Kastriot Bimo: A është Kongresi i Lushnjes ekzistenca e shtetit shqiptar?

173

 

Fitimtarët e Luftë I Botërore, ishin totalisht kundër interesave të vetë ekzistencës së shtetit shqiptar

A është Kongresi i Lushnjës, vetë ekzistenca e shtetit shqiptar?

 Kastriot BIMO

 Shekulli që mbush këto ditë një nga ngjarjet më të rëndësishme të vetë ekzistencës së shtetit shqiptar, Kongresi i Lushnjes, është gati sfumuar diabolikisht nga kohërat e diktatit dhe historiografia e shtrembëruar dhe krejt e paqartë shqiptare si shërbyese e vetë sistemit. Por që të anatemohej në shek. XXI ngjarja më madhore e historisë, dhe të mos pranohej si festë kombëtare nga po shqiptarët, ky fakt jo vetëm do të kalonte në krye të listës së absurdit shqiptar, por do të mbetet ta gjykojë gjykatësja e pamëshirshëm, Koha. Arsyeja duhet të jetë skajshmërisht madhore që duhej të ndërmerrej një veprim mohues, kur kombe të tjerë nuk mund as ta imagjinojnë një fenomen të tillë vetëvrasës. Vetë shqiptarët dinë aq pak apo aspak mbi këtë ngjarje, pothuaj aq sa edhe për një revolucion të ndodhur në Amerikën Latine. Groteske kjo, megjithatë në gjendjen që janë u mjafton ajo histori ekzistuese me frazat e konsumuara se Kongresi i Lushnjës “shpëtoi Shqipërinë nga lakmitë fqinje”, si dhe “prishi planet e Traktatit të Fshehtë të Londrës” etj., që nuk janë as tituj, për të qenë maja e majës së ajsbergut. Gjatë këtyre viteve pas Pavarsisë, pothuaj të gjithë krerët që morën pjesë në të, tashmë në një situatë krejt të re dhe tepër komplekse u duhet ta drejtojnë vetë këtë anije që rrezikon të mbytet jo nga dallgët, por nga brenda.

Ngjarjet nuk janë më ato të pragshpalljes së Pavarësisë, kur diplomacia gjermanike po punonte jashtë kapaciteteve të saj, përfshi dhe mobilizimin e një milion trupave për luftë, për të ndaluar daljen e shtetit serb në Adriatik, duke aneksuar territoret perandorake, pra ato shqiptare nga Ulqini deri në Durrës. Flamurin natyrshëm e mbante ministri i Jashtëm austro-hungarez, Leopold von Berchtold, të cilin në mënyrën më mosmirnjohëse asnjë shqiptar nuk e njeh; “Në kërkoftë Serbia të shtrihet deri në Adriatik do t’i thuhet që në fillim – jo! Në dashtë vetëm një rrip toke për të dalë në Adriatik, kjo s’mund të jetë tjetër veçse tokë shqiptare, për fitimin e së cilës nuk mund t’i njihet Serbisë në asnjë mënyrë kurrfarë e drejte në themel të principit të kombësisë që ajo predikon vetë, kur një zgjerim i tillë tokëksor do të dëmtone pa të drejtë aspiratat e shqiptarëve.” (HHStA,PA,A”nr. 4205, Berchtold, notë për në Berlin, dt. 30. 10.1912)

Por situata, “Mission impossible”, e vitit 1919 e kishte një prolog, natyrisht shqiptar. Ajo ishte Qeveria e Durrësit e krijuar enkas nga diplomacia dhe ushtria e shtetit italian, për të marrë me të drejtën e fitimtarit, parashikuar kjo qysh më 1915 në Londër, totalisht territoret e okupuara nga trupat austro-hungareze në tërheqje, dhe ato franceze në ikje. Hedhja në dorë e qeverisë së vetme ishte decizive për italianët, që për fatin e keq të shqiptarëve kishte në gjirin e vet edhe nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë. Këta, thënë me fjalë të thjeshta, po firmosnin për së dyti, këtë herë për t’i kaluar tashmë shtetin shqiptar, Italisë, dikur aleate e Austrisë dhe mbrojtëse e interesave territoriale shqiptare. Kaosi, si situatë e befasishme, por që shqiptarët i karakterizon dhe në paqe, u shfaq me forcë qysh me caktimin nga Fuqitë e Mëdha të Princ Vidit në fronin shqiptar, si dhe okupimin strategjik të territoreve shqiptare nga forcat austro-hungareze gjatë Luftës I Botërore, përfshirë dhe krerët elitarë të periudhës së Pavarsisë: “Është e nevojshme që të binden shqiptarët, se me anën e një princi gjerman, Austria shikonte të bënte për vete shqiptarët me qëllim. të përvetësojë Shqipërinë. Përkundrazi qeveria italiane kërkon t’u japë shqiptarëve një udhëheqje më të lartë, të vërë në zbatim në vend një administratë të rregullt, të krijojë siguri dhe rregull. Në këtë mënyrë ishte Italia ajo që mbronte vazhdimisht Pavarësinë e Shqipërisë. Për të ruajtur Pavarësinë dhe për të siguruar ekzistencën e Shqipërisë, duhet që shqiptarët të shkojnë së bashku me Italinë..” shkruan I. Qemali (HHStA,PA, A, në AIH, vj.24-32-3218, Telegram i konsullit Halla për Berchtold, Shkodër, 11.11.1914) Austriakët do të përgjigjeshin; “Ismail Qemalit iu bë e ditur që ai të mos zhvillojë këtu (në Itali-red) asnjë aktivitet politik dhe se është krejtësisht e padëshirueshme që ai të qëndrojë më gjatë këtu” (HHStA,PA, A, në AIH, vj.25-1-115, Berchtold për Merey Romë, 02.01.1915). Ky fakt do të sillte një kolaps të plotë në mendimet afatgjata të krerëve shqiptarë, për të zgjedhur rrugën e duhur, në kohën kur fitimtarët e Luftë I Botërore, ishin totalisht kundër interesave të vetë ekzistencës së shtetit shqiptar. Situatës së nderë e pa rrugëdalje i shtohet si një çelës që mbyll përfundimisht atë çka ishte bërë deri në Konferencën e Paqes 1919, vendimi i saj se abrogoheshin vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër 1913. Kjo do të thoshte se ajo Konferencë 8 mujore, ku në çdo fjalë përmendej emri “Shqipëri” dhe me aq mundim çështja shqiptare u mbrojt nga diplomacia austriake e me ato territore që u siguruan, të largohej në formën e një ëndrre. Kështu shqiptarët nuk e pandehën, se fati do t’i braktiste në udhëkryqin më të rrezikshëm të historisë. Si periudhë paslufte, njeriu më i fuqishëm ushtarakisht ishte Esat pashë Toptani, tashmë në krah fitimtarëve të Antantës, por mjaf me rrezik nga kjo e fundit për të qënë rezident në Shqipëri, si dhe armiku i tij i hershëm Ismail Qemal bej Vlora, tashmë i perënduar dhe i vendosur si përfaqësues i shqiptarëve të Amerikës në Konferencë. Violinë e parë aty do të ishte ajo, Qeveria e Durrësit.

 

Por të tërhiqemi pak në kohë për të parë fundin e Luftës I Botërore dhe qëndrimin austriak ndaj shtetit që e ngritën vetë, Shqipërisë, ku mes shumë karaktereve të lëkundur dhe të pabesueshëm ata gjetën një nga krerët elitarë të krijimit të shtetit, për çudi fare i panjohur sot, gjermanofilin Bektash Bej Cakranin. Për çdo lloj situate, krerët shqiptarë krejt të pafuqishëm, po përgatiteshin të kalonin me fitimtarët e Antantës, dhe kalimi kundër rrymës së këtij njeriu, me çfarëdo fuqi qoftë do të quhej mirëfilli marrëzi. Si mision shërbimet austriake u munduan ta lidhin me Ismail Qemalin, ish-pinjollin e dikurshëm që i ngarkuan në shpinë malin e madh të shtetbërjes. Qëllimi ishte, për të krijuar një qëndrim të ndryshëm nga ai vasal i Qeverisë së Durrësit, por brenda fitimtarëve të Antantës, fakt që në një pritje në Pallatin Perandorak ia bëjnë të ditur qartë. Nipi i tij, student ushtarak në Vjenë në këtë kohë e ka shoqëruar në Shënbrun, sqaron më pas: “Por Austriakët e kishin vënë re se dhe Ismail Beu që e kishin mbështetur dhe kishin aq shpresa, pas bisedës së organizuar nga ata me xhaxhain, mbajtën tjetër qëndrim. Vjena për Shqiptarët nuk binte kurrë edhe në këto ditë të fundit të Luftës, dhe ata diplomatë i kishin thënë xhaxhait se duhej pasur kujdes i madh nga fituesit e Luftës. Dhe, në qoftë se duhej mbështetur tek ndonjë tjetër fuqi, këto duhet të ishin larg dhe pa interesa tek ky vend. Ndryshe edhe ajo Shqipëri për të cilën u përpoq aq shumë Vjena, kur po shuhej vetë Perandoria e Vjetër, do të shkrihej brenda një dite.” (Kadri Cakrani “Lufta Ime” fq.23). Po ashtu edhe pjesëmarrja, ideja dhe informacioni që solli konsulli britanik Morton Fridrick Iden, nuk janë bërë asnjëherë të ditur, pra as edhe roli i tij, si dhe krerëve atdhetarë që u gjenden me këmbë në tokë në këtë rast dhe filluan nga puna:

Së pari, mënjanimi si përfaqësuese ndërkombëtare e trojeve shqiptare të Qeverisë së Durrësit.

Së dyti, Morton Fridrick Iden, që i shpëtoi për mrekulli një atentati në Veriun e Shqipërisë, nga shërbimet italiane dhe pasuesit e tyre me shumicë në vend, u bë dashur-padashur promotori i një lëvizjeje të befasishme që rritej me sekonda, jo orë dhe ditë.

Së treti, si në minutat e fundit të një ndeshjeje të pashpresë, krerët vendas për herë të parë e panë kapacitetin dhe forcën e tyre, ku i derdhën ato papushim për të kthyer rezultatin, në një kohë kur koha rendte duke garuar me ta.

Së katërti, kundërshtarët në Qeverinë e Durrësit vazhdonin të gjymtonin lëvizjen për t’i prerë vrullin, duke vrarë prefektin e Durrësit Abdyl Ypin, si kontaktuesi i Morton Fridrick Idenit dhe më energjiku i Shqipërisë së Mesme në revoltë.

Këtu e ka zanafillën ngutja e gjetjes së qytetit të Lushnjës si vendndodhje nyje, ku mund të grumbulloheshin pjesëmarrësit, por krejtësisht jashtë çdo strategjie mbrojtëse, si reliev fushor. Këtë në raport me dhjetëra mijëra trupa italiane që mund të vinin në ndihmë të garnizonit modest të qytetit, në çdo çast. Por si çdo situatë që ka edhe zgjidhjen e vet nga një person kyç, Kongresi e kalon traumën e parë, duke mbledhur një numër të konsiderueshëm luftëtarësh, mbrojtës të Kongresit të Ri, nga tre mijë të dislokuar në të katër anët e relievit fushë, mbi një mijë në krahun më të brishtë, ku rreziku nga qendra e ushtrisë italiane, në Vlorë ishte evident, dhe në Ardenicë e merr përsipër po Bektash Cakrani i ndihmuar nga vëllezërit Hajredin e Sulo Cakrani, i pari nënshkrues i Pavarësisë më 1912. Përveç sigurimit ushtarak të Kongresit, ardhjes me vonesë të delegatëve, problem paraqiste edhe përzgjedhja e ekzekutivit të ri, në një kohë kur trysnia fitimtare italiane ndihej edhe në ajër. Aqif pashë Elbasani, ky kreu dominant e më i vjetër i Kongresit, ish-kundërshtari i Bektash bej Cakranit qysh pas Pavarësisë, por arrin të bëjë një marrëveshje mjaft të rëndësishme me këtë të fundit, për sa i përket zgjedhjes së qeverisë së re, që kreu i saj të mos ishte pjesëmarrës nga Qeveria e Vlorës dhe as e Durrësit, madje dhe asnjë qeverie në Shqipëri. Kjo zgjidhje e tipit “nyjë gordiane” ishte katërcipërisht e nevojshme për krijimin e një natyre të pavarur ekzekutivi, krahasuar nga kandidatët e mbështetur nga secili klan, por që mund të sillnin të papritura, arsye kjo që u përzgjodh Sulejman Delvina, zyrtar ministrie e profesor liceu në Stamboll. Ai e pranoi detyrën, por rrezikut të jashtëm e atij të brendshëm të Qeverisë së Durrësit, i shtohej ai i mungesës së ushtrisë, pasi ajo mbrojtëse ishte me pagesë dhe ruajtjes së rendit. Pikë e dytë mosmarrveshjeje ishte ajo me Aqif Pashën, mbi pjesëmarrjen e delegatëve të Vlorës, pasi ajo ishte nën juridiksionit italian dhe mund të pushkatoheshin si pjesëmarrës në një grusht shteti, pa përllogaritur se mund të sulmohej Kongresi dhe dështimi me humbje të mëdha ishte i sigurt. Këtë e mori përsipër si përfaqësues i Vlorës, sa të mbërrinin, në qoftë se do të mbërrinin delegatët e saj, vetë Bektash bej Cakrani, duke debatuar me drejtuesin e Kongresit:

“Të shohim ndonjë methodhë tjatër mos ndes se kjo që ke marrë ti përsipër. Se të përfaqësoç vlonjatë sotë, ikën llafi dhe nukë mund të bëjmë këtej luftë e andej kuvëndë më një vënd, sikur s’e di dhe kohnë e ligë që n’a është shtruar më sofër!

– Kush do vejë t’u thotë, ti Aqif Pashë? Pa unë nukë e bëj për vlonjatë Pasha, se në ardhçin nuk e di fare kë do cakëtojnë, po për Vlorën e asaj ditë që përmëndet! E qysh thua, që ’a lëmë më thonjtë e italianëvet se mos na vijnë ata këtu e pastaj t’u themi atyrej se nuk e dijim që do vinit, vjen erë kjo Pasha! Ti u je bërë strehë më ç’do kohë atyrej, lere nashti se e mbaj unë përgjegjësinë! Dhe po ngjau ndonjë hata e s’keni përfaqësonjës më kaza t’onë, bëni si të bëni me këta që keni, por po e lamë sotë, e kemi qarë nesër Vlorë e Kaza Pasha!” (Kujtimet e një firmëtari” Onufri, Tiranë 2019, fq.358).

Po aty u konsultua me kolegun e tij ish-ministër të Qeverisë Vlora, Abdi bej Toptanin dhe Aqif pashë Elbasanin, nga të cilët vetëm i pari e mbështeti Bektash bej Cakrani ku u vendos me dy vota ndaj një, në këtë rreth të ngushtë, për të vendosur si ministër të Brendshëm Ahmet Zogollin 24 vjeçar, komandant i një detashmenti mbrojtës prej 100 trupash nga Mati për Kongresin. Kjo edhe për arsyen, se ndaj rrezikut potencial Esat pashë, duhet të dilte përballë, ose një njeri shumë më i fuqishëm ushtarakisht, ose një njeri i afërt i tij. Këtë të dytën zbatoi si strategji, e cila rezultoi një sukses i vërtetë në kohën më delikate. Shfaqet mjaft interesant debati mes dy vëllezërve Cakrani, për vendosjen e tij ministër:

Këtë herë për të ruajtur vendë, si ministër të Brëndshëm do vëmë atë djalnë e gjallë matjan, Amet Benë, pa le të më viret kondra njeri e të thotë se është çilimi nga ata më këtë kohë të ligë!

 -Që të vësh dhe çilimiqër më qeveri nuk është parë e dëgjuarë!

-E para më tha, s’është çilimi dhe e dyta, po dhe në e ka shkuarë kaqë hollë nëpër mënd, ti mos u sëkëlldis se atë ministri do marrë të ruaj vëndë! Dhe në i daltë para ai që ti mejton (Esad pasha-red), le të vriten ungj e nip, se boll jemi vrarë e bërë copë nevej!

(Kujtimet e një firmëtari” Onufri, Tiranë 2019, fq.365)

Përshkrimet e kësaj ngjarjeje i vazhdon nipi i këtij personazhi kaq të rëndësishëm;

Se si do i bënte këto vepëra xhigande Bektash Beu, e dinte Ai dhe Austriakët, që ishte e thënë ta donin Shqipërinë që krijuan, më shumë se ne që e banuam! Por xhaxhaji që nuk lodhet kurrë për kombin, filloji herë me ngadalë, e herë me vrull, dhe nuk pushoji duke gjetur dhe mbushur mendjen çdo patrioti me peshë, deri sa ia arriti me sukses të madh pas një viti që e shpëtuan më në fund Shqipërinë në Kongresin e Lushnjes. Kjo shpjegon atë që aq fort luftoji Bektash Beu në Kongres, sa pruri me gjithë t’im atë e vëllezërit qindra e qindra vetë me pushkë për ta mbrojtur atë, si i mbushi mëndjen Kaso Fugës për shtëpinë t’ja linte Kongresit në mes të italianëvet, sado që kish martuar motrën në Fugaj, si e pajisi pastaj, duke i blerë çdo gjë që duhej, si iu dha poste të tjerëve të mos prishnin punë, dhe vetë nuk mbajti asnjë, si i mënjanoi të gjithë që mund të bënin pazare, si e zgjodhi vetë Qeverinë e Sulejman Bej Delvinës, të mos e drejtonte njeri brënda Shqipërisë me këtë e atë huq, si pikën më të dobët, mbrojtjen ja dha Amet Zogollit, që ishte 20 vjeç, vetëm të hiqte qafe njerëzit e Esadit, si këmbënguli për të mos vajtur Qeveria e Re në Elbasan tek Aqif Pasha, si bindi Sulejman Beun për të vajtur në Tiranë, se Durrësi ishte larg, si i mblodhi delegatët bashkë në Çermë dhe nuk i lejoi që të iknin, se nuk i dihej se ç’mund të bënin sa të vendosej Qeveria, e sa të tjera që duheshin zgjidhur, dhe brënda ditës. Ndryshe ajo Shqipëri, sot do të mbetej vetëm një kujtim.” (Kadri Cakrani “Lufta Ime” fq.23)

Nga të gjithë u aprovua se pika më delikate dhe më e diskutueshme ishte zgjedhja e qeverisë së Kongresit, dhe si e tillë përgjegjësi madhore iu la Bektash bej Cakranit; Delegati i Mallakastrës, Z. Bektash Cakrani, propozon në kabinetin qeveritar zotrinjtë: Sulejman Delvina, Iliaz Virjoni, Amet Zogolli, Sotir Peci, Ndoc Çoba, Mehmet Konica. Z. Iliaz Virjoni për shkaqe të veçanta nuk pranoi: U propozua Z. Hoxha Kadria, i cili u pranua. Votimi u bë çeltazi (fjalë në dokumentin origjinal). U bë betimi i delegatëve dhe i Këshillit të Naltë. U zgjodh kabineti: Kryeministër Z. Sulejman Bej Delvina, Zëvendës Z. Eshref Bej Frashëri Ministër i P. Mbrendshme Z. Ahmet Bej Zogolli, Ministër i P. të Jashtme Z. Mehmet Bej Konica, Ministër i Arsimit Z. Sotir Peci, Ministër i Drejtësisë Z. Hoxha Kadria, Zëvëndës Z. Hysen Bej Vrijoni, Ministër Finance Z. Ndoc Çoba, Zëvëndës Z. Idhomen Kosturi” (AQSH, Dosja “Kongresi i Lushnjës)

Ky patriot çuditërisht i panjohur, edhe për caktimin e kryeqytetit Tiranën dhe rezidencën e Qeverisë së Kongresit anashkaloi dhe kreun e tij, Aqif pashë Elbasanin:

“Kështu që jemi lloisurë për tutje më Tiranë, se më Durrës nukë mundemi dotë jetë e mot nga që janë ata të Esat Pashës! Më Elbasan nuk vëmë Aqif Pashën më zeval, se kur s’ka, s’ka as Perëndija, pa më Tiranë i vari të tërë vetë dhe është rehat nashti që nuk është dhe ai.” (Kujtimet e një firmëtari” Onufri, Tiranë 2019, fq.296)

Do të ishte e pavend dhe tendencioze ndaj së vërtetës historike, në qoftë se nuk por të përmendnim epilogun e Kongresit Kombëtar të Lushnjës, atë të kalimit të Qeverisë së Re, për në kryeqytetin e ri, Tiranë. Tashmë stafeta i kalonte ministrit të Brendshëm, që me besim të plotë në misionin e tij, që do t’i hapte një karrierë jo të vogël mbretit të ardhshëm të Shqipërisë. Mes peripecive që mund t’i kushtonin jetët, vetë ekzistencës së Kongresit dhe të shtetit shqiptar inekzistent në këtë kohë kritike, arriti të depërtonte në destinacion, si rruga e vetme që do të rikrijonte Shqipërinë. Dëshmitë janë nga më interesantet për këtë pjesë fare të pandriçuar enkas:

“Këtë radhë j’u kish dalë kumandanti i garnizonit italian për t’u thënë, ndal, po Amet Beu ishte më të tijën! Puna vajti gjer aty sa ai do jepte urdhër për të qëlluar, po Amet Beu nuk e luajti qerpiknë dhe tha:

-Nashti në vënd’ të plasë batareja e u bë hazër, kur të tërë kishin ngrirë! Gjithë-gjithë me aqë ushtëri, topa, mitrolozë që kishin italiantë, pa bërë hesap vëndë që kishin bërë istikam e të shih si në pëllëmbë të dorës ku që andej të fshinin atças, mund të bëhej a jo, kiameti dy sahat luftë. Nuk kishte Perëndi jo Amet Bej që t’a kapëtonte dotë këtë pengesë. Ndaj ky i dha karar duket dhe kërkoi që të llafoseshin pa ndezur dyfek në mes të një urë e vogël prej druje aty, andej italiani, këtej Amet Beu, po vetëm këta! Si i la dyfek e kobure ky dhe italiani i pa të tëra, a të mos të turpërohej, a u ngroh nga mitrolostë prapa tijë, nisi udhënë dhe ai mbi urë vetëm që të piqejë kështu me Amet Benë. S’tokën duartë mirë, kur fap Amet Beu e mbërtheu oficernë për fyti atças! Se nga nxjerr një kamë, që sa hap e mbyll sytë j’a vë më grykë italianit që e kish këthyer nashti nga të tijtë. Matjantë ishnin hazër po ky as i kish thënë njeriu gjë, se i erdhi atças në mënd duket dhe këta mund t’i kishin vrarë të dy. Nga ana tjatër ulërima e oficerit, jo nga Amet Beu duket po nga të tijtë që desh hapnë zjarr atças, bërrit ata e bërrit ai bëri që pas një copë here, se ky nuk e çonte, të dilnin nga istikami. Ai ishte bërë meit dhe Amet Beu e sqaroi se s’kish punë me ushtërinë italiane që mbante anën e atyre të Durrësit, ndaj si ushtëri të rrijë atjë ku e kanë vëndë, kështu ai u bind.” (Kujtimet e një firmëtari” Onufri, Tiranë 2019).

Të 37 delegatët krijuan kështu Parlamentin e Parë Shqiptar, organin më të lartë që vitytet e tyre si krijues dhe veset e pjesëtarëve të sotëm të tij e vendosin atë si pushtet i sovranit në shtetin shqiptar, vite drite larg njëri-tjetrit. Prandaj ata tinëzisht nuk e “njohin” Kongresin Kombëtar të Lushnjës, si festë kombëtare, që është vetë ekzistenca e Shqipërisë, asaj Shqipërie që trashëgojnë dhe e grabisin me aq dëshirë sot.