Këngëtarja Korçare, Lazarela Deti: Dashuria për skenën, ëndrra Hollivudiane dhe mirënjohja për publikun

2196
Sigal

Nga Vepror Hasani

Ishte fillimdhjetori dhe bënte shumë ftohtë. Korça ishte e mbuluar e gjitha nga dëbora. Gjithçka të kujtonte këngën: Dëbora zbardhi malet, dhe fushën tatëpjetë, njerëzia s’dalin dot
dhe rruga është e shkretë”.
 Por në të vërtetë nuk po ndodhte kështu. Edhe pse rrugët ishin të zëna nga dëbora, atë mbrëmje ata nuk po qëndronin në shtëpitë e tyre. Diçka i shtynte të linin shtëpitë e tyre të ngrohta. Rrugët ishin të mbushura nga njerëzit. Me jakat e ngritura të palltove ecnin njëri pas tjetrit. Fëmijët e vegjël të veshur me kapuç e doreza qëndronin në krahët e nënave të tyre. E njëjta pamje do të përsëritje për 6 net me radhë, pastaj Korça do të binte në heshtjen e dimrit të saj për të pritur Krishtlindjet dhe vitin e Ri. Nuk ishte shumë e vështirë për të mësuar se çfarë po ndodhte. Në teatrin “Andon Zako Çajupi”, Lazarela Deti jepte koncertin e parë recital të saj, me producent Adrian Jorgjin, skenarist Pandi Laçon dhe regjisor Petrika Rizën. Ishte viti 2003. Çdonjëra prej atyre netëve pati diçka të papërsëritshme. Nuk ishin vetëm korçarët. Koncerti u ndoq edhe nga njerëz të ardhur nga Pogradeci, Kolonja, Devolli, Elbasani, por edhe nga Tirana. Ishte mbrëmja e katërt kur ndodhi edhe diçka më e veçantë.
Mbrëmja e katërt
Po. Mbrëmjen e katërt ndodhi diçka edhe më e veçantë. Kishte ardhur nga Tirana pianisti i mirënjohur, Boris Plumbi. Edhe atë mbrëmje bënte ftohtë. Dëbora nuk donte të pushonte si për të provokuar, nëse do të fitonte Lazarela apo rrugët e zëna. Boris Plumbi kishte ardhur enkas për të ndjekur nga afër recitalin. Diçka kishte dëgjuar për këtë këngëtare. Ajo dinte të këndonte me mjeshtëri këngën e jugut, të veriut dhe këngën e Shqipërisë së Mesme, por edhe serenatën. Këndonte me shumë mjeshtëri këngën e lehtë po aq sa edhe populloren. Tashmë pianisti i madh ishte aty. Ai qëndroi i heshtur gjatë gjithë mbrëmjes. Duartrokiste pas çdo këngë të kënduar nga Lazarela dhe vështronte drejt saj i mrekulluar. Kështu bënin të gjithë. Ndoshta nga që nuk kishin pasur rastin ta dëgjonin në një recital, por edhe ndoshta nga që nuk kishin pasur rastin që vetëm në një mbrëmje të dëgjonin kaq shumë këngë prej saj. Pothuajse të gjithë përsërisnin me zë vargjet e këngëve: “Seç na ra dëbora”, “Ika dhe s’të pashë”, “Nënë moj”, “Hajde moj kaleshe”, “Kur më zbret nga Voskopoja”, “Lule mos t’u ndafsha”, “Sevdaja”, “Gajdexhiu”, “Kam një brengë në zemër” etj, etj. Zëri i ngrohtë i saj mbushte gjithë sallën. Sa mirë që jashtë binte dëborë dhe bënte ftohtë! Aty brenda ishte kaq ngrohte dhe kaq këndshëm. Të krijohej përshtypja se gjendeshe në një pallat mbretëror. Vetëm kur recitali përfundoi, njerëzit u kujtuan që ishte dhjetor dhe jashtë bënte ftohtë. Rrugët ishin zënë nga dëbora, por adhuruesit e saj do të vinin sërish edhe në mbrëmjen e radhës. Shumë prej tyre vazhdonin të prisnin aty. Vetëm sa për t’i thënë: “Je e mrekullueshme Lazarela!” Të njëjtën gjë po bënte edhe Boris Plumbi, pianisti i mirënjohur.
Boris Plumbi: A e di Korça që ka një vlerë të tillë!
Dhe ja, Lazarela kishte zbritur nga skena. Pianisti u drejtua drejt saj. Nuk kishte pasur rastin ta njihte më parë. Këngëtarja vuri re që po i afrohej dikush. Po kush ishte ai?! Ndoshta diku e kishte parë, por atë çast portreti i atij njeriu po i kujtohej si nëpër mjegull. Boris Plumbi i zgjati dorën, pastaj e përqafoi fort. “A e di Korça që ka një vlerë të tillë”?- pyeti. Nuk ishte shumë e qartë, nëse pyetja i drejtohej Lazarelës, apo gjithë të pranishmëve që ishin aty. Megjithatë të gjithë dukeshin sikur thoshin: “Po , ne e dimë që kemi një këngëtare me emër”. Lazarela kishte mbetur e befasuar. Një pikë loti iu shkëput nga syri. “Faleminderit profesor Plumbi!” – u dëgjua zëri i Lazarelës. Kishte kënduar gjithë jetën, madje që kur kishte qenë tre vjeç, kishte marrë vlerësime dhe kishte fituar çmime, këngët e saj kishin mbetur në hitet e viteve, por ky vlerësim e kishte e bëri kaq të brishtë shpirtin e saj. Pika e lotit ende i vezullonte poshtë qerpikut. Përse vallë atë mbrëmje bënte kaq ngrohtë? Përse njerëzit falnin kaq shumë dashuri? Në ç’vend të sallës kishte qëndruar e fshehur magjia? Deri para viteve ’90, askush nuk të përqafonte dot kështu, askush nuk ta thoshte dot atë që mendonte dhe aq më pak të bënte vlerësime të shkallës sipërore, të cilat mund të ngjallnin xhelozi deri në zyrat e Komitetit Qendror të PPSH-së. A, thua se gjithë këngëtarët e viteve të shkuara kishin vuajtur për vite e vite me radhë për të dëgjuar një fjalë të mirë dhe kaq hapur? “Faleminderit profesor Plumbi!”- dukje sikur vazhdonte të dëgjohej zëri i Lazarelës, si për ta falënderuar në emër të të gjithë këngëtarëve që kishin nisur të këndonin që nga vitet 70-80 apo dhe më parë. Teatri “Andon Zako Çajupi” kishte filluar të zbrazej, por nëpër rrugët e Korçës, ku binte dëborë dhe bënte ftohtë, vazhdonin të dëgjoheshin këngët e Lazarelës. Një zë i ngrohtë përhapej gjithandej. Natën e vitit të Ri, recital i saj u transmetua edhe nga televizioni “Klan”. Korçarët festuan së bashku me Lazarelën. Të gjitha këto i dëgjon nga kolegët dhe miqtë e Lazarelës: nga Adi Hila, nga vëllezërit Pandi dhe Blendi Laço, nga Rozana Radi, nga Adrian Jorgji, nga Josif Minga, nga Zamira Kita, nga Petrika Riza dhe Klaudeta Riza, nga vëllezërit Prift dhe veçanërisht nga këngëtarët e këtij qyteti.
Nëse nuk do të jem ndonjëherë në skenë, ju kërkoj falje
Lazarela ende nuk e di se tregimin e mësipërm e kemi mësuar prej miqve të saj, por kur e pyesim nëse i kujtohet ai episod, ajo rri një çast e heshtur si për të kujtuar mbrëmjen e recitalit të saj këtu e 16 vjet më parë. “ Po ”, – përgjigjet pas pak. “Ka qenë një mbrëmje dhjetori e ftohtë. Ai recital u ndoq për 6 net me radhë. Boris Plumbi mbeti miku im deri në fund. Kur falënderimet i mora nga profesori, u ndjeva mirë. Gjithnjë kisha ëndërruar që t’i jepja gjithçka të bukur Korçës. Gjithnjë kisha pyetur vetën, a ia kam mbërritur këtij qëllimi? Unë e dua shumë Korçën, po kaq shumë i dua edhe njerëzit e saj. Kam qenë e ftuar në të gjitha koncertet e këtij qyteti, ndaj nëse ndonjëherë më ndodh që të mos jem në skenë, u kërkoj të falur të gjithëve. Ajo pikë loti nuk ishte për vetën time, por për qytetin tim, sepse kuptova që diçka i kisha dhënë këtij qyteti që e dua kaq shumë. Dhe kjo më gëzoi. Kam kënduar që kur isha tre vjeçe. Këngët i mësoja nga prindërit e mi. Kam këndur në festivalet e fëmijëve, por edhe në shkollën e mesme. Më pas, për herë të parë mora pjesë në një nga Koncertet e Nëntorit. Duhet të ketë qenë viti 1981; mbaj mend që këndova këngën për Gani Meten. U drodha e gjitha, kur pashë se më duartrokitën. Pas kësaj do të isha gjithnjë e pranishme në të gjitha koncertet dhe festivalet e Korçës. Këndoja këngën e lehtë, madje me këtë e kam nisur, ndërsa do të vijoja edhe me këngën popullore.

Ëndërrimi

 

Ëndërroja shumë, por asnjëherë nuk e mendoja dot se mund të ngjitesha në një skenë të madhe. Këngëtarët e mëdhenj për mua ishin të shenjtë. M’u desh të këndoja shumë këngë, deri sa një ditë u gjenda këngëtare në Teatrin e Estradës. Ishte Apostol Simoni ai që më kërkoi të këndoja në Estradë. Më kujtohet si sot. Këndova këngën: “Për herë të dua”. Ishte bashkëpunimi im i parë me Estradën. Veç kësaj isha akoma e vogël. Nuk e kisha ëndërruar kurrë që do të punoja edhe unë aty. Sa herë hyja në ato ambiente shikoja Afërdita Zonjën dhe nuk e di çfarë mendoja. Ajo për mua ishte hyjnesha, e paprekshmja, e adhuruara ime. Kur kuptova se  kënga ime duartrokitej, e besova besova se do t’ia dilja mbanë. Më pas punova edhe me Adrian Jorgjin. Kompozitorët dhe dirigjentët më ndihmuan shumë. Këndova jo vetëm në Korçë, por edhe në shumë qytete të vendit. Kur po kthehesha nga Shkodra, kompozitori Flamur Shehu më ofroi një këngë që ta këndoja në Festivalin e Korçës, por nuk e pranova. Duhet të ketë qenë viti 1982. Tashmë mund të them se kam kënduar gjithë jetën time. Pas viteve ’90 pata një turne edhe me Ansamblin “Skënderbeu”. M’u dha rasti të këndoja në Francë, Suedi, Itali, Portugali etj, pa përmendur të gjitha vendet fqinje. Në Greqi këndoj pothuajse çdo vit, sepse jam e ftuara e Selanikut dhe e Korinthit.

12,  në Hollivud
Megjithatë, nuk kam për ta harrur kurrë pjesëmarrjen time në Maratonën e Këngës Popullore. Ishte viti 1994. Maratona organizohej nga Vera Grabocka. Emri i saj më jepte një ndjesi tjetër. Nuk mund ta fsheh, ndihesha krejtësisht e lumturuar, por edhe e shqetësuar për vetë faktin se nuk e dija si do të dilja. Në atë evenimet ishin përzgjedhur këngëtarët më të mirë, perlat e këngës popullore. Për askënd nuk ishte e lehtë. Kërkohej vlerësim maksimal. Gjithë koncerti do të përshkonte një rrugë artistike prej 12 javësh. Konkurrimi ishte i fortë. Kjo ishte arsyeja që edhe maratona ishte pagëzuar me emrin “12 në Hollivud”. Mund të them se për atë koncert punova mjaft. Bëra të gjitha përpjekjet për të zgjedhur këngët më të mira. Që të gjitha më dukeshin të dashura dhe të vlerësueshme. Në përpjekjet e mia pata ndihmën e kompozitorit Josif Minga. E falënderoj për ndihmën që më dha. Në këtë maratonë u vlerësova me çmimin e katër, por dua të them se në ato 12 javë u gjenda mes këngëtarëve më të mëdhenj që njihja deri atëherë. Ishte kjo maratonë që më hapi udhën për të marrë pjesë edhe në një spektakël të madh të Këngës Popullore të organizuar nga RTVSH-ja. Edhe aty këndova këngën tipike korçare. Atë këngë që ishte kënduar edhe nga prindërit e mi. Oh, po a mund të them se edhe në atë spektakël pata sukses, sepse e kam të vështirë të flas për veten.
Maratona e “Klanit”
Në vitin 1998 mora pjesë në Maratonën e Këngës Popullore të organizuar nga “Klani”. Ajo ç’më ka mbetur në kujtesë ishin organizatorët e saj, grupi “Promotor” me Adi Hilën dhe vëllezërit Pandi dhe Blendi Laço. Ishin të mrekullueshëm. Organizuan një maratonë që mbahet mend nga të gjithë. Ishte një spektakël gjigant. Vetëm nga mënyra si ishte ndërtuar falte kaq shumë dashuri dhe ngrohtësi bashkë. Dëshiroj të them se ata janë djem të talentuar. E konsideroj fat që m’u dha rasti të punoj me ta. Kaluam njëri pas tjetrit të gjitha qytetet e vendit, por nuk e di pse në të gjitha qytet më dukje sikur isha në Korçë. Që të gjithë na pritën mirë. Nuk mund të vlerësoj më shumë apo më pak asnjë nga qytetet që shkelëm. Ishte vërtet një mrekulli. Në atë maratonë kam kënduar mjaft këngë, si të Shqipërisë së Jugut ashtu edhe ato të Shqipërisë së Veriut. Edhe kënga e Shqipërisë së Mesme më pëlqen shumë, madje mund të them se kam mbetur mike e qytetit të Elbasanit. Vazhdimisht jam e ftuara e tyre. Kënga ime e asaj maratone mbeti e renditur mes 10 këngëve hit të atij viti. Për herë të parë i dhashë të drejtë vetes time për të qenë krenare. Dhe këtë nuk e bëja thjeshtë për veten time, por edhe për Benin . Mund të them se gjatë gjithë jetës time kam pasur përkrahjen e bashkëshortit tim; pa Benin, ndoshta nuk do ta kisha vazhduar dot këngën, sepse unë jam mjaft e përkushtuar pas familjes. Nuk e di, por para saj nuk vë dot asgjë tjetër. Me Benin jam njohur që nga viti 1981 dhe vijuam ta donim njëri-tjetrin për 14 vjet me radhë, deri sa erdhi një ditë që vendosëm ta kurorëzonim me martesë. Ai punonte dhe vazhdon të punojë në teatër si fonist. Por jo vetëm në ato 14 vite, por edhe sot e kësaj dite, mbështetja e tij nuk më ka munguar. Tashmë kemi një djalë, 12 vjeç, Kostin, që me sa duket edhe ai do të ecë në rrugën e prindërve të tij, pavarësisht se i pëlqen arti dramatik. Ndoshta nga që në këtë drejtim e ka ndihmuar mjaft edhe tezja e tij, Mirjan Deti, e cila është e njohur si aktore. Gjithsesi, Kosti studioi për piano. Fal përkushtimit të tim shoqi sot kam edhe një album. Gjithçka që kam arritur e kam edhe nga ai.
Këngëtare dhe aktore
Për mua nuk ishin të shenjtë vetëm këngëtarët që adhuroja, por edhe aktorët e teatrit: Aleko Prodani, Zamira Kita, Klaudeta Riza, Petrika Riza etj, më pëlqenin shumë. Ndërsa vazhdoja të punoja në teatrin e estradës gjithnjë i thosha vetës: Sikur të të jepnin një rol edhe ty, a do t’ia dilje dot mbanë? Ishte kjo një dëshirë e imja, por e mbaja fshehur. Thjeshtë ishte dëshirë, sepse askush nuk do të më thoshte:

-Lazarela, a mund të marrësh pjesë edhe ti në një dramë apo komedi?

Gjithsesi tek mua kjo ëndërr rrinte zgjuar. Çuditërisht, një ditë regjisori Guri Koço m’u afrua dhe më tha: Lazarela kam menduar të të jap një rol te komedia “Hipokritët”. E pranova sakaq. Isha gati të fluturoja. Edhe një ëndërr tjetër e imja tashmë do të realizohej. Më dha rolin e Merit. Në atë komedi më ra rasti të punoja edhe me Rozana Radin. Me atë komedi ajo do të mbronte diplomën, por unë nuk e di përse më pëlqente aq shumë. Ishte një vajzë mjaft e këndshme dhe me shumë humor. Jo rrallë më kujtohet kur më pyeste:

-Lazarela, ky është emri yt, i vërtetë apo e ke pseudonim?

-Pseudonim, i thosha dhe qeshja.

Rozana nuk besonte as njërën, as tjetrën,  as kur i thashë se në kohën kur kisha lindur unë, shfaqej filmi “Lazarela lozonjare” ku edhe në këtë film Lazarela ishte këngëtare. Prindërit e mi më vunë këtë emër pa pretenduar ndonjëherë se edhe unë do të isha këngëtare. “E megjithatë, shtonte Rozana, sa herë të thërres në emër, Lazarela, më duket sikur kam karamele në gojë”. Ndoshta ishte kjo atmosferë kaq miqësore që ndikoi për mirë edhe në rolin tim të parë në teatër. Tashmë isha dhe Lazarela edhe Meri. Me atë komedi morëm pjesë në festivalin teatror të Fierit.

Aktore në skenën e San Petërburgut

Duket se nuk kisha dalë keq me rolin tim të parë. Aktori dhe regjisori Llazi Serbo më ofroi një rol tjetër te komedia me tre pjesë: “Gosti në kohë kolere”. Edhe aty kisha rolin e Merit, por në këtë rol bëja edhe këngëtaren. Kjo gjë e lehtësonte edhe më shumë punën time, por edhe shfaqja ishte mjaft e bukur. Në këtë komedi këndoja tri këngë, të cilat ishin mjaft të bukura, të jashtëzakonshme. I këndoja live. Kur e dhamë këtë shfaqje në Korçë ishte i pranishëm dhe atasheu kulturor i Rusisë pranë Ambasadës Ruse në Tiranë. Shfaqja u dha 2 vjet më parë. Në fund të shfaqjes ai dha vlerësimet e veta, por nga këto vlerësime nuk shpëtova edhe unë. “Jeni një këngëtare me zë të mrekullueshëm”, – tha ai. Ashtu si në mbrëmjen e recitalit tim të parë, ndjeva se diçka po i dhuroja qytetit tim. Gjithçka shkonte për qytetin tim të dashur që e dua aq shumë. Shihej qartë që atasheut i kishte pëlqyer mjaft shfaqja. Na ftoi të merrnim pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në San Petërburg. Ishte hera e parë që e shihja veten në një skenë aq madhështore. Vura re që në sallë hyri dhe ambasadori ynë, Teodor Laço bashkë me bashkëshorten e tij, Mirjam Deti (Laço). Ishin të pranishëm personalitet më të spikatura të artit dhe të kulturës ruse. Për ne ishte një përgjegjësi e madhe. Në atë konkurrim ne u vlerësuam me çmimin e parë. Pas përfundimit të festivalit gjithë grupet u mblodhën së bashku për të festuar. Mbaj mend që të gjitha grupet këndonin. Këndova edhe unë së bashku me grupin tim. Befas nisëm të dëgjonim duartrokitje. Gjithçka po më lumturonte. Më dukej sikur ato duartrokitje përktheheshin në thirjet: Korça… Korça… Korça… Kënga korçare i kishte bërë për vete të gjithë. Mendoj se do të qëndroj gjatë në skenë, por nëse më qëllon të mos ndodhem ndonjëherë në skenë ju kërkoj të falur gjithë njerëzve që më kanë ndjekur. Edhe atë ditë me siguri që do të më shkëputet nga syri një pikë loti.

Në teatrin “Andon Zako Çajupi”, Lazarela Deti jepte koncertin e parë recital të saj, me producent Adrian Jorgjin, skenarist Pandi Laçon dhe regjisor Petrika Rizën. Ishte viti 2003. Çdonjëra prej atyre netëve pati diçka të papërsëritshme. Nuk ishin vetëm korçarët. Koncerti u ndoq edhe nga njerëz të ardhur nga Pogradeci, Kolonja, Devolli, Elbasani, por edhe nga Tiran