Kastriot Bimo: Si u shpëtuan kodikët e Beratit nga Kadri Cakrani

1215
Sigal

Armata Gjermane në Shqipëri nuk arriti t’i shtinte në dorë kodikët, edhe pse kishte urdhër nga Hitleri

 Si i shpëtuan kodikët e Beratit nga komandanti Ballit, Kadri Cakrani dhe At Visarion Xhuvani nga gjermanët

-Kodikët u fshehën nga klerikët në grykën e një pusi

 Kastriot BIMO

Historian

Kodikët, si dorëshkrime pergamenash me përmbajtje religjioze, kanë vlera komplekse të paçmuara, ndoshta jo aq kohore, se sa antikuarësh. Thuhet se kodikët gjenden tashmë gjashtë të tillë në botë, prej Perandorisë Bizantine. Pra të atillë, nuk do ta tepronim po të bënim krahasim, për nga vlerat me ato të pikturës së famshme të më të madhit mjeshtër të Rilindjes Evropiane, Leonardo da Vinçi, emërtuar “Xhokonda”. Nuk mund të ketë banorë qysh fëmijë apo fare të moshuar në Itali, si produkti dhe Francë, si rezidencë e pikturës së paçmuar fiorentine, të mos detajojnë kohën, mjeshtrin, e sa të tjera hollësi, që dihen botërisht tashmë. Por në Shqipëri ndodh krejt ndryshe.

Dihet pak

P.sh., dihet pak, do të thoshim mes teknologjisë së pamatë të informacionit që na mbyt sot, për Kodikët e Beratit dhe fatin e tyre, megjithëse autorët shqiptarë qysh herët shfaqen me shkrime apo studime për kodikët; si Theofan Popa, Ilo Mitkë Qafëzezi, Aleks Buda etj. “Për herë të parë ekzistenca e kodikëve të Shqipërisë është bërë e ditur botërisht nga një botim në gjuhën greke i peshkopit të Beratit (Aleksudes, A. – 1868). Qysh në vitin 1886 një studiues francez (P. Batiffol) përshkroi shkurtimisht në një katalog 16 kodikë që iu lejuan të shihte në arkivat dhe bibliotekat e kishës ortodokse të Beratit. Kodikët ishin dy prej veprave që gjendeshin në listat e objekteve të shpallur “në kërkim” në periudhën e Luftës së Dytë Botërore” sqaron Dr. Shaban Sinani, pasi thekson dhe pjesën e ngjarjes që po rrokim të zbardhim. “Kleri, këshilli kishtar (sinodi), patriarkët dhe populli besimtar i Beratit, të cilëve iu kërkua dorëzimi i menjëhershëm i dy kodikëve, vendosën të bëjnë çdo sakrificë dhe të mos e tregojnë vendndodhjen e tyre, në çfarëdo rrethane. Ato u fshehën në grykën e një pusi, në një arkë metalike. Për një kohë, në vitet që pasuan, “Beratinus-1” dhe “Beratinus-2” konsideroheshin të zhdukur. U rizbuluan në kishën e kalasë së qytetit në vitin 1968, në një gjendje tejet të dëmtuar” .

Kur kërkohet konspiracion i skajshëm, nuk ka si trumbetohet për një çështje kaq delikate njëkohësisht nga “Kleri, këshilli kishtar (sinodi), patriarkët dhe populli besimtar i Beratit, të cilëve iu kërkua dorëzimi i menjëhershëm i dy kodikëve..” Në fakt detyrohemi të futemi në optikën e kohës për të kërkuar shpjegimin, dhe, së pari mësojmë se jemi në kohë lufte. Kërkesa mund edhe t’i bëhet klerit të qytetit apo krahinës, por një pengesë jo e vogël është drejtuesi ushtarak vendas që përgjigjet për qytetin, Cili ishte patriarku (peshkopi) i qytetit?

 

Padyshim që bëhet fjalë për At Visarion Xhuvanin, ish-peshkopin e Shqipërisë

Por na duhet të sqarojmë paraprakisht, se gjithmonë studiuesit gjermanë kanë qenë dhe janë Bizantologët më të mëdhenj të planetit, periudhë të cilën e njohin me hollësi të skajshme, përfshi dhe kodikët tanë. Por Adolf Hitleri dhe staffi i tij u kujdes qysh në fillim të Luftës II Botërore për grabitjen dhe grumbullimin e pasurive, si artit e antikuarëve të vendeve që pushtoheshin apo kalonin ushtarakisht, të mos linte gjurmë. Shtabet në përgjithësi për këto lloj veprimesh nuk kanë lënë dokumentacion të plotë, prandaj për fat të keq edhe shumë prej tyre pësuan fatin tragjik, të cilin ua rezervoi lufta më e madhe e njerëzimit, plot 50 milionë njerëzve. Pra, meqenëse Armata Gjermane në Shqipëri nuk arriti t’i shtinte në dorë kodikët, siç na tregon edhe materiali i mësipërm, ne hyjmë në një spirale të panjohurash, ose pabesueshmërie (të gjithë i njohin veprimet e tmerrshme të ushtrisë gjermane në Evropë e kudo), ose naiviteti, megjithëse veprimi stoik i “popullit” duket i denjë për skenar filmi.

Roli i Kadri Cakranit

Por një burim tjetër që na informon dhe jo anonim, apo “me të dëgjuar”, është dëshmia e protagonistit kryesor që e kish këtë qytet “në dorë”, Qarkomandantit të Beratit, Komandantit të Përgjithshëm të Ballit Kombëtar, Kadri Cakrani. Rëndom kemi dëgjuar apo ekranizuar skena të skajshme mbi nacionalistët humbës, stisur nga fitimtarët, mbi të cilët si futbollistëve humbës në një finale, ku bie mëria e tifozëve, ranë të gjithë Rrufetë e Zeusit. Fitimtarët me këtë personazh historik, krejt ndryshe nga krerët e tjerë nacionalistë, të cilët i kanë diskredituar me mënyrat më të mundshme të njohura, kanë përdorur “Kodin e Heshtjes”. Kjo do të thotë, se duke mos u përmendur në mbi dy-tre gjenerata, pluhuri i harresës tregohet i pamëshirshëm me këdo. Por ja që historia nuk i studion dot përrallat (veçohet materiali gojor i transmetuar), pasi ato i studion letërsia. Gjithashtu duhet theksuar se Ushtria Gjermane, kishte në radhët e saj pothuaj të gjithë nivelet e zhvillimit gjerman shkencor e kulturor ky, natyrshëm veshur me uniformë. Qoftë edhe nga një film elitar me temë nga kjo Luftë e tmerrshme Botërore, nxjerr konkluzionin se nuk mund të thjeshtohet kaq shumë fakti, ku u përdor aq dinakëri ndaj makinerisë më vrastare të kohës, si do të tregojmë më poshtë. Tjetër fakt është dhe ai që do ta quaja “kryesor”; Kush e denoncoi të vërtetën, përveç listës “në kërkim” se pikërisht në Kishën e Shën Gjergjit gjendeshin Kodikët, fakt për të cilin nuk dua t’i futem fare analizës së shkakut, por pasojës. Ushtria Gjermane po i kërkonte dhe në këtë gjendje të nderë përgjegjës në Berat, nuk është njeri tjetër, veç Qarkomandantit Cakrani, një gjermanofil, i cili ka studiuar në Vjenë, për çudi ndryshe nga sa mund të mendohet, ka ngritje dhe njohuri të pamenduara mbi kulturën gjermanike. “Kadri Cakrani, i lindur në Berat…Është shumë i ngritur dhe mjaft i kulturuar..” (Dosja e fshehtë e UDB-së jugosllave për emigracionin politik shqiptar 1944-1953, fq.282)

 

Ndjekim dëshminë e tij interesante të kapitullit “Kodikët” (Manuskriptcode-në origjinal).

Një ditë më kërkuan në Komandën Gjermane të qytetit, sepse ishte duke ardhur një major apo kolonel, me gjithë një togë nga Tirana për në Berat.

–Ata vijnë nga Komanda Qëndrore e Armatës për një detyrë sekrete, tha Kapiteni i Beratit.

–Atëhere të presim dhe të marrim vesh se ç’është kjo detyrë, dhe ç’mund të bëjmë ne. Por kur thuhet sekret, shumë pak vetë duhet ta dijnë mendoj,-i thashë Atij.

-Po tha, dhe ti je një nga ata! Po e shikoja se me të dëgjuar këto fjalë ordinansa e Tij u largua duke mbyllur derën. Kapiteni pa orën.

-Toga që vjen nga Tirana, me gjithë një officer ka punë me gjërat që duhen marrë që tani në tërheqje. Janë marrë me sa duket me bankën e Tiranës. Këtu do të vijë të marrë librin e vjetër të qishës, një Manuskriptcode i Bizanthit. Edhe kjo më duhej.

–Çfarë?

Kapiteni ngriti supet.

-Këtë gjë do t’a zgjidhim bashkë dhe që tani,-i thashë. Kapiteni vuri kapellen në kokë dhe hipëm në maqinën e Tij. U nisëm për tek Peshkopi, At Visarjon Xhuvani, se ai e dinte më mirë si qëndronte puna gjërave të vjetra të qishës dhe librave.” (Kadri Cakrani “Lufta Ime” fq.219)

Detyrohemi të ndjekim dëshminë në detaje, pasi për shkak konspiracioni as ky autor me sa duket nuk e di të vërtetën e ekzistencës së kodikëve, jo më “populli i qytetit”.

“Kur vajtëm Ai na priti dhe mua më doli, detyrë, edhe të pyesja dhe të përktheja.

-At Visarjon, Gjermanët kanë një informatë të saktë se ca libra të vjetër orthodoxë, janë këtu në Berat dhe tani i duan se s’bën! Me që ti përgjigjesh për këtë punën e qishës e të Orthodoksisë në Berat e në Jug, duhet të n’a informosh saktë pa tjetër. Një herë u bë provë, këtë herë Gjermanët do t’i pushkatojnë po nuk treguan librat Peshkop!

Gjermani dëgjoi dhe tundi kokën si aprovim, po At Visarjoni tha se duhet të jenë në Qishën e Shën Gjergjit libra të fesë orthodoxe. Kapiteni më tha se është i vjetër shumë dhe si i kuq. Manuskriptcode, tha, dhe këtë e dëgjoji At Visarjoni.

-Mund të jenë zhdukur, se ka një mijë vjet! Këtë j’a thashë kapitenit, po ai këmbë nguli se ka të dhëna të sigurta se Manuskriptcode i vjetër Bizanthin, është këtu në Berat!

-Këtë e ruan qisha, i thashë dhe përgjegjësinë e kam unë që jam në krye të Komandës, këtu! (po aty fq.219)

Çfarë reagimi duhet të ketë bërë peshkopi Xhuvani në këtë pozitë skajshmërisht të vështirë?

“–Dëgjo këtu Peshkop! Këta mendojnë se do i mbajnë më mirë se ne po t’i gjejnë. Po edhe po është këtu dhe është mbajtur një mijë vjet, më çudit, se dikemi të mbajmë edhe ne! Nuk e di si e qysh do bësh, se ku janë e ku s’janë, do t’a zgjidhëç këtë punë me ata të qishës. Janë a s’janë, e dinë s’e dinë, nuk dua t’ja di! Po filluan pushkatimet, kush e di sa do vriten. Le të betohen për Zotin, që s’e dinë ku është, po s’e dinë vërtet, dhe mbyllet kjo punë! Po ama do t’a vras unë atë që i nxjerr nga frika, po janë këtu pastaj!

–Janë apo s’janë?

-Pra thua për një betim të gënjeshtërt në Zot? Jo nuk mund të bëhet dot Zoti Kadri, se të dënon vetë Zoti, pastaj!

–Peshkop! Zoti ka shkuar në luftë, nuk e thërret dot as ti e as unë. E shikon si është ndezur gjithë dynjaja dhe ai Zot që e krijoji, i vuri zjarrin nga lart me Komunismën! Ju orthodoxët mbanit urën! (aludim për rusët)

–Jo se është, jo mëkat, po sakrilegj zotni, vazhdoi Peshkopi. Nuk mund të bëhet kurrë!

-Ne ikëm, zgjidhe vetë, sot në botë po vriten miljona e miljona, dhe lufta nuk kursen dot katër apo pesë priftërinj!

Gjermani duke parë fytyrën e tmerruar të Peshkopit, më pyeti se ç’farë i thashë.

–Do pushkatohen ata që nuk tregojnë librin! Kaq!”(po aty fq.220)

Në këtë situatë tmerrësisht pa rrugëdalje, peshkopi Xhuvani i pagjumë duket se analizon thellësisht fjalët e thëna tërë shkujdesje të Qarkomandantit Cakrani.

Të nesërmen At Visarjoni më kërkoji mua. Vajta me maqinë aty, dhe fillova vetë i pari.

–At Visarjon, nuk mbeti që të të jap mënd unë, ty që ke qënë Peshkop i gjithë Shqipërisë, ke qënë senator e deputet që me Bektash Beun (Cakrani), e që je njeriu më i ditur! Lufta nuk do dije, bile i urren! Po s’e mbylle këtë punë, unë do shënoj një Peshkop më pak! Qoftë ky edhe një njeri i nderuar!

Po Peshkopi më tha se e kish biseduar me sinodin e qishës së Shën Gjergjit.

-Ajo qishë mund të kontrollohet, ata nuk dinë gjë fare për librat, kështu që mund të betohen, si e menduat Ju! Po kjo ishte e paparashikuar për Gjermanët, se nuk dihej se kë qishë dhe çfarë do kërkonin.

-E pse mund të kontrollohet vetëm ajo qishë? Fshihet gjë aty? -Sepse informata mund të jetë se kjo është qisha më e vjetër, dhe që mund të mbajë këto libra, tha ai.

–Që është mbajtur 1000 vjet pa e marrë vesh njeri, më habit! Që e kanë treguar se është në Berat, ku përgjegjësija është imja, do t’i vras, kush do qoftë! Nxorra Walterin dhe e vura në tavolinë. At Visarjoni u ngrit në këmbë dhe po mendohej me dorë në mjekërr.

-Se si do bëhet kjo çështje, kur dy tregojnë e tre mëshejnë, do t’i vras vetë në vënd, të gjithë Peshkop! Qartë! Peshkopi u rrudh në fytyrë, po unë kishja edhe një Berat të tërë në kurris. Ai të bënte ç’të donte! Ika, kur sa shkova prapë në zyrë, një triçikël erdhi prapë me një letër në zarf të mbyllur. Kish ardhur officeri nga Komanda Qëndrore Gjermane në Tiranë dhe unë që përgjigjeshja për qytetin, duhet të merrja përgjegjësinë për këtë punë dhe Kapiteni. Kjo ishte një punë e që nuk t’a merrte mëndja, se nga doli mes asaj lufte.”(po aty fq 221).

Referimi

Tani i referohemi Dr. Sinanit për sa i përket ngjarjes, e cila nuk po na del kaq e thjeshtuar. “Ushtria naziste rrethoi Kishën e Shën Gjergjit dhe shpalli se, po të mos dorëzohej dorëshkrimi, priftërinjtë do të vriteshin. Këshilli i Kishës së Shën Gjergjit, në këto kushte, i kërkoi leje ikonës së Shën Mërisë të mos i ndëshkonte, nëse do të dëgjonte nga antarët e sinodit një betim të rremë. Pas kësaj lutjeje, gjashtë anëtarët e këshillit (sinodit) e fshehën dorëshkrimin në një pusetë nëntokësore të maskuar pranë altarit dhe i deklaruan komandës së ushtrisë së huaj se ishin gati të betoheshin para ikonës së Shën Mërisë, se nuk dinin asgjë se ku gjëndej vepra e kërkuar.” (Shaban Sinani, Beratinus”. (Drejt.Përgj.Arkivave, Tiranë 2003, fq.43)k

Deri ku shkon e vërteta dhe a tingëllon e besueshme se mund të mashtrohej ushtria gjermane dhe oficeri bizantolog, në kohën tejet të brishtë, ku vetë vdekja është prezent në çdo çast?

Mora maqinën dhe u nisa në Post-Komandë. Majori që kish ardhur, nderoi ushtarakisht, se me sa duket i kish thënë Kapiteni që e kishja zët nderimin alla-Hitler. Majori me siguri ishte ndonjë Bizanthollog i veshur officer, dhe më duhej mes atij halli të flisja për kulturën, po pikërisht këtu po më dukej se e ndjeja veten më mirë. Biseduam gjermanisht për luftën, Komunismën, po dhe kulturën.Der edle Mann macht edle Manner fur sich selbst und weiss sich auf sie zu verlassen”, sagte Goethe. (Njeriu fisnik i bën për vete njerëzit fisnikë, dhe di si të mbështetet tek ata, ka thënë Gëte.”(gjerm) Majori u habit, po nuk e dha veten, se Kapiteni e sqaroi se është shkolluar në Wien, ushtarak. Kishte sjellë me vete edhe për-kthyes, gjë që tregonte sa e rëndësishme ishte kjo punë, po e gjitha në kurris T’im. Me të mbërritur Majori më tha se duhet të ishja në dijeni të çështjes për librin e vjetër Bizanthin, një Manuskriptcode, por unë i thashë se si zor 1000 vjet libër të rrojë këtu. “Kluger Mann scheint zu jeder lacherlichen Angelegenheit, der vernunftige Mann betrachtet jedes wichtige Thema”(Njeriut të mençur i duket çdo çështje qesharake, njeriu i arsyeshëm e konsideron çdo temë të mundshme.”(gjerm) –Goethe, vazhdoi Majori. Ne kemi informata tepër të sakta, prandaj e duam pa tjetër atë. –D’akord jam! Si do që qënka ruajtur, këtu kam pak besim. “Je mehr wir wissen, desto mehr wachst unser Verdacht”. (Sa më shumë e dimë, aq më shumë dyshimet tona rriten!(gjerm-Gëte)Tek Ju do të rrojë edhe 1000 vjet të tjerë, se kulturën atje e ka në gjak një popull i tërë. “Das Schwierigste zu sehen ist, was vor dir liegt!”(Gjëja më e vështirë për t’u parë, është ajo që ke para syve,(gjerm-Gëte) tha Majori dhe u bë seriosz Prapë mund të ish Goethe, por m’u duk në atë çast se nuk e kishja lexuar apo dëgjuar. Ai u kënaq për një moment nga këto fjalë që tha, po u zbeh kur mendoi se Filozofia e Goethe-s që ishte filluar nga unë, dukej e pa kuptimtë në këto momente.”

Mbase kishte dhe diçka tjetër….

“Austriakët dhe Wien-a, ku kishja mbaruar shkollën, janë si një racë Mbretërore, krahasuar me Gjermanët anë e mb’anë. Nga ana tjetër vetë Fuhrer-i ishte Austriak, prandaj biseda kishte marrë fund.” (K.Cakrani.fq.221) Po në këto çaste të trishta përpara togës së pushkatimit, sinodi i priftërinjve, çfarë reagimi mund të ketë?

“Na pritën priftërinjtë, nja tre katër vetë aty përpara dhe e lashë të përkthente atë që kishte ardhur me officerin nga Tirana. Pritërinjtë n’a udhë-hoqën nëpër dhoma dhe kishte libra plot, edhe të vjetër e shumë të vjetër. Majori me Kapitenin i panë, dhe pas ndonjë ore u tërhoqën në koridorin e madh të pa bindur me duart prapa.

–Libri është shumë i vjetër dhe si i kuq, u thashë, duke parë nga përkthyesi i Tyre që i fliste Majorit.

–Manuskriptcode, përsëriti Majori. Përkthyesi u tha se ishte i shkruar me dorë, po ata vetëm ngritën supet. Priftërinjtë nuk folën më, po ishin bërë dyllë të verdhë të gjithë. I ndante një fill nga vdekja në të vërtetë. Majori tha se duhej të zbatonte urdhërin për pushkatim, kështu toga u bë gati. Kapiteni pa nga mua.

–Më erdhi në mënd tani, i thashë. Këta janë njerës të Zotit, pse të mos e zgjidhim kështu për të gjetur të vërtetën! Edhe të vriten priftërinjtë, ata nuk do t’a tregojnë librin, dhe bëhen martirë të qishës. Sikur t’i vëmë të betohen para Zotit a Krishtit, ç’farë kanë këta? Ata po nuk gënjejtë dot para Krishtit apo Zotit!

Fjalët u për-kthyhen, dhe Majori po shikonte me vë mëndje. Pasi qëndruam një copë herë pa folur, Majori pa Kapitenin, pastaj mua.

-D’akord! Po është se nuk e bëjnë, kuptohet se gënjejnë, dhe të pushkatohen me një herë! Priftërinjtë përballë kishin ngrirë fare dyllë të verdhë. Do të pushkatoheshin të tërë, po të mos donin. Me siguri Peshkopi i kish pyetur, dhe me që këta nuk dinin gjë, më foli i sigurtë. I vunë një nga një përpara një ikone të Shën Marisë dhe për-kthyesi thoshte gjermanisht ç’do fjalë të betimit të Tyre. Mbaruan të gjithë dhe toga që po priste jashtë i tmerroji. Dy officerët Gjermanë po bisedonin më tutje. Në këtë situatë me skuadër pushkatimi gati, unë doja t’a bindja veten se nuk kishin mbëshehur këta priftërinj libra aq të vjetër Bizanthin 1000 vjeç, qoftë Manuskriptcode”. (K.C.fq.222)

Me shumë mundësi zgjidhja, do ta quaja e Qarkomandantit Cakrani, i cili ka të ngjarë të mos ta këtë ditur kurrë të vërtetën, funksionoi si rrezik i dyfishtë, me njohuritë e kulturës gjermanike dhe përgjegjësinë absolute të tij.

“Pas pak officerët që po bisedonin më tej thanë se duhet të iknin, por këtë punë tani e ka Gestapo, që do të vijë pas ne që t’a gjejë se s’bën. Unë u futa në një siklet tjetër, se mund të spiunoheshin çifutët, që deri tani kishin shkuar të mëshehur për bukuri. Ika në zyrë dhe me një herë njoftova me një letër Haxhistasen për këtë. Nuk duhet të vinte në asnjë mënyrë në komandë, biles edhe letrën duhet vetëm t’a lexonte dhe t’a kthente, pasi kishim kaluar në një survejim, po dhe kontroll të shum-fishtë tani të tërë nga Gestapo.”(K.C.222).

Epilog

Si epilog mund të themi se At Visarion Xhuvani, peshkop i Beratit dhe ish-kryepeshkop i Shqipërisë, deputet qysh në fillimet e Parlamentit, u arrestua dhe u burgos më 1947-n me 20 vjet burg, ku edhe vdes më 14 dhjetor 1965, ndërsa Kodikët u gjendën në kishën pranë kalasë së qytetit më 1968, gjatë prishjeve të objekteve të kultit, në kohën kur feja mori fund me ligj..