Gëzim Zilja: Pallati Mbretit nuk është pallat kryeministror

880
Sigal

 Pallati i Mbretit nuk është pallat kryeministror

Nga Gëzim Zilja

 

Në Tiranë ndodhen dy objekte të një rëndësie të veçantë, Pallati Mbretëror* dhe Vila 31, ish-banesa e Sekretarit të Parë të PPSH-së, diktatorit Enver Hoxha. I pari “shtëpia” ku ka banuar dhe punuar për pak kohë mbreti Zog, dhe e dyta “shtëpia” ku ka banuar dhe zhvilluar një pjesë të aktivitetit të vet kriminal, ish-diktatori shqiptar.Të thuash që këto objekte janë pasuri kombëtare, që janë një pjesë e historisë, trashëgimisë dhe kulturës tonë kombëtare, që bota e zhvilluar për objekte të ngjashme harxhon pa hesap për t’i mirëmbajtur e që janë të vizitueshme për të gjithë robtë e zotit kundrejt një bilete simbolike, duket e tepërt. Njëra ndodhet në periferi, në kodrinat e Liqenit Artificial, në një sipërfaqe të rrethuar prej disa hektarësh dhe tjetra në qendër, në Bllok, në një sipërfaqe prej disa dynymësh. Kam pasur rastin të njoh çdo skutë të tyren gjatë viteve 2003-2007 kur punoja në Administratën e Presidentit të Republikës. Problemi që po shtroj nuk është as i ri dhe as për herë të parë. Në atë Pallat dhe në atë Vilë fshihet një pjesë e historisë së popullit shqiptar, përpos të tjerave, që populli shqiptar është pronari i ligjshëm i tyre. Në Europë dhe vendet e tjera demokratike ndërtesa të ngjashme janë kthyer në muze-shëtitore, objekt vizite për vendasit dhe turistët. Në Shqipëri këto vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura për njerëzit, njëra prej gati tetëtëdhjetë dhe tjetra prej tridhjetë vitesh. Në “Vilën 31” dhe në “Pallatin e Brigadave” ka aktivitete një ose dy herë në vit (e shumta katër herë në vit) ku presidenti ose Kryeministri jep ndonjë pritje, shtron ndonjë darkë apo bën takim me gazetarët. Çdo 28 Nëntor Presidenti i Republikës jep një pritje në “Pallat” me rastin e festës së Pavarësisë. Gjithë kohën tjetër të dy  këto objekte flenë “gjumin e madh”. Dyert e Pallatit Mbretëror hapen ose mbyllen vetëm me urdhër të kryeministrit dhe ruhen nga Garda e Republikës. Duke mu dhënë rasti të punoj hera-herës (pritje-përcjellje)  në këto objekte, konstatohej lehtë se prej tyre ishin humbur ose shpërdoruar mjaft sende me vlerë. Po marr një shembull të thjeshtë: kuzhinën në pallatin mbretëror. Është një sipërfaqe e konsiderueshme, në katin e poshtëm, ku mund të punojnë lirisht njëzet-tridhjetë vetë e të përgatisin dreka e darka për 5.00 deri 1.000 persona e më shumë. Flitet për mbulesa tavolinash, pjata e pjatanca porcelani, kabash (broke) për servirjen e ujit, lugë, pirunjë, thika me metal të shtrenjtë, për mish e ëmbëlsira, garuzhde, hanxharë, gota të llojeve e madhësive të ndryshme prej qelqi ose kristali të shtrenjtë, tabaka të thjeshta qelqi ose argjendi, tavolina e karrige prej druri të shtrenjtë punuar me art, pasqyra, kazanë, tenxhere, tiganë, piceta, uniforma kamerierësh dhe kuzhinierësh, të gjitha të gdhendura e zbukuruara  me stemën mbretërore. Vetëm me këto sende e pajisje nëse do të ekzistonin si i la mbreti Zog, mund të hapje një “Ekspozitë” ku vizitorët do të “hapnin gojën” nga habija. Për të mos folur pastaj për katet e sipërme, dhomat e familjes mbretërore dhe të miqve, zyrën e mbretit, pajisjet e tyre, bibliotekën,  sallat e ballove, pasqyrat me korniza veshur me ar, pikturat, vazot e shtrenjta, skulpturat, qylymat, sixhadet etj, etj. Kur partizanët çliruan vendin, Pallati i Zogut (Pallati i Brigadave e quajtën çlirimtarët) dhe vilat ku u vendos udhëheqja e re, u morën me inventar të rregullt. Të paktën për Pallatin e Brigadave dihet, që ka egzistuar deri vonë një inventar bazë ( nuk di nëse ekziston ende) i bërë qysh në vitet 44-45. Deri në vitet ’90-të, “Pallati” ishte i mbyllur dhe vështirë se objekte të tij mund të humbnin, veç kur për “arsye shtetërore” i dhurohej ndonjë souvenir miqve të huaj, ose kur kalonte në “Bllokun e Vilave”. Por duhet theksuar se të gjitha këto veprime dokumentoheshin rigorozisht. Vila e diktatorit ka qenë e inventarizuar dhe çdo gjë e re që hynte, pajisje, orendi, piktura, libra sidomos dhuratat, rregjistroheshin. Edhe ndonjë send që ishte marrë nga “Pallati” mund të gjendej se ku kishte shkuar. Batërdia filloi pas viteve ’90-të. U krijua e ashtuquajtura “Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare” që ka në varësi “Vilat Qeveritare” në të gjithë vendin dhe  “Pallatin e Brigadave.” Emërimi i drejtorit është e drejtë ekskluzive e Kryeministrit dhe ka vartësi të drejtëpërdrejtë po prej tij. Deri në ditët tona Pallati kaloi disa duar, tërësisht besnikë ose miq  të afërt të kryeministrave. Ajo që bie në sy megjithëse për mirëmbajtjen e tyre harxhohen miliona euro çdo vit, është gjendja jo e mirë dhe rrënimi që vazhdon me galop. Të gjithë drejtorët e Shërbimeve Qeveritare janë ankuar se qeveria nuk jep aq lekë sa duhen për t’i mirëmbajtur. Nga ana tjetër pas largimit të çdo drejtori pajisjet e “Pallatit” tkurren e tkurren si stofrat e turkut, që shiten te tregu çam, pas larjes. Restaurimi kohët e fundit e kishës së mbretëreshës ishte një hap pozitiv po gjithsesi “i mbyllur” dhe nuk mjafton. Bien në sy mungesa të theksuara.  E kam konstatuar personalisht, në kohën e kryeministrit Nano, kur u nxorrën jashtë përdorimit kolltukë, tavolina, ndenjëse, sixhade, qylyma  e plot objekte të tjera (piktura?) që u morën me kamiona dhe u çuan për tu “asgjësuar” sipas ligjit, si gjëra pa vlerë, që i kishte “grirë” mola. Natyrisht që ato i gjen tashmë në muze e lokale private e shtëpi oligarkësh në Tiranë, Korçë, Vlorë e gjetkë. Madje pronarët nuk përtojnë të mburren, duke thënë se ky apo ai objekt është nga Pallati Zogut apo Vila e Enver Hoxhës. Është detyrë e çdo qeverie të ruajë trashëgiminë kulturore dhe t’i kthejë në identitet objektet dhe ndërtesat me vlerë historike e arkitekturore, veçanërisht Pallatin Mbretëror dhe Vilën e diktatorit. Si fillim të inventarizohet gjithçka ka aty vërtetësisht (nëse janë marrë me inventar godinat dhe pajisjet nga drejtuesit e sotëm) dhe pastaj të kalohen në sitë të imët qysh nga inventarët e viteve 1944-1945 e deri në ditët tona. Që mungojnë shumë objekte edhe prej ari e argjendi kjo nuk ka dyshim. Që mund të gjendet një pjesë e tyre edhe kjo nuk ka dyshim. Por nuk mjafton. Koha ka ardhur që këto ndërtesa të restaurohen, të pasurohen, të pastrohen e të kthehen të vizitueshme për njerëzit. Veç të tjerash janë sipërfaqe të gjelbëruara të konsideruesme, që mund të shërbejnë edhe si shëtitore për qytetarët. Pallati Presidencial, ku nuk mungon asnjë detaj i një pallati mbretëror apo perandorak, është histori, është pasuri, trashëgimi, kulturë, gjithçka që e kënaq një qënie njerëzore. Sa më shpejt aq më mirë.

*Pallati filloi punimet në vitin 1936. Kur Zogu u largua në vitin 1939 ai nuk kishte mbaruar ende plotësisht. Punimet përfunduan në vitin 1941 nga italianët të cilët vendosën aty shtabin e forcave të armatosura. Viktor Emanueli III ka fjetur në atë Pallat gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1941. U quajt Pallati i Brigadave në kohën e diktaturës dhe u përdor për pritje delegacionesh të huaja. Pas vitit 1992 quhet “Pallati Presidencial”