Ismail Qemali, mbrojti Shqipërinë para Fuqive të Mëdha, ndarja nga jeta dhe memoriali i Odhise Paskali

921
Sigal

Qeveria mbrojti pranë Fuqive të Mëdha të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar
Ëndrra shqiptare, Shpallja e Pavarësisë  më 28 nëntor 1912

Qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali, mori një varg masash në fushën e ekonomisë, të ndërtimit shtetëror dhe të kulturës kombëtare

Varri Monumental i Ismail Qemalit, vepër e skulptorit Odhise Paskali

Situata në Vlorë ishte krejt e ndryshme nga ajo e Durrësit. Populli vlonjat me këtë rast i bëri pritje madhështore delegatëve të ardhur nga disa krahina të Shqipërisë. Ismail Qemali për këto momente në kujtimet e tij do të shkruaj: ”Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli me përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim” Delegatët e ardhur nga shumë vise të Shqipërisë…, u vendosën në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës (në selamllek – oda e burrave), kushëri i Ismail Qemalit. Meqenëse anijet luftarake greke i qenë afruar portit të Vlorës dhe me të drejt i druhej ndonjë sulmi të forcave greke, por edhe për shkak të përparimit të pandaluar të ushtrisë serbe në verilindje të vendit, pa arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë vendosën të nesërmen të mblidhnin Kuvendin Kombëtar, për ta shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Në Vlorë kryesoi mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor1912, ndër to Isa Boletini, Mehmet Pashë Deralla (një ditë më vonë). U caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme. Në politikën e brendshme dhe të jashtme të qeverisë kombëtare u tregua i prirur për kompromise me çifligarët, për të përfituar nga ndikimi që gëzonin këta në shtresat e pasura e të mesme, por edhe i vendosur për demokratizimin e jetës së vendit. Qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali, ndonëse në kushte shumë të vështira të brendshme e të jashtme, mori një varg masash në fushën e ekonomisë, të ndërtimit shtetëror dhe të kulturës kombëtare që hapnin rrugën e zhvillimit demokratik të atdheut. Mbrojti pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe pranë kancelarive të Fuqive të Mëdha të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar, tërësinë territoriale të vendit. Me politikën e tij ngjalli kundërshtimin e rretheve konservatore e reaksionare, ku gjeti përplasje edhe nga bejlerë brenda familjes së tij. Realisht ushtria turke dhe institucionet e saj bashkëjetonin me qeverinë e Vlorës edhe pas 28 nëntorit 1912, ku dhe batalionet e Vardarit të mundura nga trupat serbo-bullgare ishin shtrehuar në fshatrat e Myzeqesë kishin shprehur gadishmërinë për mbrojtjen e territorit të shteti shqiptar në qoftë se do të cënohej. Ishte kjo ushtri që i dha “qeverisë së Vlorës”, një copë territor, Llogara-Mifol. Në morinë e pretendetëve për fronin e Shqipërisë renditeshin fisnikë të ndryshëm, e një ndër këto ishte Izet Pasha, një ushtarak me origjinë shqiptare i `lëvizur` nga Turqit e Rinj. Me prirjet e dëshpëruara që të shpëtonin territoret e Perandorisë në Ballkan, dërguan në mision majorin në karrierë Beqir Greben me mbi 400 trupa në vaporët e linjës austriake Lloyd që shkonte deri në Trieste. Majori zbarkon m’anë të një varke në Vlorë me pak oficerë për t’iu parashtruar planin qeverisë së përkohshme Misioni i majorit xhonturk me origjinë shqiptare Beqir Grebeneja i cili kishte hyrë në kontakt edhe me Ismail Qemalin dështoi (pasi dhe u arrestua nga gjendarmëria e qeverisë së Vlorës me të zbarkuar në breg për të shprehur qëllimet), pasi konsulli i Serbisë i paditi këta të fundit në fillim të janarit tek KNK-ja. Ky ishte dhe shkaku kryesor që Ismail Qemali u detyrua të japë dorëheqjen dhe më pas të largohej nga Shqipëria. Pushtetin ia “dorëzoi” Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Pas kësaj u largua nga Shqipëria për në Nicë të Francës, për t`u kthyer disa muaj më pas e për t’u larguar sërish në Itali. Vdes në rrethana të dyshimta në Peruxhia të Italisë më 24 janar 1919.

Vitet e fundit të jetës

Vlorë, Varri Monumental i Ismail Qemalit, vepër e skulptorit Odhise Paskali Vitet e fundit të jetës i kaloi në mërgim duke punuar gjithnjë për të mirën e atdheut dhe duke bashkëpunuar me kolonitë shqiptare. Më 1917, Partia Kombëtare Politike e shqiptarëve të Amerikës, e caktoi delegat të saj për në Konferencën e Paqes në Paris 1919-1920. Pak kohë para vdekjes, i bindur se historia do t’i ipte të drejtë largpamësisë së tij ndaj kërkesave legjitime të popullit shqiptar, do shkruante: «Paqja në Ballkan nuk do të mund të rivendoset duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste. Pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga ana e jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në Sinisinë e Ballkanit».

Ceremonia e Varrimit dhe rivarrimit

Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, ku ndodhej i ftuar nga Qeveria Italiane për të arritur një bashkëpunim mbi të ardhmen e Shqipërisë. I shoqëruar nga tre djem të tij: Et’hemi, Qazimi dhe Qamili dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8 shkurt 1919, trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindizi nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë. Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora. «…Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashurinë e popullit të thjeshtë,- shkruante në ‘Kujtime familjare’, Safa Vlora,- duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Në ceremoninë e përmotshme… as fshatar, as qytetar nuk qëndroi në shtëpi. Tërë faqet e maleve dhe brigjeve, që qëndronin gjatë udhëtimit, ishin mbushur me njerëz. Ishte një apoteozë madhështore e të gjithë popullit, pa dallim, dhe një kurorë që Ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij, derisa dha frymën e fundit…”.

Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. Komanda italiane, që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli patriot. Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar. Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë. Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Ethem Bej Vlora. Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora dhjetë. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme Jone të kompozitorit italian Petrella. Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga Djelmoshat e Vlorës, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria Djelmoshat e Vlorës dhe nga gazeta Kuvendi. Mbas këtyre vinte Shoqëria djaloshare. Pastaj ecte banda ushtarake që luante marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh. Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritete ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë. Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, flamur të cilin e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në Sheshin e Flamurit me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Ethem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.
Më 28 nëntor 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, me kërkesën e popullit të Vlorës dhe me vendim të Qeverisë Mbretërore, trupi i tij u zhvendos në Vlorë, në lulishten e qytetit, në një varr monumental, vepër e skulptorit Odhise Paskali, aty ku më parë ishte shtëpia ku ai kish lindur dhe nga ku Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Sot, përbri varrit të tij, ngrihet një monument madhështor, që simbolizon atë ditë nëntori, që do t’i jepte emrin e bukur atij sheshi të madh: “Sheshi i Flamurit”.

Pasardhësit e Ismail Qemalit

Më 1864, siç shkruan edhe vetë, Ismail Qemali u martua me një grua nga Konica, e cila vdiq në vitin e parë të martesës, së bashku me vajzën (ndoshta gjatë lindjes). Më 1867, duke qenë me punë në Rusçuk (Bullgari), Ismail Qemali u dashurua me Kleoniqi Surmeli, e bija e Antonit, një fisnik grek nga Edirneja, nga familja e Vezirit të Madh, Ali Pasha Surmeli (Vezir i Madh 1694-95). Duke qenë se familja e vajzës, kryesisht e njerka, për shkak të ndryshimit të fesë, nuk ishte dakord që të martoheshin, Ismail Qemali, me njerëzit e tij të besuar, e rrëmbeu gruan e tij të ardhëshme dhe, po të njëjtën ditë, në prani të dëshmitarëve nënshkroi «kontratën e martesës» sipas të cilës, nga pikpamja islamike, hiqej çdo mundësi tjetër për një martesë të dytë. «Martesa ime,- shkruan Ismail Qemali,- me gjithë zhurmën që kishte shkaktuar, më dha shumë prova simpatie nga ana e miqve të mi». Me Kleoniqi Surmelin pati lumturinë, siç do shprehej edhe vetë, të kishte 10 fëmijë: gjashtë djem: Mahmud bej Vlora(1871-1920), Tahir bej Vlora (1875-1932), Ethem bej Vlora (1885-1937), Xhevdet bej Vlora (1888-1910), Qazim bej Vlora (1893-1953), Qamil bej Vlora (1895-1950) dhe katër vajza: Mevedet (1873-1954), Alije (xx-1955), Ylvije (xx-1934), një vajzë vdiq pak pas lindjes.