Kujtim Gjonaj: Si më dha Kristaq Dhamo romanin “Zjarri” për skenar filmi, me porosi të Mehmet Shehut

1223
Sigal

Si hoqën Sonjën operatoren e  Kinostudios për shkakun absurd se babai i saj Dashnor Mamaqi na paskësh dalë “armik” i partisë

Filmi artistik dhe vizioni i “Mjeshtrit të Madh”, Kujtim Gjonaj

Si më dha Kristaq Dhamo librin “Zjarri” të Sterjo Spases me porosi të Mehmet Shehut për skenar filmi

-Me regjisorin Fehmi Oshafi zgjodhën aktorët Ndrek Luca, Vangjel Heba, Nikolin Xhoja, dhe  Astrit Çerma

– Rolin kryesor ia besuan Justina Aliajt, e cila sapo që rehabilituar mbas ngjarjeve dramatike të festivalit të 11

– Leja qe dhënë drejtpërsëdrejti nga sekretari i parë i partisë së Shkodrës,  Prokop Murra.

Albert Z. ZHOLI

-Me regjisorin dhe skenaristin Kujtim Gjonaj bisedoj shpesh. Kujtimet e tij duhen të përfshihen në vëllime të tëra pasi e shoh se monografia ime për të nuk mjafton. Sa herë e pyes ai nga thesari i jetës nxjerr xhevahire të reja të pa thëna më parë. Kështu nis dhe debati mes nesh.  Sot dua të përcjell si hyri Gjonaj dhe në filmin artistik…

Në pritje të risive….

Kishin kaluar vite nga puna e parë, dhe tashmë krijimtaria e tij në fushën e skenaristikës që konsoliduar. Kishte shkruar mjaft skenarë me tematika të rëndësishme të realizuar nga regjisorë me emër si Dhimitër Anagnosti, Vitori Çeli, Marianthi Qemo etj. Viti 1975 kishte hyrë me temperatura të ulëta dhe ngrica, por në zyrën e redaksisë së filmit në Kinostudio bënte ngrohtë. Ishin tre katër veta në zyrë dhe meqë nuk kishin ndonjë material për të punuar dhe për “të vrarë “ kohën po luante me dy tre shokë lojën me hartë. Ishte një lojë e sajuar nga ata vetë. Njëri prej atyre fiksonte një emër në hartë fshati mal apo qytet dhe brenda një kohe të caktuar dy të tjerët duhet ta gjenin. Bie telefoni, dhe Diana, operatorja e vetme femër e kinokronikës, sepse Sonjën operatoren tjetër sapo e kishin hequr nga Kinostudio për shkakun absurd se babai i saj Dashnor Mamaqi na paskësh dalë “armik” i partisë, pra ajo ngriti me përtesë receptorin…

-Kujtim, të kërkon shoku Kristaq!

Kristaq Dhamo ishte udhëheqësi artistik, një nga personalitetet më të respektuar të filmit artistik shqiptar. Gjithmonë ai ndiente kënaqësi të veçantë kur diskutonte me të për probleme të filmit. Si u përshëndetën ai u ul në kolltukun dy vendesh dhe priste jo pa kuriozitet se çdo i thoshte udhëheqësi artistik. Pas pak, regjisori veteran zgjati dorën dhe mori një libër që ndodhej diku në çep të tavolinës.

-Merre dhe lexoje! Është një roman i Sterjo Spases.

Ai zgjati dorën, mori librin dhe vuri re se ishte romani “Zjarri” që kishte pak kohë që ishte botuar.

-Shikoje me vëmendje, dhe përpiqu ta kthesh në skenar për film.

Në atë çast libri iu duk i rëndë ndër duar. Ai nuk kish shkruar ende asnjë skenar filmi artistik, bile për të qenë i sinqertë as që e kish menduar ndonjëherë. U mat të thoshte diçka, por Dhamo , me tonin e butë dhe përherë bindës, nuk i la kohë.

-Lexoje!…Pastaj flasim.

Dhe si rastësisht shtoi:

-Është porosi nga lart. Ky roman është pëlqyer shumë nga shoku Mehmet, dhe ai ka hedhur idenë për ta bërë film.

Çtë thoshte Kujtimi!? Ideja për të shkruar një skenar filmi artistik ishte ngacmuese për çdo krijues. Nuk ndodh shpesh të të krijohet shansi për të hedhur një hap gjigant në krijimtari. Ishte vërtet një hap i epërm. Një besim i madh. E lumturonte fakti që besonin gjithnjë në dhuntitë e tij, dhe aq më tepër që këtë besim e shprehte një nga regjisorët më të shquar të kinematografisë shqiptare.

Ato të drejtorisë kishin menduar për të gjitha.

Kishin caktuar dhe regjisorin që do bënte filmin, Fehmi Oshafin, edhe për drejtorin e filmit ekonomistin Polivaq Lina. Me Fehmiun kishin marrëdhënie të mira. Ai ishte regjisor me kulturë dhe profesionalisht i përgatitur, e njihte mirë historinë e filmit botëror, veçanërisht atë francez. Së bashku me Muharrem Fejzon kishin realizuar filmin “Kapedani”, komedinë e parë shqiptare, një sukses i vërtetë në historinë e filmit shqiptar. Ideja që do bashkëpunonte me të e qetësoi, megjithëse herë-herë shfaqte rezerva për pedantizmin e tij. Pra të gjithë faktorët qenë kopsitur. E lexon me vëmendje romanin. Lexon dhe nxjerr shënimet përkatëse. Megjithëse i bënte jehonë politikës së kohës vepra kishte ca linja interesante:Një djalë i ri qyteti, mjek veterinier që shkon në një zonë të thellë malore, ngritja e një kooperative të re në këto zona, ku ndërthuren dy botë dhe mentalitete. E reja përparimtare në luftë me të vjetrën zakonore. Bashkë me regjisorin i përvishen punës për të sjellë një skenar sa më të mirë, sepse gjithmonë një skenar i goditur premton për një film të mirë. Punon intensivisht, diskutojnë dhe debatojnë për linjat, karakteret, situatat. Në një film bashkëpunimi regjisor – skenarist është faktor bazë për suksesin. Çdo episod e analizonin me imtësi. Diskutonin herë në bibliotekë, herë në kafene dhe në disa raste dhe në shtëpinë e Fehmiut…

-Te ty sa më pak të punojmë , aq më mirë është ! -i thoshte Kujtimi regjisorit gjysmë me shaka, gjysmë me të vërtet.

-Pse e thua këtë?- pyeste i shqetësuar Fehmiu.

-Na shqetëson konsulente Sofia,-ia kthente tjetri. Kërkesat dhe sugjerimet e saj s’kanë të mbaruar.

Sofia ishte e shoqja e Fehmiut, një grua e mirë, por që ndërhynte vend e pa vend në diskutimet e tyre. Ajo vuante nga sindroma e njohur e mësuesve ; fliste pa pushim.

-Po ku do diskutojmë? Edhe tek ty ka njerëz. Le që aty nuk më lë rehat, Valbona.

Valbona ishte vajza e vogël e Kujtimit, që sapo kish nisur të fliste. Dhe ngaqë Fehmiu fliste me zë të lartë dhe me pasion, vajza e vogël kish thirrur

-Pati…Pati!

-Ç’tha? -kishte pyetur Fehmiu.

–E trembe. Dhe të quajti psikopat.

Qeshën. Këto situata komike kalonin shpejt dhe për një kohë të shpejtë ato përgatitën skenarin për filmin artistik. Bashkërisht realizuan një skenar të këndshëm dhe me këmbëngulje zgjodhën grupi in e aktorëve me Ndrek Lucën, Vangjel Hebën, Nikolin Xhoja, Astrit Çerma etj. Rolin kryesor ia besuan Justina Aliajt, e cila sapo që rehabilituar mbas ngjarjeve dramatike të festivalit të 11 në radiotelevizion dhe aktronte në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Ishte një aktore me potencial të madh artistik dhe kulturor. Në filmin “Thirrja”, kështu e kishin titulluar veprën, ajo interpretoi në mënyrë të shkëlqyer. Duke ditur rëndësinë e temës drejtoria cakton dhe Kujtimin të marrë pjesë gjatë xhirimeve, për të menduar me mendimet e tij herë pas here regjisorin. Ai ndoqi nga afër shumë skena dhe u befasua nga përgjegjshmëria, përkushtimi dhe pasioni për punë e të gjithë stafit, po në mënyrë të veçantë nga regjisori Oshafi dhe aktorët profesionistë. Filmi përfundoi me sukses dhe kur u vizionua në kolektivin krijues u prit mirë. Por krejt papritur, diku qarkulloi thashethemnaja;pse e keni marrë Justinën?…Pse e keni marrë?…Kush e miratoi?….Pse s’keni pyetur?…Ku?…Si?…Qysh?….Ata që kishin dhënë leje gënjyen dhe mohuan. Leja qe dhënë drejtëpërsëdrejti nga sekretari i parë i partisë së Shkodrës,  Prokop Murra. Të gjithë ata që e kishin miratuar, shkallë pas shkalle ruajtën bythën dhe mohuan atë që kishin miratuar me entuziazëm. Ishte një goditje e madhe së pari për aktoren, për jetën e saj. Por, dhe për filmin. Për regjisorin dhe të gjithë grupin.

Kështu nisi kalvari i masakrimit të filmit.

Goditja e parë qe për të minimizuar rolin e Justinës. Por nuk vonoi goditja tjetër. Shkurtimi në maksimum i portretit të aktores dhe xhirimi për herë të tretë u bë me një aktore tjetër Liri Lushi. I binte të bëje një film nga e para. Këtu nis dhe drama e madhe e regjisorit, dhe jo vetëm e atij. Por e gjithë grupit dhe e vetë Kinostudios. Me përpjekje titanike të krijuesve të filmit ai përfundoi, po kurrsesi nuk u arrit niveli i variantit të parë. Premiera u bë në kinema “Partizani”dhe filmi pati jehonën e vet dhe shtypi shkruajti pozitivisht dhe ngjarjet përkonin me kohën, por regjisori, skenaristi, aktorët Albert Verria, Nikolini , Ndreka dhe gjithë të tjerët ndienin keqardhje për fatin e veprës, për lodhjen dhe pasionin e çuar dëm.

Pas skenarit të filmit “Thirrja”

Pas skenarit të filmit “Thirrja”ai shkruan edhe tre skenarë të filmave të tjerë artistikë, njëri pas tjetrit, pa lënë asnjëherë mënjanë skenarët e disa filmave dokumentarë. Bashkëpunon me Esat Musliun për filmin “Ata ishin katër”, një skenar tepër lirik me titullin fillestar liriko poetik “Një këngë afron mëngjesin”. Subjekti merrte shkas nga një ngjarje e vërtetë në burgun e Tiranës, kur Kol Jakova, poet i ri asokohe bëri një këngë partizane. Kënga këndohej nën zë në qelitë e burgut fashist dhe u mësua pothuajse nga të gjithë të burgosurit. Pas ca kohësh poeti del nga burgu dhe kur bashkohet me njësitet partizane dëgjon këngën e tij që qe bërë masive dhe këndohej në çdo njësit partizan. Por, siç ndodhte rëndom në atë kohë dhe në këtë film u ndërhy, dhe ideja fillestare e këngës që shpërtheu nga dritaret e burgut,  u zëvendësua me idenë e një grupi partizanësh që do çonin një lajm të rëndësishëm në kongresin e Përmetit antifashist dhe rrugës mësojnë një këngë partizane. Po në vitin 1977-t pati një bashkëpunim frytdhënës me regjisorin Hysen Hakani dhe shkrimtarin Skënder Plasari, ku së bashku realizuan një film plot humor dhe fantazi duke vënë në qendër të subjektit një fabul të këndshme për grupin e cirkut të Tiranës. Filmi “Cirku në fshat” jo vetëm që prezanton bukur dhe me dinjitet aktivitetin e cirkut të Tiranës, por me fabulën që bart në vetvete tregon se arti në Shqipërinë e asaj kohe ishte një shërbim dhe dobi të masave të gjera të popullit. Ky film për kënaqësinë e autorëve ka patur një shikueshmëri të madhe dhe jetëgjatësi ndër vite.

Skenari më madhor për filmin artistik do të ishte “Këshilltarët”

Skenari më madhor për filmin artistik do të ishte “Këshilltarët” që vërtet u prit jashtëzakonisht mirë dhe doli me të vërtet një film I arrirë artistikisht. E punoi një regjisor i ri në atë kohë, Xhezair Dafa. Është një film që pati jehonë si një ngjarje e rëndësishme e luftës Nacional çlirimtare. Siç e thotë shpesh koha e luftës nacional çlirimtare mbetet  stina më e bukur më dinjitoze dhe më productive në interest të këtij vendi dhe këtij populli. Është diçka e pakrahasueshme me asnjë luftë tjetër. Shqiptarët kanë luftuar gjithnjë, por jo gjithnjë ka fituar. Në historinë tonë mijëvjeçare kemi fituar vetëm me Skënderbeun dhe në luftën Nacional çlirimtare.Dolën  fitimtarë dhe në krah të fituesve. Është I bindur se shqiptarët duhet ti jenë mirënjohës asaj lufte dhe atyre luftëtarëve. Të gjithë brezat që do vijnë në krijimtari duhet ta ngrejnë në piedestal këtë luftë sepse është një nga epopetë më të lavdishme të kombit shqiptar. Ndaj dhe “Këshilltarët “ mbetet një gur themeli në krijimtarinë e tij të gjatë. Edhe në këtë film atë e dërguan përsëri të bashkëpunojë me regjizorin. Ishte ngacmim I përhershëm që e cyste atë të ishte gjithnjë pranë filmave që ai I kish shkruar skenarin. Një dëshirë dhe “sëmundje” e vjetër profesionale. Bashkëpunimi në këtë film ishte I frytshëm jo vetëm me regjisorin, të cilin e kishte shok dhe mik, por dhe me operatorin si dhe me aktorët e shquar të filmit shqiptar Kadri Roshi, Luftar Paja dhe Lazër Filipi. Filmi “Këshilltarët” u prit mjaft mirë dhe u prezantua dhe në festivalin e Selanikut në vitin 1980 ku pati vlerësime nga kritika dhe shtypi vendas për origjinalitetin e temës dhe interpretimin brilant të roleve.