Indeksimi i pensioneve me 2.8%, Fadil Kepi: Ja kategoritë që përfitojnë rritje. Kushtet e daljes në pension për mësuesit, ish-kooperativistët, fermerët dhe emigrantët. Vjetërsia për ushtarakët dhe shtesat e përfituara me vendim gjykate

924
Sigal

Kushtet e daljes në pension për mësuesit, punonjësit e shtypshkronjave, dhe ish-kooperativistët. Shuma dhe procedura e sigurimeve vullnetare të fermerëve dhe emigrantëve. Kur hyn në fuqi shtesa e pensionit e përfituar me vendim gjykate

Ja kategoritë e personave që përfitojnë indeksimin 2.8% të pensioneve

Shuma dhe procedura e pagesës së sigurimeve vullnetare

Pyetje

Znj. Rihane nga Tirana shkruan: Jam e datëlindjes 13.01.1960. Pasi mbarova Universitetin e Tiranës punova e siguruar 29 vjet dhe aktualisht, bashkë me periudhën 4 vjeçare të studimeve të larta ditën, bëhen 33 vjet. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit, sa vite pune të siguruara duhen për pension të plotë? A mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës? Sa duhet të paguaj dhe a më leverdis?

Përgjigje

Ju do të dilni në pension 61 vjeçe e 3 muaj më 13 mars të vitit 2021, dhe për pension të plotë duhen 37 vjet e 4 muaj punë të siguruara gjithsej, përfshirë edhe periudhën e studimeve të larta ditën, e vërtetuar me kopjen e diplomës të noterizuar. Me 33 vjet punë që keni aktualisht do të merrni pension të pjesshëm rreth 90% të pensionit të plotë. Nëse i keni mundësitë financiare, para moshës së pensionit mund të bëni sigurime vullnetare, duke paguar 67.392 lekë në vit ose 5.616 lekë në muaj. Po t’i paguani kontributet e mësipërme, këtë vit për vitin 2020, shumës së mësipërme vjetore i zbritet 6 % ose 4.040 lekë më pak, dhe po të siguroheni, deri në fund të qershorit të këtij viti për 6-mujorin e dytë( korrik-dhjetor 2019) ulet 3% e shumës vjetore, ose 2.020 lekë. Sqarime më të hollësishme do të merrni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore Tiranë.

Kategoritë e personave që përfitojnë indeksimin 2.8% të pensioneve

Pyetje

Z. Jorgo nga Athina shkruan: Më 21 mars 2019 plotësova moshën 65 vjeç dhe në Shqipëri kam punuar 34 vjet i siguruar, përfshirë dhe 2 vjet që kam qenë ushtar. Dokumentet për pension, mendoj t’i plotësoj dhe dorëzoj në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore Sarandë, kur të vij me pushime. Pyes, Sa vite pune duhen për pension të plotë? A mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës, dhe a përfitoj nga indeksimi i pensioneve me 2.8% me datë fillimi 1 prill 2019, siç vendosi qeveria?

Përgjigje

Juve për pension të plotë, ju kërkohen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara nga mosha 16 vjeç në Shqipëri, përfshirë edhe periudhën që keni qenë ushtar. Me vitet e punës që keni do të përfitoni pension të pjesshëm, në masën 93% të pensionit të plotë, i cili llogaritet duke pjesëtuar 34 vjet punë me 36 vjet e 8 muaj që duhen. Meqenëse moshën e pensionit e keni plotësuar më 21 mars, nuk keni të drejtë të bëni sigurime vullnetare. Nga vendimi i qeverisë për indeksimin e pensioneve me 2.8% përfitoni dhe ju, pasi këtë të drejtë e kanë të gjithë pensionistët, të cilët kanë dalë në pension edhe me 31 mars të vitit 2019, pavarësisht se dokumentet e pensionit ju do t’i dorëzoni në muajin gusht.

Baza ligjore e daljes në pension për mësuesit

Pyetje

Dy mësues, z. Petro Jatavora dhe z. Paulin Petriti shkruajnë: Kemi punuar mbi 40 vjet pa ndërprerje, secili, dhe jo gjithmonë pranë familjeve tona. Kemi dalë në pension para 10 vjetësh. Kemi dy pyetje:

1-Aktualisht, kolegët tanë mësues kur dalin në pension, me të njëjtat vite pune, marrin pagesë më të lartë se ne. Pse ky dallim mes nesh?

2- Meqenëse pensioni është i ulët, ne vazhdojmë të punojmë në shkolla private, duke paguar rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Pyesim, a përfitojmë shtesë pensioni për periudhën që po punojmë mbi moshë?

Përgjigje

Ligji i Sigurimeve Shoqërore, si çdo ligj tjetër ne vendin tonë miratohet nga kuvendi i Shqipërisë. Rritja dhe indeksimi i pensioneve bëhet me vendim qeverie. Sigurimet Shoqërore janë të detyruara të zbatojnë ligjet dhe vendimet e Qeverisë, në kohën kur pensionisti, pavarësisht nga profesioni, plotëson kushtet(moshën dhe vitet e punës), sqaron specialisti Fadil Kepi. Deri në fund të vitit 1994, mësuesit meshkuj kanë dalë në pension 55 vjeç, kur kishin 25 vjet punë gjithsej të siguruara, ndërsa femrat 50 vjeçe me 20 vjet punë. Nga 01.01.2019 deri më 31 dhjetor të këtij viti, sipas ligjit 104/2014, mësuesit meshkuj dalin në pension në moshën 65 vjeç, kurse fermat 60 vjeçe e 10 muaj, kur secili nga dy gjinitë ka 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara. Këto kushte sipas ligjit të mësipërm vijnë duke u ndryshuar nga viti në vit, derisa nga 01.01.2056, burrat dhe gratë do të dalin në pension 67 vjeç, dhe për pension do t’iu kërkohen 15 deri 40 vjet punë të siguruara, gjithashtu femrave nga 01.01.2032 nuk do t’iu njihen periudha e studimeve të larta ditën për pension. Sipas legjislacionit, pensionistët kanë të drejtë të ripunësohen në sektor privat, siç jeni punësuar ju, dhe të paguajnë rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore, me përjashtim të rasteve kur vetëpunësohen në bujqësi me tokën që kanë sipas ligjit. Nga dita që ju jeni punësuar në shkolla private, jeni të detyruar të paguani kontributet e sigurimeve shoqërore dhe po ta rilini punën, nuk përfitoni shtesë të pensionit. Qeveria pritet të miratojë një projektligj ku parashikohet që për çdo vit që keni punuar pas daljes në pension, duke paguar edhe kontributet e sigurimeve shoqërore, të merrni një shtesë pension 2.4% në vit. Ju mendimet tuaja për ndryshime në legjislacionin e Sigurimeve Shoqërore, mund t’ja propozoni deputetit të zonës suaj, sindikatës së mësuesve, Ministres së Arsimit Sportit dhe Rinisë, ose mund të shkruani në portalin “Shqipëria që duam”. Duke ju falënderuar për problemet që keni trajtuar në letrën tuaj, shpresoj të ju kemi sqaruar dhe ju përshëndes.

Kushtet e vetësigurimit për fermerët që kanë tokë sipas ligjit

Pyetje

Në mesazhin që na ka dërguar z. Bardhi Kame nga Përmeti lexojmë: Kam marrë tokë sipas ligjit, dhe nga 01.10.1993 deri në fund të vitit 1999 jam vetësiguruar si fermer. Në fillim të viti 2000 ka ardhur zyrtarisht me banim në Tiranë. Pyes, a mund të vazhdoj të vetësigurohem përsëri si fermer?

Përgjigje

Bazuar në vendimin nr.1206, datë 11.12.2009: “Njihen periudha sigurimi nga 01.10.1993 deri më 30.04.2004, për të cilat të vetëpunësuarit kanë paguar kontribute si të vetëpunësuar në bujqësi, deri në datën e hyrjes në fuqi të vendimit, pavarësisht nga vendbanimi në kohën e kryerjes së pagesës. Nga data 01.05.2004 e në vazhdim, ju nuk keni të drejtë të siguroheni si fermer në Tiranë ku banoni, pavarësisht se keni tokë në Përmet, me përjashtim të rasteve kur ju keni blerë tokë në Qarkun e Tiranës, apo keni marrë tokë në përdorim me dokumente të rregullta. Për sqarime më të hollësishme me dokumentet që dispononi ju rekomandoj të paraqiteni në DRSSH Tiranë.

Për më tepër lexoni “Telegraf”