Ish-ambasadori Lisen Bashkurti: Shërbimi diplomatik në traumë, Cakaj nuk po i kushton vëmendje politikës së jashtme

661
Sigal

Vendimet e marra për lëvizjet në trupin diplomatik nga ana e Ministrit të Jashtëm në detyrë Gent Cakaj nuk janë pritur pozitivisht nga ana e ish-ambasadorëve që kanë shërbyer për Shqipërinë për vite me radhë. Ish-ambasadori, Lisen Bashkurti, mendon që Ministri i Jashtëm në detyrë po merret me çështje teknike dhe nuk po angazhohet për politikën e Ministrisë së Jashtme. Në lidhje me lëvizjet në shërbimin diplomatik, Bashkurti e sheh si një situatë jo transparente nga Gent Cakaj. Sipas tij, lista e ministrit në detyrë me 28 emrat nuk është një reformë, por një masë administrative jo transparente, e cila traumatizon shërbimin diplomatik. “Më shumë duhet t’i kushtojë vëmendje përmbajtjes së politikës së jashtme dhe veprimit diplomatik, sesa çështjeve teknike-administrative me të cilat po konsumon shumë kohë dhe po krijon më shumë traumë në shërbimin diplomatik. Nuk ka aq transparencë dhe komunikim nga Ministria e Punëve të Jashtme për të treguar se, përse, sa dhe si janë marrë këto masa.”- tha Bashkurti, i cili shtoi se diplomacia shqiptare ka nevojë për përmirësime, megjithatë, sipas tij, ligji i përcakton qartë kriteret për punësimin dhe largimin nga puna. “Është shumë e vështirë të bëhesh diplomat, nuk mjafton vetëm arsimimi dhe shkolla, nuk mjafton vetëm të jesh student ekselence i çfarëdo niveli, qoftë dhe me Doktoraturë. Është e domosdoshme të merren parasysh një sërë elementësh, karakteristika që i kërkon ky profesion.” Pas shpalljes së 350 pasaportave diplomatike të pavlefshme, diplomati shqiptar kërkon kujdes për anulimin e tyre, pasi personat e prekur mund të jenë jashtë vendit apo në shërbime të ndryshme. “Përgjegjësia është ligjore. Nëse janë lëshuar pasaporta diplomatike jashtë kritereve, natyrisht që ato i ka firmosur dikush. Pasaportat diplomatike kalojnë me urdhër të Ministrit, kalojnë në Drejtorinë e Përgjithshme Konsullore, ka një praktikë dhe një procedurë të tërë.“-deklaroi ish-diplomati, i cili theksoi se sfida më e madhe e Shqipërisë është negocimi me Brukselin për anëtarësimin në BE.