistemit komunist, gjë që binte në kundërshtim me ndershmërinë e formimit të tij intelektual, shprehje kjo siç duket, e disidencës pasive të tij ndaj këtij regjimi. Obligimi im si bir i këtij njeriu që më rriti, më edukoi, më nxiti dhe më drejtoi në përgatitjen e përgjithshme mjekësore dhe në atë të Mjekësisë Ligjore, të gjitha këto, sot më japin të drejtën morale që unë të shqyrtoj dhe të botoj disa nga materialet më interesante të dokumentacionit të shumtë që ka lënë Dr.Spiro Çipi. Në të vërtetë këto materiale, do të shoqërohen në mjaft raste me disa mendime që më ka shfaqur ai për to kur ka qenë gjallë, por që nuk guxonte t’i tregonte publikisht në atë kohë.

Siç dihet fusha më e rëndësishme e mjekësisë ligjore, i përket çështjeve me vdekje, si këqyrja e kufomës në vendin e ngjarjes, autopsia etj., me të cilat Dr.Spiro, është ndeshur gjatë gjithë aktivitetit të tij të gjatë mjekoligjor. Por kjo përballje me vdekjen, e kishte bërë atë ndofta më të ndjeshëm ndaj humbjes së të afërmve, apo kolegëve të tij mjekë me të cilët e lidhte një miqësi e sinqertë, gjë që pasqyrohet dhe në parimet e etikës mjekësore: “Kolegët e mi do të jenë vëllezërit e mi” (Betimi i Gjenevës 1948). Ja si janë shprehur ndjenjat e Dr.Spiro Çipit për vdekjet e parakohshme të dy prej mjekëve më të shquar të vendit tonë: Dr.Petraq Leka dhe Dr.Frederik Shiroka.

Dr.Petraq Leka ka qenë një mik i ngushtë i tij, për të cilin më ka treguar se ai me përgatitjen e tij, do të ishte e ardhmja e ftiziatrisë Shqiptare. Ai vdiq nga sëmundja infektive e “tifos së morrit” në vitin 1945 që e mori duke mjekuar partizanët e prekur prej saj. Sipas Dr.Spiros, vdekja e tij e la të lirë rrugën për mjekët e tjerë në drejtimin e ftiziatrisë në vendin tonë, por që nuk ishin në lartësinë e Dr. Petraqit.

Fjala e Dr . Spiro Çipit në ceremoninë e varrimit të Dr . Petraq Lekës në Tiranë, më 22 Janar 1945

 Një bir i vyer i Korçës, një djalë xhevahir për mbi shokët; një mis bujar i Kombit shqiptar, Dr. Petraq Leka, mjeku ftiziolog i përsosur i vendit tonë, nuk është më në jetë. Me mallëngjim që po më ze fytin, po vij t’i jap lamtumirën e fundit këtij trimi të rrallë, në emër të të gjithë bashkëqytetarëve korçarë dhe të shokëve që jemi rritur së bashku me të, së bashku me Peçon e ëmbël, gjithmonë buzëqeshur, të padjallëzuar dhe besnik deri në kulm. Petraqi po bëhet fli i shkencës, së cilës i shërbeu nat’ e ditë me një vetëmohim shembullor, pa droje e pa kursim, duke përbuzur rreziqet që mund ta gjuanin, vetëm e vetëm për t’i ardhur në ndihmë të pareshtur njerëzimit në vuajtje. Dr. Leka i pajisur me virtyte të larta morale, i armatosur me një kulturë mjekësore të pashoqe, Doktor Leka shquhej kudo për zotësinë e tij në artin delikat të mjekësisë dhe kryente me ndërgjegje këtë mision të shenjtë. Pasioni i tij në punë ish me të vërtetë i dezinteresuar: çdo shtresë e popullit, e pasur ose e vobektë, e qyteteve ose e katundeve gjente në gjithë shërbimet e tija në Spitalin civil të Tiranës ose përjashta ngushëllimin e duhur për të lehtësuar kobet e kësaj jete. Përherë në krye të detyrës, në muajt e fundit u vu në shërbim të Atdheut në luftë kundër okupatorit mizor dhe ra në detyrë e sipër si një ushtar i vërtetë. Dr. Petraqi ishte një simbol i personifikuar i mëshirës dhe i dhembshurisë ndaj gjithë botës nevojtare të cilën e kuptonte dhe e ndjente edhe më thellë në shpirtin e tij bujar. Sepse valët e jetës e kishin rrahur Petraqin tonë që në moshë të re . I rritur pa babë, arriti me sakrificat e tija dhe të familjes që kish mbetur në kondita të vështira, të formojë një personalitet të shëndoshë, pas kaq mundimesh e përpjekjesh. Pasi kreu shkollën fillore dhe Liceun në qytetin e tij lindor në Korçë, vazhdoi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Romë. Koshient i detyrës që duhet të ketë mjeku në shoqëri, nuk u mjaftua vetëm me diplomën e thjeshtë universitare, por iu përvesh i palodhur punës për t’u perfeksionuar për disa vjet me radhë në degën me rëndësi të Ftiziologjisë, nevoja e së cilës ndjehet kaq shumë në vendin tonë. E shohim Petraqin të ndjekë i apasionuar klinikat mjekësore të Romës dhe të dallohet veçan si kandidat i shkëlqyeshëm që lakmonte certifikatën e specializimit fort të kërkueshëm të Institutit Forlanini të Romës me famë të përbotshme në fushën e tuberkulozit të mushkërive. Thërritet në Atdhe pesë vjet më parë dhe fati i njohur, pa filluar edhe karierën e tij në Shqipëri, ngarkohet me drejtimin e shërbimeve të Ftiziologjisë në kryeqytet, barrë e rëndë fort, por që nuk e trembi kurrsesi Petraqin e ngratë. Në supet e tija peshonte një përgjegjësi e madhe: i bëhej apel kurdoherë kapacitetit të tij të konfirmuar shpejt si prej qendrave shëndetësore ashtu dhe prej kryqit të kuq shqiptar dhe prej gjithë popullit. Emri i tij e shtoi sigurisht prestigjin e mjekësisë shqiptare. Dhe me të drejtë të tërë e deshën, e nderonin, sepse ushqenin për doktorin fatkeq një estimë të vërtetë. Për familjen e tij të vuajtur, Petraqi bir i denjë i saj u bë shtyllë e paçmuar. Realizoi shpresat e saja ndaj tij, i dha kurajo të re dhe e naltësovi nga çdo pikëpamje. Por ah! kob i zi, sot për fat të keq fytyrat e mëmës, e gjyshes, e motrës dhe e vëllezërve të tij u mvrojtën befas. Petraqi i dashur nuk rron më.

Lotët e tyre që shtohen me ato të të afërmve, të miqve, të shokëve dhe të gjithë atyre që gjetën pranë tij ndihmë të vlefshme dhe ngushëllim të ndjeshëm, rrjedhin tani si rrëke.

Plaga që shkaktoi humbja e tij në lulen e rinisë dhe në kulmin e veprimtarisë së tij ka për të qenë gjithmonë e hapur. Në horizontin e botës intelektuale shqiptare kaloi si një meteor i ndritur duke lënë pas gjurma të pazhdukura të veprës së tij mirëbërëse ndaj njerëzimit.Kjo vepër vazhdoi për fat të keq për një periudhë fare të shkurtër, por madhështia e saj nuk llogaritet me numrin e vjetëve, sepse për shpirtrat e kulluar, vlefta nuk influencohet nga zgjatja e kohës.

Po të përcjellim Petraq i shtrenjtë, o shoku i ynë Petraq në banesën tënde të fundit.

Oh ç’fatkeqësi e madhe të mos shohim më kurrë hijen tënde të pashme, fytyrën tënde të përmallshme. Nuk i erdhi keq vdekjes që të rrëmbeu nga gjiri i mëmës s’ate të përlotur, nga dashuria e gjyshes dhe e motrës të përgjëruar dhe të vëllezërve që të kishin për mburojë.

Gjithë Korça krenohej për ty,ne shokët e tu të kishim si shembull të gjallë të shoqërisë së papërlyer.

Të qajmë, të vajtojmë o Peço se na le të varfër, me shpirt të djegur.

E si mundet të ngushëlloj shtëpinë tënde të pangushëlluar?

S’të them dot fjalë më tepër o shoku im, o vëllai im Petraq.

Lamtumirë për gjithmonë o Petraq i shtrenjtë dhe prehu i kënaqur se shkove nga kjo jetë me ballë hapur.

Dr.Frederik Shiroka, mjeku kirurg më i talentuar në vendin tonë që drejtonte kirurgjinë në spitalin e Tiranës me një miqësi të sinqertë me Dr. Spiro Çipin (drejtues në atë kohë, në vitin 1955 i pavionit të neuropsikiatrisë të spitalit ushtarak), vdes papritur nga një sëmundje e zemrës. Sipas Dr.Spiros, mjekët kirurgë shqiptarë që kishin ardhur pas studimeve dhe specializimeve në Bashkimin Sovjetik, e konsideronin atë “mjek të shkollës perëndimore, borgjez dhe antisovjetik”, e kishin shmangur nga aktivitetet kryesore kirurgjikale dhe e stërmundonin me punët më të parëndësishme. Një ditë, tregon Dr. Spiro, pashë Dr. Frederikun duke mbushur dis shkresa të thjeshta mjekësore dhe i thashë.

-Po pse, juve doktor ju kanë lënë të bëni këtë punë të rëndomtë?

-Çfarë të bëj, m’u përgjigj ai.

Sipas Dr.Spiros, ai ishte mënjanuar në punën e tij nga këta mjekë; kjo e bënte të vuante, gjë që mund të ketë ndikuar edhe në vdekjen e tij të papritur.

Fjala e Dr . Spiro Çipit për vdekjen e Dr. Frederik Shirokës, në mbledhje me mjekët e spitalit në vitin 1955

Një lajm i hidhur u përhap gojë më gojë me shpejtësi në kryeqytet në mëngjesin e së enjtes që kaloi. Në fillim askush nuk donte të besojë, askujt nuk i thotë zemra që një kob i tillë të kishte ndodhur, sepse kur një tronditje shpirtërore është e fortë dhe e përbashkët, ajo në një çast ndjell pasiguri. Por e vërteta që do të bëhej fatkeqësisht kaq e shpejtë e qartë filloi të lërë mbresa në fytyrat e të gjithëve. Dhe nuk mund të ngjante ndryshe, për çdo njeri, burrë ose grua, i madh ose i vogël, që mësonte se mjeku më i dashur, më popullor, më i talentuar në të gjithë vendin tonë, Dr. Frederik Shiroka, kryekirurg i Spitalii P. Civil, që prej disa orësh nuk rronte më. I rrëmbyer befasisht nga një infarkt i miokardit, me vdekjen e tij të parakohshme, Dr. Shiroka i shkaktonte mjekësisë së vendit tonë një humbje shumë të madhe. Mjeshtër i pakontestuar i teknikave operatore, i pajisur me një humanizëm të lartë, Dr. Frederik Shiroka mbetet për ne mjekët, shokët e tij, një shembull i gjallë i devocionit, i dashurisë, i sakrificës, i ndershmërisë ndaj të sëmurit. Figura e tij e ndritur, me të drejtë mund të përfaqësojë tipin “par excellence” të mjekut koshient të realitetit të sotëm shqiptar, duke ruajtur me kujdes vetëm çka kish të shëndoshë dhe të mirë të mëparshme, flakur lirisht çdo gjë të keqe të vjetër. Si i tillë, ai do të gjente natyrshëm vendin e merituar në të sotmen tonë. Zotësia, talenti, qëndrimi tij ndaj punës nuk kish sesi të mbeteshin të panjohura; ai gëzonte besimin e plotë të popullit tonë që e kish nderuar në shumë drejtime dhe që nuk mungoi ta tregojë dhe në vdekje sesa e respektonte dhe sesa mburrej me të.