Kujtim Osmani: Si shpëtova mes plumbave të trafikantëve të drogës, në Dukagjin të Shkodrës

764
Sigal

Kujtim Osmani: Në Krishtlindjet e vitit 1994 stuhia më detyroi të ul helikopterin pa leje në Benevento

– Italiani e kuptoi që ishim të huaj, nuk reagoi që i prishëm kopshtin por na ftoi për darkë

Si evitoi rënien në tokë të avionit në Pish-Poro në vitin 1983

Në vitin 1998, helikopteri rrëzohet pasi prishet motori, ndërron jetë një polic

Kam bërë 42 vjet fluturim në ajër

Nga Gëzim Voda

 

 


Fjala është për njërin prej 15 pilotëve dëshnicarë, që si askush tjetër në aviacionin shqiptar fluturoi mbi 42 vjet: 17 prej tyre me avionë reaktivë dhe pjesën tjetër me helikopterë, gjithnjë si ushtarak. Ai është produkt i Shkollës së Lartë të Aviacionit në Vlorë, shkollë të cilën e kreu me rezultate të shkëlqyera në vitin 1977. Nuk kish qenë në parashikimet e tij fillestare që ai një ditë do të bëhej aviator. Mbase agronom, zooveteriner apo ndonjë mësuesi, mund t’i kish shkuar mëndja, sepse shumicës së të rinjve të kësaj krahine në ato vite këto degë u rezervoheshin. Madje, duke qenë pjesë përbërëse e një familje të thjesht të fshatit Sukë në krahinën e Dëshnicës (Përmet), e cila tërë jetën ishte marrë më bujqësi, ndofta ato specialitete i shkonin ndërmend apo përshtat edhe Kujtimit.
Ndodhi që edhe shkollimi i tij i mesëm u orientua pak a shumë rreth profilit që e lidhte atë sa më afër me bujqësisë. U dërgua në Korçë sapo kreu shkollës 8-vjeçare në vendlindje, për të vazhduar teknikumin e ndërtimit, të cilin e mbaroi në vitin 1974, i specializuar si gjeometër. Një zanat që siç u pa më pas, e shpuri në dispozicion të bujqësisë, duke e caktuar teknik gjeometër në kooperativën bujqësore të Ballabanit. Tashmë do të merrej kryesisht me matjen ose rivelimin e parcelave të arave dhe ndonjë nevojë tjetër që kish ajo kooperativë dhe asgjë nuk e lidhte me të ardhmen si ushtarak. Por nuk zgjati shumë dhe pa filluar ende viti arsimor, përzgjidhet për t’u dërguar në Shkollën e Bashkuar në Tiranë, për t’u përgatitur si oficer. Mirëpo, edhe aty pati vetëm “një fillim”, sepse nga kontrollet mjekësore dhe prova të tjera të thelluara, rezultoi se nga ai moment perspektiva e mëtejshme e tij do të ishin studimet për pilot në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë, të cilat i filloi në shtator të vitit 1974, kur ende nuk i kish mbushur 19 vjeç.
I përfshirë mes moshatarëve që ishin përzgjedhur për të njëjtën rrugë në jetë, apo mes mjediseve mësimore model të asaj shkolle, si dhe mes instrumenteve të shumtë në kabinat e avionëve mësimorë, ai po përjetonte një hop të rëndësishëm mendor dhe fizik. Tashmë po bëhej pjesë e armës së lavdishme të aviacionit shqiptar, i cili deri atë kohë nuk kish mbushur ende një çerek shekulli, por arritjet dhe krenaria e asaj arme kish pushtuar respektin e njerëzve në mbarë vendin. I riu sukjot nuk kish si të mos e ndjente kënaqësinë që po bëhej pjesë e kësaj trupe. I rritur në një mjedis fushor që deri atëherë lartësitë e krahinës i kish parë vetëm nga ultësira, tashmë po i jepej rasti të sodiste nga lartësitë qiellore jo vetëm fshatin dhe krahinën, por tërë meritorin e atdheut të vet. Ishte më i privilegjuari që përbënte të parin pilot nga fshati Sukë, ndonëse zor ta dinte që ishte i 14-i në radhën e pilotëve dëshnicare. Ajo ndjesi disi e papritur për të që një ditë do bëhej pilot, u kthye në pasion dhe vullnet për të mësuar e u stërvitur me seriozitetin më të madh dhe me disiplinë shembullore.

 


Dhe gushti i vitit 1977, mbeti më i paharruari për të

 

Përfundoi studimet me rezultate shumë të larta dhe mbas 10 muaj stazh në Regjimentin Luftarak të Kuçovës (ish Qyteti “Stalin”), pikërisht në qershor të vitit 1978, u diplomua “Pilot” ushtarak, i aftë të drejtonte avionët luftarakë reaktivë, ato mjete që gjithkush kur i shihte nëpër qiejt tanë, çmonte guximin dhe përkushtimin e atyre njerëzve që ishin në komandim të tyre. Fill mbas kësaj date, ai caktohet instruktor për kursantët e rinj pilotë të asaj shkolle. Do t’i instruktonte dhe stërviste ata teorikisht e praktikisht që nesër të ishin zotër të avionit kur çdokush prej tyre do të delte i vetëm në hapësirat qiellore, ndërkohë që ende nuk kish shkuar 23 vjeç. Një burrërim para kohe, por nuk qe ai i vetmi kështu.
Qëndroi në këtë detyrë plot një dekadë. Për aftësitë e tij profesionale dhe sjelljet korrekte me kursantët e kolegët, prej prillit të vitit 1988 deri në mars të vitit 1991, Kujtimit do ti besoheshin fillimisht detyra e Komandantit të Skuadriljes reaktive pranë asaj shkolle dhe më pas detyra e Komisarit të po asaj skuardrilje. Në vitin pasardhës (mars 1991-mars 1992), ai kreu detyrën e komisarit të Shkollës së Lartë të Aviacionit. Qe një besim edhe më i madh. Por pavarësisht detyrave komanduese, ai nuk do t’i ndahej fluturimit, por do pilotonte si edhe më parë. Këtu përfundoi edhe periudha e qenies së tij me avionët reaktivë dhe kalon tek helikopterët. Ishte një ndryshim disi ekstrem dhe i pa dëshiruar shpirtërisht, por e diktuan rrethanat e kohës. Sapo kishin ndodhur ndryshimet demokratike në Shqipëri dhe reforma që po trokiste në përshtatje me to edhe në ushtri, bëri që ai të kërkonte vet të kalonte në tipat e avionëve më helikë, sidomos tek helikopterët të cilët do të ishin perspektiva më e mundshme e forcave ajrore në këtë vend, sikurse ndodhi më pas.

Në prill të vitit 1992, Kujtimi do të bëhej pjesë e helikopterëve të Ministrisë së Brendshme

 

Disa vite i kaloi tek Forcat RENEA, pastaj tek Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe mjaft vite në Departamentin e Sigurisë Publike, duke qenë nga pilot i parë deri me detyra komanduese dhe ka marrë gradën policore “Komisar”, e barasvlershme me gradën N/Kolonel në ushtri. Në prill të vitit 2018, mbasi kishin kaluar 6 muaj tej kohës optimale të moshës si pilot, Kujtim Osmani, del në pension si njeri i nderuar, madje edhe i dekoruar . Ai qëndroi si fluturues 42 vjet e pak. Filloi të fluturonte në fillimet e vitit 1976 kur ishte kursant dhe u largua në prill të vitit 2018 kur mbushi 63 vjeç, duke shënuar një rekord si fluturues, të pa arritur nga sa një aviator shqiptar deri sot. Kësisoj, ai qe fluturuesi i fundit i plejadës së tij.
Karriera e tij e gjatë si pilot, sigurisht i ka dhënë atij kënaqësi jo vetëm si profesionist, por edhe kënaqësi shpirtërore. Ato vite e kanë argasur Kujtimin me cilësinë e gjakftohtësisë në gjykim e veprim, por edhe të qëndrueshmërisë për tu përballur me vështirësitë që shpesh në aviacion diktohen nga kapriçot e teknikës fluturuese dhe ato të motit apo dhe rrethana të tjera, që piloti nuk i ka në dorë t’i parandalojë, por ka në dorë që t’i kapërcejë maksimalisht, pa pasur rreziqe për vete dhe mjetin që komandon. Nuk është pa vend thënia: “pilot do të thotë koncentrim vullneti, karakteri dhe aftësie për të shkuar në rrezik. Edhe Kujtim Osmani në ato 42 vite si pilot, nuk ka shpëtuar nga rrezikimi i jetës.

Evitimi i rënies në tokë si trup i lirë, bashkë më avionin

Ishin muajt e verës së vitit 1983, kur në Pish- Poro të Vlorës që asokohe ishte aerodromi veror ku kryheshin fluturimet intensive me kursantët pilotë të Shkollës së Lartë të Aviacionit dhe Kujtimi ishte instruktor me avionët reaktivë. Në një fluturim bashkë me kursantin, sapo ata shkëputen nga toka, në lartësinë rreth 200 metra bien xhirot e motorit, nga 12,300 rrotullime/minutë, në 10,000 dhe tendenca ishte drejt rënies së mëtejshme. Një situatë e pa dëshiruar që duhej vlerësuar me seriozitetin e duhur. Diçka që nuk tolerohej në fluturim. Komunikon me Vendkomandën e fluturimit dhe merr urdhër të lëvizte një instrument tjetër për të provuar nëse avioni merrte fuqi. Vepron si i thanë, por nuk rezultoi me sukses. Rezultati qe i papërfillshëm. Gjendja mbeti si më pare me tendencë përkeqësimin. Detyrimisht, duhej bërë ulja për të mos pasur pasoja. Raste të tilla në lartësi të ulëta, bëheshin më të rrezikshme për pilotin e avionin se sa të jesh në lartësi më të mëdha, sepse kur je ulët nuk ke kohë të mendosh gjatë. Madje në atë lartësi, as parashuta nuk hapet nëse tenton të braktisësh avionin. Ndonëse braktisja konsiderohet si akti ekstrem dhe më i pa pranueshmi për dinjitetin e një piloti. Rasti në fjalë fliste që edhe sekondat ishin vendimtare dhe vetëm përvoja e qetësia e aviatorit mund të evitonte rrezikun e rënies në tokë bashkë me avionin, tamam si një trup i lirë dhe vdekja ishte më se e sigurt. Kujtimi i kish fituar ato cilësi. E uli avionin me vështirësi dhe u evitua pasoja. Më pas, sikur nuk kish ndodhur asgjë.

Një ulje e detyruar në Benevento të Italisë

Sikurse është thënë dhe më lart, pjesa më e madhe e kohës së Kujtim Osmanit si aviator është ajo e pilotimit të helikopterëve. Por edhe pse ata janë avionë më të ngadaltë dhe mund të ulen në pak vend, pilotët e tyre nuk gjenden gjithnjë të qetë dhe jashtë rreziqeve, sepse edhe helikopterët mjete ajrore janë, mes qiellit e tokës e kanë misionin.
Në pasditen e 24 Dhjetorit të vitit 1994, ai po kryente një fluturim me helikopter nga Marseja e Francës për në Shqipëri, me 4 veta në bord. Posa kaluan territorin francez dhe ujërat detare e futen në Itali, përfshihen nga një mot i keq me shi, erë dhe shkreptima rrufeje. Një situatë tepër e rrezikshme për çdo lloj avioni, ca më shumë për helikopterët. Nuk kishte kohë për të menduar gjatë. Duhej ulur. Po ku? Nuk ishte diku mbi aerodrom dhe të komunikonte me tokën, as në territorin e vendit të vet, por para rrezikut për jetën. Çfarëdolloj vendimi shpëtimtar të merrej, ishte i paqortueshëm. Në ato rrethana,nuk kish kujt t’i merrte leje për veprimet që do të kryente, nuk kish kujt t’i raportonte se ku ndodhej e ku duhej të ulej. Zotësia e pilotit, kushdo qoftë, pikërisht në situata të tilla dëshmohet tamam. Ndaj, ai pa humbur kohë përcaktoi me ato mundësi që kish vendin e uljes dhe e zbriti avionin në tokë me siklet, por pa probleme. Por aty ku u ul, ishte bahçja e një italiani në afërsi të qytetit Benevento. Zhurma dhe prania e helikopterit në afërsi të banesave, domosdo që habiti banorët e atyshëm. Ca më shumë të zotin e bahçes.
“Ai –siç tregon Kujtimi- pas daljes sonë nga mjeti na u afrua me mirësjellje dhe me gjeste miqësore. E kuptoi që ishim të huaj për të dhe një hall duhej të na kishte shpënë në atë ulje në tokën e tij. Gjëja e parë që bëri me ne, na pyeti nëse kishim pësuar ndonjë gjë fizikisht, ose ndonjë defekt helikopteri në atë ulje të papritur në mot të keq. Pastaj, pyeti nga ishim dhe pa ngurruar na ftoi me dashamirësi të gjithëve në shtëpinë e tij aty afër. Ishte darka e Krishtlindjeve, festë që italianët i kushtohen shumë. U ndje mirë që atë darkë festive kishte miq të paftuar. Ishte i sinqertë në atë që tha në një çast: “Zoti iu solli peshqesh sonte në shtëpinë time…”. Kishte dijeni për emigrimin e shumë shqiptarëve në ato vite në Itali për nevoja ekonomike dhe nuk ngurroi të na shprehej – “Jam i gatshëm të marr prej tyre në punë, se kam mjaft toka të mijat…” “Atë natë fjetëm aty. Të nesërmen që u nisëm për në Shqipëri, u ndamë miqësisht me të dhe mbetëm miq prej asaj kohe. Pas një peripecie të tillë, ia vlente që pas disa ditësh t’i gëzoheshim edhe më shumë festës së Vitit të Ri në Shqipëri, pranë familjeve tona”.

Rrëzohet me gjithë helikopter, por shpëton

 
Katër vite më vonë, në vitin 1998, ai përballet me një tjetër peripeci. Fluturonte në kodrat e Ndroqit, duke pasur në bord një skuadër të policisë së shtetit. Kishin marrë detyrën për të ndjekur e identifikuar disa keqbërës me rrezikshmëri kriminale në atë zonë. Por helikopteri befasisht pëson defekt të rëndë në motor. Megjithë manovrën e mundimshme të Kujtimit që helikopteri dhe njerëzit brenda tij të mos pësonin gjë, kjo nuk u bë e mundur. Ata, u rrëzuan! Helikopteri nga përplasja humbi helikën, bishtin dhe po rrokullisej drejt rrëpirës për të përfunduar tatëpjetë, në ullirin e vetëm të asaj kodre, që u gjend aty për t’i ndalur. Më e keqja qe se në atë rast mbeti i vdekur njëri prej 3 policëve që ndodheshin në sediljen e prapme. Të tjerët shpëtuan, por dikush më pak e dikush më shumë, nuk mbeti pa lëndime. Banorët e zonës ju erdhën në ndihmë. Vdekja e policit, i hidhëroi të gjithë! Ajo që ndodhi me policin, mund të kishte ndodhur me cilindo prej tyre. Shpesh rastësia, fati apo Zoti bën çudira. Kur thuhet prej disave se, “piloti është me kokë në torbë…”, sigurisht që bazohet edhe në përvoja të tilla të hidhura.

Mes plumbave të trafikantëve të drogës, në Dukagjin të Shkodrës

Të kesh 40 e kusur vjet në fluturim siç ka arritur Kujtimi, sigurisht që edhe ndodhitë e ngjarjet e papritura nuk mund të përjashtohen,edhe pse ato për shkak të përvojës së pilotit ndodh që konsiderohen si “rutinore”, pjesë e zanatit dhe e përditshmërisë. Mirëpo, pavarësisht si e kur ndodhin, ato asnjëherë nuk duhen nënvleftësuar, as atëherë kur nuk janë pjesë e vet avionit, por nga faktorë të tjerë jashtë tij. Se, nuk thonë kot, që ndonjëherë “e gjen, nga nuk e pandeh…’’
Në gushtin e vitit 2014, media vizive dhe ajo e shkruar folën për një ngjarje të jashtëzakonshme në zonën e Dukagjinit në Qarkun e Shkodrës. Atë ditë, dy helikopterë ushtarakë shpinin në atë zonë disa nga forcat speciale të Ministrisë së Brendshme, me objekt vënien nën kontroll ligjor të kultivuesve të lëndëve narkotike të atyre anëve. Njëri prej helikopterëve që drejtohej nga Kujtim Osmani me një koleg tjetër, sapo kish zbritur në tokë prestarët e forcave speciale dhe mori ngritjen, pa shkuar ende në lartësinë 50 metra nga toka, qëllohet me breshëri automatike nga njerëz keqbërës të pozicionuar në një kodër në afërsi. Ishte një sjellje kriminale e papritur, plumbat e të cilëve rrezikuan seriozisht jetën e dy pilotëve të atij helikopteri. Predhat e armëve shpuan në disa vende trupin e mjetit fluturues, depozitën e karburantit e atë të vajit dhe për pak gjë mund të qe goditur edhe njëri prej dy pilotëve. Vetëm manovra e shpejtë e Kujtimit, bëri të mundur që avioni në fjalë të largohej që andej duke gjetur si “shesh ulje” një arë me misër diku më tutje. Dolën nga rreziku mësymës më armë , por helikopteri atje ku u ul u konstatua se kish rrjedhur dhe vazhdonte të rridhte karburant dhe vaj. Për fat, ishte shmangur rastësisht një eksplozion i mundshëm i helikopterit qysh në ajër, të cilit tashmë i ishte thyer edhe një helikë. Kishin shpëtuar në fill të perit. Veçse, ai helikopter nuk mundi të vinte më në Tiranë “me këmbët e veta”, nuk mund të ngrihej nga toka në ajër. Ai, u çmontua pas disa ditësh në vend dhe u transportua për në repart, pjesë-pjesë nga një helikopter tjetër. Ngjarje që Kujtimit i ka mbetur në mëndje dhe që fati si edhe herë të tjera ka qenë me të. Një medalje që iu dha atij nga Ministri i Brendshëm për aktin e guximit e të trimërisë dhe manovrën e suksesshme për të evituar rrezikun e mëtejshëm në atë rast, ka qenë më se e merituar për të.
Ai, në prillin e vitit që shkoi,siç u tha sa sipër, u shkëput nga aviacioni për shkak të moshën për të dalë në pension. Por nuk është nga ata që “i bien gjoksit” për bëmat e tyre edhe kur nuk ua kërkon kush. Përkundrazi, ai është tjetër tip: i qetë, fjalë pakët dhe modest. Duhet “ta shposh” deri në bezdi që “t’i vjelësh” duke pirë një kafe, diçka nga jeta e tij si fluturues kaq gjatë. E tregon aq natyrshëm e duke qeshur ngjarjen e Dukagjinit, sa të duket sikur nuk janë qëlluar me plumba, por me llastiqe. Pilotët,janë njerëz të çuditshëm. Janë mësuar me të papritura dhe me situata që nuk i dëshirojnë, por nuk e kanë zakon as të mburren e as të bien në panik e t’i dramatizojnë ato. Tashmë e gjen më të përkushtuar për familjen e vet dhe e sheh duke shëtitur me rroba sportive në mjediset e Parkut tek Liqeni i Tiranës, sikurse bëjnë edhe mjaft kryeqytetas dhe ndodh të përshëndetemi hera-herës andej. Nuk mund ndahet kollaj nga tradita ushtarake për kujdesin fizik dhe atë shëndetësor.

 

 

Piloti Kujtim Osmani në vitin 1983, kur ishte instruktor në Vlorë me avion reaktiv