Gëzim Zilja: Sulltanati i legalizim-hipotekimit të tokave dhe pronave

802
Sigal

‘Sulltanati’ Artan Lame

Gëzim Zilja

Rreth dy muaj më parë shqiptarët u bënë me dije (06.04.2019) nga zv/kryeministri Erjon Braçe se do të krijohej Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) nën drejtimit e ish-drejtorit të ALUIZNI-t Artan Lame. Kjo shpikje e re do të gëlltiste brenda saj ALUIZNI-n (Agjencia e Legalizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale) ZRPP ( Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme) dhe ATP (Agjencia e Trajtimit të Pronave). Nëse më parë kishte një institucion ai (ZRPP-s) që shërbente si filtër për ALUIZNI-n, sado i korruptuar ishte, për regjistrimin e ndërtimeve pa leje apo tokave shtetërore, tashmë edhe ky u “zhduk” gjoja në emër të zgjidhjes së kaosit që mbizotëron për pronat në Shqipëri pas zbatimit të ligjit famëkeq me nr.7501. Mbështetur në udhëzimet e kryetimonierit të rilindjes për përqendrimin e pushtetit dhe mungesës së kontrollit, tashmë Artan Lamja veç kusisë (ALUIZNI) do të ketë nën kullandrisje edhe kazanin, govatën, dhe sapllakun. Praktikisht ASHK-ja kthehet në një sulltanat me kryetar Artan Lamen që legalizon, privatizon, mat, shet, blen, arkivon. çarkivon e më në fund po vetë, i regjistron tokat si pasuri të paluajtshme, si akti i fundit mbi pronën. Për të shpjeguar domosdoshmërinë e kësaj reforme, kreu i sapo shuguruar, i ASHK-së bëri arsyetimin filozofik të padëgjuar kurrë më parë, duke sjellë si shembull godinën në të cilin vetë ai punon.“Pas katër vitesh që ushtrojmë veprimtarinë në godinën, e cila është ndërtuar para viteve ’90 mund t’ju them se, vetëm para pak ditësh kemi arritur ta regjistrojmë. Kemi kaluar një kalvar të pafund pengesash, për shkak se kjo pasuri nuk rezultonte askund në zyrat e shtetit.” Më tej strategu shtoi se do të bëjë reforma thelbësore në hartografi, sistemin e shërbimeve dhe burimet njerëzore. Datë për mbarimin e zotimeve të mësipërme Lamja nuk dha. Po të kemi parasysh se që nga viti 1993, kur filloi zaptimi dhe legalizimi i pronave të grabitura, 50% e tyre janë ende të paregjistruara, me këto ritme që është punuar e po punohet këto gjashtë vjet, duhen dhe nja 30 e kusur vite të tjera. Sidoqoftë ASHK-ja me bukuroshet e veta dhe Kryetarin e bëri gjestin e parë humanitar këto ditë, duke dhuruar gjak e duke publikuar fotot.

Mirë, o Artan djali, po kush të pengoi ty dhe gjithë rilindjen t’i bëje punët që kishe për detyrë? Bujku që mbjell domate, minatori që nxjerr krom, naftëtari i Marinzës, ai i papuni te Ushtari i Panjohur apo opozita që deri dje hante fara luledielli? Ke gjashtë vjet në majë të plepit që këndon si gjeli i pyjeve të Amazonës në kohën e shumimit, tani të shkoi mendja për ASHK-në? Po gjetkë fle lepuri. Janë me mijëra hektarë tokë shtetërore (mall belik) të zaptuara nga hajdutët, oligarkët e lloj lloj zullumqarësh ende të paregjistruara. Tani që gjithçka është në një dorë, në një firmë, pa asnjë filtër e kontroll, e di vetë Rilindja si t’i gllabërojë pronat publike, që janë ende të paregjistruara e u janë dhënë me qira simbolike miqve, kushërinjve, e të pangopurve të tjerë. Tani mund të futni duart lirisht kudo, të legalizoni, regjistroni e të bëni pronarë kë të doni, kur të doni dhe si të doni. Por jo vetëm kaq, se partisë duhet t’ia shpërblesh nderin. Po atë ditë që mori emërimin e ri, Lamja deklaroi gjithë sarkazëm: “Shkoni nesër të protestoni, por mos harroni të vini të hënën të bëni letrat për shtëpitë.” Shumë e rëndë kjo deklaratë! Duket si ato kërcënimet e komunistëve në vitet, kur fshatarët nuk donin të kooperativizoheshin e tufëzoheshin. D.m.th. Lamja dhe partia e tij janë zoti, perëndia, që vendos për fatet e atyre që duan të hipotekojnë shtëpitë. Nuk na qenkan rregullat, ligji, shteti demokratik. Shikoje edhe një herë atë copëz filmi apo fotoje të asaj dite, o Artan! I veshur, i larë, i qethur, i kruar, i krehur, i qeshur e kollarisur ishe, por hiç bukur nuk ke dalë. Një njeri me aq kulturë e koleksionist i relikteve me vlera kombëtare nuk duhet të bjerë në derexhenë e militantit fanatik! E meqenëse jemi te vlerat, të dhënat e fundit (mars 2019) vetëm për një zonë të Tiranës (Tirana Jug) janë për faqe të zezë. Haptazi falsifikohen, zvarriten dokumentet e bëhen favore, duke shkelur çdo lloj ligji e rregulli. Mirë do bësh t’u hedhësh një sy atyre shkresave. Do të shohësh se te “Tirana Jug” nuk janë vazhduar procedurat e skualifikimit për 173 objekte informale, që nuk plotësojnë kushtet ligjore të kualifikimit!? Madje 30 të tilla nuk janë raportuar fare. Vetëm në qytetin “Studenti” janë 31 objekte informale që nuk janë ndjekur procedurat për skualifikim, duke pritur pak mjegull (ndoshta AKSH-në) për t’i kualifikuar. Po na atë Zonë mbi 4163 dosje me çrregullime të mëdha merren nga arkivi për verifikim pa urdhrin e titullarit, plotësohen e kthehen sërish në arkiv jashtë rregullave! Një nga favoret e shumta që u janë bërë grabitësve të tokave është, se në marrjen e vendimeve “Për kualifikimin për legalizim të objektit informal” Drejtoria Rajonale, ka vepruar pa marrë konfirmim për pagesën e Taksës së Ndikimit në Infrastrukturë për dalje me vendim kualifikimi, duke krijuar një mungesë të ardhurash buxhetit të shtetit në vlerën 161,317,255 lekë. Janë (po në zonën “Tirana Jug”) afërsisht 2000 leje legalizimi të lëshuara dhe të dërguara në ZVRPP për regjistrim të objekteve informale që nuk kanë VKM për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të legalizuar. Kjo ka sjellë një mungesë në fondin e kompensimit të ish-pronarëve në vlerën 1,059,959,811 lekë + bono privatizimi. Sigurisht që para’ janë paguar por ato kanë kaluar në xhepat e rilindësve. Janë mbi 70 objekte informale ndërtuar në truall pronësi publike territor i qytetit “Studenti”, ndërtuar mbi projektin “Unaza e Tiranës.” Nga rastet me flagrante të shkeljes së ligjit është legalizimi i ndërtesave në pronën e kryegjyshatës botërore ku ende nuk merret vendim për skualifikimin e këtyre objekteve. Si duket grabitqarët as perëndinë nuk e kanë frikë.

Në punën e ALUIZNI-t në rang kombëtar shkeljet e ligjit janë edhe më të rënda. Vetëm në Sarandë diferenca e pagesës reale me atë të që duhej paguar është 1.4 miliardë lekë humbje e shtetit. Vazhdojnë të bëhen legalizime duke mos respektuar distancat nga rrugët kryesore apo duke pushtuar trotuarët, legalizohen prona informale, duke mos respektuar distancat nga objektet ujore si përrenjtë, lumenjtë, detet e liqenet. Në marrëveshjen ndërkombëtare të Lisbonës distanca nga vija e ujit e ndërtimeve duhet të jetë të paktën 100 metra. Janë futur duart në “sistem” e janë legalizuar edhe objekte të ndërtuara pas vitit 2007 (duhet thënë të rralla) por ky është guxim i madh, se një veprim i tillë dënohet me burg. Merru me këto punë së pari, se një pjesë e specialistëve dhe e drejtuesve që komandon janë kthyer në brejtës dhe vemje, në dukje të vegjël, por që nxjerrin fitime nga allishverishet, e thellojnë armiqësinë midis shqiptarëve për shkak të pronës. Pastaj merru dhe me hartat, me shërbimet e burimet njerëzore. Merru dhe me partinë, por pa kërcënuar njerëzit, duke përdorur postin. Po të rikujtoj se janë mijëra njerëz që kanë paguar apartamentet, ku banojnë dhe për arsye se pronari ka shtuar një apo dy kate pa leje nuk u regjistrohen apartamentet nga hipoteka, duke i sorollatur tash 25 vjet zyrave të shtetit. Pse duhet të dënohet poseduesi i apartamentit, kur ligjin e ka shkelur pronari? Nuk i gjeni dot ku vërtiten, ku banojnë, ku hanë e pinë këta fëlliqësira që gëlojnë qyteteve të Shqipërisë duke ngrënë e pirë me zyrtarët e tokave?

Vijon…