Kujtim Gjonaj,artisti që vlerësohet “Nderi i Labërisë”

232

Ai sot ndjehet me fat që është pjesë e kinemasë, kësaj magjie çudibërëse ku la gjurmë dhe bëri emër të respektuar.

Kujtim Gjonaj merr titullin “Personalitet i Shquar i Labërisë”

50 vjet kinematografi, 50 vjet art

Albert Z. ZHOLI

Të mërkurën në datën 15 maj në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, “Mjeshtri i Madh”, Kujtim Gjonaj u nderua nga Shoqata Labëria “Nderi i Kombit” me titullin e lartë “Personalitet i shquar i Labërisë”. Këtë vit Gjonaj mbushi plot 50-vjet mes artit të kinematografisë. Në këtë takim mbresëlënës ku salla ishte tejmbushur merrnin pjesë,pjesëtarë të familjes, miq e shokë, kineastë, aktorë, shkrimtarë, poetë, kritikë letrarë, dashamirës të artit, politikanë etj. Për veprimtarinë e tij u dha një film 20 minuta nën regjinë e kineastit Skënder Jaçe dhe skenaristit Enver Kushi. Aktiviteti u drejtua me profesionalizëm nga e mirënjohura Silvana Braçe. Titullin e lartë z. Kujtim ja dorëzoi Kryetari i Shoqatës Labëria, Prof. Dr. Ago Nezha.

Mezhgorani, fshati i lindjes

Origjina e tij zë fill nga Tepelena, nga Mezhgorani, një vend me tradita të hershme kulturore dhe atdhetare. Në shekullin e 17-të, Tepelena kishte 250 shtëpi, por gjurmët e pushtuesve osmanë, si kudo në Shqipëri, dominuan për keq edhe në Tepelenë. Në vitin 1789, qytetin e mori në zotërim Ali Pashë Tepelena dhe që nga ky vit njohu një rigjallërim të shpejtë. Qyteti u bë rezidenca e dytë e Pashait të Janinës. Pra Tepelena është një krahinë që shquhet për trimëri, bujari dhe me figura të lavdishme të historisë shqiptare, ku simbol i gjenialitetit historik të kësaj krahine është Ali Pashë Tepelena, me oborrin e tij perandorak dhe trillet e thëna e të pathëna që rrethonte qenien e tij gati-gati të mistershme dhe epokale në historinë e kombit shqiptar. Trima të Ali Pashës, si Xhelil Bregu, i njohur më pas për bëmat e tij, si Çelo Picari, komandant i trupave të Pashait që mbrojtën Tepelenën në vitin 1821. Çelo Picari mori pjesë në vitet që pasuan në kryengritjen mbarë shqiptare të drejtuar nga ai me Tafil Buzin dhe Xhelal Gjolekën. Çelo Picari, Tafil Buzi, Tahir Abazi dhe prijës të tjerë shqiptarë besnikë të Ali Pashait të Janinës, në mesin e shekullit 19-të, lanë gjurmë të rëndësishme jo vetëm në historinë e krahinës së Tepelenës, por në të gjithë Shqipërinë. Dhe historitë e trimërisë të krahinës vijon nga brezi në brez për të renditur në piedestal heronj si Selam Salaria apo në historinë moderne shqiptare si Mustafa Matohiti, Abaz Shehu, Asim Zeneli, emri dhe rënia heroike e të cilit lidhet pazgjidhshmërisht me fshatin Mezhgoran, vendlindjen e Kujtim Gjonajt.

Jeta e asaj kohe

Deri në moshën gjashtë vjeçare familja banonte në rrugën “Fortuzi”. Një rrugë e vjetër dhe e bukur tiranase që gjarpëronte në një hark të lehtë nga bulevardi i Madh deri te rruga e Durrësit. Në të dy krahët e saj ngriheshin vila një dhe dykatëshe, me oborre të rrethuar me mure tulle e porta të mëdha. Në një nga këto shtëpi me goxha oborr banonin familja e Qemalit dhe një familje me origjinë nga Shkodra, familja e Gjon Stakës. Me fillimin e klasës së parë familja gjeti shtëpi në rrugën “Hoxha Tahsim” në një shtëpi njëkatëshe, në rrugicën e vogël që të shpinte në shkollën me të njëjtin emër. Një rrugë e pashtruar, me pak kalldrëm vende-vende që në ditë me shi mbushej me pellgje uji e me shumë llucë që u ngjitej këpucëve. Buzë mbrëmjeve, të vegjlit e rrugicës mblidheshin në krye të saj, pranë portës ku banonte Thanas Nano dhe ashtu këmbëzbathur, të ulur galiç, tregonin përralla, gënjenin, tregonin barsoleta të dëgjuara nga të rriturit. Herë herë luanin kukafshehti apo me Ta lashë…lojë që kishte si objekt njerëz të fesë, prift apo hoxhë dhe kush e shikonte i pari ia linte tjetrit. I kujtohen miqtë e fëmijërisë. Ata ishin shumë, të gjithë djem të rrugicës ose siç i quanin çunat e rrugicës së shkollës. Luante me Lulëzimin, me Lamin, Gimin, Kujtimin, Kushtrimin, Verin, Nazmiun me topa lecke çdo ditë. Ishin pothuajse të gjithë moshatarë. Në klasë të tretë përzgjidhet si nxënës i dalluar dhe në festën që bëhet në pallatin e Kulturës i japin dhuratë një top të zi llastiku. Kështu që topi i leckës do zëvendësohej me topin e llastikut, me të cilin do luante me shokët e rrugicës. Ka qenë më i prirur të shkruajë prozë poetike. Proza i dukej më meditative më shprehëse në dhënien e një mesazhi dhe mendimi. Proza për të kishte më hapësirë, më shumë vozitje, pasi ajo sjell në rezonancë mentalitetin dhe ndërgjegjen artistike.

Dëshira e çmendur për gazetari

Ishte me të vërtet një pasion i madh që tronditi botën e tij rinore. E kujton dhe tani atë kërkimin që bënte për të krijuar histori interesante dhe ku i linte frerë të lira fantazisë. Ishte si të udhëtoje mbi re. Është bukur kur futesh në mbretërinë e krijimit. Një tharm i bukur duket se të tërheq dhe ti ndjehesh i lirë të krijosh, të bëhesh dikush. Aq shumë ishte futur në këtë mbretëri sa në moshën 19 vjeçare i lindi mendimi idiotesk për ta lënë vitin e tretë dhe për t’iu përkushtuar gazetarisë aktive. Në atë kohë aktivizohej te gazeta “Zëri i rinisë” ku punonin penat më të talentuara shqiptare dhe ai kishte bërë emër në këtë gazetë. Ishte një gjeneratë e re që sillte stile të reja gazetareske dhe tregimesh. Në atë kohë dëshirën e tij të çmendur e ndërpret Liri Lubonja e cila gati gati e urdhëron “Mbaro shkollën njëherë dhe pastaj të garantoj që të marr në gazetë. Sepse nuk do kesh kohë se do të marrin për ushtar. Ç’a do fitosh ti! Fut diplomën në xhep dhe pastaj shohim e bëjmë”. Kjo këshillë e vyer ia shtoi respektin dhe dashurinë për atë gazetë që ishte një trend në gazetarinë shqiptare. Aty punonte Liri Lubonja, Luan Dibra, Vath Koreshi, Agim Cerga e Zef Gurakuqi një grup gazetarësh që atij i mësuan abc e të shkruarit. Në gazetat e asaj kohe pavarësisht prirjeve karakteristike që kishte gjithsecili do ti bëhej jehonë politikës së kohës, të rinjve, pjesëmarrjes së tyre nëpër aksione, nxënësve të dalluar. Do ti bëje jehonë gjithë asaj atmosfere që kryesohej nga morali i shtetit komunist që ishte Shqipëria. Aktet e trimërisë, heroizmi, lufta kundër zakoneve prapanike ishin temat e asaj kohe. Sigurisht që kishte dhe elemente lirizmi që e bënin një shkrim me stil të veçantë dhe që përbënin tharmin e të qenit gazetar. Sigurisht që karriera e tij mori drejtim tjetër dhe gjatë viteve që pasuan, pra gjatë gjithë kohës që ai është marrë me letërsinë e ekranit. Sepse dhe skenari kërkon shumë art, finesë, stil dhe magji. Ishte një hapësirë artistike ende e panjohur për të, por jemi akoma në kohën kur Gjonaj ishte student dhe i ishte dhënë me mish e me shpirt gazetarisë.

Dilemat profesionale

Krahas studimeve të larta në degën e gjuhë –letërsisë ai kreu edhe kursin dy vjeçar të gazetarisë. Dëshira e tij ishte që të fillonte punë në gazetën “Zëri i rinisë”,dhe mendimi se duhet të fillonte aty i rrihte si çekan në kokë çdo ditë. I kishin thënë se kërkohej nga ATSH-ja dhe nga Televizioni por nuk ngacmohej fare, dhe nuk shfaqte ndonjë interes për to. Kur mori vesh se e kishin caktuar redaktor në Kinostudio fillimisht shfaqi habi, më pas e kaploi një ndjenjë pakënaqësie e më pas u qetësua me mendimin …të shohim një herë! Në Kinostudio kishte bërë vetëm dy bashkëpunime me Muharrem Skënderin që i kishte ofruar për të shkruar tekstin e dy kinoditarëve, punë sa për të fituar një honorar minimal si student. Ndërtesa e madhe dy katërshe e tëra me mure të trashë e gjitha mermer e me tavane të pikturuara i dukej si një kështjellë mesjetare gjithë mistere dhe të pa njohura. Mbresat, kur hyri për herë të parë në të , dhe kapërceu korridoret e gjatë për të shkuar tek dhoma e montazhit, si i thanë,qenë të fuqishme. Ishte me të vërtetë një ndërtesë hije rëndë dhe imponuese. Kurrë nuk i pat shkuar ndër mend se një ditë mund të punonte aty. Caktimi në Tiranë ishte lajm qetësues, por kaloi pa ndonjë entuziazëm të veçantë. Ai kishte njohuri për institucionin dhe për disa nga njerëzit që punonin atje. Bota e filmit kishte ndikuar edhe tek ai. Dashuria gati –gati e marrë për gazetarinë nuk do të thoshte se që nuk kishte dëgjuar emrin Kristaq Dhamos, Hysen Hakanit, Dhimiter Anagnostit, Viktori Gjikës, Agim Fortuzit, Endri Kekos etj. Tek shikoje filmat “Komisari i dritës”,“Tana”apo “Debatik“ me emrat e realizuesve ishte i menjëhershëm. Në imagjinatën e tij Kinostudioja ishte si një tempull i madh,i shenjte, i pakapshëm, i paarritshëm, impresione këto që nga koha e fëmijërisë. Bashkë me disa shokë ,të emëruar edhe ata në atë institucion e lanë që ditën e parë të shkonin të gjithë bashkë. Ishte një ditë e ftohtë shkurti dhe era që frynte të priste hundën dhe veshët, megjithëse dielli shkëlqente bindshëm. Akullnajë. Bashkë me të ishte Ibrahim Muça që kishte mbaruar shkollën për aktor dhe qe emëruar asistent regjisor në Kinostudio.

Filmi i parë

Pse e kujton gjithnjë skenarin e filmit të parë? Përse sa herë i shkon mendja te ai film dokumentar gjoksi i gufon nga emocionet dhe kujtimet i vërshojnë si një përrua i rrëmbyer që zbret me vrull nga shpati i malit? Ishte maj, muaji më i bukur i vitit, kur çelin trëndafilat dhe pemët kanë lulëzuar tërësisht, kur njerëzit lehtësohen nga veshjet e rënda të dimrit, kur gjaku i rinovuar vërshon vrullshëm nëpër rremba, kur vajzat duken më të bukura, a thua se i kanë shpallur konkurs bukurive të natyrës. Në maj çdo gjë lulëzon, lulëzon natyra, njerëzit, zogjtë. Vendosi të shkruante një skenar për një nga shkollat me me emër në Tiranë, për gjimnazin Qemal Stafa. Shkoi disa herë në shkollë. U takua me shumë mësues dhe nxënës. Ishte i pari skenar që shkruante. Dhe si të gjithë ata që shkruajnë u zhyt në botën e krijimit. Mbresat e takimeve të shumta me nxënës e mësues e frymëzuan dhe ato ai i hodhi në letër. Skenarin e pëlqyen dhe menjëherë u krijua grupi i xhirimit. Interesant fakti , ai e kish skenarin e parë. Filmi kaloi mjaft mirë, Gjimnazistët u kënaqën dhe shoqja e tij u bë personazh në film. Dhe ai film që shënoi njohjen e parë serioze të regjisorit u kthye në një nga historitë më të bukura të jetës. Një dashuri e madhe plot trille dhe jetëgjatësi. Një dashuri që i dha jetë krijimit të një familjeje të shëndetshme të historisë shqiptare. Një film, një njohje, një dashuri, një jetë plot kuptim.

Bukra, bashkudhëtarja ideale

Kanë qenë dhe janë një familje model. Një familje perfekte e qëndisur në çdo detaj me finesë e vlera njerëzore. Kanë jetuar me prindërit. Në formimin e tij intelektual dhe si artist në radhë të parë meritën e kanë prindërit. Babai për gdhendjen e personalitetit të tij dhe nëna për larminë dhe butësinë e karakterit që latoi tek ai si njeri. Dhe kur familja u zgjerua një vend shumë të rëndësishëm e zuri bashkëshortja. Ajo bëhet pjesë e krijimtarisë së tij, e filmave që ka bërë. Është pjesë e edukatës, e të ardhmes që ato e gdhendën të dy. Kanë disa dekada bashkë me njëri –tjetrin. Bukra zë një vend të veçantë se bën pjesë në një kategori grash që është përpjekur me urtësinë dhe mençurinë e saj, me përkujdesjen ti krijojë kushtet më të përsosura për të realizuar karrierën e tij si kineast. Prindërit dhe Bukra u morën me mirërritjen e fëmijëve kur ai ishte larg për motive profesionale. Duke pasur një bazë të fuqishme si familja, iu krijua komoditeti për t’iu përkushtuar profesionit. Mbështetja kryesore ka qenë shoqja e tij Bukra e cila asnjëherë nuk i ka krijuar andralla apo pengesa për të bërë një film.

Në drejtim të Kinostudios

Kur e caktuan të drejtonte Kinostudion ai institucion krahasohej me një luan të plagosur rëndë në savanën e kohës. Ishte pothuajse në grahmat e fundit. Shkon jo për arsyen se do bënte ndonjë çudi, por për nostalgji. Se Kinostudio që deri në vitin 1990 kishte tetëqind e ca punonjës dhe gjallonte, prodhonte e krijonte vlera tashmë qe bërë një objekt dhunimi dhe grabitjeje. Aty brenda ishte rinia, pjekuria, ishte krijimtaria, debatet, bisedat shoqërore, përplasjet. Aty ishin të gjitha. Ndaj dhe kur i propozon ministrja për tu bërë drejtor i “Alba filmit” menjëherë mendon se kishte paksa brumë të mirë për të bërë diçka të bukur. Për fatin e keq të gjitha zërat binin në humnerë, nuk dëgjohej asnjë zë, kudo ekzistonte veshi i shurdhër. 100 mijë dollarë duhet të financonte shteti për një studio të vogël ku të bëheshin zgjidhjet më praktike të filmit. Në atë kohë u bënë 5 filma dokumentarë, disa filma vizatimorë, dhe disa filma artistikë që ndihmoheshin me aksesorë të dorës së dytë apo të tretë, si filmi i Anagnostit “Gjoleka, biri i Abazit” që u pajis me kostumerinë e nevojshme dhe me rekuizitë të pjesshme. Ndodhi që i erdhën dhe dy producentë ekzekutivë për filmin “Aleksandri i madh” që po përgatitej të xhirohej. Atyre u kishte pëlqyer zona kodrinore pas Vorës, kodrat e buta që ngriheshin valë-valë përmbi fushën e blertë. Zona ishte ende e virgjër, dhe në pranverën e vitit 2004 natyra kishte derdhur gjithë bukuritë e saj në atë zonë. Biseduan gjatë për mundësitë e xhirimit të skenave masive, por kur producentët e huaj kërkuan dyqind kuaj race, rekuizitë dhe shumë armatime të kohës , drejtori shtangu. Ç’t’u thoshte? Kujt ti kërkonte ndihmë? Në atë periudhë gjithçka në Kinostudio kishte marrë të tatëpjetën. U kërkoi pak ditë kohë për ti kthyer përgjigje. Bisedoi me regjisorë e kolegë të tij. Pyeti dhe në dikaster. Për fatin e keq kërkesat binin në vesh të shurdhër dhe Kinostudio vinte gjithnjë duke u degraduar. U kthye përgjigje producentëve të huaj se nuk mund të plotësonte kërkesat e tyre. Filmi u xhirua në një vend fqinj pranë nesh. Humbi një shans i madh. Por për një gjë është krenar, se gjithë ai institucion i madh nuk u arrit të shpërbëhet, por u ruajt si objekt. Dhe këtë e kanë ruajtur gjithë punonjësit e Kinostudios, para dhe pas tij dhe nuk u kthye në shesh ndërtimi. U ndërtuan disa televizione që janë institucione kulture, u ngrit një shkollë kinemaje si shkolla “Marubi”. Nuk ka rëndësi mënyra si u ngrit, me të drejtë apo pa të drejtë. Ka rëndësi që aty është një shkollë filmi që rrezaton kulturë. Në ndërtesën simbol të Kinostudios ndodhet qendra kombëtare e Kinematografisë. Dhe ky institucion është në vendin e tij. Ndërsa pjesën më të madhe e ka marrë Ministria e Kulturës. Mirë do qe të bëhej Muzeu i Filmit. Ndoshta Kinematografisë Shqiptare i duhet një muze. Mirë ndoshta që u bë dhe Ministri Kulture. Po përse duheshin hequr simbolet e Kinostudios? Përse duhej hequr pllaka dhe data e themelimit të saj, 10 korriku i vitit 1952. Kinostudio “Shqipëria e re” është pjesë e historisë. Dhe historia nuk zhbëhet.

Gjysh i lumtur

Ishte në Indi ,në Kalkutë,duke xhiruar për Nënë Terezën,kur merr në telefon shtëpinë. -Do të themi një lajm të mirë -Çfarë ka ndodhur? -Valbona është shtatzënë. Ishte një lajm sensacional. Një gëzim që u shpalos me përmasa të plota kur lindi Erlisi. Ishte nipi i parë që vinte në familjen e tij. Dhe më pas erdhi Bjorni nga Genti. Nipat i do njëlloj, por Bjorni ishte Gjonaj. E kështu me radhë erdhi Edrini e më pas Brajani.

Filmi më i dashur

Është si të pyesësh një nënë se kë fëmijë do më shumë. Filmat janë të dashur të gjithë. Por në 150 filma që ka ai, patjetër është një grup ku ai ka arritur kulme krijimtarie. Kulme që nuk lidhen vetëm me rezultatin që jep te teleshikuesi, te vlerësimi me çmime por dhe me kënaqësinë që i ka dhënë gjatë kohës që është marrë me këtë film. Do veçonte “Kështjella e këngëve”, “Shembja e idhujve”, “Më e madhja dashuri”. Por nuk diferencon as Ali Pashën, as Jeronim de Radën, as Faik Konicën dhe Nënë Terezën. Të katër janë në nivelin maksimal të kënaqësive dhe vlerësimeve. Ndoshta në këtë grup filmash mund të veçojë Ali Pashën. Për të ardhur te filmi “Ëndrra e Çamërisë” që për shumë arsye shënon dhe ai një kulm të bukur në vargmalin e krijimtarisë së tij. Sepse bën fjalë për një dramë të dhimbshme të popullsisë çame që është popullsia më e persekutuar pas çifutëve e palestinezëve. Vitet kalojnë dhe kur kujton ngjarjet dhe emocionet që i kanë falur këto filma i rrëzëllen një buzëqeshje e bekuar. Ka pasur një qëllim ndaj vetes dhe e ka realizuar. Ka plotësuar kërkesat e tij të brendshme ndaj një historie shqiptare që të mahnit. Ka realizuar udhëtime ndiesore dhe ka dhënë mesazhet e tija artistike në filma historikë të përmasave të mëdha. Pra ka plotësuar kërkesën ndaj vetes dhe pa dyshim dhe detyrën si artist i publicistikës së filmit. Dhe nëse enumeracioni gjatë viteve ka pasur vetëm progresion është i bindur se në çdo film, në çdo kohë, në çdo moment ka qenë një ngacmues dhe dhurues emocionesh të bukura. Filmi është një dashuri e përjetshme, që të mbush, që të shkallmon shpirtin me ndjesi nga më të çuditshmet që veç një dashuri tronditëse e marramendëse mund ta dhurojë. Nga ato dashuri që ndodhin vetëm një herë në jetë. Sot ndjehet me fat që është bërë pjesë e kinemasë, e kësaj magjie çudibërëse ku ai hyri aksidentalisht, por ku la gjurmë emocionesh dhe bëri emër të respektuar.