Gjimnazi “Ramiz Aranitasi” u bë shkollë edhe për ne mësuesit

92

Petrit Brokaj

Shkolla “Ramiz Aranitasi” u bë shkollë edhe për ne mësuesit e saj

Të shtunën, më dt. 9 tetor 2019, shkolla e mesme “Ramiz Aranitasi” në Ҫorovodë, feston 60-vjetorin e saj. Në vitin 1970, kur unë fillova punë atje, menjëherë pas përfundimit të studimeve në Fakultetin Filologjik, ajo ishte 11 vjeçe, kurse ne që po shkonim aty si mësimdhënës, ishim 22-23 vjeçar. Nëse do të niseshim nga vitet, edhe shkolla edhe ne hynim në moshën e re. Por, më pas, mosha merr vlerësim tjetër. Ajo mbetet gjithmonë e re dhe plot vitalitet, kurse ne , tani, në këtë 60-vjetor të saj, nuk jemi më ata djelmoshat dhe vajzat e reja, por ca burra dhe gra në pension që nuk i ngjitim më shkallët e kateve të saj dy e nga dy si dikur, por një e nga një dhe duke u mbështetur te parmakët e tyre. Normale. Tek ne rëndojnë vitet. Tek ajo qarkullojnë brezat e rinj pa pushim. Por, kur flasim për kujtime, atëherë, ato te ne qëndrojnë pasuri të shumta dhe të freskëta, ku kanë brenda mallin, shumë miq e shokë, ngjarje pa fund dhe mësime që na shoqëruan aktivitetin tonë edhe kur nuk ishim më aty.

Vite të paharruara

Për mua, ato vite që punova në shkollën e mesme “Ramiz Aranitasi”, mbeten vite të paharruara dhe vite shkollëformimi. Në atë periudhë, në Skrapar, kishte shumë kuadro nga Rrethe të tjerë. Kryesonte Vlora. Pothuajse në çdo fshat do të gjeje nga ky Rreth, mësues, agronomë, ekonomistë etj. Vetëm atë vit, në shkollën e mesme “Ramiz Aranitasi”, u emëruam; unë për gjuhën ruse, Dituri Dervishi për Histori-gjeografi dhe Fiqiri Aliaj për Letërsi. Pas një viti erdhi Viron Tato për Matematikë, Vasil Qesari për Letërsi dhe Mario Petro për edukim fizik, sepse u shtua numri i nxënësve dhe pati edhe ndonjë transferim. Edhe te konvikti, kujdestarja ishte vlonjate. E filluam punën tërë pasion dhe larguam sadopak atë zymtësi që kishin lënë disa mësues të Rretheve të tjerë që kishin shumë vite dhe që mezi prisnin të transferoheshin.

Sot, mund të duket e pabesueshme, por ne e ndjenim shpirtërisht moton: “Të punojmë atje, ku ka nevojë Atdheu”. Mundoheshim ta mbushnim jetën me aktivitete të larmishme, çdo ditë, çdo javë e çdo muaj. Shkolla “Ramiz Aranitasi” ishte qendër kulture, qendër arti, qendër sporti, qendër argëtimi, duke u bërë shembull nxitës edhe për qendrat e punës dhe institucionet e tjerë. Në atë kohë, në Ҫorovodë, kishin ardhur në kuadrin e qarkullimit, edhe disa specialistë të artit e të shtypit, ku nuk mund të harroj atë përkushtim të z. Sejdia në gjallërimin e jetës teatrore dhe Gazetarin e njohur, Sefedin Ҫela, në ngritjen e Gazetës “Jehona e Skraparit”. Në periudhën e muajve mësimorë, Ҫorovoda gjallërohej edhe më shumë nga nxënësit që vinin edhe nga fshatrat e Rrethit. Duhet thënë se, ndihej një kujdes i veçantë për zhvillimin e jetës së Skraparit. Komitetin e Partisë e drejtonte një nga bijtë e tij, burri i nderuar dhe me shumë ambicie, Teki Malindi. Ishte meritë e tij që edhe në Komitetin Ekz. punonin specialistë me shumë përvojë dhe të ardhur edhe nga Rrethet e tjerë. Mbi të gjithë, aty jetonte një popull që e donte të renë, emancipimin, zhvillimin e gjithanshëm dhe që të ngrohte me respektin për ne që nuk ishim vendas.

Në këtë periudhë, filloi dhe përfundoi godina e re e shkollës së mesme “Ramiz Aranitasi”. Në përurimin e saj erdhi udhëheqësi kryesor i vendit, Enver Hoxha. Ishte një ditë feste e madhe dhe që u shënua si një nga ditët e veçanta të jetës së saj. E shoqëronte, Ministri i atëhershëm i Arsimit, Thoma Deliana. U ngjit deri në katin e dytë. Ne e prisnim pranë kabineteve tona, në korridor. Kur po vinte drejt nesh, i bëri përshtypje mosha jonë e re dhe këtë ia thotë edhe Thoma Delianës me një gëzim të veçantë. Ishte pragu i Festave të Nëntorit të vitit 1972.

Një vit më pas, shoqërova nxënësit e kësaj shkolle në aksionin e hapjes së tarracave në Jonufër të Vlorës. Ishte një periudhë, kur në Tiranë, sidomos në shollën “Petro Nini”, kishte një harbim në sjellje, sepse, aty ishin edhe fëmijët e qeveritarëve dhe partiakëve të lartë, të cilët e shfrytëzonin këtë rrethanë për të qenë të veçantë edhe në mjedise të tjerë. Këtë e provuan edhe me nxënësit skraparas, duke i provokuar me fyerje. Por një ditë morën përgjigjen e merituar!

Problemi bëri jehonë deri në Tiranë dhe deri në zyrat e Kom. Qendror dhe në Ministrinë e Arsimit. Nuk harroj kurrë sjelljen burrërore të nxënësit Spartak Sako që u rezistoi provokimeve dhe presioneve të zyrtarëve që shkonin e vinin nga Tirana në Vlorë për ta trajtuar reagimin e nxënësve të shkollës “Ramiz Aranitasi” si një akt i organizuar deri te prindërit e nxënësve të shkollës “Petro Nini”. Kjo fryrje që u kërkua të bëhej si akt politik, u “shfry” nga Hysni Kapo në Kom. Qendror të PPSH. dhe nga Teki Malindi në Skrapar. E përmenda këtë ngjarje, sepse ishte një guxim i kohës dhe këtë e bënë nxënësit e Skraparit, gjithashtu për të thënë se, nxënësit e këtij brezi, të mbrujtur me karakterin e një krahine shumë patriotike, ecën në jetë, të dalluar për zotësi e cilësi të tilla që kanë merituar respekt e vlerësime të larta.

Për mua, kolektivi mësimor i shkollës së mesme “Ramiz Aranitasi”, ishte si një familje, ku secili plotësonte njeri-tjetrin. Më 1973, unë u transferova në qytetin tim, në Vlorë. Që nga ajo kohë kanë kaluar 46 vjet. Do më falin disa nga kolegët e mi që mund të mos ua përmend emrat, por gjurmët e jetës sonë të përbashkët, janë të pashlyeshme. Si emra, janë në kujtesën time, veç vlonjatëve që i kam përmendur më sipër, mësuesit e fizikës: Pandeli Stefani korçar dhe vendasit Agron Hasko, Xhelil Shahu dhe Tare Xhaja, mësuesit e kimisë: tiranasi Agim Hasko dhe vendasi Ҫelnik Nako, mësuesit e histori-gjeografisë: Asqeri Turhani dhe pogradecarja dhe nuse në Skrapar, Pranvera Ҫuni. Mësuesit e matematikës: Xhafer Ibro dhe Qemal Zaimi, mësuesin e letërsisë Gani Zyko, mësuesi i gjuhës ruse që më zëvendësoi mua, Maliq Bregu, mësuesit e edukimit fizik: Avdyl Shkëmbi dhe Partizan Goxhaj, ushtarakët Maliq Alushani dhe Ismail Lame, drejtorin e shkollës që zëvendësoi Qani Zaimin, Teki Bregu, i cili më bënte përshtypje për një shpirt e sjellje të spikatur demokratike. Dua të veçoj edhe atë djalin nga Zagoria e Gjirokastrës, nipin e një patrioti të shquar, Ksenofon Dilo, për atë kohë të gjatë që kaloi në Skrapar dhe për devotshmërinë e tij si intelektual e qytetar në shërbim të disa breza nxënësish skraparas.

Për atë që më dha një mësim për tërë jetën.

Është Qani Zaimi. Ishte drejtor i shkollës. Një mësues me përvojë të gjatë i gjuhë-letërsisë. Ishte viti i parë i punës, pasi ishim kthyer nga kursi ushtarak për oficerë rezervistë. Shkolla e mesme dhe shkolla 8-vjeçare ishin në një ndërtesë, sepse nuk ishte bërë godina e re. Siç thashë më lartë, ne ishim të sapo dalë nga Universiteti dhe në moshë të re. Kur shoh fotografitë sot, nuk dallohem shumë nga nxënësit maturantë.

Ishte një ditë e zakonshme mësimi. Fillova orën e mësimit në një klasë paramaturë dhe pasi bëra apelin, shikoj që një nxënës në bankat e mesit nuk po ulej. I fola përsëri, por ai nuk më bindej, por më shikonte në sy me mospërfillje. Reagimi im ishte i gabuar. Drejtor Qaniu kurrë nuk ma përmendi atë veprim të gabuar nga ana ime. Dhe unë kurrë nuk ia harrova atë sjellje të tij. Jo vetëm nuk ia harrova, por e bëra mësim për tërë jetën. Më ndodhi që të punoja në disa vende pune, ku pata raste të isha në rolin drejtues, jashtë sektorit mësimdhënës, siç ishte Qani Zaimi për mua. E kam përdorur shumë faljen edhe kur në disa raste meritonin ndëshkim. Dhe më ka dalë për mirë. Shumë prej tyre nuk ma kanë harruar. Dhe kur ata ma kujtojnë, para meje del gjithmonë Qani Zaimi.

 

Pra, të shtunën, më dt. 9 nëntor shkolla “Ramiz Aranitasi”, ka festë të madhe. Do jetë ditë urimesh, përgëzimesh, bilance suksesesh, apel krenarie për ish-nxënësit e saj që, sot i gjen të shquar në gjithë sektorët e jetës, si pedagogë të dëgjuar, publicistë e gazetarë prestigjiozë, mjekë të talentuar, juristë e biznesmenë, artistë e shkrimtarë unik, ushtarakë të zotë, mësues, agronomë, ekonomistë që i japin hov gjithë jetës së vendit të tyre, por të shquar edhe në arenën ndërkombëtare.

Të shtunën, më 9 nëntor, drejtori aktual i shkollës, Meçan Zeqo, i meriton të përjetojë atë ditë gjithë urimet më të përzemërta të atyre që do jenë aty bashkë me të dhe të atyre që nuk do të kenë mundësinë e përqafimeve të përmalluara. Përmes tij, urime për suksese të tjerë gjithë kolektivit mësues-nxënës të shkollës “Ramiz Aranitasi”.