Ismet Varfi: Qemal Stafa dhe përjetësia e dëshmorëve të Atdheut

481

Populli u është mirënjohës për jetë djemëve dhe vajzave që derdhën gjakun në lulen e rinisë.

Lavdi përjetë dëshmorëve të Atdheut

Ismet Varfi, Kolonel në pension

Është nder, por edhe privilegj për mua që me rastin e 5- Majit jo vetëm të përshëndes përzemërsisht familjet e dëshmorëve  të atdheut e në veçanti ata të fshatit tim të lindjes, Dhëmblan, Tepelenë, dhe përulem me respektin më të madh për gjithë figurat e kombit shqiptar për vepren e tyre sublime.  Në këto momente e këto pak rreshta që po shkruaj për të kujtuar e nderuar ata që dhanë jetën e tyre për çlirmin e vendit të vet nuk mund të mos revoltohem për daljen në skenë të dy mostrave neofashishte (Çelo dhe Tufa) të cilët me shkrimet e tyre jo vetëm baltosin emrin e Shqipërisë si aleate e fuqive të mëdha Antifashiste, por në veçanti përdhosin gjënë më të shenjtë të atyre që dhanë jetën për çlirimin e vendit nga mortaja fashiste.

Gjithsesi këto mostra nuk mund të zbehin dhe sa më keq të mohojnë e të injorojnë vlerat dhe kontributin e dhënë nga Shqipëria jonë e vogël për shfarosjen e fashizmit dhe vendosjen e rendit të ri demokratik. Në këtë kuadër ne dhe brezat që do të vinë duhet të jemi krenarë për atë çka bënë të parët tanë për çlirimin e vendit. Sikurse theksova, 5 maji është dhe mbetet festa më madhore e kombit tonë. Në këtë ditë i gjithë populli ynë dhe të gjitha brezat përulen me respektin më të madh ndaj 28 000 dëshmorëve, të cilët në moshën më të re dhanë jetën për ty o atdhe për ty o popull për liri e demokraci të vërtetë! Gjaku juaj i pastër dhe amanati për të cilin dhatë jetën sot më shumë se kurrë është apel për Bashkim Kombëtar dhe jo përçarje e hakmarrje. Ata që dhanë jetën në Luftën Antifashiste Nacional- Clirimtare nuk menduan se do të bëheshin anëtarë të byrosë politike, qeveritarë, deputet e parlamantar por për ta bërë Shqipërinë të lirë e sovrane.  Prandaj them që në këto momente jo vetëm unë që po shkruaj këto rreshta por i gjithë kombi shqiptar u është mirënjohës përjetë juve djem e vajza të nënave shqiptare që derdhët gjakun tuaj të pastër për çlirimin e kombit.

Një falenderim për Kryetarin e Bashkisë të Tepelenës

Në këtë kuadër përfitoj nga rasti të kujtoj, nderoj e përulem me respektin më të madh ndaj dëshmorëve të rrethit tim Tepelenë, krahinës së Lobsit e në veçanti të fshatit tim të lindjes Dhëmblan. Si e gjithë krahina e Tepelenës edhe Dhëmblani ka historinë e vet e cila është shkruar me gjak, por që nuk është objekt i këtij shkrimi, megjithatë nuk mund të mos përmend patriotizmin dhe atdhetarizmin e dhëmblanjotëve që në kohë të hershme. Në 1914 nën komandën e patriotëve Mersin Meçja e Ismail Kaso bijtë e këtij komuniteti mbrojtën vatanin nga agresorët grek duke i dhënë kësaj lufte 6 dëshmorë. Në vitin 1920 nën drejtimin e patriotit Dule Dajlani edhe dhëmblanjotët u rradhitën me Salam Musain dhe bën emër në Vlorë duke dhënë 3 dëshmorë.  Në epokën e lavdishme pra në luftën Nacional- Çlirimtare edhe dhëmblanjotët dhanë një kontribut mjaft të madh duke shfaqur ndjenjat më të larta të patriotizmit, trimërisë dhe besnikërisë ndaj atdheut. Djemtë e kësaj krahine mbushën rradhët e forcave partizane dhe në luftën kundër pushtuesve nazifashistë i dhënë atdheut 30 dëshmorë. Vetëm nga lagja Haskaj i dhanë atdheut 7 dëshmorë nga 9 familje që ajo përbëhej. Sot në këtë lagje nga vetë komuniteti i saj është ngritur lapidarë kushtuar dëshmorëve të saj i cili përbën një vlerë historike dhe brezat që do të vinë patjetër do të ndihen krenarë për veprën e tyre. Me këtë rast unë falenderoj zotin Tërmet Peçi, kryetarin e Bashkisë Tepelenë i cili jo vetëm mori pjesë në inagurimin e këtij lapidari por edhe për faktin tjetër që krahas punës të shkëlqyer që ka bërë dhe po bën për rinovimin e qytetit të Tepelenës, një kujdes të veçantë ka treguar dhe po tregon edhe për nderimin e veprës së dëshmorëve duke stimuluar të gjithë krahinat e këtij rrethi për rinovimin e objekteve historike të luftës antifashiste çlirimtare.

Historianët duhet ta rishikojnë me realizëm Historinë e Luftës për Liri.

Në situatën e sotme të vështirë që po kalon vëndi ynë si rezultat i këqpërdorimit dhe manaxhimit të të ashtuquajturës demokraci është mëse e domosdoshme më tepër se kurrë ti referohemi veprës së dëshmorëve të kombit. Ata duhet të kujtohen e të nderohen dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë që ideali dhe vepra e tyre të përdhosen. Është e pafalshëme nga qeveritë e deritanishme qëndrimi ndaj veprës së dëshmorëve përfshirë këtu edhe ndaj veteranëve të Luftës Antifashiste cclirimtare që jo vetëm nuk kanë treguar kujdesin e duhur për vlerësimin e veprës së tyre por në disa raste edhe i kanë baltosur. Që në sistemin e kaluar madje edhe gjatë Luftës Nacional çlirimtare janë bërë edhe gabime por kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë që të justifikojë disa qëndrime tejet provokuese madje shumë poshtëruese ndaj Luftës Nacionalçlirimtare në përgjithësi  dhe ndaj dëshmorëve në veçanti.  Sot boll halle dhe probleme ka vendi unë, dhe që është detyrë e politikës, e politikanëve dhe qeveritarëve që të punojnë për zbutjen e tyre. Në këtë kuadër kjo është e domosdoshme edhe për brezat që do të vinë, që historianët me taban shqiptarë, jashtë ndikimeve partiake nëse ka vend dhe patjetër që ka, të bëjnë korrigjimet e disa fakteve historike. Me shumë forcë ata jo vetëm duhet të distancohen nga ato qëndrime anti kombëtare të personave të veccantë por me realitet duhet të pasqyrojnë veprën e atyre që bën luftën për çlirimin e vendit e në veçanti veprën e dëshmorëve të atdheut.  Unë jam i bindur se brezat që do të vinë, jo vetëm që do nderojnë, por edhe do të lartësojnë edhe më shumë dëshmorët e kombit dhe veprën e tyre.

Edhe njëherë përmes këtij shkrimi modest përulem me respektin më të madh për ata që bënë Luftën Nacional-çlirimtare e në veçanti ndaj veprës së dëshmorëve të atdheut. Lavdi atyre përjetë!