Ismet Varfi: Emri i shkollës ushtarake “Skënderbej” do jetë i përjetshëm

1762
Sigal

Emri yt “O shkolla ushtarake – Skënderbej” do të jetë i përjetshëm!

75-vjetori i krijimit të shkollës së mesme ushtarake

Ismet Varfi* skënderbegas i viteve 1957-1961

Nënkolonel në pension

28 Mars 1945 data e krijimit të shkollës së mesme ushtarake Skënderbej e cila ka mbetur dhe do të mbahet mend, do të kujtohet, respektohet dhe nderohet përjetësisht jo vetëm nga ata që patën fatin të kalojnë në bankat e kësaj shkolle, por dhe për mbarë Kombin Shqiptar për vlerat e veçanta që pati për formimin e elitës ushtarake shqiptare. Fill pas çlirimit të vendit, krahas institucioneve të tjera qeveria e asaj kohe, krijoi edhe një institucion të rëndësishëm, e cila u quajt “fidanishtja e ushtrisë” dhe që u pagëzua me emrin Shkolla e Mesme Ushtarake ‘Skënderbej’. Si çdo skënderbegas edhe unë që po shkruaj këto radhë në këto momente jam shumë i emocionuar por edhe krenar, sepse me këtë shkollë si të gjithë shokët e mi janë të lidhura shumë kujtime të moshës së adoleshencës dhe me këtë rast i përshëndes dhe i uroj të gjithë skëndërbegasit e çdo brezi e, në veçanti, ata që erdhën direkt nga Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare, të cilët kanë mbetur dhe janë simboli i kësaj shkolle. Në të njëjtën kohë jo vetëm unë, por gjithë skëndërbegasit krahas krenarisë që jemi “begsa” sot ndiejmë shumë dhimbje që, për fat të keq, nuk ka ngelur asnjë gjurmë për ekzistencën dhe funksionimin e kësaj shkolle si institucion i lavdishëm i ushtrisë shqiptare. Me këtë rast, dua të kritikoj ashpër të gjithë shefat e shtabeve të Forcave të Armatosura, të cilët kanë qenë skëndërbegas, akoma deri më sot, me gjithë kërkesat tona për ringjalljen e kësaj shkolle apo, të paktën, të na krijojnë kushtet minimale për të bërë aktivitete apo edhe një mjedis muze, kushtuar jo vetëm emrit të saj, por në veçanti funksionimit dhe kontributit që ajo ka dhënë për fuqizimin e Forcave të Armatosura në vite. Me këtë rast efektivat e shkollës ushtarake ‘Skënderbe’ kuadro edhe nxënës përulen me respektin më të madh për një nga personalitet më të mëdha të ushtrisë shqiptare, gjeneral Lejtnant Petrit Dume, i cili i donte aq shumë skënderbegasit dhe shkollën ushtarake ‘Skënderbe’ për të cilën ai kujdesej aq shumë. Me këtë përvjetor, respekt dhe mirënjohje edhe për edukatorët tanë, të cilët na mësuan, edukuan dhe kultivuan tek ne vetitë dhe virtytet më të çmuara. Në vitet e ekzistencës dhe funksionimit të kësaj shkolle kanë shërbyer shumë kuadro mësues civilë dhe ushtarakë, të cilët meritojnë respekt të veçantë, por unë do përmend në këtë përvjetor ata, të cilët përkojnë me kohën që unë kam qenë skënderbegas prej vitit 1957-1961. Ata që janë ngulitur fort në mendjen dhe zemrën time, por edhe të shokëve të mi në këto vite janë: Gjylyzare Çiço, Marie Nano, Drita Hajro, Sadete Kasa, Agime Çela, Flutura Xoxe, Viron Cinzo, Ali Nvili, Llazar Breshtanaku, Lluka Nikollari, Ismet Bellova, Bekush Birçe, Sokol Morina si dhe kuadrot ushtarak si: Agim Tepelena, Osman Pregja, Servet Jaupi, Eqber Skëndi, Mark Kovaçi, Drago Isufi, Aristidh Ngjela, Muhamet Hoxha, Bashkim Boçi etj. dhe mbi të gjithë respekt dhe mirënjohje të pakufishme për dy legjendat e kësaj shkolle; komandant kolonel Luto Haxhiu dhe drejtor Stavri Angjeli. Gjithashtu me këtë rast nuk mund të mos kujtojmë dhe ndërrojmë edhe ata, të cilët na u bënë si prindër të dytë si: Novruz Bujari, Elmas Baçe, Baçi Braka dhe kryekuzhinieri Qiriako Kllapi. Nga kjo shkollë kanë dalë shumë kuadro, të cilët në vite u bënë drejtues kryesorë të Forcave të Armatosura dhe që kanë lënë gjurmë të paharruara për të gjithë brezat e ushtrisë. Vlerat patriotike të brezit tonë u sprovuan në ndryshimet që ndodhën në vendin tonë pas viteve 1990, që ushtarakët e Forcave të Armatosura të asaj kohe u bënë mburojë dhe garanci e proceseve demokratike që ndodhën në Shqipëri.

Është për të ardhur keq, madje shumë keq, që sot si politika ashtu edhe politikanët, vazhdojnë të përdhosin vlerat tona. E them këtë, sepse qeveritë e deri tanishme, përfshirë edhe këtë të sotmen, po na trajtojnë si një shtresë të dorës së fundit, madje edhe na konsiderojnë si bashkëfajtorë për ato gjëra të këqija që bëri sistemi socialist.

Me këtë rast unë po “bërtas” me shumë forcë se në sistemin e kaluar, në qoftë se ka pasur ndonjë institucion patriotik dhe atdhetar me njerëz të ndershëm dhe me vlera morale dhe kombëtare më të pastra kanë qenë efektivat ushtarake të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Edhe në këtë përvjetor, nuk mund të lemë pa përmendur dhe të theksojmë faktin, sepse nga kjo shkollë kanë dalë edhe mjaft sportistë cilësorë në të gjitha sportet. Por sot, për fat të keq, Ministria e Mbrojtjes as nuk është kujtuar dhe kujtohet që figurat e shquara të ushtrisë edhe në këtë fushë të kujtohen dhe nderohen të paktën nga ana morale. Me këtë shkollë mua personalisht nuk më lidhin vetëm kujtimet si nxënës, por edhe si kuadër. Pas diplomimit si oficer nisa punën si kuadro ushtarak në këtë shkollë në të cilën shërbeva për 10 vjet rresht (1963-1973). Pra kjo shkollë më formoi dhe kompletoi edhe si kuadro, prandaj i jam dy herë mirënjohës. Me këtë rast përshëndes të gjithë skënderbegasit me të cilët punova në këto vite dhe, në veçanti, në këtë përvjetor përshëndes në mënyrë te veçantë Maturën e viteve 65’-69’, e cila këtë vit feston 50-vjetorin.

Edhe në këtë përvjetor nuk mund të lë pa falënderuar shoqatën “Skënderbegasi” e, në veçanti, kryetarin e saj Kolonel Mikado Shakohoxha, i cili çdo vit bën të mundur organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve kushtuar krijimit të shkollës sonë të dashur dhe të paharruar ‘Skënderbej’.

Me këtë rast po njoftoj se, më datën 28 Mars 2019, ora 10:00, në Muzeun Historik Kombëtar organizohet takimi me rastin e 74-vjetorit të krijimit të shkollës së mesme ushtarake ‘Skënderbej’ ku janë të ftuar të gjithë skënderbegasit e çdo brezi, si dhe kuadrot civilë dhe ushtarakë që kanë shërbyer në këtë shkollë.

* Skënderbegas i viteve 1957-1961