Hyqmet Zane: Saharaja e Vilson Blloshmit, mes së djeshmes dhe sotmes

643
Sigal

Saharaja dënoi Vilosn Blloshmin dhe shkretimi i saj që dënon sot shqiptarët

 

Saharaja e Vilson Blloshmit, mes së djeshmes dhe të sotmes

 

Nga Hyqmet Zane

 

Në vend të hyrjes

Vitet bëjnë punën e tyre dhe ikin një e nga një, por tragjeditë e ndodhura në këtë vend mbeten gjithnjë në kujtesën e brezave. E tillë është ajo e ndodhur 42 vjet më parë në Librazhd kur plumbat e diktaturës nuk kursyen jetët e dy mësuesve të rinj, Vilson Blloshmit 29 vjeç dhe Genc Leka 36 vjeç. Historiku i kësaj ngjarjeje të madhe për kohën që la gjurmë në kujtesën intelektuale për egërsinë e regjimit të diktaturës dhe që vuri në provë edhe shumë e shumë të tjerë që u bënë dorë e zezë në dënimin e këtyre dy burrave të Bërzeshtës së Librazhdit.

Sipas pohimeve të Bedri Blloshmit sot, u bë shkak arrestimi, më 3 prill të vitit 1976 i vëllait të Vilsonit, Bedri Blloshmi që edhe një spiun bashkëpunëtor i sigurimit në gjirin e familjes (një dhëndër) që të shiheshin me një sy të keq edhe Vilsoni edhe Genci dhe më 5 gusht të arrestohej edhe Vilsoni Blloshmi dhe më 31 gusht edhe Genc Leka. U desh ekspertiza e Diana Çulit për të gjithë krijimtarinë, Myzafer Xhaxhiut për shkrimet në frëngjisht dhe Koçi Petritit për poezinë Saharaja që çuan drejt plumbave të togës së pushkatimit dy djemtë e mrekullueshëm të kësaj krahinë atdhetare dhe me shumë personalitete. Por më shumë se sa një trajtesë historiku i asaj ngjarjeje kriminale për të cilën asnjëherë nuk u kërkua falje nga protagonistët dhe nga krerët e sistemit, këndvështrimi për njërën nga krijimet më të spikatura të Vilsonit, është edhe thelbi i një jete që kaluam në diktaturë dhe që po instalohet të jetohet edhe në këtë të ashtuquajtur demokraci me modele diktature. Që kontrolli i diktaturës ishte në çdo gjë, këtë e dinte gjithkush se ishte e ligjëruar, pro që një poezi të ishte sebepi i një hakmarrje kriminale ndaj jetës së një djali, këtë e dinë vetëm ata që e ekspertuan dhe u bënë garanti i së keqes.

Fjalët e asaj poezie që u shkruan me aq shumë tingëllim aq nga poeti i realitetit të kohës dhe të recituar me aq ndjenjë nga aktori librazhdas Muhamet Muça, janë një kambanë alarmi i asaj që përjetuan shqiptarët për 45 vjet dhe i asaj që përjetohet edhe sot e kësaj dite në këtë vendin tonë. Të zbërthesh fjalët e poezisë së vajtimit që shfaqet si një tingëllimë për ata që kanë veshë ta dëgjojnë dhe mendje ta kuptojnë, është njëlloj sit ë zbërthesh sot se po na zapton një Sahara tjetër, me braktisje njerëzish që ka shqetësuar edhe OKB që pohohet se në fund të shekullit në Shqipëri do të mbesin një milion njerëz. Është shkretimi i ekonomisë dhe i politikës, është ikja nga vendi i rinisë dhe ajkës intelektuale, është krijimi i një jete në kafe me djem e vajza që harrohen mes bisedave kot më kot se nuk kanë se me se merren se nuk kanë punë dhe zanat, që ju janë shkretuar si një Sahara zemrat dhe mendjet dhe kanë mbetur si në vendin e kotësive. Saharaja reale dhe Saharaja e diktaturës duket se i përngjajnë kësaj Saharaje të krijuar rishtas në çdo ambient, në arsim me mbyllje specialiteteve të mësuesisë dhe lulëzimin e infermierisë si kontingjent për të ikur jashtë shtetit. Po krijohet Sahara në papunësi dhe në humbje të shpresës nga mos gjetja e mundësive për jetesën e tyre. Saharaja i ka hyrë administratës që po pushtohet nga injorantët dhe nga femrat që pasi bëjnë foto me veshje të shtrenjta dhe ekstravagante me politikanët e pushtetit, bëhen shefe zyrash, drejtoresha institucionesh që shkretojnë gjithçka me modelin e tyre informal dhe të papërgjegjshëm. Saharaja e politikës që udhëheq vendin po i sjell qytetarëve dhe tërë vendit një boshllëk në mendje dhe mosbesim në shpirt se mund të ketë ndonjëherë ndonjë mundësi jete në këtë shkretim të vërtetë Saharaje shqiptare. Saharaja që shkroi dhe që e dënoi Vilson Blloshmi është shkretimi që po dënon sot edhe një herë shqiptarët ndërkohë që Vilson Blloshmi, edhe pse në atë jetë pas vrasjes kriminale, ndodhet mes dy Saharave, të diktaturës dhe të sotmes. Mes së djeshmes dhe të sotmes së shkretuar padrejtësisht dhe padëshiruar për shqiptarët e dëshpëruar.

 

Pak historik nga e vërteta…

Më 17 korrik 1977 u mbushen 42 vjet nga ekzekutimi i poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Ata bënin pjesë në radhët e familjeve kundërshtare të regjimit komunist. Për këtë arsye u përfshinë në një proces agjenturor-operativ të Sigurimit dhe më pas hetimor-gjyqësor të hetuesisë e gjykatës.

– Genc Leka (1941-1977), ishte 36 vjeç kur u ekzekutua. Prej vitit 1959 ishte vënë në përpunim të organeve të Sigurimit të Shtetit. U arrestua më 31.8.1976.

– Vilson Blloshmi (1948-1977), ishte 29 vjeç kur u ekzekutua. Raportimet e para për të nga Sigurimi janë nga viti 1966, ndërsa ndjekja aktive është nga viti 1970. U arrestua më 5.8.1976.

Çështja e trajtimit të tyre në një proces agjenturor-operativ të centralizuar nis në maj 1975. U implikuan 39 persona. Regjimi kërkoi të lidhte gjoja “sabotimet” në kooperativë me një grup “armiqsh” ishin familje kulakësh, në krye të të cilëve qëndronin intelektualë si poetët Blloshmi e Leka. Për këtë arsye u nxorën në gjykim 8 të pandehur, një pjesë e të cilëve u përdorën për të dënuar të ekzekutuarit (formulë e njohur kjo e proceseve komuniste). Bedri Blloshmi u arrestua më 3.4.1976. Pas një hetuesie të gjatë e barbare, përfshi trajtimin e ekspertizave letrare, gjyqi ndaj tyre në kinemanë e Librazhdit ishte një demonstrim i urrejtjes klasore, një triumf i ligësisë ndaj të drejtës e moralit njerëzor. Për vite me radhë këtë çështje e ka zbardhur me përkushtim të veçantë, Bedri Blloshmi (i dënuari i tretë i këtij procesi), vëllai i Vilsonit, i cili arriti të zbulojë vend pushkatimin e tyre, si dhe të grumbullojë një dokumentacion të bollshëm, një pjesë të së cilit e ka botuar. Procesi ndaj poetëve u zhvillua në Librazhd më 6-13 qershor 1977. Me vendimin nr.45, datë 13.6.1977 Gjykata e Rrethit Librazhd, i dënoi poetët me vdekje, pushkatim dhe Bedri Blloshmin me 25 vjet burgim. U la në fuqi nga Gjykata e Lartë me vendimin nr.202, datë 2.7.1977. Më 16.7.1977 Presidiumi i Kuvendit Popullor njoftoi refuzimin e faljes së jetës. Një ditë më pas, ministri i Punëve të Brendshme nxjerr urdhër ekzekutimin, i cili realizohet më 17.7.1977. Nga kërkimet e bëra, nuk është arritur të gjendet procesverbali i fjalës së fundit të poetëve.

Epilog

Fjalët e poezisë “Saharaja” janë aktuale dhe një mesazh për tu dëgjuar dhe vlerësuar se rikthimi i saj si në një diktaturë të re, nuk do të vijë me tam-tame, por ashtu me veprat e veta shkretuese në çdo qelizë të jetës dhe një ditë do të gjendemi të braktisur dhe të gjunjëzuar, do të ndodhemi si në një përvëlim saharian dhe nën një shkretim ku veç nata do të jetë mbulesë e një vendi që shqiptarët e duan shumë, por politika udhëheqëse e mazhorancës së sotme po e shkreton dhe po e kthen vërtet si në një Sahara.

– Genc Leka (1941-1977), ishte 36 vjeç kur u ekzekutua. Prej vitit 1959 ishte vënë në përpunim të organeve të Sigurimit të Shtetit. U arrestua më 31.8.1976.

– Vilson Blloshmi (1948-1977), ishte 29 vjeç kur u ekzekutua. Raportimet e para për të nga Sigurimi janë nga viti 1966, ndërsa ndjekja aktive është nga viti 1970. U arrestua më 5.8.1976

 SAHARAJA

 

Saharaja, larg është Saharaja,

Saharaja shkëmb e rërë e gurë,

Që ka shok veç emrin e saja

Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.

***

Saharaja s’di të ëndërrojë.

Ajo bluan gurë në mendt’ e saj…

Saharaja s’ka këngë të këndojë,

Saharaja s’ka as lot të qajë.

***

Saharaja nuk ka miq e shokë,

Saharaja nuk ka bijë e bir.

Saharaja është një copë tokë,

Thonë se dhe me natën nuk shkon mirë.

***

Natës s’i pëlqen në Sahara,

S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;

Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;

Perç’ e sajë e zezë s’ka ç’të mbulojë.

***

As dhe një s’e di si është kandisur,

Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,

Porse thonë në botë është stisur,

Kur i duhej njerëzisë mallkimi.

***

Kur ai për keq e mban në gojë;

Saharaja e mban vesh e qesh;

Saharaja fillon të gëzojë

Kur ne mallkohemi mes nesh.

***

E kur bije ndrojtur rrez’ e diellit

Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit;

I ngjan vello savani i qiellit,

Shkretëtirës shket e shkrepëtit.

***

Prandaj kur urrejtje e fortë e nxehur

Mbi dikë mallkon e shfryn e shanë,

Që nga skuta del kujtimi i dehur

Dhe thërret menjëherë Saharanë.

***

Kur mallkimi shfryn e kur kujtimi

Në pusinë e harresës tret…

Kur hynë dielli e kur hesht thëllimi,

Shkretëtirë e shkretë mbetet shkret!