Humanizmi i Popullit Shqiptar tregohet edhe ndaj pushtuesve

880
Sigal

Populli shqiptar është i ndjeshëm e human duke dashur t’ia lehtësojë kujtdo fatkeqësinë siç ndodhi me ushtarakët italianë gjatë kapitullimit

Dok. Arqile Veshi

 

 

Duke lexuar librin “Kujtime” të Gjeneral Qazim Kondi, pjesëmarrës dhe kontribues në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar të cilën e quan një nga arritjet më të rëndësishme e largpamëse të forcave politike shqiptare të drejtuara nga Partia Komuniste e Shqipërisë, më tërhoqi vëmendjen trajtimi me vërtetësi dhe humanizëm i ushtarëve italianë pas kapitullimit të ushtrisë italiane, në shtator të vitit 1943. Për të sjellë tek lexuesit këtë virtyt të çmueshëm të Popullit Shqiptar që edhe ndaj pushtuesve kur e lyp nevoja tregohen humanë, po sjell në mënyrë të përmbledhur kujtimet e Qazim Kondit.

Ai thotë në kujtimet e tij, se në fillim të muajit shtator të vitit 1943, në prag të kapitullimit, në Shqipëri ishin 120 mijë ushtarakë italianë që përbënin divizionet dhe disa repartee ushtarake jashtë tyre. Ato ishin të vendosura në 200 garnizone të mëdha e të vogla. Kështu në Gjirokastër ishte vendkomanda e regjimentit të 129- me komandant, kolonel Gustavo Lanca, me tre batalione dhe në Vlorë ishte kuartieri i divizionit “Parma” me komandant general Longlin, me efektiv të përgjithshëm prej rreth 9.000 vetash dhe me njësite e repartet vartëse të dislokuar në Vlorë, Fier, Mallakastër dhe bregdet, deri në Borsh. Efektivi i dy divizioneve të mësipërm të ushtrisë italiane, ashtu si të gjithë ushtarakët italianë që kapitullimi i gjeti në Shqipëri, patën fatin e keq të ishin “aktorë” të një drame të vërtetë jetësore, pjellë e politikës aventureske të politikanëve italianë. Nga kjo dramë humbën jetën me mijëra ushtarë italianë që ishin në Shqipëri. Në këto kushte dramatike, atyre nuk u erdhi dot në ndihmë as populli Italian dhe as Zoti, që ata i faleshin çdo ditë, për të mos folur për aleatët e tyre gjermanë, të cilët i keqtrajtuar mizorisht. Detyrën fisnike e humane ndaj tyre si qënie njerëzore e kreu populli shqiptar.

Partizanët shqiptar nuk u hakmorrën ndaj ushtarakëve italian mbas kapitullimit

Asnjë formacion partizan apo individ shqiptar nuk u hakmor ndaj ushtarakëve italianë pas kapitullimit, nga dora e të cilëve ishin kryer mizori jo të vogla në të gjithë vendin, që ishin të freskëta në kujtesën e popullit tonë, i cili me këtë gjest dhe me ndihmën që u dha deri në riatdhesimin e tyre mbas çlirimit, tregoi shkallë të lartë qytetarie dhe shpirt human si rrallë popuj. Populli Italian këtë moment të përbashkët të historisë nuk duhet ta anashkalojë, duke dashur ta largojnë nga kujtesa, sepse lidhet me një moment jo krenar të tij. Kjo duhet bërë jo për të kërkuar haraç për atë çka bëri populli ynë, por vetëm për të njohur të vërtetën e të jetë moment reflektimi pozitiv në marrëdhëniet tona. Populli Italian duhet të mësojë të vërtetën dhe motivet e shpëtimit të bijve të tij, pa u keqtrajtuar nga populli ynë dhe të mos mashtrohet nga shkrime të disa historianëve italianë e shqiptarë që e paraqesin pushtimin e vendit tonë nga Italia Fashiste si “mision qytetërimi që i ka sjellë më shumë të mira sesa të këqija popullit tonë” e për pasojë, sipas tyre, ushtarët e tyre u mirëtrajtuan nga populli shqiptar. E them këtë se në kohën kur komandën e divizionit “Peruxhia” dhe trupat e të cilës me përjashtim të atyre të Këlcyrës dhe Përmetit ishin përqëndruar në garnizonin e Gjirokastrës në pritje të vendimit të komandës së tyre, shkuan për t’u paraqitur propozimin e Frontit Nacionalçlirimtar përfaqësuesit e këtij Fronti, me në krye komisarin e zonës, Bedri Spahiun dhe pjesëmarrjen e shefit të misionit anglez pranë SHZPO-së, majorit Telman. Por, megjithëse, të pritur me nderime e të njohur si palë kundërshtare, të cilës duhet t’i dorëzheshin, komandanti i divizionit dhe në mënyrë të veçantë shefi i shtabit e shefi i SIMI-së të divizonit, në fillim nuk pranuan të fillonin bisedimet për dorëzimin e tyre dhe për të diskutuar për veprimet e mëtejshme, me pretendimin se nuk u kishte ardhur urdhri nga lart. Pas ardhjes së urdhrit në komandën e divizionit dhe miratimin e përfaqësuesve të Frontit Nacionalçlirimtar, në orën 03.00 të datës 17 shtator 1943, italianët filluan lëvizjen nga Gjirokastra për në Delvinë dhe para se të hipnin në anije për t’u riatdhesuar.

Edhe në këto kushte e rrethana zëvendëskomisari i shtabit të zonës, shoku Hysni Kapo, me anë të një letre më njoftonte të merrja takim me efektivin e divizionit “Parma”, të liruar nga kampi i përqëndrimit i Mavrovës dhe Drashovicës dhe i përqëndruar te rrepat e Mesaplikut, të cilëve duhet t’u bëja propozimin e Frontit Nacionalçlirimtare. Ishin rreth 7000 ushtarakë të çarmatosur, pa mbështetje logjistike e të traumatizuar, të sapo shpëtuar nga kthetrat e gjermanëve. Aty takova Sulejman Kapon, i ngarkuar për t’u kujdesur për ta, i cili më raportoi për gjendjen e përgjithshme dhe problemet që po dilnin, si mungesa e ushqimit dhe e barnave mjekësore, duke qenë në prag epidemie. Thirra rreth 20 oficerë madhorë italianë dhe disa ushtarë, të cilët në fillim i pyeta nëse u ishte bërë keqtrajtim nga populli i fshatrave përreth apo partizanët që i shoqëronin. Nga ata mora përgjigjen, se jo vetëm që nuk ishin keqtrajtuar, por donin të falenderonin forcat partizane shqiptrare, të cilat duke rrezikuar jetën, bënë të mundur lirimin e tyre nga kampi i përqëndrimit. U ndejva mirë për sa dëgjova nga vetë ish-pushtuesit tanë dhe u fola për situatën e jashtme e të brendshme, për vështirësitë që ekzistonin për riatdhesimin e tyre. U theksova se me gjithë dëshirën e mirë të Frontit Nacionalçlirimtare, i cili nuk bëhej pengesë, u thashë se nuk kishte mundësi të ndihmonte më shumë nga ç’po bënte. Në fund u bëra të qartë propozimin tonë, sipas të cilit kishin dy mundësi për të vepruar: ose të pranonin të luftonin kundër gjermanëve, ose të sistemoheshin sipas mundësisë nëpër fshatra, dhe dhashë porosi që për ta të shtohej furnizimi me bukë, duke prekur furnizimin e forcave partizane që luftonin në Drashovicë.Populli shqiptar është i ndjeshëm e human në të tilla raste, duke dashur t’ia lehtësojë kujtdo fatkeqësinë. Më datën 20 mars 1944, pak ditë pasi u takova me majorin Telman, u nisa për në Kuç nga Sheperi, ku ishte në atë kohë SHZPO-ja, për t’u njohur me problemet që kishin dalë në atë drejtim pas Operacionit të Dimrit. Sapo mbërrita në Kuç, aty erdhi edhe majori Telman me shoqëruesit e radistin e misionit anglez. Ishte entuziast dhe më njoftoi se shtabi i Mesdheut do të angazhohej në realizimin e operacionit detar të riatdhesimit të italianëve dhe më kërkoi ta shoqëroja për në fshatin Çorraj. Me anglezët shkuam së bashku me Memon e u sistemuam në familje të Mite Veshit, ish Kryetarit të Këshillit Popullor të këtij fshati i lidhur me luftën, e si zakonisht gjetëm kushtet e nevojshme për punë. Majori Telman na kërkoi ndihmë për t’u dhënë zgjidhje disa problemeve, që kishin të bënin me këtë operacion detar delikat. Për këtë rast mund të them me garanci se as komandat e ushtrisë italiane nuk do kishin treguar më shumë se ne gatishmëri e predispozicion për të ndihmuar ushtarët e tyre në të tillë situatë. Dhe ne ndihemi krenarë për humanizmin e treguar, humanizëm të cilin vështirë se do ta gjenim te kundërshtari në rast analog. Qëndrimi ynë, nuk ishte i imponuar e nuk erdhi vetëm për të zbatuar urdhrat e komandave eprore. Në radhë të parë ai erdhi natyrshëm, si karakteristikë e veçantë e popullit tonë, e që ne, si bij të tij, i kishim ato në gjak. Ne si popull e struktura të Frontit Nacionalçlirimtar e bëmë detyrën ndaj tyre gjatë luftës. Pas çlirimit ish-ushtarakët italianë u riatdhesuan normalisht, duke u ndarë me lidhje shpirtërore e miqësore të forta me familjet shqiptare, me të cilat kaluan vështirësi të përbashkëta e përfunduan historikun e kësaj veprimtarie e kuadri dhe ushtaraku i talentuar i Luftës dhe punës Gjeneral Qazim Kondi.