Ilmi Qazimi: Qeveria të financojë organizatën e dëshmorëve

762
Sigal

Kryeministri të akordojë një fond mbështetës për Organizatën e Dëshmorëve të LANÇ

“Mos më sillni projekte me faturë financiare…!”

Ilmi Qazimi

Një fjali e tillë urdhërore e kryeministrit aktual ka stepur vartësit e tij, edhe pse e dinë që kanë të drejtë në kërkesat e tyre objektive. E konkretizojmë paksa me detaje këtë problem. Një nga të shumtat kërkesa që i venë qeverisë është edhe përmirësimi, në vartësi me kohën që jetojmë, i statusit të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar. Në projektin e dërguar, veç të tjerash, kërkohet edhe akordimi i një fondi optimal vjetor (që në realitet është fare minimal krahasimisht me fonde apo paga të tjera) për këtë Organizatë Kombëtare dinjitoze. Kjo lloj organizate, ekzistenca e së cilës njihet me ligj thuajse në të gjithë shtetet e globit që kanë luftuar dhe që kanë bij të vrarë ndër luftëra, edhe në Shqipëri është krijuar konform legjislacionit në fuqi. Ajo ka detyrime dhe gëzon atribute. Në vijim të punës së saj, kjo organizatë do të kërkonte që për çdo muaj të vitit të ketë mundësi të kryejë aktivitete, sado të thjeshta, në nderim të dëshmorëve me një shumë deri në njëqind e pesëdhjetë mijë lekë. Për një vit kjo shifër është një milion e tetëqind mijë lekë. E thënë ndryshe, afërsisht sa 70% të pagës vjetore së një deputeti të vetëm. Vini re: Rroga e një deputeti; kur në parlamentin tonë gjembojnë 140 deputetë, përveç atyre që vetëdigjen. Po kështu, kjo organizatë do të kërkonte që edhe në çdo bashki, si zë të veçantë financiar, të ketë një fond minimal vjetor, prej jo më shumë se dyqind mijë lekë në muaj, pra për 61 bashkitë kjo shifër vete pesëmbëdhjetë milionë lekë. Këto fonde do të shërbenin për riparime të domosdoshme të varrezave të dëshmorëve të çdo rrethi, për veprimtari të veçanta si dhe për rastet festive vjetore që lidhen posaçërisht me dëshmorët. A ka kërkesë më modeste se sa kaq?! A ka faturë financiare më të vogël se sa kjo?! Madje edhe mua që jam pensionist më vjen rëndë ta përmend, sepse janë fonde jashtëzakonisht simbolike, në një kohë kur dëshmorët meritojnë shumëfish më tepër.

Pikërisht për pesëmbëdhjetë milionë lekë është katandisur vallë qeveria jonë, që nuk ka ku t’i gjejë? Duket qartë se këtu halli është gjetiu: Tek mungesa e dëshirës për të mbajtur gjallë këtë organizatë dhe tek indiferenca e qeverive të pas vitit 1990 deri tek kjo e sotmja si dhe nënvlerësimi i pafalshëm që kanë ato ndaj Dëshmorëve të Shqipërisë. Si u gjetkan fondet për të ngritur e financuar një institut, disa botime të të cilit, dëshmorët i kthen në kriminelë dhe nuk e gjetkan fonde, bie fjala, për të shpënë eshtrat e nëntëdhjetë dëshmorëve në varrezat ku atyre u takon të prehen? Nuk duhet harruar se “Po nuk qau fëmija nuk i jep kush sisë!” Prandaj, është po kaq urgjente që edhe Kryesia e Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe për dëshmorët e tjerë të atdheut, ta përsërisë kërkesën aq herë deri sa, të marrë zgjidhje e jo të rrijë ‘në pritje’.

Vendi, shoqëria dhe zhvillimi sa më i vrullshëm drejt kapitalizmit ka shumë andrralla, shqetësime dhe kërkon një vendimarrje të guximshme. Për këtë nuk mungojnë organizma e hallka administrative të specializuara. Kështu që, qeveria, duke dëgjuar me kujdes specialistët e kësaj Organizate, në mënyrë urgjente të ndërrojë mendësinë dhe të akordojë fondet përkatëse financiare optimale për të nderuar, ruajtur e mbrojtur gjakun e bijve të popullit shqiptar që luftuan kundër nazistëve e fashistëve dhe sollën lirinë e vërtetë. Këtë sjellje e qëndrim respektues ndaj dëshmorëve, e përsërisim, e ka çdo vend i botës, pavarësisht nga sistemi shoqëror apo niveli i varfërisë e i zhvillimit. Pse vendi ynë të bëjë përjashtim? Si qytetar, mendoj se është koha që qeveria të përmbushë kërkesat e kësaj organizate konform autoritetit që i përket dhe të mos mbajë më tej mbi supe një turp me peshë kaq të rëndë.