Hyqmet Zane: Misioni atdhetar i Klubit “Vëllazëria” të Çamërisë

637
Sigal

Mehmet Sejko dhe Musa Demi nga Çamëria dhe Lef Nosi nga Elbasani

 

Nga Hyqmet Zane

 

Mesazhet e veprave të atdhetarëve të shquar, janë një shërbim i madh që i duhet bërë kombit, kur vjen fjala për kauza të tilla siç është kauza e Çamërisë, përpjekjet, lufta, mundimet dhe sakrificat e bëra nga atdhetarë të shquar të kësaj krahine vitale. Mendoj se duhet të jenë vëmendje specifike për këdo pasardhës të Çamërisë, sot dhe në të ardhmen. Nëse vërtet duam të fitojë që kjo kauzë e madhe e cila sot ndodhet në përballje me sfidat e kohës, duhet të qartësohen mendjet e të gjithë atyre që duan të punojnë për zgjidhjen e çështjes çame. Mjaft të njihesh me veprimtaritë e atdhetarëve dhe intelektualëve të shquar të Çamërisë, bindesh për të vërtetën se një kauzë e madhe kërkon përpjekje të mëdha, sakrifica të shumta, urtësi mendimi dhe veprimi dhe mbi të gjitha dëshirën për të bashkuar dhe thirrur pas kësaj kauze, jo vetëm komunitetin çam, por të gjithë shqiptarët, se kjo është një çështje mbarëkombëtare, për më shumë flet trajtesa e këtij shkrimi. Sfondi atdhetar i shoqërive dhe klubeve patriotike në fillimet e shekullit XX, në trojet shqiptare, ka qenë një tregues i realiteteve të përjetuara në tërësinë e tyre mbarëkombëtare. Jetën politike shoqëritë atdhetare e bënin përmes njohjeve dhe bashkëpunimeve që krijonin personalitetet në të gjithë hapësirën nga Kosova e deri në Çamëri, ku pjesa qendrore e Shqipërisë zinte një vend dominues. Nëse sjellim në kujtesë atë thënien e një latini të lashtë: “O Kombe, ruani të mëdhenjtë, se përmes tyre do t’iu njohë e ardhmja”, këtë më së miri e fokuson një letër e vitit 1909 që drejtues të jetës politike të Filatit në Çamëri i drejtonin klubit “Vëllazëria” në Elbasan. Mehmet Sejko, kryetar dhe Musa Demi, sekretar, janë dy personalitete të jetës shoqërore dhe asaj politike jo vetëm në Filat. Ata në emër të klubit “Vëllazëria” të Filatit i drejtojnë një letër homologut të tyre në Elbasan. Pa hyrë në detajet e formulimit si një letër e një kohe gati 117-vjeçare për shkrimin dhe bukurshkrimin apo për vulën e përdorur, është përmbajtja e saj e thellë, është mesazhi që përcjell, është fryma e dashurisë dhe e vëllazërisë që manifestohet në shërbim të çështjes kombëtare dhe rritjes së ndërgjegjes në funksion të përparimit të kombit shqiptar. Vetë fakti që dy personalitetet e Filatit, Mehmet Sejko, babai i të mirënjohurve Taho dhe Teme Sejko dhe Musa Demi, një figurë me angazhime të gjithanshme e fisit të Demëve, janë tregues të përfaqësimit intelektual që ata i bënin shoqërisë shqiptare të Çamërisë. Sensi atdhetar i shprehur në letrën e 8 majit 1909, flet për një vëmendje të një niveli të lartë për shqetësimet e kohës. E gjithë jeta e këtyre familjeve me emër në Filat përcaktonte dhe rrugën e drejtë që i jepnin filozofisë atdhetarë të Çamërisë, duke përcjellë edhe tek vëllezërit e tyre në Elbasan atë interesim për të bashkuar vullnetet në shërbim të përparimit të vendit. Domosdo, këto ishin shoqëri ose klube që u krijuan në ato vite të zjarrta për mëvetësinë e Shqipërisë si një finalizim i filozofisë së Rilindjes Kombëtare dhe fill pas Kongresit të Manastirit. Më shumë se sa një kongres drejtshkrimor ky ishte një bashkësi vlerash intelektuale që orientuan shqiptarët drejt prosperitetit për ngjarjet e mëdha që e prisnin. Viti 1909 është shumë i rëndësishëm jo vetëm për Elbasanin, që mblodhi Kongresin e tij dhe përcaktoi hapjen e shkollës Normale, por për të gjithë trojet shqiptare, sepse përcaktoi ardhmërinë e bashkimit kombëtar në një gjuhë të vetme dhe si një komb i vetëm. Mjaft të lexosh këtë letër të 8 majit 1909, bindesh për argumentet intelektuale që përdoren dhe frymën e atdhetarizmit që përcjell duke pasur si emërues të përbashkët shqetësimin për të qenë të bashkuar në idenë për një komb të njësuar në të gjitha aspektet.

Filat 8 maj 1909

Të nderçëmes pleqësi të

Klubit Vëllazëria

Ndë Elbasan

No 70

Zot.

U gëzuam shumë kur mësuam se çeltë dhe një Klub me emër Vëllazëri në atë vënt të nderuar.

U urojmë me gjithë zemër dhe Zoti t’u përparojë ndjenjat kombjare që dëshiron mëmëdheu ynë, duhet pra kurdoherë ose kur ta dojë nevoja të kemi letërkëmbim që të mundim të mirremi vesh me njeri tjetrin. Na vjen shumë liksht kur shohim se Klubet e Shqipërisë flenë diku i pasur kaqë nevoja. S’dimë ç’të themi për këtë heshtje që na ka rrethuar, kemi frikë më shumë se mos është heshtj’e përgjithshme, se po të jetë për ne çamërit vetëm, përsëri do jemi të kënaqur. Kur të jenë të tjerë vendet e Shqipërisë më një qëllim, atëherë është mjaftë për ne çamët, d.m.th. mbushet dhe qëllimi ynë, se shpresa jonë është te juve.

Ju përqafojmë vëllazërisht

nga ana e Klubit Vëllazëria.

Gëzohemi kur na përgjegjeni.

Shkronjësi                             Kryetari

Musa Demi                           Mehmet Sejko

***

Cilësia e shkrimit dhe e mendimit të një letre të tillë vlon edhe nga dashuria për krijimin e një miqësie dhe angazhimi në shërbim të kombit për të mos mbetur në heshtje dhe në përçarje, siç do të dëshironin edhe fqinjët tanë antikombëtarë. Kjo letër dhe përmbajtja e saj flet si një aktakuzë edhe për ditët e sotme për gjenerimin e jetës në Çamëri dhe mbetet një kambanë treguese se shqiptarët e Çamërisë e kishin të gjallë atdhetarizmin e tyre që e kanë cilësuar edhe rilindësit si një vëmendje specifike. Nuk besoj se ka mendje të mbrapshta, që pasi njihen me realitete të tilla, të mohojnë historinë e një krahine apo të ketë të ashtuquajtur lider të çështjes kombëtare që të mos jenë të pajisur me sinqeritetin e vlerave që ne trashëguam nga të parët tanë.

Mehmet Sejko,

Është njeri nga pinjollët e devotshëm të familjes së Sejkatëve të Filatit të Çamërisë dhe themelues i Klubit “Vëllazëria” të Filatit bashkë me bashkëqytetarin dhe mikun e tij, Musa Demi. Mehmet Sejko është edhe një luftëtar i çetave për lirinë e vendit të tij nga invazionet greke dhe të huajt e tjerë që sulmonin vendin e tij. Është e rëndësishme të themi se Mehmet Sejko, si një atdhetar i mirë, që ishte, dhe një intelektual, ka qenë protagonist në hapjen e shkollës së parë shqipe në shtëpinë e tij të re në Filat bashkë me atdhetarë të tjerë më 1908. Është e rëndësishme të theksojmë se ai është edhe firmëtar i Memorandumit që i bënë çamët Fuqive të Mëdha në vitin 1919 për bashkimin e trojeve shqiptare me Shqipërinë. Duhet thënë që pas ndarjes së kufijve dhe protestave për aneksimin e Çamërisë nga Greqia, me ndihmën e Konferencës së Londrës, Mehmet Sejko u detyrua që më 1920 të vinte në Shqipëri. Është interesant fakti që me vete, në vend të pasurisë së tij të madhe ngarkoi mushkat me librat shqip që të mos i merrte e digjte greku, duke ruajtur të patrazuar idenë e shkollimit të fëmijëve. Rikthehet në Filat më 1924, por arrestohet nga autoritetet greke dhe me ndihmën e Ahmet Zogut dhe të Mit’hat Frashërit, që ishte ambasador i Shqipërisë në Greqi, lirohet dhe kthehet në Shqipëri mes peripecive të mëdha, duke humbur shumë pasuri të mëdha që kishte në vendin e tij të dashur, duke mbetur një familje me shumë pak mundësi jetese. Vdiq më 1935.

Musa Demi. “Nderi i Kombit”.

Patriot i madh nga Çamëria, u lind në qytetin e Filatit në Çamëri, vilajeti i Janinës, në vitin 1878. Babai i tij, Hamid Demi ishte Kryetari Lokal i Rajonit nga familja Demi e Filatit. Ai ndoqi Mektebi Iptida=Shkollën fillore dhe Mektebi Rushdije=Shkollën e mesme dhe më pas vazhdoi studimet e tij në Janinë. Në fillim të viteve 1900 u bë një nga themeluesit e Klubit “Vëllezëria” në Filat së bashku me Mehmet Sejkon, që ishte kryetari i këtij Klubi. Së bashku më 25 gusht 1909 hapën shkollën e parë për gjuhën shqipe në Filat. Musa Demi dhe me Rasih Dino me banorët e tjerë siguruan fondet për ndërtimin e godinës së shkollës. Ai u dekorua në vitin 1945 me “Medalje” nga qeveria shqiptare për “Vepër Patriotike Kombëtare”, dhe vdiq në vitin 1971. Në vitin 1978, ai u nderua pas vdekjes me “Medaljen për Aktivitet Patriotik”. Në vitin 2013 u dekorua nga Presidenti Bujar Nishani me medaljen “Nderi i Kombit”.