Kriza politiko-ekonomike/ Bankat çojnë 2,9 miliardë euro jashtë Shqipërisë dhe 1/3 e depozitave të qytetarëve investohen jashtë shtetit

128

Ndërkohë që situata e trazuar politike dhe ekonomike në vendin tonë sa vjen e bëhet më e trazuar për shkak të skandaleve të njëpasnjëshme (e fundit grabitja në Rinas), duket se institucionet monetare gjithnjë e më shumë po vendosin t’i investojnë paratë jashtë Shqipërisë. Bankat shqiptare kanë aktualisht 2,9 miliardë euro të investuara jashtë vendit ose gati një të tretën e depozitave që kanë mbledhur nga qytetarët. Të dhënat nga bilancet zyrtare tregojnë se vitet e fundit dërgimi i parave jashtë Shqipërisë ka qenë një nga format kryesore ku bankat kanë investuar likuiditetet e tyre. Arsyet kryesore të dërgimit të parave jashtë vendit lidhen me situatën ekonomike në Shqipëri. Deri në fund të vitit 2008 sektori bankar ka qenë debitor ndaj jo rezidentëve. Pra, shuma e investuar nga bankat e huaja në Shqipëri ishte më e madhe sesa ajo që bankat tona kishin investuar jashtë. Por, pas krizës situata u përmbys. Goditja e ekonomisë shqiptare nga kriza solli dy pasoja të mëdha për sistemin financiar.

Së pari, bizneset dhe familjet ulën ndjeshëm kërkesën për kredi.

Së dyti, për shkak të rritjes së kredive të këqija, vetë bankat u bënë më hezituese për të dhënë hua të reja.

Këto zhvillime krijuan një situatë kurthi, ku nga njëra anë bankat paguanin interesa për depozitat e mbledhura nga qytetarët dhe nga ana tjetër nuk mund t’i investonin dot në tregun e brendshëm. Rrjedhimisht, paratë nisën të investoheshin jashtë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në dekadën e fundit investimet e bankave jashtë janë rritur me 4 herë, nga 86 miliardë lekë që ishin në 2009 në 350 miliardë lekë në fund të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e këtyre investimeve janë depozita që bankat shqiptare kanë vendosur në grupet e tyre të origjinës. Por, veç depozitave te mëmat, një pjesë e parave janë investuar në bono të qeverive të huaja, ndërsa mbi 60 miliardë lekë janë kredi të dhëna për bizneset jashtë vendit. Për një dekadë, investimet jashtë shtetit kanë shërbyer për të qarkulluar kursimet e qytetarëve. Por, tani edhe kjo formë investimesh është bërë më e vështirë, për shkak të vjedhjeve të përsëritura gjatë transportimit të parave në aeroport.