Jovan Bizhyti: Lushnja, LANÇ dhe patriotët e Myzeqesë

1738
Sigal

Lushnja është nga qytetet e reja të vendit, me një histori qytetërimi rreth 150 vjeçare. Por si vendbanim, ka ekzistuar shumë herët, nga të dhënat njihet që nga shekulli XV me toponimin “Lusnie”. Regjistrimi nga defterët e lashtë osman, i bërë në vitin 1431, tregon se krahina e Myzeqesë kishte 33 fshatra, kurse “Lusnia” ishte katund i vogël me 15 shtëpi dhe me rreth 100 banorë. Në vitin 1679, ky vendbanim kishte 17 hane ku pushonin karvanët e udhëtarëve dhe rreth 150 banorë. Në këtë kohë ishte Karbunara si qendër e Nahijes së Myzeqesë. Në vitin 1744, “Lusnia” ishte ende katund me 57 shtëpi dhe me rreth 500 banorë.

Manastiret e Myzeqesë

Në vitin 1830, njihet me emrin Lushnje dhe citohet për herë të parë në fjalorin enciklopedik evropian. Aty thuhet se Lushnja ka 200 shtëpi dhe është e banuar nga të krishterë e myslimanë që përbënin mbi 1300 banorë. Në vitin 1848 erdhi në Lushnje poeti dhe piktori i njohur anglez Eduard Lear, që qëndroi disa orë dhe fjeti një natë në Manastirin e Ardenicës në 17 tetor 1848. Lushnjen ai e përshkruan si një katund me hane për udhëtarët, ndërsa për Manastirin e Ardenicës dhe për peizazhin që e rrethonte, ai shkruan: “Qe e vërtetë, që prej andej dukej e gjithë bota. Të zotët e vendit, kryeprifti me klerikë të tjerë, e pritën mikun përzemërsisht, duke i shtruar një darkë parajsë”. Prej aty ai shkoi për vizitë në Manastirin e Shën Kozmait në Kolkondas, ku dhe për këtë shkruan: “Një shkollë ngrihet afër kishës, aty qëndrojnë 30-40 fëmijë në një rashe dhe mësonin lexim, ose këndonin me zë të ulët”. Bëhet fjalë për një shkollë në gjuhën greke hapur pranë këtij manastiri në vitin 1817, me porosi të Ali Pashë Tepelenës. Pastaj piktori anglez shkoi në Apoloni. (Këto të dhëna cituar nga libri i A. Karagjozit për Eduard Lear, botim i vitit 1997). Pra në Myzeqe, që nga fillimet e shekullit XIX e në vazhdim, po zgjohej ndërgjegja për liri e dituri, ku ekzistonin tre shkolla pranë manastireve të kësaj treve, në Manastirin e Ardenicës, të Kolkondasit dhe në Manastirin e Apolonisë (Pojani i Fierit). Në vitin 1835, Myzeqeja u bë e njohur me lëvizjen patriotike antiosmane kundër pushtuesve, për mos pagimin e taksave dhe në vitin 1840, kjo lëvizje përfshiu 22 çifliqe të zonës së Karatoprakut në bregdet, të udhëhequr nga pleqësia e kësaj zone, për mospagimin e taksave, duke rrahur dhe taksidarët e pushtetit osman. Në vitin 1870, Lushnja u njoh nga qeveria osmane si qendër administrative e Myzeqesë, ku këtë rrol më parë e ka pasur katundaria e Karbunarës, një fshat i hershëm në afërsi dhe me pozicion në jug të Lushnjes. Veç shkollave pranë manastireve, në vitin 1860 u hap dhe në Lushnje një shkollë e parë në gjuhën greke pranë kishës së Shën e Premtes. Mësuesit e parë ishin Ndini dhe Gori Ziu, babë e bir nga fshati Gorre. Ndërsa në vitin 1870 u hap shkolla Mejtepe (shkollë fillore fetare osmane). Në vitin 1878 erdhi në Lushnje dhe në Myzeqe organizatori i Lidhjes së Prizrenit, Abdyl Frashëri, i cili hodhi idenë e krijimit të nën/degëve të Lidhjes dhe krijimit të çetave të para me luftëtarë patriotë. Kështu në Myzeqe u ngritën 4 çeta me patriotë vullnetarë, Çeta e Karatoprakut e drejtuar nga Ikonom Kozma Dhima, Çeta e Bubullimë-Ngurrëz drejtuar nga Jashar Blezencka, Llazar Bozo dhe Hajdar Ngurrëza, Çeta e Krutje-Fiersheganit e drejtuar nga Lam Shtëmbari dhe Pal Kadillari dhe Çeta e Karbunarës e drejtuar nga Taulla Sinani. Në vitin 1890 si shumë qytete në Shqipëri, edhe qytetaria e Lushnjes mori një zhvillim të dukshëm me 280 shtëpi dhe rreth 1600 banorë me besime fetare të përziera, të krishterë dhe myslimanë, megjithëse treva e Myzeqesë deri nga fundi i shekullit XIX dominohej nga besimi i krishterë ortodoks. Duke përshkruar përbërjen e popullsisë të trevës së Myzeqesë, konsulli austro-hungarez, Dr. Ranzi në vitin 1902, i shkruan ministrit të tij të jashtëm në Vjenë se: “ Perëndimi i Myzeqesë është krejtësisht i krishterë”. (Arkiva e Institutit të Historisë, dokumenti 53, datë 18.08.1902).

Në vitin 1893, administrata e pushtetit osman, ndërtoi një godinë për pushtetin vendor e xhandarmerinë, dhe kështu nisi të marrë jetë ky qytet i vogël myzeqarë.

Në vitin 1907, në Lushnje u tentua të hapej për herë të parë një shkollë shqipe me 26 nxënës në hanin e patriotit Nebi Sefa, një nga përfaqësuesit e Myzeqesë si firmëtarë i Pavarësisë së Shqipërisë në 1912 në Vlorë. Por kjo shkollë u mbyll me dhunë nga nën/prefekti i asaj kohe, Eman Naili, me origjinë armene, ku arrestoi dhe dy vëllezërit, Nebi dhe Abaz Sefa, duke i internuar në burgun e Janinës.

Në 27 nëntor 1912, një ditë para shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, paria e patriotëve myzeqarë në qytetin e vogël të Lushnjes, ngritën flamurin shqiptar të pavarësisë dhe nisën për në qytetin e Vlorës dy përfaqësuesit delegatë të Myzeqesë, Firmëtarët e Pavarësisë, Nebi Sefa dhe Qemal Bej Karaosmani, që iu bashkuan gjithë patriotëve të krahinave mbarë shqiptare. Në 28 nëntor 1912, në qytetin historik të Vlorës u ngritë flamuri i Pavarësisë Kombëtare dhe u krijua Qeveria e Parë Provizore Shqiptare me në krye burrin e madh të Kombit, Ismail Qemal Vlora. Në atë kohë në Lushnje ishte nën/prefekt, Emin Vokopola deri në vitin 1913 dhe më pas Qeveria e Ismail Qemalit emëroi nën/prefekt, Qazim Kokoshin.

Kongresi i Lushnjes dhe ai Kombëtar i Arsimit Shqiptar

 

Ishte janari i vitit 1920, kur një Komision iniciator i drejtuar nga Kryebashkiaku i Lushnjes, Besim Nuri, dhe në përbërje patriotë myzeqarë e të tjerë si, vëllezërit Jakov e Llazar Bozo, Sheh Ibrahim Karbunara, Eshref Frashëri, Ferit Vokopola, Taulla Sinani, Nebi Sefa, Zija Mullai, Andrea Papai e të tjerë, të cilët përgatitën thirrjen e Kongresit Historik të Lushnjes. Ky Kongres, që mblodhi, në 20 janar 1920 përfaqësues nga të gjitha krahinat e vendit, i tha ndal copëtimit të Shqipërisë dhe zgjodhi qeverinë legjitime shqiptare, pas asaj të Ismail Qemalit në Vlorë, me Kryeministër Sulejman Delvinën dhe kabinetin e tij ministror. Tetë muaj më vonë, në 15 gusht 1920, po në Lushnje u mblodh dhe Kongresi Kombëtar i Arsimit Shqiptar, që kurorëzoi kërkesën e lëvizjes shqiptare për dituri e arsim kombëtar. Në këtë Kongres arsimor u trajtuan probleme të strukturës dhe përmbajtjes së shkollës shqipe, duke përcaktuar fizionominë dhe frymën kombëtare të arsimit në shtetin e pavarur shqiptar. Për herë të parë u vendos dhe detyrimi për arsimin fillor, pasi në Shqipëri dominonte në masë analfabetizmi. Midis figurave kombëtare të arsimit shqiptar si, Aleksandër Xhuvani, Ahmet Gashi, Thoma Papapano e të tjerë, ishin dhe mësuesit e shquar myzeqarë, Anastas Laska nga Vanari, Naun Doko (Prifti) nga Libofsha, Theodhor dhe Aleko Rista nga Bubullima e të tjerë. Nga ajo kohë deri në vitin 1927, kur në Lushnje ishte nën/prefekt Shefqet Dibra, në nën/prefekturën e Lushnjes kishin kaluar mandatet 9 nën/prefektë. Në këtë periudhë u ndërtua dhe godina e re e nën/prefekturës.

Popullsia e Myzeqesë së Lushnjes

 

Regjistrimi i parë zyrtar i popullsisë së qytetit dhe gjithë Myzeqesë së Lushnjes, u bë në vitin 1922, duke përfshirë dhe komunën e Libofshës që ishte pjesë e nën/prefekturës së Lushnjes. Nga ky regjistrim, Myzeqeja e Lushnjes kishte 28348 banorë, ndërsa qyteti i Lushnjes kishte 1678 banorë. Kjo nën/prefekturë kishte gjithsej 134 fshatra të ndara në 3 katundari:

-Katundaria e qendrës rreth qytetit me 70 fshatra.

-Katundaria e Libofshës me 40 fshatra.

-Katundaria e Bubullimës me 24 fshatra.

Në regjistrimin e vitit 1938, popullsia e Myzeqesë së Lushnjes arriti në 46420 banorë, me një shtesë prej rreth 18000 banorë, krahasuar me regjistrimin e vitit 1922. Në vitet 1824-1940, në gjithë territorin e Myzeqesë erdhën rreth 500 familje kosovare, që u vendosën në 30 fshatra të Myzeqesë së Lushnjes dhe të Fierit. Gjatë viteve 1940-44 të Luftës Antifashiste Nac.Çl. në Myzeqe erdhën dhe shumë familje Çame, të dëbuara me dhunë nga trojet e tyre nga genocidi grek. Po ashtu në Myzeqe kishte dhe shumë familje Vllehësh, ardhur herët nga fundi i shekullit XVIII e fillimet e shekullit XIX, nga territoret jug-lindore të vendit, nga Voskopoja, Grabova, Llënga, Frashëri e tjera, pas shkatërrimit që pësoi qytetërimi i atyre krahinave. Sipas regjistrimeve të viteve 1950, familjet vllahe janë vendosur në rreth 60 fshatra në gjithë Myzeqenë e Lushnjes dhe të Fierit, ku në këtë periudhë të gjatë kohore, janë asimiluar me popullsinë vendase myzeqare. Që nga fillimet e shekullit të 20, ekonominë bujqësore të Myzeqesë së Lushnjes, e zotëronin 63 çifliqe me rreth 250 pronarë tokash, 16 prej të cilëve, zotroni mbi 500 ha tokë seicili. Kishte gjithashtu 203 pronarë të mesëm, që zotronin 1812 ha tokë gjithsej dhe 31 kulte fetare me 133 ha tokë, ku Manastiri i Ardenicës, zinte vendin kryesor. Ndër pronarët më të mëdhenj të tokave në Myzeqenë e Lushnjes, përmenden Biçakllinjtë e Elbasanit, që kishin pronë 4 fshatrat e Çermës në anë të lumit Shkumbin, ishte Ahmet bej Resuli në Lushnje, që kishte në pronësi fshatrat Krutje e Poshtëme, Lifaj, Zhym, e Fierveiz bej. Ali Bej Këlcyra kishte çiflik fshatrat Rrupaj dhe Zhelizhan, familja Meçe kishte çiflik fshatin Fierseman e tjera. Prona të mëdha kishin dhe familjet e bejlerëve të Kurtëve në Ngurrëz, Xhindolët në Imësht, Eskaj, Kamçisht e tjera. Bazën kryesore të popullsisë në Myzeqe, e kanë përbërë popullsia fshatare autoktone vendase dhe vit pas viti, komunitetet e tjera të ardhura si, vlleh, kosovarë, çamë, e pas çlirimit të ardhur dhe nga krahina të ndryshme si, Skrapari, Gramshi, Librazhdi dhe nga zona të veriut, si dhe familje të dëbuara e të internuara, që pas përfundimit të dënimit, kanë mbetur në Myzeqe. Në qytetin e Lushnjes, krahas popullsisë vendase, në fillimet e shekullit të XIX-të, u vendosën dhe shumë familje vllehësh, kryesisht tregtarë e zejtarë të ardhur nga Voskopoja, Grabova e zona të tjera të asaj treve.

Në fillimet e shekullit XX, në vitin 1913 në qytetin e Lushnjes u hap e para shkollë shqipe, si dhe mori zhvillim tregtia e zejtaria, qendra e qytetit u mbush me dyqane e lokale shërbimi, ku një rrol të dorës së parë lozën familjet e vllehve me tradita tregtare, si familja grabovare e Bozove, një fis i gjerë që merreshin kryesisht me tregti si, vëllezërit Jakov e Llazar Bozo, Mihal Bozo, Bush Bozo, Vasil Bozo, Zoi Bozo, Koçodin Gogu, Ndre Papai, Kic Puka, Taq Spiro, ky i fundit ndërtoi hotelin e parë në Lushnje, që pas çlirimit u shtetëzua dhe mori emrin, “Hotel Myzeqeja”, ndërsa para çlirimit quhej, “Hoteli i Taq Spiros” (Kondakçiu) e tjerë.

Roli patriotik i këtyre familjeve të qytetarisë lushnjare, ka qenë i ndjeshëm në mobilizimin e popullit të Myzeqesë në Luftën Nac.Çl.

Qytetaria e këtyre familjeve dhe e shumë qytetarëve të tjerë lushnjarë, ndikoi jo vetëm në zhvillimin e tregtisë, zejtarisë, të arsimit e kulturës në qytetin e Lushnjes, por mjaft prej tyre u shquan dhe për kontributin patriotik, veçanërisht në Luftën partizane Nac.Çl., duke luftuar me armë për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë. Djemuria qytetare e Lushnjes, përqafoi që herët idetë patriotike të rezistencës kundër pushtuesve fashist, të cilat më pas u kthyen në një lëvizje të organizuar partizane. Në qytetarinë e Lushnjes u shquan shumë familje patriote si: familjet, Libohova, Haxhiu, Gina, Gogu, Dervishi, Rruli, Jano, Xhafa, Nuri, Nepravishta, Sefa, Ranxhi, Shtrepi, Bano, Bello, Pjetri, Tushe, Shandro, Dimashi, Llazo, Gjeçi, Durri, Prifti, Shyti, Sinjari, Xhoxhi, Zela, Taullau, Billo, Hajdari, Canka, Sylari, Sheqi, Tufa, Gega, Korreshi, Kallajxhiu, Karame, Kujunxhiu, Toshkëzi, Turku, Krakulli e tjera, si dhe dy nga bazat e para të partizanëve, shtëpia e Asllan Dakës dhe e Rrap Gjoshit, e shumë e shumë të tjera. Familja e patriotit Llazar Bozo, u hodh pothuaj totalisht në radhët partizane, që nga kryefamiljari, Llazar Bozo, i cili në moshën 64 vjeç luftoi me armë në Operacionin e Madh të Dimrit 1943-44 në Sulovë, Tomorricë e Opar, me katër djemtë e tij, Petri, Aleko, Koli dhe Irakli Bozo, dhe vajza Parashqevi Bozo, familja e Loni Bozos që i dha Luftës dy djem, Miti dhe Nako Bozo (dëshmor i Atdheut). Po ashtu familja Robo me djalin Xhorxhi Robo, familja Gina, që veç djalit Hasan Gina, partizan i orëve të para, angazhoi në radhët e Luftës dhe Bajazit Ginën, si dhe vajzën Fete Gina, ndërsa shtëpia e Dervish dhe Rexhep Ginës u bënë baza të Luftës partizane. Po ashtu dhe familja patriote e Koçodin e Vasilika Gogut, jo vetëm e ktheu shtëpinë në bazë të luftëtarëve të lirisë, por hodhi në radhët partizane katër pjestarë, nipi Uan Gogu (dëshmor i Atdheut), si dhe tre djemtë partizanë, Miti, Xhoxhi dhe Llazar Gogu. Shtëpia e patriotit Kamber Ruli, u kthye në bazë ku mblidheshin komunistët e parë, që krijuan celulën e partisë komuniste të qytetit në 27 dhjetor 1941 me pjesëmarrës, Xhorxhi Robo, Hasan Gina, Loni Dhamo (dëshmor), Muharrem Qamili, Sedat Ruli, Koli Ll. Bozo, Myfit Hysi, Miti dhe Nako Bozo (dëshmor), Skënder Libohova (dëshmor), Lili Shtrepi e tjerë. Nga këto familje të qytetarisë lushnjare, u angazhuan në radhët e Luftës, familja Haxhiu, ku shumë pjesëtarë të saj u rreshtuan në radhët partizane si, Halim Haxhiu, vajza trime partizane Lute Haxhiu, Rakip, Adem dhe Isuf Haxhiu, familja Dervishi me pjesëtarin Shyqyri Dervishi, familja Libohova, që i dha Luftës tre djemtë partizanë, Skënderi, Aqifi dhe Gëzim Libohova, ku dy vëllezërit e parë mbetën dëshmorë në luftë, familja Jano i dha Luftës dy djem partizanë, Llaqi e Mihal Jano (dëshmor), familja e Todi e Liçi Banos i dha Luftës djemtë, Andrea dhe Llazar Bano, familja e Taq Shtrepit i dha Luftës partizanin e orëve të para, Lili Shtrepi, kështu dhe familjet e tjera, si ajo Dhamo me djalin Loni Dhamo (dëshmorë) dhe të tjera. Po ashtu, në Karbunarë u shqua familja Uruçi, që i dha Luftës komandantin trim të bataljonit, të Grupit të Myzeqesë dhe së fundi Komandantin e Brigadës XVI Sulmuese, Rrahman Uruçi, në Ngurrëz familja Kurti, që i dha Luftës 7 dëshmorë nga një trung, familja Mino në Bubullimë që i dha Luftës dëshmorin mësues, Dhimitër Mino, familja Velo në Eskaj, që i dha Luftës dy dëshmorë babë e birë e tjera. Në qytetin e Lushnjes, gjatë luftë Nac.Çl. ishin rreth 50 baza të Luftës dhe në shkallë nën/prefekture rreth 200 të tilla. Në qytetin e Lushnjes, që në vitin 1941, banonte dhe major Spiro Moisiu, i sapo kthyer nga dezertimi me batalionin “Tomorri” nga fronti i Luftës italo-greke. Major Spirua, që në orët e para të lëvizjes partizane Nac.Çl. u vu në krye të djemurisë së Lushnjes e të Myzeqesë, duke ngritur kudo formacionet e para me luftëtarë partizanë, që nga Çeta e Parë, Batalioni i Parë dhe deri Grupi partizan i Myzeqesë me mbi 800 luftëtarë, që mbas luftimeve në “Operacionit të Madh të Dimrit” 1943-44, u shpërndanë nëpër Brigadat Sulmuese që u ngritën në gjithë ushtrinë Nac.Çl. Në vitet e Luftës 1942-43, shumë të rinj të njësive të para partizane në qytetin e Lushnjes, organizuan disa aksione kundër qeverisë lokale fashiste. Kështu mund të përmendet aksioni për marrjen e makinës së shkrimit në zyrat e nën/prefekturës, ku u angazhuan të rinjtë Besim Ruli, Vangjel Bozo, Llazar Bano, Foto Puka, Uan Kondakçiu dhe Isuf Haxhiu. Një aksion tjetër i rëndësishëm ishte, çarmatosja e xhandarmërisë italiane në hyrje të Lushnjes kur vjen nga Berati, në kodrën e “Kalifasë”, që siguruan një sasi armatimi për luftëtarët partizanë, ku në këtë aksion u angazhuan të rinjtë trima, Loni Dhamo, Vasil Bello, Besim Ruli, Ahmet Sheqi, Bush Durri dhe Halil Ahmeti. Po ashtu ishte dhe aksioni për marrjen e shifrës sekrete në zyrat e nën/prefekturës, ku u angazhuan Andrea Bano, Abdyl Demi dhe patrioti Jorgji Dhamo. Në këtë shifër sekrete bëhej fjalë për arrestimin e Spiro Moisiut dhe disa drejtues të tjerë të Luftës partizane në Myzeqe, të cilët u njoftuan në kohë dhe kaluan shpejtë në ilegalitet. Me shumë rëndësi ishte dhe aksioni i prerjes së linjave telefonike, për të izoluar qeverinë fashiste të Lushnjes me qytetet e tjera dhe me qendrën. Ishte data 23 korrik 1942, kur të rinjtë antifashistë në ora 23 të asaj nate pa hënë, u gjendën pranë shtyllave të linjave telefonike që lidhnin Lushnjen me Beratin, Fierin dhe Tiranën. Në linjën Lushnje-Berat u angazhuan Xhorxhi Robo dhe Koli Ll. Bozo, në linjën Lushnje-Fier, shokët Miti Bozo dhe Ilia Zdrukthtari, ndërsa në linjën Lushnje-Rrogozhinë shokët Hasan Gina dhe Skënder Libohova. Në orën e caktuar aksioni u krye me sukses dhe Lushnja në 24 korrik gdhiu pa lidhje telefonike me rrethet e tjera dhe me qendrën. Kështu u kryen dhe shumë aksione të tjera. Por kontributin e madh atdhetar populli i Myzeqesë e dha në Luftën e lavdishme Nac.Çl., ku u rreshtuan në radhët partizane me armë në dorë për çlirimin e Atdheut mbi 3500 djem e vajza, nga ku ranë në betejat e Luftës 226 dëshmorë, që derdhën gjakun në themelet e kësaj Shqipërie të lirë që gëzojmë sot. Ky përkujtim historik, është një mesazh për ato familje dhe pjesëtarët e tyre që qytetarinë dhe ndjenjat e flakta patriotike, i vunë në shërbim të Atdheut në ditët më të vështira të tij, por njëkohësisht është mesazh dhe për brezin e ri, për të qenë krenarë për të parët e tyre dhe për ta çuar më përpara këtë qytetari patriotike, duke i shërbyer me dinjitet Atdheut dhe forcimit të demokracisë tonë popullore.