Historiani i LANÇ, Sefer Duka: Kolaboracionistët, më e pakta, të kërkojnë falje për tradhëtinë ndaj Atdheut dhe krimet ndaj popullit

629
Sigal

Vazhdimisht jepen opinione e bëhen diskutime lidhur me LANÇ, ku pala humbëse përpiqet të baltosë vlerat e larta të kësaj Lufte. Fituesit, luftëtarët e formacioneve partizane, janë legjitimë, sepse luftuan dhe fituan lirinë më 29 Nëntor 1944. Mbeturinat kolaboracioniste dhe trashëgimtarët e tyre, për të shmangur humbjen e moralit me tradhtinë e tyre që bënë, duke bashkëpunuar me pushtuesit nazifashistë, kanë ndërmarrë një revansh për të përfituar vlerat e LANÇ që, sipas tyre, janë pikërisht këta, ata që bënë dhe fituan Luftën e sollën lirinë e vendit(!). Të mbështetur dhe nga disa pseudo-historianë, si ata të tipit Butka, Gurakuqi, Këputa, Meta etj., po përpiqen të ndryshojnë rrjedhën e historisë së LANÇ dhe, me një gur, duan të vrasin dy zogj: të përfitojnë frytet e LANÇ nga njëra anë dhe të rifitojnë moralin e humbur në këtë Luftë, nga ana tjetër. Por me “gurin në qafë “ nuk mund të shpëtosh të mbyturin.

Bëmat antikombëtare e tradhtare të kolaboracionistëve janë të shumta, nuk ka ujë lumi që t’i pastrojë. Sado lloj detergjentesh të përdorin, erën e keqe të tradhtisë së tyre nuk e heqin dot. Përpjekja e tyre si “krimbi nën gur” mbetet vetëm si një tentativë e dështuar e tyre për të larë tradhtinë e tyre që i bënë LANÇ dhe Atdheut tonë, Shqipërisë. Edhe qëndrimet e papërgjegjshme të disa politikanëve e pushtetarëve të sotëm, edhe të spektrit të majtë, nën motivin për një “bashkim popullor kombëtar”, po gabojnë duke rehabilituar disa kolaboracionistë të rrezikshëm siç është rasti i qëndrimit oportun ndaj Mit’hat Frashërit. Sigurisht, LANÇ-in e udhëhoqi Partia Komuniste Shqiptare me Enver Hoxhën në krye, që e çoi popullin shqiptar në fitoren e madhe, në çlirimin e Atdheut nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Por kjo fitore e madhe, po të mos pengohej nga kolaboracionistët, do të ishte, jo vetëm më e shpejtë, por edhe me më pak humbje në njerëz e në ekonomi. Është kjo arsyeja, që historia duhet shkruar ashtu siç ka ndodhur. Lëvizjet antikombëtare gjatë LANÇ të disa forcave politike si Balli Kombëtar, Legaliteti dhe eksponentë të tjerë të veçantë, e sabotuan atë duke iu vënë edhe deri kundër saj, thjesht për interesa politike e personale, duke humbur kështu të drejtën legjitime për të përfituar fitoren në çlirimin e vendit. Shpura e tyre punoi kundër dhe tërhoqi vetëm me “shatë” dhe nuk veproi asnjëherë të punojë me “lopatë “.

Fakte, në vëmendje të opinionit, për tradhtinë e kolaboracionistëve edhe në krahinën e Matit

-Në fillim të muajit korrik të vitit 1944, kur Shtabi i Brigadës V Sulmuese mori vendimin për të çliruar Matin dhe Dibrën dhe në përgjithësi veriun e vendit, kundër forcave gjermane, në nisje të tyre në rajonin e Tiranës, konkretisht në Shkallën e Tujanit, Qafë Priskë, Shupal etj., forcat bashibozuke të komanduara nga Abaz Kupi, Jahe Çaçi, Murat Basha etj., iu zunë pritë për t’i penguar deri në eliminim fizik, por që falë aftësive luftarake të kësaj njësie partizane, bënë që këto përpjekje të dështojnë me turp. Luftëtarët e batalioneve I, III dhe V të kësaj njësie në ofensivën e tyre luftarake shpartalluan forcat bashibozuke me rreth 300-400 vetësh dhe kaluan për në veri. Në këto kushte, forcat kolaboracioniste u tërhoqën së bashku me ato gjermane dhe u përqendruan kryesisht në rajonin e Matit, Mirditës e të Dibrës. Ato me idenë se Mati është i lirë dhe se kjo krahinë është me Zogun dhe që e quanin zonë të tyre, mund të riorganizoheshin për të rivepruar në të ardhmen kundër Brigadës V S Partizane.

-Në Mat gjendej dhe vepronte një repart ushtarak gjerman i divizionit 181 të këmbësorisë që shtrihej në linjën Milot-Rrëshen-Prosek, që e mbante nën rrezen e tij të veprimit luftarak edhe Burrelin e Burgajetin ku ishte vendosur nënprefektura kuislinge. Duke shtuar këtu rreth 100 xhandarë e një repart shëtitës me po kaq trupa, si dhe në Burrelin e djegur ishte vendosur dhe një poste xhandarmërie, mendohej se do të pengohej çlirimi i krahinës së Matit.

-Krerët e parisë e të drejtuesve të këtyre formacioneve luftarake armike organizuan dhe një “besëlidhje “, ku deklaronin se “do të rezistonin ndaj çdo orvatje të partizanëve për të hyrë në territorin e tyre. Këtë fakt të rëndësishëm dhe fatkeq për këto forca kundër LANÇ, e përmend edhe J. Amery në librin e tij “The of the Eagle” shkruar në Londër në vitin 1948, ( f 116.) Në këtë kuadër të veprimeve këtyre forcave gjermano-balliste, më 10 korrik 1944, forcat partizane me fuqinë e tyre ushtarake çliruan Burrelin, ku më pas spastruan tërë krahinën e Matit. Këtë e vërteton dhe dokumenti i komandës së xhandarmërisë në Burrel, dërguar komandës eprore të saj në Tiranë, ku përveç sqarimit të situatës teje të rëndë për ta, i kërkonte asaj dhe ndihmë në trupa e armatime si dhe ardhjen e një reparti ushtarak gjerman si përforcim emergjent për ta, pra me miqtë e tyre aleatë, për të ndryshuar situatën e vështirë që ishte krijuar në Mat. Numerikisht në Mat qëndronin dhe vepronin deri në dy batalione ushtarake gjermane që kishin zënë vend dhe vepronin në disa pika strategjike të kësaj krahine, si në Qafë Murrë, Klos, Burrel, Perlat etj. Gjatë kësaj kohe në Mat ndodhën dhe incidente.

-Njëri prej tyre ishte ai i 22 korrikut 1944 në fshatin Kurdari. Disa forca bashibozuke të komanduara nga Dyle Allamani, iu zunë pritë partizanëve të Brigadës V, në vendin e quajtur “Vija e Hoxhës” në Kurdari, ku u vranë dhe dy partizanë, si dhe u plagos një, e një partizane e zunë rob, të cilën e mbyllën në shtëpinë e Dyle Allamanit, dhe u lirua pas 24 orëve. Ky konfrontim solli pasojën e vrasjes në terrenin e veprimeve luftarake të 17 fshatarëve të pafajshëm që nuk kishin lidhje me incidentin, por që u gjendën rastësisht aty. Për këto vrasje është pranuar se u gabua, sepse që të gjithë ishin të pafajshëm, ndërsa veprimtarët realë në këtë ngjarje nuk pësuan gjë, pasi ata u larguan dhe u fshehën në një pyll të dendur në mal, në vendin e quajtur “Ushunjas”. Këta të vrarë janë konsideruar viktima të Luftës dhe trashëgimtarët e tyre, pas çlirimit të vendit, nuk kanë pasur pasoja politike.

-Një akt i rëndë ndodhi edhe në Qaf Shkallë, po me datën 22 korrik 1944, ku forcat gjermano-balliste sulmuan forcat partizane në fshatin Shkallë në afërsi të Xibrit, ku ra duke luftuar heroikisht bija e Tragjasit të Vlorës, Heroina e Popullit, Zonja Çurre. Abaz Kupi me disa eksponentë të tjerë luajti një rol antikombëtar dhe në mënyrë të pabesë iu kundërvu forcave partizane të LANÇ në Mat dhe jo vetëm, për të çilat veprime meritonte ndëshkimin maksimal si tradhtar i Atdheut.
Këto e të tjera fakte që janë të shumtë, kërkojnë një analizë të gjerë e të thellë, por dhe me aq sa nënvizuam në këtë shkrim, janë mjaftueshëm për t’iu kërkuar të gjithë kolaboracionistëve që më e pakta e tyre për pendesën që duhet të bëjnë, duhet të kërkojnë falje publike popullit shqiptar për të pranuar fajin, por më shumë se kaq, të pranojnë tradhtinë e tyre kombëtare.

Sefer DUKA

Historian, studiues, pasardhës veterani