Hyqmet Zane: Gjermanët të dëmshpërblejnë çamët e internuar

685
Sigal

Sa herë vjen 9 Maji si dita e fitores mbi nazifashizmin, gjithnjë më vjen në mendje sakrifica e çamëve që edhe luftuan, edhe u internuan në kampet e shfarosjes në masë, edhe nuk u dëmshpërblyen asnjëherë, as të dëmtuarit me jetë njerëzish, por as të sakrifikuarit e kësaj Lufte. Shqipëria ka detyrimin ligjor dhe shtetëror t’u japë dëmshpërblimin e Luftës çamëve që u internuan në kampet e përqendrimit të shfarosjes në masë, pasi Gjermania e ka dhënë atë dëmshpërblim.

Kështu do të lutesha unë si djali i një ish të internuari në këto kampe, pasi dëgjova kryeministrin grek Tsipras që thotë se duhet “të rihapet çështja e dëmshpërblimeve me Gjermaninë”. Unë e di që këtë dëmshpërblim duhet t’ua japë çamëve shteti grek se ata ishin shtetas të Greqisë në kohën kur u internuan. Këtë ngërç do ta doja ta zgjidhte kancelarja Merkel e Gjermanisë.

Nuk dihet se çfarë përgjigje do i ketë dhënë kancelarja Merkel kryeministrit Tsipras kur kërkon të rihapet çështja e dëmshpërblimeve të Luftës së Dytë Botërore me qeverinë gjermane.

Kërkesa e kryeministri Tsipras

Ai i është drejtuar me kërkesë Parlamentit që t’i japë një mandat për ta vënë në jetë zbatimin e këtij plani.

Parlamenti grek zhvilloi më herët një debat në lidhje me dëmshpërblimet, që shteti i Gjermanisë i duhet t’i kryejë Greqisë për dëmet e Luftës dhe krimet e kryera gjatë pushtimit nazist në Luftën e Dytë Botërore. Tre vite më parë, një komision ekspertësh vlerësoi se dëmet e shkaktuara nga lufta prej Gjermanisë kundrejt Greqisë përllogariten në 290 miliardë euro”.

Çfarë pjese kanë pjesëtarët e komunitetit çam për këtë dëmshpërblim që thuhet se një herë i është dhënë Greqisë dhe drejtësia greke ka mashtruar dhe ka futur në kalendat greke të vërtetën historike e asaj që ka ndodhur në atë kohë lufte. Se jo vetëm çamët, por edhe hebrenjtë e Greqisë u internuan në ato kampe në atë kohë që u internuan edhe çamët.

Këtu nuk po mund të flitet për atë dëmshpërblim që i ka qeveria greke shtetasve grekë me kombësi shqiptare që u përzunë me forcë nga trojet e shtëpitë e tyre kur ishin shtetas grekë. Dëmshpërblimi tjetër do të ishte ai për dëmet e mëdha që iu shkaktuan çamëve pas atij 27 qershori 1944 për të cilën qeveria greke hesht. Pikërisht për këto fakte duhet të flasë edhe shteti shqiptar nëse flitet për dëmshpërblime lufte dhe se si duhet vepruar në këto raste, çfarë ligjesh veprojnë, çfarë pjese kanë gjermanët në saktësimin e këtyre momenteve për të cilat grekët vetëm kërkojnë dëmshpërblime dhe çamët e internuar nuk e paskan këtë të drejtë ?!

Është e tepërt të bësh krahasimin me hebrenjtë që gjithashtu pësuan fatin e çamëve që i fituan të drejtat e tyre, ndërkohë që për të drejtat e një popullate të vogël që u masakrua barbarisht si një gjenocid antinjerëzor, ka vetëm heshtje, ka vetëm mos vëmendje, ka vetëm nëpërkëmbje. Cili standard evropian është ky, cila drejtësi evropiane e pranon këtë, a mund të mendohet se jemi të barabartë në mes të barabartëve?

Gazetari Arben Llalla ka portretizuar në një shkrim si personazh tim atë duke thënë disa të vërteta :

“Gjatë dërgimit nëpër kampet e shfarosjes të 1.725 hebrenjve të Epirit në mëngjesin e 25 marsit 1944, kur trupat gjermane me ndihmën edhe të trupave të xhandarmërisë greke, batalioneve të Sigurimit grek të komanduar drejt e nga kryeministri kuisling, Joani Rallis, u hipën me forcë nëpër kamionët e vdekjes dhe disa familje shqiptare nga Çamëria. Njëri nga këta ishte Nuri Zane nga Filati, i cili u dërgua bashkë me hebrenjtë e Janinës në fillim në kampin e Mat’hausen të Austrisë dhe më tej në Dakao të Gjermanisë….

…Nuri Emin Zane pas lirimit nga kampet gjermane bashkë me çamë të tjerë u nisën për në shtëpitë e tyre në shtator të vitit 1945, por atje do i priste një tragjedi edhe më e madhe, masakrimi dhe përzënia e të afërmve nga shtëpitë e tyre, këtë herë jo nga gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre grekë, por nga ushtria greke EDES e komanduar nga Napoleon Zerva dhe Mitropoliti i Paramithisë, Dhorotheos.

Pas zbritjes në Athinë me avionin që u nis nga Hamburgu i Gjermanisë, Nuri Emin Zane u kërkoi ushtarakëve grekë që ta dërgonin në Filat, por një ushtarak i lartë i kishte thënë se do ia priste këmbët me shpatë, nëse kërkonte të shkonte në Çamëri. Kështu, Nuri Zane përfundoi jo në shtëpinë e tij në Filat, por në kampet e refugjatëve në Gjirokastër. Pas disa viteve Nuri Emin Zane, më 1964 dënohet me 6 vjet burg fill pas ekzekutimit të grupit armiqësor të çamëve të Teme dhe Taho Sejko, Tahir e Shaban Demit, më 1961. Gjithnjë do të gjendej një pretekst sado i vogël që çdo shtetas i Shqipërisë me orgjinë nga Çamëria, do të futej në burg dhe do të dënohej vetëm e vetëm pse ishte çam dhe pyetja e parë që u bëhej ishte “Çfarë lidhje ke pasur me Teme Sejkon dhe Tahir Demin?”

Nuri Emin Zane nga Filati i Çamërisë gjatë jetës së tij njohu tre persekutime, atë të nazistëve gjermanë që e internuan nëpër kampet e shfarosjes si antifashist, gjenocidin grek me akuzën si bashkëpunëtor i gjermanëve dhe burgosjen nga sistemi komunist i Shqipërisë si armik i shtetit. Asnjëherë nuk e vlerësuan si veteran Lufte, asnjë dëmshpërblim nuk mori ai pas daljes në pension. Përse?

Historia e Nuri Zanes është vetëm një copëz e historisë tragjike të shqiptarëve të Çamërisë, të cilët prej dhjetëra vitesh duruan mbi kurrizin e tyre vuajtjet, masakrimet, burgosjet si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri.

Historia tragjike e shqiptarëve të Çamërisë lidhet ngushtë me historinë tragjike të hebrenjve të Epirit, të cilët këto dy komunitete tashmë u janë sekuestruar nga shtetit grek pasuritë, nuk u njihet e drejta e rikthimit të shtetësisë së tyre greke. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Greqia doli e fituar, sepse bëri spastrimet etnike duke përzënë me dhunë minoritetet shqiptare, të hebrenjvee, bullgare dhe sllave”.

Vetëm një herë të vetme pjesëtarë të komunitetit çam do të ndodheshin dhe do të nderoheshin në presidencë nga Presidenti Bujar Nishani kur ishte në detyrë.

Çdo çam është i bindur se idealet e luftëtarëve të lirisë u mbytën me gjak dhe, për fat të keq, akoma shoqëria shqiptare nuk ka shpëtuar nga makthet e së shkuarës jo shumë të largët, që të dijë se komuniteti çam ka jetuar mes shqiptarëve, flet shqip, ka flamurin kuq e zi, ka fenë e tij të patrazuar, do me shpirt kombin, por, edhe pse të vrarë e të masakruar deri në gjenocid nga shovinizmi grek pa asnjë arsye objektive, nuk harron, por edhe nuk hakmerret ndaj askujt. Ky është mesazhi që mori më 2016-n Presidenti i Republikës Bujar Nishani nga komuniteti çam, ndërkohë që ai vetë i dha mesazh gjithë opinionit publik kombëtar dhe ndërkombëtar se çamët ishin luftëtarë pjesëmarrës antifashistë.

Ku është dëmshpërblimi për Luftën e çamëve gjatë Luftës II Botërore. Ku është dëmshpërblimi për ata që u internuan në kampet e shfarosjes në masë në Gjermani dhe që më pas nuk u lejuan as të shkonin në shtëpitë e tyre, edhe pse ishin antifashistë? Detyrat që duhet të bëjë Shoqata Çamëria dhe Shteti Shqiptar, janë një mesazh që duhet t’i shkojë edhe shtetit grek dhe njëherazi edhe shtetit gjerman si një e vërtetë historike që po i kërkohet sot.

Shpesh kemi dëgjuar dhe bëhet propagandë se duam të shkojmë në Evropë ne shqiptarët dhe për këtë bëhet gurguleja. Si shtetas shqiptar me një ngarkesë të madhe vuajtjesh të familjes sime dhe, veçanërisht, të babait tim, kjo dëshirë për të shkuar në Evropë a do të ishte normale me standardin e padrejtësisë që mbahet ndaj një popullate dhe atyre që luftuan nazifashizmin dhe që asnjëherë nuk gjetën drejtësi, nuk u dëmshpërblyen dhe sot shohin me dyshim atë Evropën e standardeve të dyfishta dhe të padrejtësive për të dënuar krimet e luftës së Greqisë në Çamëri.