Hyqmet Zane: Sistemi që kullon spiunazh për antishqiptarizëm

823
Sigal

Enverizmi, një sistem që kullon spiunazh për antishqiptarizëm

 

Nga Hyqmet Zane

 

“Mbjellja” e së keqes në këtë vendin tonë ka lëshuar rrënjë të forta dhe është bërë sistem i tërë që nuk po dihet se kush do e bëjë qilizmë këtë tokë të lashtë, të bukur, por fatkeqe. Komentet dhe analizat, qoftë edhe opinionet që shprehen për hapjen e dosjeve të diktaturës dhe dekriminalizimin nga shërbëtorët e tyre, janë një tjetër plagë e pahapur ende mirë për ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Nëse flitet për dosje të njërit apo të tjetrit njeri të gjorë që me dashje apo pa dashje u bënë bashkëpunëtorë të sistemit dhe të diktaturës, duhet thënë se ishte dhe është enverizmi dhe sistemi që ndërtoi ai që ende edhe sot e kësaj dite kullon spiunazh për antishqiptarizëm.

Në etapa të ndryshme të historisë 45-vjeçare të diktaturës, nuk ka pasur rast pa dalë në pah realiteti i njerëzve të thjeshtë të survejuar nga spiunët që prodhonte çdo ditë diktatura dhe filozofia që udhëhiqte këtë sistem. Dhe ata që e vuanin të keqen ishin njerëzit e thjeshtë, ata që nuk pajtoheshin me këtë sistem, por që mbyllnin gojën për të mos e pësuar siç e kishin pësuar të tjerë para atyre. Është për të shënuar faktin se ajo që prishi sistemi enverist, i barabartë me sistemin stalinist, ishte shkatërrimi i shenjtërisë së shpirtit dhe i shumë gjërave të tjera që lidhen me këtë shenjtëri dhe që sjellin sot e kësaj dite pasoja të pa riparueshme lehtë. Kjo për arsyen se nuk janë larë zemrat e shqiptarëve dhe askush nuk di edhe sot e kësaj dite, se cili është komshiu i tij, çfarë shërbimesh i ka bërë sistemit të kaluar në kurriz të komshiut tjetër apo të njerëzve të fisit t tij që në një formë a në një tjetër u ndanë në dysh që diktatori ta kishte më lehtë sundimin.

Por për kujtesën e shqiptarëve, janë të paharruara ato vite kur për të bërë kolektivizimin apo për të shpronësuar ata që kishin, përdoreshin metodat më të dhimbshme të spiunazhit të frymëzuar nga UDB dhe prona e shqiptarëve u mor në atë mënyrë, saqë një gjë e shenjtë, ajo u shpërfytyrua duke u bërë pronë e të gjithëve dhe e askujt, por që i shërbente ekskluzivisht kastës së diktaturës dhe spiunazhit të tij. Sa e sa njerëz ranë viktima të kësaj situate dhe përfunduan në burg apo u ekzekutuan me nofkat e turpshme të spiunit, por pa ditur se kush i kishte spiunuar dhe përse bëhej një gjë e tillë, ato ishin familjet e mira shqiptare që kishin kontribute për këtë vend dhe që nuk kërkonin merita, por u tërhoqën pas sloganeve propagandistike “Për një Shqipëri të lirë dhe demokratike” që në fakt u bë një Shqipëri e burgosur dhe diktatoriale e rilindur keqas sot. Gjithkush në këtë vend mban mend se si familje të ndryshme shqiptare, veçanërisht edhe në Elbasan i shkolluan fëmijët e tyre në Evropën Perëndimore gjatë kohës së Mbretërisë, të cilët ishin edhe një investim i madh për kombin. Por me këtë situatë nuk ishte dakord diktatura, sepse me t’u kthyer në Shqipëri, këta djem, veçanërisht, u cilësuan sabotatorë dhe armiq, duke u përballur me togat e pushkatimit pa bërë asnjë faj. Për secilin nga këta u hap ndonjë dosje dhe familjet e fiset e tyre u survejuan dhe u dënuan deri në palcë. Realisht, cilët ishin ata që i spiunuan këta bij të popullit dhe që i çuan para plumbave dhe në internime familjet e tyre dhe që mbushën dosjet e spiunllëqeve? Ata sot mund të jenë edhe gjallë dhe fëmijët e tyre mund të jenë edhe politikanë të së majtës apo në parti të djathta duke u bërë përsëri sherri i këtij populli. Për kujtesën e këtij populli, janë të pashlyeshme ato vite kur, pas prishjes edhe me Rusinë, modeli kinez i dha të tjera modele diktatorit për të eksperimentuar mbi këtë popull, ku spiunët dhe ata që hapnin dosje dhe i përgatisnin për në dyert e drejtësisë së diktaturës, bënë punë të “mëdha” duke u marrë edhe me fenë dhe në emër të direktivave të “Zeusit” morën në qafë fate njerëzish dhe shkatërruan shpirtin e tyre me prishjen e fesë dhe kthimin e këtij vendi në vendin e parë ateist në botë. Sa e sa hoxhallarë e priftërinj u kthyen në njerëz që mund të talleshin të gjithë duke shkatërruar shenjtërinë e shpirtit të shqiptarit. Çfarë etiketimesh nuk iu bënë priftërinjve dhe hoxhallarëve apo pasuesve të tyre, duke i degjeneruar me emrin spiunë apo lloj e lloj epitetesh që nuk i meritonin, por që i vinin bijtë e spiunëve që rrinin në vrojtim për çdo gjë dhe për të sajuar gjithçka në emër të së “drejtës” komuniste dhe luftës së klasave që ishte një sajesë monstruoze e një sistemi që pillte dhe ushqente çdo ditë spiunllëkun. Njerëz besimtarë të Zotit u shndërruan me ose pa dashje në spiunë të njeri-tjetrit, duke bërë që sistemi të zbatonte parimin “Përça e sundo”. Dosjet e këtyre njerëzve të fesë u përdorën për pasardhësit dhe farefisin e tyre, por të gjithë këta që mbushën këto dosje kanë një emër, kanë një identitet që duhet të dalë se ata mund edhe të jenë përgatitësit e situatave të rrezikshme që sjellin pasoja të pariparueshme.

E kush nuk mban mend se si në emër të emancipimit të gruas, shumë gra u tjetërsuan dhe familja, kjo gjë e shenjtë e shqiptarëve u kthye në një model kinez, deri në absurditete të pabesueshme. U shkua deri aty sa gruaja në të shumtën e rasteve ishte kontingjent për përdorim spiunllëku, se kështu në mësonte PPSH. Në këtë mënyrë u shkatërrua shenjtëria e familjes dhe pasardhësit e kësaj familjeje që kishte marrë krisjen e një modeli spiunllëku, dha pasoja të pariparueshme edhe sot e kësaj dite. Jo vetëm që familja, veçanërisht gruaja, nuk u emancipua, por në familje u fut fryma e spiunllëkut në çdo gjë, se kështu vepronte gruaja ndaj burrit, që mund të denoncohej në çdo moment që një burrë i shtëpisë kërkonte të ngrinte krye mbi gruan dhe nuk respektonte atë kavie eksperimentale të emancipimit. Këtë nuk mund ta themi për familje të shumta, ku gratë ishin modeli i edukimit dhe i fisnikërisë, duke krijuar situata që rrisnin fëmijë të mirë, por që ishte në kundërshtim me moralin e sistemit enverist. Është për të theksuar dhe fokusuar një rast të veçantë, kur në punën që unë isha kryetar i një rajoni të bashkisë Elbasan në vitin 2000, më vjen në zyrë një burrë plak me një bastun me mbajtëse tek bërryli, me një kapele tipike nga ato të sigurimsave dhe që si qytetar kërkonte një vërtetim për problemet e pensionit. E ndihmoj të ulet dhe, pasi shkëmbyem fjalët e para të njohjes, unë nga Filati i Çamërisë dhe ai nga një fshat i Matit, e pyes se me ç’punë ishte marrë, më thotë se kishte punuar për shumë vjet si punonjës i sigurimit të shtetit me një Hero të Popullit, ai kishte qenë edhe në Filat gjatë viteve 1948-49. i njihte mirë edhe bashkëqytetarët e mi, Teme Sejko dhe Tahir Demi. Për një moment e pyeta se si u arrit që të përhapej gjithë ai opinion i keq për çamët, kush e bënte këtë gjë. I kënaqur nga respekti që tregova për të, me sinqeritet më thotë se sigurimi i shtetit kishte një rrjet të tërë spiunësh të organizuar, ku secili prej tyre kishte nga një dosje, për t’i shërbyer jetëgjatësisë së diktaturës, kishte të përcaktuar lokalet ku do të shkonte dhe do të takonte ndonjë të njohur si rastësisht dhe në muhabet e sipër do të hapte bisedën te gjyqi i Teme Sejkos dhe Tahir Demit dhe më pas do të thoshte fjalët se “Sa të poshtër këta çamët, të pabesë, partia dhe shoku Enver u besoi dhe i strehoi, kurse këta u bënë spiunë të grekut e të imperializmit” e kështu me radhë sa i detyronin edhe bashkëbiseduesit, me dashje apo pa dashje të pajtoheshin me spiunin që injektonte helmin. Kështu, i pari dhe i fundit gjyq që u bë me altoparlant, për të diskredituar një popullatë të tërë të pafajshme dhe të skandalizuar nga veprimet e shtetit që ata i besuan, u bë shembull për shkak të spiunllëkut, kur në fakt populli i thjeshtë nuk kishte se si të dinte, se cila ishte sajesa e këtij gjyqi dhe se sa aspak fajtorë ishin ata bij të Çamërisë që u dënuan padrejtësisht për akuzat që atyre iu ngritën. Kjo ishte një nga ato vepra të sigurimit të shtetit. Atëherë, cili prokuror apo gjyqtar, cili ideator apo organizator u dënua për këtë gjyq të rremë që pati si fillesë helmimin e Hilmi Seitit në Shkodër, kur ende edhe sot e kësaj dite janë gjallë fajtorët.

Çfarë kanë pësuar shqiptarët nga spiunazhi i tij, ende nuk dihet dhe se cilët ishin spiunët dhe dosjet e tyre, ende nuk janë të ndëshkuar. Këtu qëndron thelbi, se përse ata që janë sot pasues të PPSH dhe që mbrojnë me zjarr, me mendje e me shpirt ish-diktaturën dhe diktatorin, e provuan këtë me zell të madh kur u kërkua të hartohej Rezoluta dhe mënyra se si funksionon komisionet për dënimin e krimeve të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Para së gjithash ende sot e kësaj dite nuk ka një vendim para së gjithash për të dënuar figurën e Enver Hoxhës, për t’i hequr atij meritat e pa merituara dhe të tjera si këto. Mënyra se si po shkojnë punët në këtë vendin tonë, kur flet hetuesi dhe prokurori politik i diktaturës për drejtësi dhe kur i persekutuari nuk gjen drejtësi, kur bijtë e atyre që bënë diktaturën drejtojnë pushtetin, përdorimi i policisë politikisht dhe kriminalizimi i shoqërisë shqiptare, janë treguesi më kokëfortë, se jo vetëm nuk kemi një Shqipëri të lirë dhe demokratike siç u dëshirua, por kemi një ‘Rilindj’ për një diktaturë tipike të bijve bastardë të etërve dinakë.