Hyqmet Zane: Intelektualët çamë përballë politikës përjashtuese

569
Sigal

Shkas për këtë shkrim mora nga një bisedë me një nga burrat çamë të Filatit në një moshë të madhe që ka jetuar si intelektual dhe ka punuar si i tillë e sot, edhe pse një njeri i nderuar, ndjehet keq, kur shikon se si po venë punët e Çamërisë në Shqipëri. Në bisedë e sipër, pasi kishte lexuar një shkrim timin për kultin e individit, më thotë se “Ku janë intelektualët çamë që të bëjnë oponencë ndaj këtij përjashtimi që iu është bërë atyre në angazhimet për zgjidhjen e çështjes çame?”. U ndjeva keq për mesazhin që më dha, por edhe e mirëkuptova shqetësimin e këtij burri me emër por që në kushtet e moshës ndjehet se ka shumë intelektualë çamë që e kanë mundësinë të bëhen bashkë për këtë situatë jo të drejtë dhe aspak të pranueshme për mendjet e atyre intelektualëve që në kushtet e diktaturës, mbijetuan dhe me dinjitet edukuan djem e vajza çamë për të qenë e ardhmja në kërkesat për zgjidhjen e çështjes çame. Brezat po ikin një e nga një, dhe brezi i tretë i atyre që erdhën nga Çamëria janë ende të rinj me përballje me situatat jo të mira që po përjeton i gjithë kombi ku eksodi është bërë një çështje emergjente dhe askush nuk e ka luksin të qëndrojë pak e të mendojë se çfarë do bëhet me problemin çam. Kjo është një fatkeqësi e madhe që po orientohet jo vetëm nga politikat qeverisëse, por në rastin e çamëve, kur shohim se ka një çorientim dhe një mungesë të madhe afrimi dhe vlerësimi të kapaciteteve të rinisë dhe të atyre burrave e grave të brezit të dytë që lindën në Shqipëri pas eksodit që gjithsesi po shkojnë në moshën e tretë avash avash. Nën këtë shqetësim që më futi burri intelektual çam me fjalët e tij, më sollën në kujtesë si tani 28 vjet të shkuara kur sapo kishim krijuar Shoqatën “Çamëria” dhe shkoja derë më derë në Elbasan për t’u bërë familjeve çame që të mblidheshim dhe të bëheshim bashkë për të kërkuar çështjen tonë. Trokita edhe në shtëpinë e Farudin Kalo, ku gjeta nënën e tij, Bahire Kalo (Osmani), gruaja e Adem Osmanit të persekutuar nga regjimi komunist për shkak të Izet Osmanit, historia e të cilit tashmë dihet se cila është në historiografinë shqiptare. Në pamje të parë më dha përfytyrimin e një nëne çame fisnike, të pastër me një mandile të bardhë në kokë dhe ndenjur në krevatin e saj për shkak të moshës e halleve që kishte kaluar. U prezantova si njeriu i parë që hyja në këtë shtëpi, (familje e persekutuar) më shkurt 1991. Më njohu kur u prezantova dhe, pasi iu rrëfeva se përse kisha ardhur, me qesëndisi me fjalët që tha “po ku jeni ju djelmtë çamë, ku jeni futur, si nuk dolët në dritë se na u nxi jeta. Mirë bëre që erdhe, por edhe krimba nën tokë të ishim, do kishim bërë përpjetë të shikonim pak dritën e diellit!”. Ishin një mesazh i madh për mua dhe u ndjeva i skuqur para fjalëve që më tha. Me këto motive e nisëm punën e sensibilizimit dhe organizimit të Shoqatës Çamëria për shumë vite, e mbajtëm ndezur vatrën e zjarrit të amaneteve të të parëve. Dhe vjen një ditë që shumë burra intelektualë, historianë, etnografë, profesorë, shkencëtarë, akademikë, gazetarë dhe njerëz të angazhuar me punë intelektuale ndjehen të përjashtuar dhe të papërfillur, në një deluzion të pakuptueshëm për çka po ndodh brenda komunitetit çam që duket sikur jemi në vitin 1961, pas asaj gjëme të madhe që na shkaktoi diktatura enveriste. Kemi vetëm ca dukje televizive, kemi ca shpërndarje vlerësimesh për disa burra e gra, kemi ca oratori të super përsëritura dhe në fund “ku ishim e ku jemi, çfarë po bëjmë, ku është amaneti dhe ku janë intelektualët?”. Nuk bëhet fjalë për anëtarësime në Shoqatën Çamëria, por për një shqetësim të madh që po na bëhet bashkudhëtar të sorollatjeve në një cirkël të mbyllur të lojërave të fjalëve dhe të mos-ekzistencës së asnjë programi që të jetë platforma jonë.

Nderimi që mund t’u bëhej atyre burrave që e nisën udhën e sensibilizimit dhe shtrimit të një rruge për zgjidhjen e çështjes çame, do të ishte së paku që problem çam të kishte trokitur në dyert e kancelarive evropiane dhe asaj amerikane jo thjesht me deklarata, por me rezoluta që duhet të ishin bërë si ngjashmëri me rrugën që shtroi Ibrahim Rugova për të bërë Kosovën të pavarur. Ai e bëri të vetën, kurse ne ndodhemi në shtratin e dhënies së kartave të anëtarësisë a thua se çështja çame është çështje e një karte, në një kohë që është një kauzë që meriton mendje dhe bashkim për të bërë atë që është nevoja jonë imediate për të rrugëtuar ndërkombëtarizmin e çështjes çame. Nuk dua ta personalizoj me veten se si kam vepruar kur isha kryetar i Shoqatës “Çamëria” në Elbasan dhe kur punoja për shumë vite në TV Dardan, por sot ndjehem i përjashtuar nga çdo aktivitet, ndjehem i papërfillur edhe pse në punën time si gazetar bëj atë që është më e mira e mundshme në një kohë që nuk ka gazetë të Shoqatës Çamëria për të trajtuar problemin çam me forcën e medias së lirë. Jo thjesht unë, por shumë e shumë intelektualë që takoj dhe që pyesin se ku po shkon çështja çame me këtë qorrollepsje të pakuptimtë sa majtas e sa djathtas, sa me Berishën e sa me Ramën e mandej me Bashën, në një kohë që çështja jonë nuk ka nevojë për partitizim, por për një kryqëzim të kësaj politike vrastare të çështjes çame.

 

Ndarja nga jeta e një djali çam në Sarandë, Armand Hysi, bëri që të shprehej një solidaritet i paparë në varrimin e tij. Po ashtu ishte edhe një shprehje e solidaritetit çam dhe të tjerëve me dhimbjen e një familje çame. Më shumë se kaq, ishte një interesim i paparë i intelektualeve dhe njerëzve të thjeshtë të Sarandës me origjinë çame që shoqërohej me pyetjen: Çfarë po bëhet andej nga ju (në Tiranë e kishin fjalën), çfarë janë këto që po bëhen dhe nuk kemi asnjë organizim. Veçanërisht intelektualë që e manifestonin sjelljen mospërfillëse të atyre që mendojnë se drejtojnë çështjen çame për intelektualët që të gjithë bashkë do të ishin një zë i fuqishëm për të bërë që Çamëria jo të mos përmendet, por të oshtijë anë e kënd. Realisht mungon një situatë demokratizuese dhe gjithëpërfshirëse brenda strukturave të komunitetit çam. Hapur duhet thënë se pa demokratizim të radhëve në përfaqësimin politik të komunitetit çam nuk mund të ketë gjetje të rrugëve në demokratizimin dhe kombëtarizimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes çame. Dalja publike e një apo dy personave që në flasin në emër të komunitetit çam, duket sikur kanë humbur atë përfaqësimin e sinqertë dhe të duhurin për kauzën tonë. Se në fund të fundit ku është çështja çame? Tek ca interesa për të pasur mirë me njërin apo tjetrin krah të politikës në një kohë kur bashkimi ynë dhe qartësimi i rrugëve për trajtimin e çështjes çame për të shkuar në veprime konkrete, aq më tepër që kemi edhe një shtet fqinj që gjithnjë shantazhon me deklarata anti-çame dhe askush në shtetin shqiptar nuk i përgjigjet presidentit grek që flet sikur të ishte në mes imazheve të banditëve të Napoleon Zervës. Të dish të flasësh dhe të gjesh gjuhën me pjesëtarët e komunitetit çam, kjo do të thotë të jesh një lider për të kuptuar dhe ngritur në piedestal kërkesat e këtij komuniteti që nuk meriton shpërfillje, aq më tepër përjashtime intelektuale. Ky lider kërkon edhe një lidership të përfaqësuar me dinjitet për të arritur atë që dinë të bëjnë ata që e mirëkuptojnë dhe e besojnë amanetin e të parëve të tyre.