Jovan Bizhyti: Vajza nga Krutja e Myzeqesë, sfidoi mentalitetin e kohës

1387
Sigal

Liri Gjermeni, që në vitin 1957 u bë inisiatore dhe për aktivizimin e vajzave të Krutjes në volejboll

Vajza e fisit Gjermeni nga Krutja e Myzeqesë, që sfidoi mentalitetin e kohës

Në vitet 1950-60 të shekullit të kaluar

Jovan Bizhyti

 

Dekadat e para të pasçlirimit, si në gjithë vendin edhe në Myzeqe, sollën një erë të re zhvillimi e mentaliteti në punën e në jetën e njerëzve. E kaluara e shtypjes dhe e mjerimit, kishin lënë pas gjurmë të thella në jetën e myzeqarit, ndaj ai bashkë me lirinë që solli lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare, iu përvesh punës për transformimin rrënjësor të bujqësisë e blegtorisë, si dhe emancipimin e mëtejshëm të jetës shoqërore. Krutja e Myzeqesë së Lushnjes me fshatrat për rreth, u shquan që në hapat e para në përqafimin e reformave që ndërmori shteti i ri komunist, duke u bërë shembull në emancipimin shoqërorë, veçanërisht të grave e vajzave, si dhe në arritjet e një bujqësie të përparuar e moderne. Bashkë me zhvillimin ekonomik, në Krutje lindën dhe shkëndijat e para të emancipimit të grave e vajzave, të cilat nga prapambetja dhe paragjykimet konservatore të së kaluarës, që e mbanin të shtypur e të mbyllur gruan vetëm për punët e shtëpisë, përqafuan lirinë e jetës në punët e përbashkëta me burrin, si dhe arsimimin, e zhvillimin e jetës kulturore e sociale. Në vitet 50-60 të shekullit të kaluar, u bënë shembull në aspekte të ndryshme të punës e të jetës shumë gra e vajza nga Krutja si, Lefteri Shani, rekordmene në mbledhjen e pambukut, Gjena Davidhi, bilbili i këngës myzeqare, që shquhej si në Krutje dhe në shkallë rrethi, Aneta Gjermeni dhe Athina Vogli si aktore të shquara në Estradën Profesioniste të Lushnjes, ashtu dhe vajzat sportiste të volejbollit të Krutjes, që kanë bërë emër jo vetëm në Myzeqe, por dhe në kampionatet kombëtare të vendit. Njëra ndër këto vajza që sfidoi mentalitetin e asaj kohe, ishte dhe e reja Liri Gjermeni, që u bë shembull i gjallë në të gjitha aktivitetet e veprimtaritë e punës dhe ato shoqërore, duke u shquar dhe si aktiviste e rinisë në fshat. Ajo që në moshë të re, kërkoi të punonte në blegtori si sektor i prapambetur në hapat e para dhe që duhej nxjerr nga ajo prapambetje. Krutja ishte nga kooperativat e para bujqësore në Myzeqe e në shkallë vendi dhe si e tillë, rinia e atyre viteve u angazhua për ta bërë atë një shembull e shkollë të vërtetë zhvillimi të bujqësisë, blegtorisë, të arsimit dhe kulturës, si dhe të gjithë jetës shoqërore. Ndaj dhe e reja Liri Gjermeni, zgjodhi sektorin e blegtorisë, kryesisht të lopëve, për trajtimin shkencor të tyre dhe për rritjen e rendimentit të prodhimit të qumështit. Dhe grupi i lopëve që ajo mbarështonte së bashku me shoqet e saj, eci përpara nga dita në ditë si në përmirësimin e shërbimit dhe sidomos në rritjen e rendimentit, ku nga 1000-1500 litra qumësht për lopë që merrej fillimisht në vit, u arrit deri në 3500-4500 litra për lopë. Vite më pas, kur u fut raca laramane holandeze, rendimentet u dyfishuan në 5000-6000 litra për krerë në vit, bile dhe më tej. Liri Gjermeni u shqua me punën e shembullin e saj, duke arritur deri dhe brigadiere e këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë, ku pati mbështetjen dhe kontributin shkencor dhe të veterinerit të shquar, Viktor Puka.

 

Ishte viti 1958

Ishte viti 1958 kur ajo krahas punës, nisi dhe shkollën e mesme që sapo u ngritë në fshatin e Krutjes. E reja Liri Gjermeni, që në vitin 1957 u bë nismëtare dhe për aktivizimin e vajzave të Krutjes e fshatrave për rreth në aktivitete sportive, kryesisht të volejbollit. Ishin një grup shoqesh, Liria e para dhe të tjera pas saj si: Aneta Gjermeni, Lenka Davidhi, Olimbi Gjermeni, Gjena Llupo e tjera, ku midis tyre ishin dhe mësuese dhe kooperativiste, që ngritën të parën skuadër volejbolli me vajza, e cila vite më pas arriti të përfaqësonte edhe qytetin e Lushnjes që nuk kishte ende ekip vajzash në këtë sport. Fillimisht ngarkuan njërën nga shoqet lojtare që të bënte dhe detyrën e trajnerit, më pas erdhi një trajner nga Lushnja, Faik Dervishi, pastaj këtë detyrë e mori përsipër mësuesi i fizkulturës nga Krutja, Viktor Gjermeni dhe prej vitesh e drejtoi dhe e konsolidoi më tej mjeshtri i pasionuar që e çoi në nivele më të larta, i mirënjohuri Llazar Llupo. Pas këtyre vajzave që u bënë shkëndija e parë në këtë aktivitet, skuadra e volejbollit të vajzave të Krutjes në vazhdimësi të brezave më pas, ka përfaqësuar me dinjitet këtë lloje sporti në rrethin e Lushnjes në kampionatet kombëtare të volejbollit, duke konkurruar me sukses përballë ekipeve të vajzave të qyteteve me tradita si: me Tiranën, Korçën, Vlorën, Shkodrën, Durrësin e tjera. Në dhjetëvjeçarin e viteve 90-të, vajzat volejbolliste të Krutjes dolën 4 herë kampione të Shqipërisë, 2 herë kampione të kupës së Republikës dhe një herë pjesëmarrëse në kupat e Evropës në ligën e kampioneve të volejbollit. Liria, që sot përjeton moshën e pensionit, kujton me nostalgji ato vite të para plotë entuziazëm rinorë, ku midis të tjerave kujton:

-Ishin ende në opinion paragjykimet e vjetra, ku vajza nuk dilte nga pragu i shtëpisë e jo më të luante sportin e volejbollit! Dhe jo vetëm kjo, por duhej dhe të zhvishej me kostum sportiv! Ishte absurde ta mendoje në vitet 56-57, që vajza të dilte në fushën e sportit me kilota të shkurtra! Ishte kuriozitet i madh nga të pranishmit, veçanërisht të moshuarit iknin nga fusha me kokën ulur. Në një rast, gjyshi i një vajze kur e pa mbesën të veshur me kilota, u fut dhunshëm në mes të ndeshjes dhe e qëlloi mbesën me bastun dhe e tërhoqi zvarrë prej dore për në shtëpi!Në vitet 60-të, rreth dy dekada mbas çlirimit, ndodhën ndryshime të dukshme jo vetëm në zhvillimin ekonomik të vendit, veçanërisht bujqësia e blegtoria arritën një shkallë më të lartë zhvillimi, por dhe mentaliteti i njerëzve dhe mënyra e jetesës në familje e në shoqëri arritën përparime të dukshme. Sidomos emancipimi i grave dhe vajzave në Myzeqe arriti një ndryshim parësor, ku gruaja mori përsipër dhe një detyrë të madhe e të rëndësishme me punët e bujqësisë e blegtorisë, duke mbushur kudo fushat e kodrat me gra e vajza që punonin në brigada, po ashtu ky masivitet u shtri dhe në arsim, kulturë, në sport, e kudo në jetën e vendit.

 

Vullnetare

 

Liri Gjermeni në vitin 1966 me një grup prej 20 vajzash e grash nga Myzeqeja, shkuan vullnetare për dy muaj në rrethet veriore të vendit dhe konkretisht në rrethin malor të Pukës, për të ndihmuar në përfshirjen e grave dhe vajzave në punët e përditshme bujqësore, në përmirësimin e mënyrës së jetesës në familje dhe në luftën kundër zakoneve prapanike që pengonin aktivizimin e femrave në jetën shoqërore. Liria, me dy shoqe të tjera, Leme Çela nga Krutja dhe Naile Hoxha nga Çerma e Lushnjes, shkuan ato dy muaj në Iballë, një zonë e thellë e Pukës. Shoqet e tjera nga Gorreja, Këmishtaj, Divjaka e tjera shkuan në zona të tjera të Pukës.

-Jetuam ato dy muaj midis familjeve bujare dhe shumë mikpritëse të Iballës,- kujton Liria. Aty konstatuam shumë probleme, ku gratë e vajzat nuk dilnin në punët e bujqësisë. Ato merreshin kryesisht me punët në familje dhe rritjen e fëmijëve, ku shpesh vajzat nuk i lejonin të shkonin as në shkollë. Në shumë raste i fejonin që në moshën fëminore dhe martesat bëheshin në moshat 13, 14 e 15 vjeçare. Po ashtu, në gjithë rrethin e Pukës ishte problem ngarkesa e grave e vajzave me barrën e druve dhe të ushqimit të bagëtisë nga lartësitë e bjeshkëve si kafshë ngarkese. Bile në jo pak raste, burri shkonte përpara me duar në xhepa dhe gruaja vinte pas e ngarkuar me dru e dushqe për bagëtitë. Sigurisht, vullnetaret e ardhura nga Myzeqeja punuan me shumë familje, me shumë gra e vajza për të luftuar këto zakone të vjetra konservatore, duke punuar bashkë me to në arë në punët e bujqësisë së bashku dhe me burrat. Ato kohë u rritë dukshëm pjesëmarrja në punë e grave dhe vajzave, që tregonte se me njerëzit duhet punuar, duhet dhënë dhe shembulli, siç thotë një shprehje, “Bëje mirë, dhe hajde ta bëjmë së bashku”. Pikërisht, këto shoqe e motra myzeqare nuk erdhën me “shkopin magjik” për të zgjidhur hallet dhe problemet që kishte ajo zonë e vështirë malore, por ato sollën shembullin e tyre, duke u thënë për çdo gjë, hajde ta bëjmë së bashku. Së bashku për të dal çdo ditë në punë, së bashku për rregullimin e mënyrës së jetesës në familje, për mënyrën e gatimit dhe ushqyerjen me sa më shumë perime, së bashku për t’iu kundërvënë dhe zakoneve e paragjykimeve të vjetra, duke përdorur kryesisht kafshët e punës në vend të ngarkesës së grave e vajzave me dru e bazë ushqimore të bagëtive e tjera. Liria kujton kur një burrë jo shumë i vjetër i tha:

-A je e martuar?

-Jo,- i thashë,- jam e fejuar.

-Po si të lejoi ai burrë të ikësh nga shtëpia e të vish kaq larg deri në Iballë?

-Ç’të keqe ka,- i thashë,- si unë dhe burri angazhohemi secili në detyrat e veta. Unë mora përsipër të ndihmoj motrat dhe shoqet këtu në Iballë të Pukës. Jemi këtu në rrethin tuaj 20 gra e vajza nga Myzeqeja, disa nga ne janë të martuara, kanë lënë pas dhe fëmijë, që kujdeset burri. Ai buzëqeshi dhe tundi kokën!Vajza e gjermenëve të Krutjes, me shembullin e saj u bë një figurë e nderuar edhe përtej në fshatrat e tjera të zonës së Myzeqesë. Partia ato kohë e propozoi kandidate për deputete në Kuvendin Popullor për zonën elektorale 111 në Krutje të rrethit të Lushnjes. Dhe elektorati e zgjodhi atë deputete, detyrë të cilën e kreu me nder për 4 vite deri në 1966. Në kohën që ishte deputete, ajo punonte si brigadiere në blegtori, pra, këtë detyrë të lartë Liria e kryente pa shkëputje nga puna. Si deputete shpërblehej vetëm me 1000 lek në muaj, ndërsa rrogën bazë e merrte nga puna në blegtori. Punën si deputete e kryente pa asnjë privilegj, s’kishte as makinë, as telefon, as zyrë e sekretare dhe asnjë lloj përfitimi tjetër. Krahasuar me sot, ndryshimi është si nata me ditën!Gjatë mandatit si deputete, ajo takohej shpesh me elektoratin, megjithëse midis tyre ishte në punët e përditshme, mundohej t’u zgjidhte dhe nevojat e problemet që kishin. Po ashtu gjatë mandatit luftonte për të siguruar dhe investime për objekte të ndryshme ekonomike dhe social-kulturore. Gjatë atyre viteve u ndërtua në Krutje godina e shkollës së mesme, pallati i kulturës, me një arkitekturë të bukur dhe shumë funksionale, me skenë të madhe teatri e koncertesh dhe një sallë me rreth 350 vende pajisur me orenditë përkatëse. U ngritën dhe objekte të tjera sociale, si çerdhe e kopshte. Po ashtu u ngritë dhe një terren i përshtatshëm sportiv për ndeshje volejbolli, ku vite më vonë u ndërtua dhe një mini pallat sporti me kushte të përshtatshme për stërvitje dhe ndeshje me ambientet e nevojshme. Gjatë viteve që ushtronte mandatin e deputetes, Liri Gjermeni vazhdoi si studente e rregullt dhe Institutin 2 vjeçar bujqësor në Kamëz në degën ekonomi agrare. Kjo ishte vajza e familjes së madhe Gjermeni të Krutjes, një familje me tradita dhe me aktivitet patriotik, veçanërisht gjatë luftës Nac.Çl. Babai i saj, Lili Gjermeni u zgjodh kryetar i parë i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar të fshatit, ndërsa dy xhaxhallarët, Rako dhe Andon Gjermeni, ishin ndër partizanët e parë të Çetës së Myzeqesë, të batalionit dhe të Grupit partizan, më pas u inkuadruan në brigadat sulmuese partizane. Ata morën pjesë në të gjitha betejat heroike të luftës gjatë Operacionit të Dimrit 1943-44 në malësitë e Sulovës e Tomorricës së Skraparit dhe deri në Opar të Korçës, ku Rako Gjermani u përfshi në Brigadën e I-rë Sulmuese me detyrën e Komandantit të Batalionit II të asaj brigade. Rako Gjermeni u plagos tre herë gjatë Luftës, plagën e tretë e mori në luftimet heroike për çlirimin e Tiranës, ku kompania e tretë e batalionit që ai drejtonte, zhvilloi luftime heroike për marrjen e Radio Tiranës, një nga aksionet e rëndësishme që dha sinjalin e çlirimit të Kryeqytetit, më 17 Nëntor 1944 dhe disa ditë më pas, në 29 Nëntor 1944 çlirimin e gjithë Shqipërisë. Pas mbarimit të Luftës, ky oficer trim i ushtrisë partizane, mbaroi studimet ushtarake në ish-BS dhe shërbeu gjithë jetën në detyra të larta në ushtri, deri me gradën madhore Kolonel. Dhe s’ka si të ishte ndryshe, që dhe vajza e kësaj familje patriote e Myzeqesë, Liri Gjermeni, ka dhënë kontributin e saj për zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit, duke lënë pas një emër të nderuar dhe të respektuar ndër breza.