Jetmir Bodini: Sot, 8 vite pa Dede Reshat Bardhin

1806
Sigal

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj: Dede Reshat Bardhi ka meritën e ringritjes së bektashizmit pas ndryshimeve politike të vitit 1990

Sot, tetë vite pa Dede Reshat Bardhin!

Jetmir BODINI

Sot është një ditë e shënuar për miliona bektashinj në mbarë botën, pasi përkujtojmë tetë vjetorin e ndarjes nga jeta të Haxhi Dede Reshat Bardhit, ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian dhe klerikut që ka meritën e padiskutueshme të ringjalljes së këtij besimi e ringritjes së objekteve të para pas ndryshimeve politike të vitit 1990. Sa më shumë ikin vitet, aq më pranë e kemi pranë, në mendjet dhe zemrat tona, Dede Reshat Bardhin, shkojmë e bisedojmë me të tek mezari i tij, ku marrim dritë e shpresë për hapat e punët tona çdo ditë.

I presim sot në këtë ditë të shënuar klerikë bektashianë e besimtarë nga gjithë Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia, deri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja e vende të tjera ku jetojnë e banojnë besimtarët tanë. Por dhe miqtë e shumtë të tij ngado që vijnë. Kemi marrë të gjitha masat që në këtë ditë të bekuar, të jemi sa më mirë, të kuvendojmë së bashku, të llafosemi e kërkojmë bekimin tek Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimi, tek klerikët e tjerë, tek myhibët që do të jenë të pranishëm në këtë përshpirtje… E kështu, do të mbushemi me shpresë e devocion për të ecur më tej në udhën e Haxhi Bektash Veliut. Duke u rritur me dede Reshatin, duke punuar shumë kohë me të, duke qenë pranë tij në momente të mira e të vështira, kjo ditë për mua është tejet e veçantë dhe nga më të shënuarat në jetën time…

Pak nga jeta e Dede Reshatit

Reshat Bardhi ka lindur, më 4 mars 1935, në fshatin Lusën të Kukësit ku që në moshën të vogël, fillon të mësojë shkrim e këndim në gjuhën shqip dhe arabisht. Në vitin 1944, kryefamiljari Sinani, merr rrugën dhe vendoset në Tiranë. Reshati vazhdon mësimet në shkollë ndërsa kohën e lirë e kalon me studime të Kuranit… Në fillim të viteve 50 të shekullit të kaluar, Reshat Bardhi ka tërhequr vëmendjen e Kryegjyshit Botëror të asaj kohe Ahmet Myftarit, i cili ka parë tek djaloshi prej Lusnës të largët, jo vetëm prirjet mistike dhe fetare por edhe shembuj të një besnikërie të thellë. Ai bëhet udhëheqës shpirtëror i Bardhit. Në gusht të vitit 1954, Reshat Bardhi vishet dervish. Në vitin 1958 ai internon në fshatin Drizar të Mallakastrës, Kryegjyshin Ahmet Myftari, së bashku me dervish Reshat Bardhin, ku qëndrojnë deri në vitin 1967. Në vitin 1967, dervish Reshat Bardhi provon në Tiranë të tjera dhimbje fizike dhe shpirtërore duke punuar deri në vitin 1991 si punëtor krahu duke mos e humbur për asnjë moment besimin tek Zoti. Me ringritjen e besimit fetar në vitin 1991 ai riorganizon bektashizmin në Shqipëri. Në Kongresin e VI bektashian të vitit 1993, Reshat Bardhi është shpallur Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve. Ka marrë pjesë në konferenca e takime ndërkombëtare të niveleve të lartë fetarë si: Më 22 mars 1991, ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Nënë Terezën; në nëntor 1991, së bashku me pelegrinët e parë myslimanë shqiptarë, shkon në Mekë; në shkurt të vitit 1992 shkon në komunitetin bektashian në Detroit të SHBA-së, ku pritet nga Baba Rexhebi që kishte krijuar të parën teqe bektashiane në Detroit; në maj 1993 pritet nga ish kryetari i alevi-bektashive të Turqisë, Z. Bedri Nuajan; në gusht 1993 viziton teqenë-muze të Haxhi Bektash, ku pritet në drekë të veçantë nga Kryetari i Bashkisë së qytetit, Haxhi Bektash; në vitin 1994-1995 shkon dy herë në Iran ku pritet nga drejtuesi më i lartë i fondacionit të Ehli-Bejtit, Z. Hossein Miri si dhe personalitete të lartë fetarë nga Irani, India dhe Kuvajti; në mars të 2001 ftohet në audiencë të veçantë nga Papa Gjon Pali në Vatikan; në gusht të vitit 2002, në Haxhi Bektash të Turqisë pritet nga Kryeministri turk i asaj kohe, Eçevit; në tetor të vitit 2002 merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të OSBE-ODIR, në Azerbajxhan; në tetor të vitit 2003 ftohet në Vatikan, ku merr pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës; në maj 2006 ka pritur në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Z. Xhovani Lajola; në qershor 2006, pret në Selinë e Shenjtë në Tiranë Kryetarin e Parlamentit të Turqisë, Z. Bylent Arinç, ku ky i dorëzon Kryegjyshit dekoratën “Për shërbime të shquara të paqes”, të parlamentit të Turqisë; në gusht 2006, ka marrë pjesë në Konferencën Botërore të Liderëve Fetarë në Kioto të Japonisë; në korrik 2007, është pritur në Prishtinë nga Z. Kushner; në tetor 2007, në Stamboll pritet nga lideri mysliman i Turqisë, Prof. Ali Bartokogly si dhe Kryemyftiu i Stambolli Mustafa Cagrici; në nëntor 2007 pritet aty nga Kryeministri i Maqedonisë; në shtator 2008 është pritur nga Kryeministri i Turqisë Taip Erdogan; në maj 2010, në Çorum të Turqisë, pritet nga Ministri i Shtetit i Turqisë dhe i jepet statuja simbolike e paqes etj.. Dete Reshat Bardhi është dekoruar me medaljen “Pishtar i Demokracisë” dhe urdhrin “Naim Frashëri i Artë”; Urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”; në shtator 2015 mbas vdekjes i jepet Urdhri: “Flamuri Kombëtar” nga Presidentët e Republikës së Shqipërisë, si dhe është qytetar nderi i Tiranës, Krujës, Kukësit, Beratit, Frashërit, Kavajës, Bulqizës, Gjirokastrës, Mallakastrës etj…

Me bekimin e tij

Me bekimin e Dede Reshatit dhe me drejtimin e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimajt, ne sot pas tetë vitesh, kemi çuar në vend porositë dhe dëshirat e tij që i ideoi, i nisi, por nuk arriti që t’i realizojë, pasi u nda nga kjo jetë. Odeoni që ishte meraku i tij, përfundoi dhe sot është vepër unikale në botë, një mrekulli; u ringritën apo u ndërtuan nga e para dhjetëra teqe e tyrbe bektashiane; mjediset e Selisë së Shenjtë janë kthyer në një qytezë ku besimtarë e klerikë gjejnë mjedise e klimë për të pushuar, kuvenduar dhe për të gjetur paqe shpirtërore.

Dhe sot në këto mjedise ku jemi mbledhur në përshpirtje të 8 vjetorit të ikjes nga kjo jetë, në këtë drekë bektashiane në nder të Dede Reshatit, ne e kemi atë pranë si kudo në çdo hap të jetës, në misionin tonë… Ndaj ju themi me shpirt të gjithëve: Mirë se erdhët në kujtimin e Dede Reshatit, paçi shëndet, dashuri, paqe e mirësi në familjet tuaja!

Kryegjyshi Botëror, Dede Edmond Brahimaj: Sot, ditë e shënuar për miliona bektashinj

Sot është një ditë e shënuar për ne. Në historinë 800 vjeçare të besimit bektashian, emri i dede Reshat Bardhit do të mbetet padyshim, sinonim i një mbijetese të shkëlqyer. Ndërsa në panteonin e ndritur të baballarëve dhe dedelerëve, ai qëndron kurdoherë frymëzues, për milionat e besimtarëve dhe ndjekësve bektashianë. Pak kush si ai, në rrjedhën e rrëmbyer të ngjarjeve në Shqipëri e Ballkan, pas viteve 60 të shekullit që lamë pas, jo vetëm që diti të orientojë drejt, jo vetëm që nuk lejoi nëpërkëmbjen fizike dhe morale të atyre që besonin në Zot, por u shndërrua vetë në një institucion të mëshirës universale. ….Në vitin famëkeq 1967, pikërisht në këto momente aq të rëndësishme dhe gati përcaktuese për fatin e bektashizmit në Shqipëri, unë pata fatin e madh të takohem me këtë mistik të rrallë. Dede Ahmet Myftari, kushëriri i parë i tim ati, Hysenit, erdhi në tetorin 1967 në shtëpinë tonë, i shoqëruar nga dede Reshati. …Në fillim të viteve 1990, jeta ime u mbështet e tëra në vëmendjen e dede Reshatit… I tillë qe ky kujdes për mua, në natën e 22 marsit 1991, ndërsa merrja dorë me gëzimin e madh, se do të shërbeja në rrugë të Hakut… Vetëm një vizionar si dede Reshati, mund të ideonte dhe ringrinte bektashizmin, në lartësinë ku jemi sot. Pa vizionin e tij, vështirë të ringrihej besimi në këto përmasa të sotme në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni…