Hyqmet Zane: Letra- kujtesë e Sami Vinçanit, shkruar për komunistët e vjetër që vlen edhe për të sotmit

837
Sigal

Familja e madhe e Vinçanëve, kryesisht i kanë shërbyer atdheut si ushtarakë, jo vetëm pse e donin atë si atdhetarë të mirë, por edhe se në jetën e tyre ishin idealistë si shumë e shumë të tjerë në Shqipëri. Në kujtesën historike ndër vëllezërit Ali, Nexhip, Skënder, Sami dhe Sali, i dëgjuarit është Nexhip Vinçani, ushtaraku i lartë që vuajti pasojat e sistemit vetëm pse kërkonte ishte dinjitoz si ushtarak dhe në jetën e tij. Si mik i familjes dhe i njohur me arkivin e kësaj familjeje më ka rënë në dorë një letër që Sami Vinçani, vëllai Nexhipit, më 23 mars 1991 i dërgoi Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë së asaj kohe. Me të drejtën që i jepte statuti i asaj partie, intelektuali Sami Vinçani gjeti kurajën qytetare dhe atdhetare që jo vetëm të ikte nga ajo parti, por edhe të tregonte arsyet morale dhe reale që e detyronin atë ta bënte një gjë të tillë. Që në rreshtat e para të asaj letre-kërkesë, ndër të tjera, ai shkruan:

Duke qenë ne radhët e Partisë Komuniste (sot Parti e Punës) të Shqipërisë prej vitit 1942, si gjithë komunistët e tjerë, zemrën, mendjen dhe punën time të palodhur, ia kushtova për gjysmë shekulli idealeve komuniste. I bindur se ndërtonim socializmin në Shqipëri (si rendin ekonomiko-shoqëror më të mirë) duke likuiduar shfrytëzimin e njeriut prej njeriut, do të rritnim në vendin tonë, në një kohë relativisht të shkurtër vlerat materiale e shpirtërore, në atë nivel, sa të arrinim e të linim prapa vendet kapitaliste; në përputhje me këtë, do krijonim “njeriun e ri”, me tipare gjithashtu të moralit komunist, gjë që do të na e kishte zili bota borgjeze ku “njeriu ishte ujk për njeriun”.

Janë këto fjalët e një idealisti komunist që fryma e asaj kohe i orientoi kah e majta, nga Lindja, edhe pse përballë atyre ekzistonte një botë tjetër kapitaliste që, jo vetëm nuk e dinin se si ishte, por nuk besonin në vlerat që mbartte ai sistem, në raport me socializmin. Në këtë rast mund të përdoret ajo shprehja e njohur “E mori ferra uratën!”.

Për më tepër ushtaraku i devotshëm Sami Vinçani shkruan në letrën-kërkesë të tij “Fatkeqësisht për këto ëndërrime u zhgënjyem rëndë: Jo vetëm nuk njohëm fitore e arritje të tilla, por të ballafaquar me vendet kapitaliste, (qoftë edhe me ato vende me kushte të barabarta në fund të Luftës), u distancuam nga ato me sens të kundërt. Ato ecën me hapa galopante materiale e teknike dhe mirëqenie popullore, ne ecëm me hapin e “breshkës”. Më e keqja është se ne, në dekadat e fundit, hymë në kriza e rënie, deri “në kufijtë e jashtëzakonshëm”.

Kjo gjendje nuk iu tregua Partisë e popullit, duke dashur të krijohet imazhi i rremë, sikur “çdo gjë ecte mirë”. Janë këto të vërteta të hidhura që çuditërisht manifestohen edhe sot brenda një partie që tanimë ka emrin Partia Socialiste, ku mungon totalisht demokracia dhe nuk ekziston dialogu i brendshëm duke bërë që të fshihet e vërteta e gjendjes së kësaj force politike dhe që hapur po thuhet nga vetë socialistët e vjetër që i kanë jetuar këto përvoja.

Në atë vit të brishtë 1991, Sami Vinçani pyeste se “Duke e “njohur këtë realitet”, ç’duhet të bëjë PPSH ?”. Realisht është e njëjta pyetja që shtrohet edhe sot e kësaj dite për PSSH që ka rënë në nivelin e PPSH të asaj kohe. Për mua që lexoj letrën e një veterani të Luftës Antifashiste dhe të një ushtaraku idealist me kontribute në jetën e vendit dhe një njeriu me vlera të larta morale, nuk është se më dhimbset se çfarë ndodh në një parti të majtë, por dua të jap mesazhin, se të tilla fenomene absurde, të tilla sjellje mashtruese dhe zhgënjyese ka bërë gjithnjë e majta për shkak të ideologjisë së gabuar që e udhëheq me lider me simptoma tipike të kultit të individit si të Enver Hoxhës që nuk e kuptoi asnjëherë që vendi dhe populli i tij po shkonte drejt greminës me të qeshur e me të ngjeshur.

Ka shumë arsyetime të mikut tim Sami Vinçani, por ajo që më bën të citoj në këtë shkrim e që dua ta sjell në kohë pas plot 28 vjetësh, është fakti se si njerëz me mendje të kthjellët siç ishte Sami Vinçani, dinin të bënin analiza, ndërsa sot në PSSH nuk bëhet asnjë analizë, sepse kryetari i saj të anatemon, të dhunon, të përjashton, të përbuz, të shan, të tall, të depersonalizon, sepse e tillë është ideologjia që ai është ushqyer që në vogëli. Sipas Vinçani, në letrën e tij shkruante se “Pretendimi se “ngjarjet që tronditën Evropën Lindore, kishin shkaqe prej të cilave ne ishim distancuar me kohë dhe se pasojat e tyre nuk mund të priteshin në Shqipëri”, kanë qenë pa baza dhe nuk i justifikoi koha. Ne u ballafaquam me të njëjtat dukuri në mos më keq, sepse si vend ku i ashtuquajturi “stalinizëm” u shfaq e u adaptua me tiparet e tij më ekstreme dogmatike e burokratike, pasojat këtu ishin më të këqija dhe “operacioni” duhej bërë më i thellë. Sipas mendimit të dytë logjik, kjo situatë e rëndë, tashmë e njohur dhe e pranuar nga gjithkush, që “nuk i kanë rrjedhur trutë” do të kërkonte një reformim të thellë të programit të Partisë, strategjisë, taktikave e statutit të Partisë. Puna e parë që duhej të bëhej nga udhëheqja, do të ishte “fillimi i punëve nga vetja”. Duket sikur qytetari i thjeshtë dhe idealist i paska parashikuar ngjarjet që do të ndodhnin, edhe pas 28 vjetësh në këtë vend dhe brenda një partie si PS që po bëhet një e keqe jo vetëm për vendin dhe populli, por edhe për vetë socialistët e thjeshtë që kanë nisur të mos e pranojnë këtë lloj sjelljeje të njeriut kryeministër dhe kryetar partie. Logjika e ftohtë e një njeriu që ishte edukuar në një familje me emër të mirë në qarkun e Korçës bën që të mendohemi, se këtu nuk është puna e sjelljes së një lidershipi me anëtarët e partisë së vet, se kjo është çështje e brendshme e partisë së tyre, por sepse ajo çfarë ndodh sot më PS dhe “Rilindjen” e Edi Ramës, po shndërrohet si një e keqe e përgjithshme me pasoja të pariparueshme.

Pra, sipas Vinçanit “ vazhdon avazi i vjetër: ndryshe thuhet në publik, shtyp ,etj. dhe ndryshe në mbledhjet e të “besuarve”, të “zgjedhurve”, të “partishmëve”. Pse kështu? Sepse dikush po ndahet me nostalgji e me “dhimbje” nga e kaluara, për atë që po shpërbëhet, sepse dikush e quan fatkeqi atë që populli dhe bota e quan liri, përparim, demokraci. E për gjithë këto (që do t’i quajnë farsa) komunistëve të thjeshtë nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të “binden” e të zbatojnë si ushtarë të thjeshtë në skuadër; të tjerat “i dinë atë lart”. Për deri sa Partia nuk toleron e nuk nxit demokracinë e vërtetë në radhët e saj, që nuk i ushqen komunistët me gjithë informacionin e nevojshëm, ndërsa me bollëk ua servir ithtarëve fanatikë të saj,nuk të bind për konsekuencën e saj drejt proceseve demokratike të thella në vend. Nuk është çudi pastaj, të dëgjosh gjithfarë mallkimesh, sharjesh e ofendimesh, për ata që kritikojnë ose që për bindje të kundërta largohen nga radhët e PPSH”.

Tamam si të kishte qenë sot në radhët e PS dhe do të kishte përballur me të njëjtat fenomene që u përsëritkan në kohë dhe në hapësirë brenda së majtës. Me një konsekuencë të habitshme ndaj logjikës së fortë të një njeriu që ka ditur të kuptojë përtej bindjeve të tij partiake, situatën e asaj kohe Samiu e vizaton si të ishte edhe sot në mes të socialistëve të ndershëm kur në letrën e tij shkruante se “do ta quaja faj të punoja qorrazi për interesat e një grushti njerëzish të cilët në të vërtetë janë distancuar nga interesat e vërteta të popullit,e duke u mbyllur në “kullën e tyre të fildishtë” jo vetëm nuk ndiejnë përgjegjësinë për punën e tyre të dobët të se kaluarës, por duan të vazhdojnë edhe në të ardhmen në këtë rrugë”.

Në fund të letrës së tij ushtaraku në pension në atë kohë kur ka shkruar këtë letër dhe qytetari intelektual dhe njeriu i edukuar me atdhetarizëm në breza, Sami Vinçani i shkruante “partisë së tij” se “në qoftë se udhëheqja e Partisë do të ketë ndjenjën e realitetit dhe guximin e duhur, për ta bere këtë, atëherë do te ndjenja veten të rinuar e do të militoja deri në fund në radhët e Partisë; ndryshe,me keqardhje do t’i le radhët e saj”. Këtë shkrim në kujtesë të asaj letre të 23 marsit 1991 që shkroi veteran i ushtrisë, Sami Vinçani do ta cilësoja si një shuplakë e që zgjati 28 vjet që ai i dha Partisë së Punës dhe sot Partisë Socialiste që po bëhet përsëritëse e të njëjtave fenomene trashëguese të një partie që nuk ka gjasa reformimi dhe që po merr më qafë një popull të tërë.