Kryegjyshata Botrore Bektashiane/ Sot, 90-vjetori i ardhjes në Shqipëri të Kryegjyshit Botror të Bektashinjve, Sali Niazi Dedei. Kryegjyshi Botror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Sot në Korçë zhvillohet aktiviteti për “Nderin e Kombit”. Ja historia e plot e klerikut atdhetar

1798
Sigal

Kryegjyshi Botëror Bektashian,  Haxhi Dede Edmond Brahimaj: “Dëshmor i Atdheut” dhe “Nderi i Kombit”, Sali Niazi Dedei, kontribut i shquar si klerik e atdhetar!

 Sot, 90 vjetori i ardhjes në Shqipëri të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Sali Niazi Dedei

Nga Nuri Çuni

Sot, më 28 janar, është 90-vjetori i ardhjes të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Sali Niazi Dedei në Shqipëri.  Mbrritja e tij më 28 janar në teqenë e Turanit-Korçë, shënoi edhe një ngjarje të  rëndësishëm për të gjithë bektashinjtë të kudondodhur në botë dhe mbarë  shqiptarëve të cilët  krenohen me emrin dhe veprën e këtij kleriku. Ai  u bë Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, udhëheqës shpirtëror i miliona besimtarëve bektashianë. Sali Dedei për veprën e tij monumentale dhe shpirtërore është vlersuar me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” dhe është dekoruar me “Nderi i Kombit”.

Kush ishte Sali Niazi Dede

 Ai erdhi në jetë në kapërcyell të shekujve 19 dhe 20, vitit 1876 dhe ishte i biri i Dervish Cufes. Ishte koha kur bektashizmi në Shqipëri, ishte përhapur në shekuj nga veriu në jug dhe lindje e perëndim. Teqetë dhe dervishijet, ishin përhapur në gjithë territorin e vendit. Sigurisht, jo vetëm në trevat shqiptare, por edhe në vende të tjerë ballkanikë, fqinj me ne, doktrina bektashiane po njihej gjithnjë e më shumë. Sepse doktrina e besimit bektashian, u përshtat me realitetet ballkanikë, aq edhe për frymën tolerante që përcillte, vëllazërinë, urtësinë dhe dashurinë ndaj atdheut me moton e njohur “Pa atdhe nuk ka fe”. Mjedisi familjar, fetar e shoqëror i trevës së Kolonjës, ku gjallonin teqetë e Starjes, Leskovikut, Qesarakës, Kreshovës etj, lanë gjurmë të thella në fëmijërinë e tij. Mësimet fillore i kreu në vendlindje. Emigroi që i ri me familjen në Stamboll. Këtu vazhdoi shkollat e kohës si dhe shkonte përherë të vizitonte teqenë e Haxhi Bektashit. Dokumentet arkivore flasin se ai iu fut fshehtësisë së udhës mistike dhe, në vitin 1896, ndodhet në Nevshehir, në teqenë e famshme të Haxhi Bektash Veliut, ku regjistrohet në shkollën e teqesë. Në këtë shkollë përqafon jo vetëm mësimet e Kuranit, hadithet e Profetit Muhamed por edhe çelsat e diturisë mistike. Me këtë vizion u pajis me kulturë të plotë fetare, duke studiuar në vazhdim dhe veprat e mistikëve të mëdhenj si Gazakiu, Fazaliu, Suhreverdiu, Muhijdin Arabiu, Omer Ibni Faridhi, Ibni Sebini dhe Mevlana Xhelaledin Rumiu,qëështë një nga krenaritë e njerëzimit dhe njëri ndër mistikët e mëdhenj të botës islame. Hap pas hapi Saliu sipas rregullave kanonike të bektashizmit mori dorë dhe hyri shpirtërisht në tarikatin bektashian, së pari në vitin 1897 bëhet myhib dhe dervish. Në vitin1899, në një ceremoni të posaçme, bëhet Myxheret (nuk martohej). Interesant është se këtu, tërheq vëmendjen e ish-Kryegjyshit të kohës, Haxhi Fejzi Dedeit (me origjinë nga fshati Maricaj i Tepelenës), i cili e mban afër dhe ndikon në marrjen e gradave të hierarkisë bektashiane. Në vitin 1901, gradohet baba dhe në vitin 191,3 gjysh. Ish-Kryegjyshi Fejzi Dede e dërgon në vitin 1908 me mision në Shqipëri për të mbledhur ndihma e nevojshme për atë kohë të Kryegjyshatës Botërore në Turqi, mision të cilin Sali Niazi Dedei e kreu me sukses. Për meritat e tij e punës, hyri në Këshillin e Lartë Klerikal Botëror. Pas 15 viteve, me largimin nga kjo jetë e ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Fejzi Dedei, Këshilli i Lartë Gjyshnor, në vitin 1914, e cakton Sali Niazin në postin e lartë të udhëheqjes të këtij besimi, Kryegjysh Botëror. E drejtoi Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Turqi, deri në vitin 1926. Ishte nder jo vetëm për Sali Niazi, por për krejt shqiptarët. ..

Ardhja në Shqipëri, më 28 janar 1930 – Kryegjyshi Salih Niazi, që është i fisit shqiptar dhe që njihet si Papa i gjithë bektashinjve të botës

 Kur parlamenti turk, me vendim të veçantë, në dhjetor të vitit 1925 urdhëroi mbylljen e të gjitha teqeve në Turqi, Sali Niazi Dedei i hodhi sytë nga atdheu i tij, Shqipëria. Bie në sy letërkëmbimi i Sali Niazi Dede dërguar më 10 mars 1929, me Sabri Qytezës, ku kërkohet të merren masa për vendosjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Shqipëtri, pasi ajo u mbyll në Turqi. Pas disa konsultimesh me konsullatën shqiptare në Stamboll, klerikët në Shqipëri dhe Mbretin Zog,  duke u këshilluar edhe me këshillat gjyshërore nëpër vende të ndryshme, mori vendimin e duhur për të zhvendosur Qendrën Botërore Bektashiane prej Turqisë në Shqipëri. Në situatën e re, ardhja në Shqipëri e Qendrës Botërore Bektashiane, u morën disa masa të rëndësishme, ku bie në sy dhe roli ui Kongreseve Bektashiane. Siç e dimë, kongreset bektashiane luajtën rol të rëndësishëm në jetën dhe organizimin strukturore në vite të bektashizmit në Shqipëri, por edhe në demokratizmin e jetës së vendit. Këtë shembull e dha kongresi i parë bektashian në Prishtë të Skraparit, mbajtur më 14-17 janar të vitit 1921. …Formimi i Komunitetit Bektashian Shqiptar nga ky Kongres, ishte pjesë e kontributeve të bektashinjve në shekuj… Një tjetër ngjarje me rendësi për bektashinjtë e Shqipërisë ka qenë Kongresi i tretë bektashianë, mbajtur më 26 shtator të vitit 1929, në teqenë e Turanit- Korçë ku midis të tjerave u vendos në statutin e tij (Dispozita transitore, art. 57: “Qendra e përkohshme me Komunitetit fetar Bektashian është Teqeja e Shenjtë e Turanit (Korçë)”. Në janar të vitit 1930, Sali Dedei, u nis me vaporin “Ekspres” nga Stambolli në Pire-Greqi në një udhëtim prej rreth 22 orë. Më pas, pas 24 orësh udhëtim, mbërriti në skelën e Sarandës. Aty u prit nga një komision i posaçëm prej 17 bektashinj, ndër të cilët: baba Ramadan Qatromi, baba Zylfo Melçani, deputetët e kohës Et`hem Osmani e Ali Koprëncka, Kamber Babai i teqesë së Prishtës, Sulejman babai i teqesë Shtufit, dervish Rexhebi, Hysni baba i teqesë Turanit-Tepelenë, Hasan babai i teqesë Memaliaj, Xhafer babai i teqesë Përmetit, Seit babai i teqesë Leskovik, Ali babai i teqesë Kulmakut-Skrapar, dervishi i Mustafa babajt të teqesë së Frashërit si dhe shumë myhib dhe ashikë të tjerë… Më pas vazhduan udhën: në teqenë e Turanit Tepelenë, Sukë, Këlcyrë, Përmet, Leskovik ku e pritën Sabri Qyteza, Teufik Lamçe e Teufik Orgocka dhe delegatët e Kolonjës baba Hajdari, varf  Myhtar, Sali  Butka dhe të tjerë. Në hyrje të Ersekës pritën Shenjtërinë e Tij nën/prefekti, Kryetari i Bashkisë, Zv. Mitropoliti, nënpunësi i Finacave, Gjyqtari Paqëtues, Komandati i Gjndarmërisë, doktori i Bashkisë, avokatët dhe parësia e vendit, bektashinj dhe orthodhoksë. Në emër të popullit të Kolonjës vendin e lindjes të Kryegjyshit, Shenjtëri e Tij u përshëndet me një fjalim entusiast prej avokatit z. Selami Libohova… Në Qafën e Qarrit kishin dalë për të pritur Kryegjyshin, 200 persona. Grupi që e shoqëronte pasi hipi në makina të vendosura në autokolonë u drejtuan për në qytetin e Korçës. Në pasdite arritën në teqenë e Turanit, arritën më 28 janar. ‘Gazeta e Korçës’, më 1 shkurt 1930,  ndër të tjera shkruan: “ Këtë event të ardhjes të Sali Niazi Dede e shkroi më së miri shtypi i kohës dhe në letrën që i dërgon mikut të tij Ali Naxhi Bajkalit në Turqi. Sigurisht edhe në dokumentet arkivore në vite, gjejmë të dhëna pse vjen Kryegjysh në Shqipëri. Në një dokument (Arkivi Qëndror i Shtetit, Fondi 883, viti 1932, dosja 1, fl.1 – 3) thuhet: “Kryetari i teqesë së Haxhi Bektash Veliut në Kërshehir, Hirësija e Tij Kryegjyshi Salih Niazi, që është i fisit shqiptar dhe që njihet si Papa i gjithë bektashinjve të botës, u shtrërngua të largohet nga qendra e madhe e bektashizmit, dhe erdhi e zu vend në Tiranë si Kryegjysh i Shqipërisë, gjithë duke mbajtur dhe ofiqin e tij të lartë si postmbajtës i këtij besimi në gjithë botën”.

Veprimtaria e tij në Shqipëri

Sali Niazi Dede, erdhi në Shqipëri me ide të qartë për rritjen e besimit bektashian, këtu në jugperëndim të Evropës së krishterë. Sapo vuri këmbën në tokën shqiptare, kleriku i shquar bektashian, përveç frymës tradicionale të besimit bektashian, provoi edhe atë të besimtarëve të thjeshtë. Në letrën që i dërgon baba Ali Naxhi Bajkalit, në ato ditë të fundit të janarit 1930, pasi përshkruan udhëtimin e ardhjes në Shqipëri nga Saranda në Korçë midis të tjerave shkruan: … “Shkuarja në Turan me njëzetë e pesë makina, do të mbetet një kujtim i paharruar dhe shumë i vyer për mua. Do të qëndrojmë disa ditë këtu dhe do të shkojmë në Tiranë për të marrë fermanin e Kryegjyshit”.Vendosja e tij në teqenë e Turanit Korçë, ishte i një rëndësie të veçantë, sepse u bë Institucioni i parë bektashianë botëror në Shqipëri. Kjo u shoqërua me takime të Mbretit Zog në muajin shkurt dhe dekretimi i tij si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve në mars po të atij viti. Qeveria e Zogut duke respektuar vullnetin e klerikëve bektashian, me dekret të veçantë e emëroi në mars 1930,  Sali Niazi Dedenë, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve. Kjo duket edhe në një dokument arkivor në të cilën shkruhet: …”Ju, njoftohet se, si mbas shkresës Nr.323, datë 20.3.1930, të Ministrisë së Oborrit Mbretëror, Nalt-Madhënia e Tij, Mbreti, pati mirësinë me urdhënue dekretimin e emrimit të Hirësisë së Tij, Salih Niazi Dedes, Kryegjysh Bektashian”. Më 4 prill të vitit 1930, ai organizon mbledhjen e Këshillit Gjyshnor. Duke marrë parasysh nevojat e mëdha të organizimit, u dërgon një qarkore qendrave Gjyshërore dhe Prindërore bektashianë të Shqipërisë. Në shtatë pika, shkruhet mbi paraqitjen në Kryegjyshatë të titullarve të gjyshatave dhe emrat e dervishëve dhe baballarëve në teqetë e tyre me hollësi, të zbatojnë urdhrat e Kryegjyshit, emërimi i këshillit lokal të çdo gjyshate, për administrimin sa më mirë të pasurisë të teqesë, disiplina shembullore sipas mësimeve të Haxhi Bektash Veliut etj. Gjithashtu u përgatit edhe një Deklaratë e Këshillit Gjyshnor Bektashian për gjithë besimtarët bektashinj të popullit të Shqipërisë, ku theksohet se: “Ky besim kurdoherë ka ecur mbi udhën e drejt të Perëndisë dhe ka predikuar: drejtësi, dashuri, urtësi, liri, disiplinë. …Besimi bektashian ka me u përpjek për me shërue çdofarë plage morale ose shpirtërore që ka sjellë dhimbje të mëdha në trupin e kombit prej të cilit sot po nderohet.” Synimi ishte për forcimin dhe organizimin e Komunitetit Bektashian në Shqipëri dhe në botë. Më dy gusht 1930 Qeverija e Zogut me një vendim të posaçëm, vendoi që Qendra Botërore të jetë në teqenë e Melçanit.  Kryegjyshata Botërore Bektashiane, në vitin 1931, u vendos përfundimisht në Tiranë.  Shqiptarizma bektashiane do të shtrihej edhe në hapësira të tjera ballkanike. Shikojmë korespodencën e Sali Niazi Dede me teqenë e Turanballi Sulltan, Selanikut, Katerinës në Greq, Bullgari për probleme të pronave, personelit etj. Për njëmbëdhjetë vjet me radhë, Sali Niazi Dede, mundi të edukonte dhe frymëzonte dhjetëra dervishë dhe baballarë bektashian, për të ecur pa u lëkundur dhe plot dlirësi në rrugën e Hakut. Shumë dervish në periudhën e tij panë ceremoninë e virgjërimit dhe shumë nga baballarët u dorëzuan gjyshër, si baba Mehmet Kruja, baba Xhafer Përmeti, baba Murat Frashëri, baba Sejid Leskoviku, baba Zylfo Turani,baba Sirriu i Kajros dhe shumë të tjerë. Kryegjyshata në Tiranë përparoi si në organizim por edhe në edukimin shpirtëror. Sali Dedei ngriti edhe shkollën, në kurse të veçantë, për përgatitjen e dervishëve, me drejtor baba Qazim Bakalli. Sali Niazi Dede, nderoi dhe respektoi kryebektashiun shqiptar, poetin e madh kombëtar Naim Frashëri. Në vitin 1937, kur u suallën eshtrat e tij në Tiranë nga qeveria, u vendosën në mjediset e Kryegjyshatës Botërore, ku më pas, i ngriti edhe një permendore të veçantë. Ai ruajti me besnikëri kodin bektashian si një traditë brenda besimit. Por, pavarësia e ideve dhe veprimeve, në edukimin e ndenjës së atdhetarisë, mëria e natyrshme ndaj pushtuesit, çuan padyshim në ngjalljen e fuqive të verbëra ndaj Sali Niazi Dedeit. Dora vrastare që shtiu mbi Sali Niazi Deden më 28 nëntor të vitit 1941 dhe dervish Azizin, ka menduar se do të trembte krejt armatën e klerikëve bektashian. Por kjo nuk ndodhi. …

Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për eventin e sotëm në Korçë dhe Sali Niazi Dedein

Plot 90 vite më parë, në teqenë e Turanit, shkeli këmba dhe u dëgjua zëri i ngrohtë i Sali Niazi Dedeit, i birit të hershëm të Kolonjës, i klerikut që u rrit dhe u edukua me traditën bektashiane, për të arritur në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror, në Kryeqendrën Bektashiane në Neë-Shehir të Turqisë. Ndonëse pritja që populli i jugut të Shqipërisë i bëri Sali Niazi Dedeit ishte e pazakontë, ndonëse besimtarët bektashinj të Kolonjës dhe Korçës e shoqëruan atë përmes entusiazmit nga Qafa e Qarrit dhe deri këtu, ndonëse atmosfera qe vërtet vëllazërore, kjo nuk do të thotë se rrugëtimi dhe vendimi i atij burri, kishin qenë të lehtë. Ai klerik i dhembshur, i mëkuar me devotshmërinë ndaj Zotit përmes filozofisë së Haxhi Bektash Veliut, kishte kapërcyer pak kohë më parë pragun e teqesë së bekuar të Neë-Shehirit, duke lënë pas jo vetëm pikëllimin dhe heshtjen e thellë, por edhe një dëshmi të rrallë, 700-vjeçare të tarikatit bektashian. E nisur qysh në vitin 1826, mënxyra ndaj bektashizmit, pabesitë dhe krimet mbi ‘të, qindra mijërat ndjekës të vrarë, do të ishin të denja të vendoseshin në krah tragjedive  të Shekspirit. Perandoria otomane, ndonëse përjetonte fundin e lavdishëm të sajë, ishte gati të bënte gjithçka për të zhdukur nga familja myslimane tarikatin bektashi, ndonëse ky tarikat dikur, kishte frymëzuar vetë sulltanët. Sidoqoftë ardhja në Shqipëri, e Kryegjyshit Botëror Bektashian, e burrit nga Starja e Kolonjës, i cili kishte ditur të udhëhiqte mrekullisht teqetë bektashiane në gjithë botën, ishte një vullnet dhe dëshirë e Zotit. Por këtë vullnet, e përmbushën deri në fund, përpjekjet dhe sakrificat e mijëra klerikëve dhe besimtarëve bektashi të trojeve shqiptare në krejt Ballkanin, të cilët me frymën e vëllazërisë që shpërndanin, pranuan në gjirin e madh të tyre, Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Ndonëse kanë kaluar plot 90 vite nga ardhja e Sali Niazi Dedeit në Teqenë e Turanit, kujtimet e të gjithëve ne janë të shtrenjta. Sepse ka qenë i shtrenjtë besimi i Haxhi Bektash Veliut tek çdo klerik e besimtar bektashian, sepse ky tarikat ka bashkëjetuar kurdoherë me hallet e kombit. Ndonëse dora vrastare, mori jetën e Sali Niazi Dedeit më 28 nëntor 1941, besimi ynë as u tremb e as u tkurr. Përkundrazi, pasuesit e Sali Niaziut lanë të gjithë, gjurmë të çmuara. Emrat e Ali Riza Dedeit, Kamber Ali Dedeit, Xhaferr Sadik Dedeit, Abaz Ilmi Dedeit, Ahmet Myftar Dedeit si dhe Haxhi Dede Reshat Bardhit, do të ndriçojnë kurdoherë në panteonin e bektashizmit botëror. Në mënyrë të veçantë, Ahmet Myftar Dedei dhe Dede Reshat Bardhi, do të mbahen mend pse mbajtën të gjallë besimin në Zot, pikërisht në kohërat më të vështira të tij, në vitet e  diktaturës që lamë pas. …Gjej rastin të siguroj besimtarët në Shqipëri e kudondodhur në botë se Selia e Shenjtë Bektashiane, e ngritur mbi gjakun, sakrificat, duke u shndërruar jo thjeshtë në një institucion paqeje të përjetshme, por edhe në mision për vëllazërinë fetare, kudo ku fryma e saj, gjallëron komunitetet e besimit tonë. Ne do të bëjmë ç’të jetë e mundur që shqiptarët e sotëm të mos lenë teqetë, të mos lenë xhamitë dhe kishat për t’u larguar nga atdheu, por të bashkohemi rreth shpresës për një Shqipëri të denjë. Kohërat janë të vështira, por ne kemi besim tek Zoti i Lartë.

 Kryegjyshët Botëror shqiptar

 Sali Niazi Dede, 1914-1941

Ali Riza Dede, 1941-1944

Kamber Ali Dede, 1944-1945

Xhafer Sadik Dede,  1945-1945

Ahmet Myftar Dede, 1947-1980

Haxhi Dede Reshat Bardhi, 1991-2011

Haxhi Dede Edmond Brahimaj, 2011

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi