Emigracioni/ Si realizohet bashkimi familjar dhe dhënia e të drejtave të punës. Kush janë 350 universitetet që presin studentë të huaj, aplikimi, kriteret, pagesa fillestare dhe punësimi paralel me studimet
Gjermani/ Deklarata: Ekzistojnë rreth 350 shkolla të larta, dyert e të cilave janë gjithnjë të hapura për studentët e huaj
Si të studiosh në Gjermani, dokumentet
Për të studiuar në Gjermani duhen të kalosh disa etapa:
Hapi i parë
Hapi fillestar është ai i aplikimit në një shkollë të lartë gjermane dhe që këtu fillojnë problemet e para. Ndër dokumentet e nevojshme është dëftesa e shkollës së mesme, të cilën një maturant në Shqipëri e merr sipas rregullit rreth fillimit të korrikut. Pas noterizimit dhe legalizimit edhe në ambasadën gjermane, kopja e dëftesës duhet të dërgohet përpara datës 15 korrik, pasi ky është afati i fundit i dorëzimit të kërkesës për studimin në Gjermani, pavarësisht se në cilin Universitet. Albi, student në Frankfurt, tregon se nëse dokumentet janë të gjitha në rregull “nuk ka asnjë problem për të marrë vizë”.
Pas pranimit në universitet
Nëse shkolla e lartë pranon kërkesën e studentit shqiptar, ky i fundit merr një ftesë, me të cilën paraqitet në ambasadë për të marrë fillimisht një vizë 3-mujore. Për këtë vizë mujore duhen paraqitur vërtetime shëndetësore si dhe vërtetime bankare dhe pas këtij hapi, me pak fat gjendesh në një nga qytetet e Gjermanisë. Për sa i përket vizës në Gjermani, duhet të paraqitesh në zyrën e të huajve me dokumentet e nevojshme si vërtetimin e universitetit, sigurimin shëndetësor apo vërtetimin bankar, me një shumë prej rreth 7000 eurosh të cilat sigurojnë qëndrimin për një vit.
Vështirësitë e fillimit
Pas mbërritjes nisin problemet e vërteta të fillimit në vend të huaj, tregojnë studentët e ardhur në Gjermani. Ona, e cila jeton që prej 10 vjetësh në Gjermani dhe ndërkohe ka përfunduar studimet thotë se sot është më e vështire sesa vite më parë, pasi është rritur niveli i jetesës por edhe kërkesa dhe niveli i universitetit.
Ajo çka ndryshon nga vendet e tjera, është se në Gjermani pjesa dërmuese e studentëve nuk fillojnë menjëherë shkollën e lartë, pasi dëftesa e shkollës së mesme në Shqipëri është e nevojshme, por jo plotësisht e vlefshme. Zoti Sitke, punonjës në zyrën për studentet e huaj në qytetin e Frankfurtit, shpjegon: “Nxënësi që zotëron një dëftesë të shkollës së mesme në Shqipëri, ka të drejtën për të vizituar Studienkolegun në Gjermani. Ndërkohë studenti, që ka vizituar një vit apo ka marrë një nga provimet pranuese në shkollat e larta në Shqipëri, mund të fillojë menjëherë me shkollën e lartë”.Studienkoleg është faza e parë e universitetit në Gjermani. Ai është një vit përgatitor dhe me fillimin e tij, çdokush zotëron statusin e studentit, biletën studentore si dhe të drejtën për të jetuar në një nga konviktet e universiteteve. Por për të hyrë në studienkoleg duhet së pari të marrësh provimin pranues, ku vihen në provë njohuritë bazë të gjermanishtes dhe në sajë të degës, për të cilën studenti apo studentja ka aplikuar, ndjek intensivisht gjuhën gjermane dhe degë të tjera, si kimia matematika, fizika, letërsia, sociologjia, biologjia apo ekonomia. Përfundimi i Studienkoleg-ut është një nga rrugët për të studiuar në Gjermani. Në pjesën më të madhe të universiteteve, studentët paguajnë tashmë rreth 750 Euro për semestër, megjithëse në landin ku përfshihet qyteti i Maincit, studentët vazhdojnë të paguajnë vetëm rreth 200 Euro për çdo semestër, kjo si rrjedhojë e politikës së partisë socialdemokrate, SPD në këtë land.
Punë paralelisht me studimet
Shumë studentë për të përballuar jetën punojnë në vende të ndryshme, ku pjesa më e madhe paguhen jo më shumë se 400 Euro. Megjithatë e drejta për të punuar është e kufizuar. Çdo studenti i lejohet të punojë vetëm 90 ditë të plota në vit, pra 8 orë punë në 90 ditë, ose 4 orë punë në 180 ditë. Megjithatë me shumë punë, vullnet dhe durim kanë mbaruar deri tani universitetin shumë studentë shqiptarë në Gjermani.
Në Gjermani ka mbi 80 000 emigrantë shqiptarë
Gjermania bashkimi familjar dhe dhënia e plotë e të drejtave të punës
Gjermania aktualisht është një ndër vendet më të plakura të Evropës (pas Italisë, Britanisë, Greqisë), ku si rrjedhojë qeveritë në vijimësi kanë përgatitur një strategji të thithjes (importit) së emigrantëve me moshë të re. Në këtë kontekst dhe në kushtet konkrete të problemeve të vendit, Gjermania jo më shumë se një vit më parë vuri në fuqi ligjin e parë gjerman për migracionin, duke i dhënë fund grindjeve të gjata politike ndërmjet socialdemokratëve në pozitë dhe kristiandemokratëve, në atë kohë ende në opozitë. Ligji do t’i shërbente integrimit më të mirë të emigrantëve, për të mbajtur nën kontroll flukset e azilkërkuesve dhe për të nxituar që të vijnë në Gjermani emigrantët me kualifikim të lartë. Gjithë politika gjermane e thithjes së emigrantëve sidomos pas viteve 1998 ka konsistuar në importimin e emigrantëve të shkolluar për t’u përgjigjur nivelit të lartë teknologjik dhe ekonomik të këtij vendi që zë vendin e tretë në botë për zhvillimin ekonomik (Në Gjermani ka mbi 80 000 emigrantë shqiptarë). Një vit pas hyrjes në fuqi, mund të thuhet se ligji në këtë formë që është nuk solli ndonjë ndryshim të madh. Rekrutimi i fuqisë punëtore me kualifikim të lartë, që nga janari 2005 ka treguar se numri i tyre ka arritur deri në 1200. Kjo shifër pasqyron më së miri se ky ligj realisht mund të konsiderohet i dështuar. Shkaqet për dështimin e këtij rregulli nuk janë analizuar përfundimisht. Por në plan të parë duket se ka qenë refuzimi i lejes së punës për bashkëshortin dhe pagës relativisht të ulët që ekziston në nivel ndërkombëtar, në raport me vendasit, të cilët kanë nivel kualifikimi më të lartë. Pra, bashkimi familjar dhe dhënia e plotë e të drejtave të punës (lejes së punës), për bashkëshorten (bashkëshortin, kur njëri prej tyre ka lejen e punës), si një mangësi e ndjeshme e këtij ligji, ka bërë që të ulet interesimi i personave të shkolluar që të emigrojnë në kushte të tilla, pa marrë familjen. Mosdhënia e lejes së punës mbi bazën e një prej kryefamiljarëve por në veçanti (secili të ketë leje pune me vete !), sjell vështirësi në jetën e vetmuar dhe kursimeve mbi të cilën merret dhe rruga e mërgimit. Gjithashtu mungon një sistem pikësh për zgjedhjen e personave që rekrutohen. Michael Bommes, ekspert emigrimi në Osnabryk, megjithatë vlerëson dobinë e ligjit. “Ligji është para së gjithash i rëndësishëm, sepse përcakton qartë që gjermania është një vend emigrimi. Nuk duhet të vihet i tëri njëherësh në diskutim, jam i bindur shumë shpejt do të vijë nevoja për reforma madje para së gjithash janë të nevojshme kritere për rekrutimin e specialistëve. Sistemi i pikave do të kthehet përsëri në rend të ditës. Suksesi i ligjit të migracionit nuk mund të matet vetëm në bazë të numrit të specialistëve të ardhur. Diçka që duhet vlerësuar pozitivisht është fakti, që integrimi i të huajve është konsideruar si një çështje që duhet mbështetur financiarisht. Kurset e gjuhës dhe referatet për politikën dhe kulturën gjermane i marrin vetëm të porsaardhurit. “ Me të vërtetë që kemi bërë një hap përpara. Tani kemi rënë dakord që emigrantët duhet të marrin një paketë orientimi, sapo të hyjnë në vend. Pra një ndihmë për të mësuar gjermanishten, por edhe për të marrë njohuritë bazë për jetën sociale dhe kulturore në vendin ku ndodhen. Ekspertët ankohen se ligji i ri nuk i ndërmjetëson askujt ndjenjën se ai është i mirëseardhur. Kjo ka të bëjë edhe me faktin, se ky ligj lindi në një periudhë kur frika ndaj papunësisë dhe sulmeve terroriste kishte arritur pikën kulminante. Profesore Rita Zysmut, ish-presidente e Bundestagut dhe këshilltare në çështjet e migracionit është një njohëse shumë e mirë e problemeve të emigracionit në Gjermani, bile edhe në bashkësinë evropiane (sipas specialistëve e njeh shumë mirë këtë problem). “Nuk mund të integrohen njerëzit kur ata nuk e kanë ndjenjën se janë të mirëseardhur. Duhet të punojmë edhe më shumë, por korniza ligjore për integrimin e migrantëve të paktën është shumë më mirë se në të kaluarën” është shprehur ajo. Presidenti aktual i Bundestagut, priret në të kundërt, pra që migrantët të bëjnë detyrat e shtëpisë. Ata duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të mësuar gjuhën gjermane dhe të kujdesen më shumë për integrimin e tyre. Dyzimi i shumë politikanëve gjermanë mbi këtë pikë ka bërë që projektet gjermane për thithjen e emigrantëve të njohin një stanjacion të padëshirueshëm dhe të dëmshëm për ekonominë gjermane. Njohja e gjuhës në mënyrë perfekte për shumë emigrantë nuk përbën problem të domosdoshëm. Po përse do tu duhet gjuha turqve për shembull, që me 2,5 milionë përbëjnë pjesën më të madhe të të huajve në Gjermani ?! “Këtu ka gjithçka tregje turke, mjekë turq, banka turke thotë një vajzë turke nga Berlini. Por jo gjithçka duket se është keq në ligjin e migracionit. Problemi i personave me Duldung ka mbetur i pazgjidhur, por numri i të huajve me status të paqartë qëndrimi ka rënë dukshëm” . “Për Gjermaninë shtetet e ish-Jugosllavisë dhe ato të Bashkimit Sovjetik janë shumë interesante. Por edhe Turqia dhe vende aziatike; si Kina dhe Vietnami, kanë filluar të luajnë një rol të rëndësishëm”, thotë Jan Hillered, shefi i Filialit evropian të bankës Western Unionit. Por gjithë politika gjermane e ndjen se pa përcaktuar dhe gjetur rrugën më efikase të importimit të emigrantëve duke rënë në konsesus, ngërç do të zgjasë dhe ekonomia e sotme do ta ndejë jo pak atë.