Histori/ Lufta kombëtare e Vlorës 1920

248

Ergys Alushi: Si filloi kryengritja popullore në orën 2 të natës. Këshilli i Luftës së Vlorës, Konferenca e Paqes, roli i Presidentit Wilson dhe si e përshkruante gazetari Benito Musolini që më vonë do të bëhej udhëheqës i Italisë Fashiste këtë kryengritje.

Lufta e Vlorës 1920 – Festa Kombëtare e Shqipërisë!

Në orën 2, duke u gdhirë 5 qershori, krisi pushka, filloi lufta në të gjithë frontin.

01-“Vlorës dhe rrethit të saj i takoi të bëhet epiqendra e ngjarjeve më të rëndësishme të asaj kohe”

02-“Nga deklarata e Deleatëve t’anë, kupëtohet çiltazi, se në qoftë se ka Vlorë për Shqipërinë ka edhe Shqipëri, ose përkundrazi, në qoftë se Vlora i jepet Italies Shqipëria është humbur.”

 

03-“E vetmja që na jep pak shpresë edhe na mban me shpirt janë fjalët e Presidentit me të cilat thotë “mbesoj se do të ketë marrëveshje të bashkëtë që skela e Vlorës t’i mbetet Italisë”

04-18 tetori i vitit 1919, ku disa burra jo vetëm nga Vlora, u takuan në mënyrë të fshehtë në shtëpinë e Abaz Mezinit,

05-‘Më 10 mars të vitit 1920, “Komiteti i fshehtë i Vlorës” do të riorganizohet me emrin e ri “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”, që synonte që çështjen e Vlorës ta zgjidhte vetëm me armë”

Nga Ergys Alushi

Vlorës duhet t’i rikthehet dinjiteti – t’i rikthehet Festa Kombëtare!

99 vite më parë, më 2 shtator 1920, ushtria italiane u largua përfundimisht nga qyteti i Vlorës. Prej disa ditësh në qytet kishte filluar zbukurimi i rrugëve kryesore nën kujdesin e Don Mark Vasës. Në datën 3 shtator do të zhvillohej ceremonia e marrjes në dorëzim të qytetit nga drejtuesit e luftëtarëve që kishin luftuar për çlirimin e Vlorës. Vlora do t’i bashkohej pjesës tjetër të Shqipërisë. Për të luftuar kishin ardhur luftëtarë nga të gjitha trevat shqiptare. Lufta për çlirimin e Vlorës ishte kthyer në një luftë kombëtare. Ndaj dhe për disa vite, ajo është përkujtuar e festuar si një Festë Kombëtare, për t’u zbehur në vitet më pas në një festë lokale.
Është detyra e shtetit shqiptar që të fillojë e ta përkujtojë e festojë Luftën e Vlorës 1920, si një Festë Kombëtare ashtu si ka qenë në të vërtetë.
Vitin tjetër është 100-vjetori i kësaj ngjarjeje të madhe

Vlora në pragun e luftës

Botimi i traktateve të fshehta, ndër të cilat edhe Traktati i Fshehtë i Londrës, përfunduar midis fuqive të Atlantës; Angli, Francë, Rusi e Itali, më 26 prill 1915, i cili parashikonte dhe copëtimin e Shqipërisë, solli zhvillime të vrullshme të ngjarjeve në Shqipëri. Në këto Rrethana, Kongresi i Lushnjës deklaroi botërisht se: “ishte gati të bënte të gjitha sakrificat, të derdhte edhe pikën e fundit të gjakut të tij, kundër çdo veprimi që do të vinte në rrezik tërësinë tokësore dhe pavarësinë e tij të plotë”
Vlorës dhe rrethit të saj i takoi të bëhet epiqendra e ngjarjeve më të rëndësishme të asaj kohe, sepse nën ndikimin e rritjes së presionit popullor për lirimin e Vlorës, komanda e trupave italiane të pushtimit, të gjitha forcat e saja i tërhoqi nga thellësia e vendit dhe i grumbulloi në zonën e Vlorës.
“Çështja e Vlorës, – thuhej në artikullin e një gazete italiane, – është një çështje jetike e lidhur me minimumin e jetesës dhe aspiratës ndërkombëtare të popullit italian.”, dhe dilej me konkluzionin se “të lëshojmë Vlorën, do të thotë se është njëlloj si të tradhtosh të ardhmen e Italisë”

“Aneksimi i Vlorës prej Italisë, është vdekja e Shqipërisë!”
Gazeta “Albania”, Prill 1919

 

Në është se neve protestuam kundër rekomandimit që bëri Presidenti Wilson për Vlorën, në është se kemi lëftuar dëshirën e Italisë që ka për t’a mbajtur dhe në është se i këshilluam shqipëtarët që të mos reshtin së protestuari kundra mbajtjes së saj prej Italisë, këtë nuk’e bëmë vetëm si të detyruar ta bënim ngaqë me këtë mënyrë shkëputet një copë prej trupit të Shqipërisë, po e bëmë se mbajtja e Vlorës prej Italisë është vdekja e Shqipërisë.

Delegatët t’anë në Paris, në protestimin që bënë e thoshin haptazi se dhënia e Vlorës te Italia është nisja e shkatërrimit dhe prishjes të Shqipërisë, dhe frikën e delegatëve t’anë dhe tonën bashkë, e vërtetuan kërkimet e përnjëhershme të Venizelloz për të marrë dhe Sazanin, e nga ana tjatër kërkimet e Serbisë për t’ardhur më poshtë nga ku ndodhet sot.

Po telegrafi që botonte javën e shkuar gazeta NewYork Times, shtie edhe më tepër dritë në këtë çështje, se Delegatët t’anë këtë herë kanë deklaruar që posa Italia të heqë dorë nga Vlora, Greqia me Serbinë janë gati të heqin dorë edhe ato nga kërkimet e tyre në Shqipëri

Nga deklarata e Delegatëve t’anë, kupëtohet çiltazi, se në qoftë se ka Vlorë për Shqipërinë ka edhe Shqipëri, ose përkundrazi, në qoftë se Vlora i jepet Italies Shqipëria është humbur..

“Fati i zi i Vlorës”- Mihal Grameno
Gazeta “Albania”, 29 maj 1919
(Botohet me shkurtime)

 

“Mbesoj se do të ketë marrëveshje të bashkëtë që nisin Lissa t’i jepet Italisë dhe ajo ( Italia) të mbanjë skelën e Vlorës”

 Presidenti Wilson

 

Pas një lufte diplomatike të rreptë midis përfaqësonjësvet të Italisë dhe Presidentit Wilson, përmi çështjen e Adriatikut Presidenti i Shteteve të Bashkuara i dha zotit Orlando një memorandum në 14 të prillit me anë të cilit shtron mendimet e tij përmi çështjen e Adriatikut, të cilën çështje Presidenti thotë se e studioj dyke i dhënë më shumë kohë dhe më shumë kujdesje se çdo çështje tjatër. Me anën të këtij memorandumi Presidenti Wilson dekllaron se skela e Vlorës midis të tjeravet, munt t’i mbetet Italisë dyke shtuar këto fjalë për t’u vënë re “mbesonj se do të ketë marëveshje të bashkëtë..” Përfaqësonjësitë e Italisë nukë u kënaqnë me ato që u dha Presidenti Wilson, se përveç këtyreve kërkojnë edhe Fiumën, edhe nga ky shkak zoti Orlando dhe Sonino u ngritnë dhe shkuanë nga Parisi.

Të dy palët të shtrënguarë nga kjo ngjarje u panë të shtrënguarë të lajmërojnë botën përmi bisedimet dhe vendimet që bënin prapa perdes, po kështu edhe neve mësuam lajmën e zezë për fatnë e Vlorës, e cila ra si një rrufe përmi kryen të çdo Shqipëtari të vërtetë, se cili do prej nesh e kupëton fort lehtë se Vlora,vendi i shenjtë ku u prokllamua independence e Shqipërisë, edhe ku shlodhet trupi i prindit të kombit Shqipëtar, i Ismail Qemalit, është zemra e atdheut, edhe sikundri trupi i njeriut nuk munt të rronjë pa zemër, ashtu edhe Shqipëria nuku munt të rronjë pa Vlorën.

Përveç kësaj kjo lajme ra si një rrufe përmi krerët e Shqipëtarëvet, sepse e kupëtuan se edhe parimet të Presidentit Wilson, në të cilin kishin një mbesim të patundur, dyke u mbesuar se do të qëndronjë edhe do të luftonjë për të mprojtur të drejtat e kombësivet të vogla, ishin vetëm fjalë të thatë dhe se ay si gjithë dipllomatët e tjerë që janë mbledhur në Paris, për të bërë paqe, nuku do të bëjnë një paqe mbi themel të drejtësisë po mbi themel të kërkimevet ngallënonjëse të fuqive të mëdha, dyke lënë më nj’anë parimin se të drejtat e kombevet të vogla janë gjith aqë të shenjta sa dhe të drejtat e fuqive të mëdha.

Rekomandimi që bën Presidenti Wilson që skela e Vlorës t’i mbetet Italisë është një goditje vdekje që i jepet Shqipërisë, edhe dhembjen të kësaj goditje Shqiptarët e ndjejne më tepër sot se u vjen nga ay që e mbesonin se ishte shpëtimtari i atdheut tyre.

E vetmja që na jep pak shpresë edhe na mban me shpirt janë fjalët e Presidentit me të cilat thotë “mbesoj se do të ketë marëveshje të bashkëtë që skela e Vlorës t’i mbetet Italisë”

Tani detyra e çdo shoqërie, e çdo grupi Shqipëtar, edhe e çdo patrioti është të ndritonjë Presidentin Wilson me tejshkrim dyke i thënë se Shqipëtarët nuku janë në një mejtim me Z-tij që Vlora t’i mbetet Italisë edhe t’i luten që rekomandimin që bën që skela m’e shënuarë e Shqipëtarisë, vendi i shenjtë i independencës atdheut tonë të dashur nuku munt të mbetet nënë zgjedhje të huaj sa kohë që mbetet i gjallë mbi dhe edhe një bir i Skënderbeut.

 

“Komiteti i fshehtë i Vlorës” -1919

 

18 tetori i vitit 1919, ku disa burra jo vetëm nga Vlora, u takuan në mënyrë të fshehtë në shtëpinë e Abaz Mezinit, në lagjen “Topana”, njihet nga shumë historianë si data e krijimit të “Komitetit të fshehtë të Vlorës” që në zhvillimet e mëvonshme, të vitit 1920, do të njihej dhe si “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”
takimi do të thirrje me inciativë të Osman Haxhiut, Jani mingës ( firmëtar i pavarësisë në 1912 ), Abaz Mezinit, Hamza Isait e disa burrave të tjerë nga paria e Vlorës, por edhe nga të disa fshatrave të Vlorës. Në mbledhje ishin të pranishëm rreth 40 vtë, ajo u zhvillua në konspiracion të plotë dhe morën pjesë njerëz me influencë në zonat e tyre. Nga mbledhja u dol me përgatitjen e një memorandumi që do të kërkonte lirimin e Vlorës nga ushtria italiane e cila do t’i dorëzohej gjeneral Piacentinit. Një nga veprimtaritë e para të këtij Komiteti, ishte organizimi i demonstratës së madhe që u zhvillua në Vlorë më 28 nëntor 1919, ku pati përledhje fizike midis popullit dhe ushtrisë italiane, pati të arrestuar e të plagosur nga të dy palët. Pas një sërë aktivitetesh patriotike në shërbim të çlirimit të Vlorës nga Italia dhe bashkimin e qytetit me pjesën tjetër të vendit, më 10 mars të vitit 1920, “Komiteti i Fshehtë i Vlorës” do të riorganizohet me emrin e ri “komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”, që synonte që cështjen e vlorës ta zgjidhte vetëm me armë. Drejtuesit e këtij komiteti të fshehtë që përgatiste në heshtje kryengritjen e armatosur u takuan në Vlorë edhe me të dërguarin e Presidentit amerikan Wilson, i cili kishte ardhur në Vlorë për të njohur nga afër realitetin e Vlorës me porosi direkte të Presidentit Wilson. Kuvendi i Barcallasë në 29 maj 1920, do të ishte prologu, thirrja përfundimtare për luftë kundër Italisë, e cila do të fillonte më 3 qershor 1920 dhe luftëtarët e Luftës së Vlorës të drejtuar nga drejtuesit e komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, do të hynin si çlirues në Vlorë më 3 shtator 1920.

Lufta Kombëtare e Vlorës e vitit 1920

 

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora
buçet klithma për liri,
ja do bëhet Vlora jonë,
ja do bëhet shkrumb e hi.

Me vendim të Konferencës së Paqes të Parisit, të vitit 1919, Vlora iu la Italisë, e cila e kishte pushtuar qytetin, më 25 dhjetor 1914. Vendimi shkaktoi zemërim në trevat shqiptare, sidomos në Vlorë. Qyteti filloi të përgatitej në fshehtësi për të kundërshtuar me armë qëndrimin e ushtrisë italiane në Vlorë.

29 maj 1920 në mal të Dukatit në vendin e quajtur “Barçalla”, ku morën pjesë 150 përfaqësues të të gjitha fshatrave, u vendos që të shpallet kryengritja kundër Italisë.

2 Qershor u bë mbledhja, ku mori pjesë populli me armë. Prej këtej “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare” ,i dërgoi një ultimatum komandës italiane në Vlorë, ku i kërkon: “populli i Vlorës kërkon heqjen e ushtrisë italiane dhe bashkimin e tij me Tiranën: ndryshe me armë në dorë do ribelohet…”. Pas përgjigjes negative nga ana e gjeneralit italian Piaçentini, më 5 Qershor trupat kryengritëse vendase sulmuan repartet italiane në Kotë, Drashovicë e deri në Llogara.

Forcat ishin të pabarabarta, 4 mijë luftëtare vendas kundër 20 mijë ushtarëve italianë.

Pasi mori kontrollin e fshatrave përreth qytetit, forcat shqiptare nga Vlora dhe shumë krahina të vendit, më 11 Qershor nisën sulmin mbi qytet, duke e detyruar ushtrinë italiane të tërhiqet e të grumbullohet në zonën e Skelës.

Të detyruar nga luftimet, Italia u ul në bisedime dhe në datën 2 shtator pranoi tërheqjen e trupave nga Vlora dhe dorëzimin e qytetit te “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”.

3 shtator 1920, trupat kryengritëse do të hyjnë triumfues në qytet. Vlora do të bashkohet me pjesën tjetër të Shqipërisë. Pas luftës ky Komitet botoi gazetën “Mbrojtja kombëtare”, drejtues të së cilës në kohë të ndryshme kanë qenë Don Mark Vasa dhe Qazim Kokoshi.

“Komiteti Mbrojtja kombëtare” përbëhej nga: Osman Haxhiu (kryetar), Qazim Kokoshi, Myqerem Hamzaraj, Sali Bedini, Sulo Shaska, Ali Beqiri, Hamit Selmani, Murat Myftari, Beqir Sulo, Azbi Cano, Alem Mehmeti, Hysni Shehu.
Rol të madh në luftën e Vlorës pati edhe qeveria e Lushnjës, sidomos kryeministri, Sulejman Delvina. Për kontributin e dhënë më 28 Nëntor 1920, ai do të vlerësohet me titullin “Qytetar Nderi i Vlorës”, titull që ia dorëzoi kryetari i bashkisë Seit Qemali.

Nesër do të lexoni:

Presidenti amerikan Wilson tregon interes për Vlorën

Xhovani Valencia – hero për shqiptarët, i dënuar me vdekje nga italianët

 

Benitto Musolini, që vite më vonë do të shndërrohej në idhëheqësin e Italisë fashiste në luftën e dytë botërore, i ka kushtuar disa shkrime ngjarjeve që zhvilloheshin në Vlorë.

(Vijon në numrat e ardhshëm)