Hyqmet Zane: Masakra greke që nuk kurseu as fëmijët e Çamërisë

985
Sigal

Cili moral i drejtësisë ndërkombëtare do të pranonte të heshtte për mosgjykimin e krimeve ndaj fëmijëve?

 

Masakra greke që nuk kurseu as fëmijët 3 vjeç të Çamërisë

 

Nga Hyqmet Zane


Sa herë që vinte 1 qershori që është i sigluar si Festa e Fëmijëve, që në moshën e fëmijërisë dhe deri sot kam ndjerë trishtim dhe mosbesim se kjo është një ditë feste. Ndoshta është e ligjshme dhe e dëshirueshme për fëmijët tanë, sepse gëzimi i tyre të kënaq dhe të mirëson, sidomos për gjyshërit që ndjehen si të rinuar nga fëmijët e tyre si trashëgimtarë, sidomos me nipat e mbesat e tyre që shpesh i quajmë “mjalti i mjaltit”.

Për shkak të dëgjuarit të shumë rrëfimeve që tregonin nëna e babai im, por edhe kushërinjtë e të afërmit tonë, fjala “qershor” mori konotacion negativ, pa përjashtuar faktin se nis me një ditë feste. Siglimi i datës 27 qershor m’u fiksua si një gjë e tmerrshme që, kur isha fëmijë, i largohesha kujtimit, ndërsa kur u rrita dhe tanimë e pres me shumë dhimbje si njeri që i përkas komunitetit çam në orgjinë. Kur muaji nis më 1 qershor, e kam fiksuar dhe e mbaj mend këtë datë si Festë e Fëmijëve, por në kujtesë time janë të pashlyeshme momentet kur kam dëgjuar historitë tragjike për ata fëmijë në Çamëri që kurrë nuk e njohën, jo më 1 Qershorin si festë, por që kurrë nuk do e kishin menduar prindërit e tyre se jo vetëm do kishte një ditë të tillë, gëzim jo që jo, por do u mungonin pa kthim ata, fëmijët e tyre të shtrenjtë. Bëhet fjalë për atë shfarosje masive të njerëzve të pafajshëm të Çamërisë ku në mes tyre do të ishin edhe mbi 30 fëmijë si pjesëtarë të banorëve të rënë preh e akteve gjakatare greke. Edhe pse ishte kohë lufte, pafajësia e prindërve dhe më shumë akoma pafajësia e fëmijëve që dhunohen barbarisht nga një forcë barbare vrastare, në çdo kohë janë të dënueshme.

Nga një çami ynë Abedin Rakipi, kam lexuar se “Burimet historike të historianëve, dëshmitarëve okularë dhe ushtarakëve grekë janë të tejmbushura me prova dhe dëshmi të masakrës që përjetuan myslimanët e Çamërisë. Gjithmonë e më shumë burime pohojnë gjithashtu se oficerët britanikët e inkurajuan Zervën t’i dëbonte çamët nga shtëpitë e tyre. Koloneli Chris Woodhouse, njëkohësisht shefi i misionit ushtarak britanik në Greqi raporton: “I inkurajuar nga Misioni i Aleatëve e drejtova Zervën t’i dëbonte çamët nga shtëpitë e tyre;” (Viranda Vickers, The Cham issue) I njëjti oficer shkruan sërish në një raport zyrtar në 1945: “Çamët e meritonin atë që pësuan, por metodat e Zervës ishin shumë brutale.” (PRP/FO, 371/48094). Por, ajo që është më e tmerrshme është një dëshmi e kolonelit grek të ELAM-it Nikos Ziangos, i cili raporton një nga masakrat masive që iu bë fëmijëve të vegjël në Çamëri. Historiani dhe koloneli grek i ELAM-it N. Ziangos në librin e tij: The Muslim Chams of Epirus çΟι Μουσουλμάνοι Τσάμηδες της Ηπείρου] (1923-2000), IMXA, Thessaloniki, ribotuar në vitin 2004. Në faqen 259 thotë: “Gjatë masakrës në qershor në 1944 në një shtëpi në Paramithi u masakruan 30 fëmijë nën 3 vjeç….”

Këto të vërteta i dimë ne çamët, i dinë edhe të huajt siç diktohet në këtë tekst, por vetëm akademikët dhe ata historianë që nuk duan t’i dinë, lypset t’i lexojnë dhe t’i verifikojnë mirë, se historia jonë kombëtare është e mbushur me shumë privacione, sa shpesh kujtojmë se disa ngjarje nuk janë krijuar enkas për ne shqiptarët. Por kur vjen fjala te Çamëria, provokacionet janë të pashembullta dhe të pakrahasueshme, aq më tepër që ndodhemi në një kontinent që mendohet se ka në dorë privilegjin e të zhvilluarit më herët se të tjerët.

Është apo nuk është e vërtetë kjo, rëndësi ka që ngjarje dhe data të rëndësishme, me karakter ndërkombëtar nuk njihen ose bijtë e Çamërisë nuk i njohën ato. Por, kur vjen fjala tek fëmijët, ata mbeten më delikatët dhe më të dhembshurit në historinë e një krahine me aq shumë privacione në një shekull të tërë.
Pse i them të gjitha këto, do të ishte pyetja. Ja, kujtojmë se 1 Qershori është dita botërore e fëmijëve, kur fëmijët duhet të gëzojnë dhe të qeshin, të ndjehen të lumtur dhe të mbushin jetën tonë me harenë e festës së tyre. Për fatin e keq fëmijët e Çamërisë 75 vjet më parë, jo vetëm nuk njohën 1 Qershor, jo në një vit, por në shumë e shumë vite më pas, sepse në vend të 1 Qershorit ata njohën krimin dhe vuajtjen, njohën vrasjen dhe vdekjen, njohën makabritetet e antishqiptarizmit dhe të historive me gjenocid. U rritën këta fëmijë mes halleve të baballarëve të tyre, duke mbetur të shpërfillur në historinë e fëmijërisë së tyre.
Ajo që ndodhi më 27 qershor 1944 kishte dekada që kishte nisur dhe fëmijët e Çamërisë nuk dinin të thoshin se kishte 1 Qershor apo festa të tjera shqiptare apo botërore, ditë që ata të festonin e gëzonin. Shumë data të ndryshme që i kujtojmë sot, fëmijët e Çamërisë i kujtojnë si tmerre të një lufte të pashpallur me përfundime tragjike.

Janë të dhimbshme dhe të parrëfyera botërisht, por unë do t’i rrëfej ato, sepse kam qenë pjesë e atyre fëmijëve që nuk dija se çfarë ishte 1 Qershori. Nëna ime e mirë dhe e vuajtur, mes psherëtimave me shumë brenga, më tregonte copëza të kujtimeve që ishin më shumë se tragjike.
“Ç’të të them more djalë, – më rrëfente nëna ime, ashtu si çdo nënë çame ia rrëfente fëmijëve të tyre. Ç’të të mollois më parë, ja djalin 12-vjeçar Nail Gjinika kriminelët e Zervës e dogjën të gjallë në furrë. – uf e zeza nënë, ç’të të them more bir, sa histori të tilla kam unë për të të thënë”. Vërtet, nuk ka familje çame që nuk kujton me hidhërim jo më prindërit që nuk i panë më, por fëmijët që nuk qeshën kurrë, që nuk gëzuan kurrë, që nuk e jetuan kurrë jetën si gjithë të tjerët, por mes lotëve dhe dhimbjes shpirtërore.

Ofshet e nënave çame nuk i ka regjistruar asnjë gjykatë veç një komisioni mix më 1945 dhe mandej pluhuri i harresës zuri jo vetëm të bërat, por edhe të shkruarat për masakrat në Çamëri, veçanërisht ato histori tragjike të fëmijëve çamë, që, nëse do të ishin fëmijë të ndonjë vendi evropian apo të tjerë, ndërkombëtarë siç u bë për hebrenjtë dhe historitë tragjike të tyre.

Historia e veçantë flet më shumë
Historia
Ne tetor 1943, kur Naili nuk ishte më shumë se 12 vjeç, ishte çoban me dhitë e tij. Grupi krimineli Vasil Ballunit shkoi në mal. E zënë djalin e gjorë, të pafajshëm dhe të paditur për botën që e rrethonte. E torturojnë dhe e dërgojnë në Spatar. Ndezin furrën dhe e djegin të gjallë.
Familja priste djalin po dhitë erdhën pa çoban. Lajmi mori dhenë. Luftëtarët e Margëllëçit e morën vesh të vërtetën dhe shkuan e morën nipin e Vasilit. Ia dërgojnë nënë Feruzes dhe i thanë që ta digjte edhe ajo të gjallë këtë djalë. Nanë Feruzja e lau, e veshi me rroba të reja, e ushqeu dhe e dërgon te oda. Në fund dërgon një lajm që familja të vinte e ta merrte duke i dhënë porosi “Po qe se ju i bëni gjë djalit, unë do të vras veten”.
Pleqësia e Margëllëçit e dërgoi djalin te familja. Lajmi mori dhenë për një vit të tërë nuk pati asnjë grindje në fshat. Në varrimin pa trup të djalit të familjes Gjinika, morën pjesë me qindra njerëz. Vetë nëna ishte kthyer në një monument guri. Ajo nënë nuk njohu festë fëmijësh, as festë tjetër, se ajo ishte një nënë fatzezë që e vranë për së gjalli”.
Nëna ime gjithashtu tregonte se në kohën që masakra kishte trokitur në portat e Filatit, lemeria e vrasjeve dhe e krimeve, djegieve për së gjalli, kishte marrë dhenë, pas atyre në Paramithi. Nëna shihte se si i vriteshin fëmijët dhe i hiqej gjallë fëmija nga barku, babai kishte parë se si gruan e rrëmbenin dhe fëmijët ia digjnin të gjallë, fëmijët shihnin se si masakroheshin e thereshin si kafshët prindërit e tyre, e çfarë nuk pa i madhi Zot në ato kohëra. Pale të mendoje se kishte 1 Qershor apo Ditë të të Drejtave të Njeriut.
Historia tjetër
Ajo ishte një grua e re nga Filati që i vranë burrin, vjehrrin e vjehrrën. Me fëmijën e hipur goçi, zbathur dhe e tmerruar ikte me vrap. Tmerri i kishte tharë fëmijës fytin për një pikë ujë. Ia kërkonte nënës së tij dhe ajo i thoshte: “Pusho, se do të jap unë, edhe pak sa të arrijmë”. Por fëmija kërkonte ujë dhe nëna i thoshte përsëri që të pushonte. Dhe një moment kuptoi se fëmija u bind dhe me bët vetëm vraponte. Kur mendoi se duhej të ndalonte dhe t’i jepte ujë, kërkon të zbresë fëmijën e saj. Por ç’të shohë. Fëmija e saj pa kokë dhe ajo e larë në gjak. Një grek i pabesë e kishte parë këtë vrap të kësaj nënë dhe tinëzisht e kishte ndjekur me shpatë në dorë dhe ia kishte prerë kokën tragjikisht. Kjo nënë u çmend, nuk i besonte syve dhe fatit. Përfundoi në Delvinë pa mendje në kokë. Nuk di se ku e ka varrin ajo nënë apo djali i saj që t’i vija një tufë lule dhe t’i thosha se sot është Një Qershor dhe ti, o djalë i vogël, ke festë dhe festa jote u sakatua nga shpata kriminale e një greku të pashpirt.
Edhe një tjetër histori
Fatimja, një plakë rreth 75 vjeç, me trup mesatar të drejtë, e veshur me rroba të bardha me tumane, polkë dhe shami të bardhë në kokë, me këpucë lustrafine pa takë, me një bastun në dorë dhe me gjyzlykë të zakonshëm, të jep të kuptosh se është një grua me plot dinjitet dhe e fortë, me atë llahtari që ka parë dhe që ruan me krenari si kujtim të djalit të saj Abedinit, një copë lëkurë të kokës me lesh sa një pëllëmbe dore fëmije, të shqyer nga qentë. Mësova të flitej nga kolegët me respekt për plakën “çame” Fatime Pronjo. Dhe mua kaq m’u desh dhe fillova interesimin për të. Kur bëja apelin në klasën e 10-të ishte në listë dhe një vajzë me emrin Myrvete Pronjo, ishte mbesa e Fatimes. Nëpërmjet saj shkova për vizitë në familjen e Fatime Pronjos. Ishte muaji maj, 1967. Më pritën në verandën e shtëpisë, të shtruar me qilima dhe shilte. Pasi u prezantuam, ajo më tha: “Kanë ardhur këtu edhe të tjerë, kanë marrë shënime, kanë premtuar se do të shkruanin dhe do të na ndihmonin, por asgjë. Më vonë më thirrën në Komitetin Ekzekutiv ku kishte dhe të huaj që donin dëshmi për kriminelët dhe krimet e tyre? – Ja ku i keni, – flet vetë, për tërë atë gjëmë që na hodhën në kurriz të pabesët, – u thashë dhe lotët rridhnin rrëke. Pastaj u largova.
Sa histori ka Çamëria, veçanërisht për fëmijët e saj që u masakruan në forma të tilla ? Të 30 ata që thuhet se janë fiksuar si numër, pa folur për ata që iu hoqën nënave nga barku ishin fëmijë nënash që ua thanë barkun ose i vdiqën edhe nënat e tyre a mund të mendonin të njihnin jo më 1 Qershor, por asnjë ditë feste derisa nuk kishte drejtësi për krimet që iu bënë. Shumë e shumë, se çdo nënë çame kujton se si fëmijët e tyre vdiqën rrugëve për një pikë ujë e për një kore buke në atë ikje nga sytë këmbët që grekët kujtojnë se mund të harrohet dhe duan ta fshijnë nga historia. Mos vallë edhe drejtësia evropiane dhe ajo ndërkombëtare duhet të kalojë nga Greqia? Kështu u bë për hebrenjtë dhe krimet e tyre gjenocidiste, po grekët u pyetën?
Nëse themi se 30 fëmijë u vranë e u masakruan nën moshën 3 vjeç nga ai gjenocid grek, cila mendje normale do të pranonte harresën pa ndëshkim? Ata ishin fëmijë kërthi dhe të pafajshëm që nuk kishin gjynahe apo mëkate, por pabesia e fqinjit grek i preu në mes jetët e tyre, vetëm e vetëm se prindërit e tyre ishin myslimanë dhe besonin në një fe të kundërt me atë të grekëve.. Asnjë prej tyre nuk ka varr se askush nuk di se si u varrosën ata që u nxorën me bajoneta nga barku i nënës apo që u masakruan në sytë e tyre dhe mund të ketë drejtësi që ushtarët grekë që erdhën si pushtues në Shqipëri të nderohen sot vetëm e vetëm pse ishin grekë dhe jo fëmijë? Varrezat e Kllogjerit nuk kanë vetëm burra e gra që vdiqën si pasoja e gjenocidit, por kanë edhe jetët e fëmijëve që nuk njohën fëmijëri pale të njihnin 1 Qershor, ditën e festës së fëmijëve. E drejta e Zotit që i krijoi nuk pyeti grekët kur i krijoi, por dhe as që mund të mos mbetet grek pa u ndëshkuar për atë krim që vazhdon të pikojë gjak.

  • Ata dhe këta, të ashtuquajturit “ndërkombëtarët evropianë”, a i dinë këto histori që janë si maja e ajsbergut në thellësinë e vuajtjeve dhe krimeve të popullatës çame?
  • A kanë zemër prindërish që të ndjejnë se çfarë dhimbjesh ndjen një nënë e një baba për fëmijën që i vdes nga një sëmundje apo nga ndonjë shkak dhe më keq akoma për ata fëmijë që pësuan fatin e fëmijëve të Çamërisë?
  • Cila drejtësi evropiane do të hapë një herë librin e gjenocidit të Çamërisë dhe atje mes rreshtave të lexojë këto histori makabre, si do të ndjehet, do të kërkojë një herë të vetme drejtësi ?
  • Po falje kush do u kërkojë se vitet ikën dhe u bënë 75 dhe heshtja, harresa dhe mohimi po kthehen në ligjshmëri të papranueshme, nëse flasim për Evropën që duam?

Filozofët e shumtë kanë pranuar se “Nëse ka njerëz në këtë botë që çfarëdo të keqe që t’ju bësh, nuk janë në gjendje të bëjnë keq! Shpirti i tyre mban vetëm mirësi, ndaj, nëse ju ndodh që t’i njihni, mos i lëshoni kurrë !”. Ky portretizim i shkon më së shumti nënave çame që folëm më sipër dhe që jetuan më pas këtu brenda territorit shqiptar, pasi u përzunë me gjenocid nga trojet dhe shtëpitë e tyre. Ka evropianë që i vlerësojnë këto ? Kjo besoj është drejtësi e vërtetë ndërkombëtare, sidoqë ta ketë emrin: evropiane apo amerikanë etj.