Hyqmet Zane: Vasil Kamami, mes normalistit dhe universitarit

1017
Sigal

Normalja si “ëndrra amerikane” për arsimit mbarëkombëtar

Vasil Kamami mes normalistit dhe universitarit

 

Nga Hyqmet Zane

 

Tendenca për t’iu referuar veprave të njerëzve të mëdhenj që kanë lenë gjithnjë gjurmë në kujtesën botërore, është një praktikë e kahershme e sjelljes së popujve me personalitetet e tyre. Kjo ndodh se zbatimet e mendimeve të tyre të vyera, janë në vazhdën e traditës së vendit të origjinës së tyre që i ngrenë në lartësinë e përfaqësimit për të gjithë popujt e tjerë. Është një traditë e kahershme sa një latin i lashtë e ka përmbledhur në shprehjen “O kombe, ruani të mëdhenjtë, se përmes tyre do t’ju njohë e ardhmja”. Është sa e vërtetë aq edhe madhështore kur e mendon, por bëhet sublime kur e realizon.

Me këtë thellësi mendimi u ballafaquam në një promovim të librit të Namik Selmanit, autor shqiptar më banim në Boston të SHBA-së, ku mes së tërës, shkrimi “Nga Kembrixhi në…Elbasan”, si një kujtesë për Mjeshtrin e Pedagogjisë dhe “Mësuesin e Merituar” doktorin e shkencave Vasil Kamami, ish-drejtori i shkollës Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” dhe më pas edhe drejtori i parë i shkollës së lartë ILP “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Fakti që Normalja dhe Universiteti i parë shqiptar gjetën truallin e tyre në këtë qytet, motivohet me fjalën e Luigj Gurakuqi, drejtorit të parë të kësaj Normaleje më 1 dhjetor 1909 , që ndër të tjera tha “Elbasani sikundër ashtu mesi i Shqipnisë kërthise, ashtu do të jetë edhe mesi i Shqipnisë mendore; do të jetë truri, do të jetë zemra e të gjithë shqiptarëve”.

Përtej një trajtese libri, fjalën e kam tek ajo çfarë ka mbetur nga ajo Normale që ishte si një “Ëndërr Amerikane” që Martin Luter King e ka thënë në një kohë të hershme, për një problem të hershëm dhe në një vend shumë herë më lart se ne. Aktivisti për të mbrojtur të drejtat e njeriut kundër segregacionit në SHBA, Martin Luter King në një nga pohimet e tij që janë bërë proverbiale është shprehur se “Unë kam një ëndërr, që katër fëmijët e mi do të jetojnë një ditë në një komb ku ata nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre”.

Por a u bë e tillë Normalja dhe misioni i saj arsimdhënës? E themi gjithnjë dhe do ta themi sa herë që ndjehet nevoja se normalistët ishin ata që ëndërruan për të ardhmen e arsimit si një ëndërr e madhe e kombit. Kush më shumë se normalistët kanë ëndërruar për arsimin? Por nëse ata ëndërruan një kauzë të madhe sot, gjithçka është harruar, ministrja e Arsimit e qeverisë shqiptare nuk e di se çfarë është kjo Normale, derisa nuk zihet në gojë as Kongresi Elbasanit dhe as vendimet e saj madhore në 110-vjetorin e tyre. Aq më tepër ministrja e Arsimit duhet të dijë se Normalja është “Nderi i Kombit” që na meritoka harresën e kombit?!

Ne kemi dëgjuar për Martin Luter King, por ai do të duhet të ketë dëgjuar se ëndrra për arsimin është ëndrra më e madhe për një komb. Dhe, nëse sot kemi rënë nën nivelet e përfaqësimit si një popull që manifeston veset dhe bëhen punët më të mbrapshta që ka njohur Evropa nëse duam ta krahasojmë më të, jam i bindur dhe kam mbështetjen e shumë intelektualëve që këto sëmundje janë si frut i një rënie në nivelet më të ulta të gjendjes së arsimit në Shqipëri.

Nëse ka një Harvard, Oksford apoKembrixh që konsiderohen kryeqytete të diturisë botërore, me plot gojën do duhet të themi se Elbasani dhe Normalja kanë qenë kryeqyteti i arsimit në kombin shqiptar. Për më shumë akoma mësuesit dhe pedagogët e tij janë po aq të mëdhenj që jo vetëm krijuan brezin e artë të arsimimit shqiptar, por sot ka mbetur si model i arsimit mbarëkombëtar.

A i kemi falënderuar ndonjëherë paraardhësit tanë? Them që po, por me fjalë dhe jo me vepra. Për fatin e keq, ata që pretendojnë se kanë më shumë merita për këtë vend, do të doja t’i pyesja, a u vjen ndërmend ta zënë ndonjëherë në gojë Normalen dhe mësuesit e nderuar të saj kur vjen fjala për arsimin elitar të vendit tonë?

Normalja nuk na duhet si një stoli për ta thënë, se edhe godinat ia kemi harruar ku kanë qenë, se nuk ka asnjë pllakë kujtimi, por edhe historinë nuk e dinë.

Pikërisht kështu tek libri“Ëndrra amerikane”, na vjen në vëmendje se si duhen nderuar të parët tanë, ashtu siç ndodh në Amerikë. Nëse sot në një sallë të qytetit të Elbasanit nderohet emri dhe vepra e Vasil Kamamit, këtë duhet të dijë edhe një ministre apo një drejtor drejtori në atë ministri, qoftë edhe një qeveritar tjetër që duket se kanë harruar, që nga ky arsim kanë dalë dhe janë bërë të “mëdhenj”, por më shumë u është rritur mendja se sa emri e puna që bëjnë.

Nee kujtojmë ditën e Pavarësisë së Elbasanit, por nuk ia dimë shtëpinë Aqif Pashë Biçakçiut, nuk ua dimë shtëpinë asnjërit prej firmëtarëve që gjithsesi do të duhet të jenë krenaria edhe kombëtare, po aq sa edhe kujtesë për brezat.

Po kështu mund të thuhet edhe për të gjithë ata që krijuan Normalen, por janë harruar ndër vite. Vasil Kamami bëri histori për gati gjysmë shekulli dhe la një emër, ndërsa sot drejtuesit e arsimit nuk po dinë të drejtojnë punët e këtij sektori jetik për të ardhmen tonë si komb. Ne na takon të dëgjojmë gjithnjë tingujt e orkestrës madhështore të diturisë që na dha Normalja dhe mësuesit e saj.

Shqiptarët dhanë kontribute në botë dhe në Amerikë, sa dihen historitë, ndërsa normalistët dhe të gjithë ata që studiuan jashtë vendit në botë sollën kontribute në Shqipëri për arsimin. Është ky një mesazh që po përkthehet ndryshe dhe në të kundërtën e tij, sepse të arsimuarit me universitete po ikin nga vendi si një sëmundje që ka kapur tërë vendin dhe popullin tonë, që do të duhet ta themi, se është kthyer në një fatkeqësi kombëtare.

Normalja dhe mësuesit e saj si dhe ata të Pedagogjikes na dhanë mësime të mëdha, tamam ashtu siç dinin të jepnin mësime për brezat e të ardhmes ata që ditën të merrnin mësime nga kultura dhe arsimi botëror. A nuk ka ardhur koha që, të paktën ne shqiptarët, të bëjmë një formulë Betimi për Mësuesin, një Formulë për çdo mësues, ashtu siç e ka mjeku, siç e ka gjykatësi??? Kur themi Vasil Kamami duhet të kuptojmë normalistin dhe pedagogjiksin, duhet të kuptojmë profesorin dhe drejtorin, duhet të kuptojmë se kemi të bëjmë me themeluesin e arsimit të lartë në Elbasan si shembull për pasardhësit e tij. Ai dhe bashkëqytetarët e tij të arsimit u betuan para Zotit për të bërë arsimin një model mbarëkombëtar dhe e bënë se betimi i tyre ishte me shpirt dhe jo me fjalë.

Unë jam njëri prej studentëve të këtij mësimdhënësi dhe studiuesiashtu siç janë me qindra dhe mijëra nxënës dhe studentë si unë. Ka një fjalë që thuhet “se sa i madh është mali e shikon kur je larg tij, se sa është madhështia e tij duhet ta ngjitësh atë”. Këto fjalë dhe të gjitha sa do të thuhen për Vasil Kamamin, janë të merituara, sepse tek ky personalitet i arsimit në Elbasan shohim të kaluarën e arsimit, kohën kur ai e jetoi atë dhe me këtë madhështi dhe këndvështrim duhet ta shohin arsimin brezat e nxënësve dhe studentëve dhe drejtuesit e tyre të lartë.

Ndoshta duhet thënë se, nëse në 110 vjet më parë pati burra që bënë arsimin tonë kombëtar, kam bindjen se nuk kanë vdekur ende ata burra për të rikthyer lavdinë e Normales “Nder i Kombit” që arsimi ynë kombëtar të bëhet “Nder për brezat e së ardhmes sonë mbarëkombëtare”. Arsimi është ëndrra amerikane e shqiptarëve!